Ajo quhet Jana*





Furkani

Ajo quhet Jana dhe është një  muslimane nga Europa Lindore. Me të u njohëm  krejt rastësisht. Fillimisht u takova më bashkëshortin e Janës i cili sapo kishte qethur flokët në të njëjtin vend që i qeth dhe unë, në një nga lagjet në juglindje të Londrës. Shihemi jashtë dhe përshëndetemi me selam. Irfani është një djalë i pashëm, që vjen nga një familje e mesme pakistaneze, i veshur me shije dhe shumë i edukuar. Më thotë që po priste bashkshorten, Janën, e cila po lustronte thonjtë tek një dyqan vietnamez ngjitur. Më thotë se Jana është nga Europa Lindore dhe se ka dëshirë të njihet me muslimanë të konvertuar si ajo, europianë. Më gëzon ky fakt, pasi unë dhe bashkëshortja ime kishim gjithashtu kuriozitet të njiheshim me muslimanë që ndanjnë pak a shumë të njëjtën kulturë.

Jana doli dhe u prezantuam. Veshur sportive, shumë praktike dhe shumë e gjallë, e mbuluar me një shami të thjeshtë. Shihej dukshëm se ndihej shumë rehat me kodin e saj të veshjes. Shkojmë të pijme një çaj në një kafe algjeriane aty pranë, e cila ka një ambjent të ngrohtë, dekoruar me mobileri dhe stil krejt tradicional nga Afrika veriore. Porosisim çajin karakteristik me gjethe minti dhe biseda fillon natyrshëm.

Si Irfani dhe Jana janë të dy juristë shumë të mirë dhe shumë të realizuar në profesion. Jana punon në tregun financiar kurse Irfani në atë të sigurimeve në Qendrën Financiare të Londrës (City). Fillimisht flasim për problemet ekonomike, recesionin, vështirësitë e gjendjes së punësimit në Angli dhe më pas gradualisht kalojmë në biseda më familjare.

Une dhe bashkëshortja ime ishim shumë kurioz të dinim se si kishte kontaktuar Jana me Islamin dhe çfarë e kishte shtyrë atë të bëhej besimtare. Ajo menjëhere kthehet nga i shoqi dhe të dy i qeshin njëri tjetrit. Irfani na thotë, ‘Kemi qënë në universitet të dy dhe – Jana ndërhyn – ky m’u afrua dhe ja kështu u pëlqyem. Gradualisht, Irfani me foli për Islamin…. filozofia dhe komoditeti shpirtëror që të jep ky besim më tërhoqi, dhe ja u bëra besimtare’.

E pyeta se si e pritën shoqëria dhe familja. Jana ul kokën dhe hesht për pak: ‘Nuk e pritën mirë, sidomos familja, dhe  fakti që unë isha lidhur me një djalë nga Pakistani e bënte situatën edhe me të vështirë’. Jana kishte prindër intelektualë. E ëma ishte gazetare dhe babai një ish ushtarak i lartë në pension.  Ajo më parë ishte marrë edhe me sport dhe kishte qënë dhe një gjimnaste e njohur në vendin e saj.

E pyetëm se si ishte ndjerë në mjedisin profesional.  Jana do të cilësonte se  Anglia është një ndër vendet më liberale në lidhje me respektimin e besimeve fetare. “Sheh vajza me hixhab të cilat punonjë në institucione shtetërore, private, në shërbime civile dhe ato shëndetsore. Sidoqoftë hixhabi edhe në një vend si Anglia mund të krijojë problem për integrimin profesional.”

Por këto pengesa në asnjë moment nuk e kishin bërë atë të heqë shaminë. Përkundrazi ajo e shikonte mbajtjen e hixhabit në institucionet që ka punuar si një pjesë identitetit të saj. Ajo do shprehej ‘ nëse do hiqja hixhabin do të ofendoja veten time në rradhë të parë, zgjedhjen time, dhe kështu nuk mund të kërkoj respekt nga të tjerët kur unë nuk respektoj vetveten’.

Jana do tregonte disa nga peripecitë e saj me shaminë:  “Kur punova për disa kohë në një firmë juridike në Londër, pasi  vura shaminë, punët nuk shkuan aq rozë. Fillimisht psh, kur kam dhënë intervista pune, bashkë me Irfanin kemi diskutuar nëse do ishte më mirë ta hiqja shaminë.  Gjithashtu më ka bërë përshtypje habia e shfaqur  e punëdhënësve të ndryshëm, që duke u nisur nga emri, prisnin të shihnin një bionde të hedhur nga Europa Lindore. Gjatë profesionit tim kam pasur raste që klientët më kanë pyetur me mosbesim: “kështu me shami do na paraqitesh në gjykatë?!” Por unë gjithësesi vendosa ta mbaj hixhabin dhe sot jam shumë krenare për këtë.”

Nga ana tjetër, ajo nuk heziton të tregojë edhe një aspekt pozitiv të shoqërisë Angleze: “Fillimisht ka një farë ndrojtje prej tyre, por më pas, nëse ti je profesioniste e mirë, hixhabi kthehet në një shenjë respekti nga ata ndaj teje’.

