Zhveshje!





Fatjon Nanaj

Është e vështirë të arratisesh nga lëkura jote, të shikosh botën ndryshe nga mënyra si na prezantohet ditë pas dite. Megjithatë është e dobishme  të përpiqesh ta bësh.

–Noam Chomsky

Në ç’masë jemi të ngërthyer nga nofullat tejshpuese të normalitetit? A e keni vënë re efektin e tij konformues mbi ne, qoftë edhe kur gjendemi përballë çudisë më të madhe? Medoemos që duhet ta keni vënë re sado të shkujdesur apo gafil të jeni në lidhje me të, sepse çuditërisht edhe çudia është pjesë e normalitetit, e të natyrshmes që të krijon idenë e diçkaje të paracaktuar dhe koherente. Mirëpo kur edhe çudia ngërthehet nga normaliteti atëherë është pikërisht ky i fundit që përbën ose të paktën duhet të përbëjë çudinë më të madhe për ata që dinë edhe të çuditen. Të dyshosh normalitetin duke e trajtuar si çudinë më të madhe, për Lakanin[1] është detyra kryesore e filozofisë. Ngjan si lojë pasqyrash ku çudia transpozohet në normalitet. Sipas të njëjtit model kuazi hegelian edhe hipokrizia shkëmben shpesh rolin me sinqeritetin duke u bërë detaj thelbësor i ekzistencës së tij. Kur maska e hipokrizisë mbulon sinqeritetin duke përcaktuar marrdhëniet mes njerëzve atëherë është pikërisht ajo që konstituon realitetin, duke e shndërruar sinqeritetin në aspektin virtual të këtyre marrëdhënieve. Gjithsesi, edhe në këtë rast ekziston një formë e sinqeritetit konvencional, të nënkuptuar dhe heshturazi të pranuar. Të gjithë jemi të sinqertë për maskat që mbajmë. Pra jetojmë në një terren ku ekziston hipokrizi e sinqertë sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për hipokrizinë që sundon në realitetin virtual ku jetojmë, edhe pse jo vetëm nuk guxojmë të hapim sytë, por përkundrazi, vazhdojmë të ushqejmë veten me iluzione për të mbajtur në këmbë ngrehinën që kemi ngritur. Ndoshta e bëjmë këtë nga frika se mos prej shembjes së saj do të humbasim lidhjet me realitetin që ne duam të shikojmë, dhe që nuk bën dot pa iluzionet, trillet dhe magjepsjen. Në këtë mënyrë mund të themi se jetojmë në një realitet të zhveshur nga realiteti.

I njëjti botëkuptim mund të aplikohet suksesshëm edhe në shumë aspekte të tjera jetësore. Është ky trendi i botës post-moderniste ku individi, në rolin e homo-economicus, përkufizohet nga nevoja gjithmonë e më e pangopur për të konsumuar dhe fituar, si rruga e vetme për të përmbushur dëshirat virtuale të tij. Dëshirat tona janë të krijuara artificialisht apo të stisura qëllimisht si pjesë e këtij  virtualiteti apo bote imagjinare ku jetojmë dhe nuk përbëjnë aspak nevoja bazike të qenies njerëzore. Pikërisht për këtë arsye, ashtu siç kemi një realitet të zhveshur nga realiteti, medoemos do të kemi dhe një formë kënaqjeje të zhveshur nga esenca e saj për të plotësuar këto nevoja që i përgjigjen realiteti virtual ku jetojmë.

Shembujt për këtë mund të jenë sa banalë po aq edhe të thjeshtë. Sot në supermarkete mund të blesh kafe pa kafeinë, çokollatë pa yndyrna dhe të tjera produkte të zhveshura pikërisht nga ato cilësi që përbëjnë thelbin e tyre, pra që e bëjnë kafen kafe dhe çokollatën çokollatë. Mund të përmendim edhe ndonjë shembull tjetër më revolucionar. Alan Badiou[2] në një fjalim të tij përmend se kishte dëgjuar diku në Francë për ekzistencën e një agjencie lidhjesh që u premtonte aplikantëve se do t’u mundësonte “të përjetonin dashurinë pa rënë në dashuri”. Kështu, në realitetin iluzionar ku jetojmë na ofrohet mundësia që të plotësojmë nevojat tona përmes zgjidhjeve po ashtu virtuale që krijojnë përvoja sipërfaqësore, për shkak se janë të zhveshura nga thelbi i tyre, e që njëkohësisht mund të themi se simbolizon të vërtetën e tyre. Pra, mund të pimë kafe pa kafeinë, të hamë çokollata pa yndyrë dhe të biem në dashuri pa rënë në dashuri. Në këtë mënyrë shmangim të gjithë ato përbërës “të rrezikshëm” që do të na ofronin një përjetim të vërtetë dhe të thellë, edhe pse ndoshta me ndonjë kokëçarje apo efekt anësor, përsa i përket shëndetit. Të shndërruar në pragmatistë të lindur, kur në fakt nuk jemi lindur të tillë, po mundohemi të zhveshim çdo përjetim nga thelbi i tij duke anashkaluar çdo të ashtuquajtur “rrezik” shëndetësor, emocional dhe mbi të gjitha material, pa të cilin përjetimi është thjesht dhe vetëm virtual, gjithsesi i efektshëm në realitetin e zhveshur ku jetojmë. Ndihemi mirë me përjetimet sipërfaqësore, virtuale dhe iluzore sepse edhe vetë realiteti që na imponohet është i tillë.

Gjithë sa thamë më lart besoj se mjafton për të treguar se ankthi më i madh me të cilin përballet njerëzimi sot është arratisja nga e vërteta dhe përvoja apo përjetimi që ajo passjell përmes krijimit të një mjedisi të rehatshëm iluzionar. Mirëpo dikush mund të pyesë me të drejtë pse kemi kaq frikë nga e vërteta, pse e përçmojmë atë kur papushim përsërim refrene, predikime apo moralizime për të? Përgjigjja është e thjeshtë dhe nuk ka nevojë për shpjegime të fryra elokuente. Sepse e vërteta është barra që nuk e mbajtën malet, sepse për të vërtetën Profeti a.s tha: “Sikur të dinit atë që di unë do të qanit shumë dhe do të qeshnit pak”, sepse e vërteta nga vetë natyra e saj është e rëndë, ajo kërkon karaktere të fortë, sepse e vërteta nuk pranon të copëtohet apo të anashkalohet pjesërisht, sepse e vërteta është burim ankthi, padurimi, aktivizmi, reformimi, vetmohimi. Pra e vërteta është se njohja e të vërtetës dhe për më tepër pranimi i saj nuk mund të na bëjë të lumtur, të na ofrojë qetësi dhe mirëqenie iluzionare tokësore nga ajo që shpirtrat e lehtë kërkojnë. Përkundrazi, e vërteta kërkon heronj të heshtur dhe të ndërgjegjshëm për rrugën e vuajtjes nëpër të cilën ajo do t’i udhëheqë. Sigurisht se ai që mbërrin në krye të kësaj rruge me vuajtje do të gëzojë frytet e së vërtetës, por të pretendosh t’i gëzosh këto fryte pa guxuar as të ndërmarrësh këtë rrugë do të thotë të mashtrosh veten.

Njerëzit kanë ndërtuar themele të