Tashmë Jana ishte bërë e njohur në vendin e saj. Ajo është ftuar në disa emisione televizive për të dhënë komentete si profesioniste në lidhje me tregun financiar, ndërkohë, është personi që ka mbajtur Pishtarin Olimimpik të vendit të saj në Olimpiadën e Londrës. Por kjo dalje publike nuk kishte qënë pa kosto. Ajo kishte marrë disa herë kërcënime me jetë nga ekstremistë anonimë që e shihnin këtë përfaqësim si diçka që dëmtonte imazhin e vendit. Por të gjitha këto i kalonte me sportivitet.

Më pas na foli për martesën e saj. Përfaqësuesi i saj në nikah u bë një shok i Irfanit, tashmë mik i familjes, pasi asnjë nga prindërit nuk kish pranuar të merrte pjesë. Ky kishte qënë një moment shumë i rëndë. Por megjithatë ajo shprehej se i kuptonte ata. Trysnia shoqerore apo edhe frustracioni prej saj, nuk janë të lehta të përballohen nga çdokush. Kjo më kujtoi shumë raste të ngjashme në Shqipëri, ku këto vajza hasin probleme, shpesh shumë herë më të rënda me familjet e tyre.

Fatkeqësisht, paragjykimet jane shpesh më të mëdha në vende muslimane. Pas nikahut në Londër çifti kishte vajtur në Pakistan për ceremoninë e martesës.  Atje, siç dhe Jana do tregonte me të qeshur, iu desh të përballonte “një dasëm që zgjati tre ditë dhe që ishte shumë e lodhshme”. Sidoqoftë, nga gjërat që i kishin bërë përshtypje më shumë, ishte momenti i bërjes së ceremonisë zyrtare të nikahut.  Ajo na tregon:

“Pasi morëm dokumentin e martesës, që përcaktonte të drejtat dhe detyrimet e çiftit, hoxha i vuri një vizë faqes që lidhej me të drejtat e gruas. Kjo më mërziti pa masë dhe e pyeta pse e bëri këtë. Ai më tha, ‘nuk është e nevojshme, se ju nuk do divorcoheni dhe gruaja këtu nuk para punon, kështu që burri ka të gjithë përgjegjësinë të kujdeset për të’. E irrituar i drejtohem hoxhës: ‘Dua t’i lexoj kushtet e dokumentit martesor dhe t’i negocioj me bashkshortin tim sipas sheriatit dhe ju nuk mund të vendosni nëse unë duhet ose jo të heq dorë nga të drejtat e mia’.”

Për këtë arsye çifti nuk kishte pranuar të nënshkruante  dokumentin e martesës pa rënë dakort të dy me lirinë e tyre. Ky është kusht i domosdoshëm në sheriat që martesa të jetë e vlefshme. Irfani tha që babai i tij ishte gëzuar që çifti kishte arritur të kundërshtonte një traditë që, jo vetëm është në kundërshtim me fenë, por dhe është tërësisht diskriminuese. Kjo i bënte shumë përshtypje Janës: “Është shumë e çuditshme se sa liri i jep Islami gruas dhe se sa shumë keqinterpretohet kjo në vendet muslimane. Nga pikpamja Islame gruaja është më e mbrojtur sesa në perëndim. Unë të paktën arrij ta bëj këtë dallim. Në Pakistan muslimanët flasin me traditë në emër të besimit dhe kjo bëhet edhe më dramatike kur legjitimohet nga hoxhallarët lokalë”.

Edhe Irfani nuk i kishte shpëtuar paragjykimeve. Shumë familjarë e kishin pyetur se sa i sigurtë ndjehej ai me një vajzë të ‘bardhë’, nga Europa.  Të tjerë i kishin lënë të nënkuptonte që, nëse bashkëshortja punon do të mund të bëhej arrogante dhe kjo mund të sillte çarje në familje. Megjithatë Irfani ndihej shumë mirë me zgjedhjen e tij. Të dy ishin mirë me njëri-tjetrin dhe kaq mjaftonte.

Takimi me ta na tërhoqi shumë. Problemet tona janë pak a shumë njësoj. Duke kujtuar ngjarjen që ndodhi me Aishen në Shqipëri,  injorancën deri në ligësi të shtypit shqiptar në lidhje me ndikimin e islamit tek femra, mund të hiqen paralele të ngjashme. Një ambjent  mbytës që kërkon që ta bëjë femrën muslimane  të ndihet ligësht, të ndihet e frustuar, edhe atëherë kur është viktimë, edhe atëherë kur trupi dhe nderi i saj janë pengu dhe çmimi i degradimit moral. Një regjim kulturor konfuz i cili hallakatet duke goditur tabutë e vjetra, por duke formuar të reja. Dhe siç thekson Tarik Ramadan, një sëmundje në shoqëritë tona moderne që kërkojnë të islamizojnë problemet sociale. Rasti i Janës, një copëz jete që ngjiz shumë në kontekstin shqiptar,  i ngarkuar me steriotipe dhe paragjykime gjinore e fetare, na bëri që ta ndajmë këtë përvojë me ju.

E kemi lënë të takohemi përsëri. Tashmë jemi bërë shumë miq. Ata kanë marrë një shtëpi të re dhe na kanë ftuar për vizitë. Jana na ka porositur t’i gatuajmë një byrek shqiptar.  Në email pas selamit nuk harron të na përshëndes dhe me tung.

 

*Ezani fillimisht ka marrë të drejtën e publikimit të kësaj ngjarjeje nga autorët dhe personazhet në shkrim duke siguruar konfidencialitetin për shkak të profesioneve të tyrë. Për këtë qëllim E-zani ka ndryshuar vetëm emrat  e tyre.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *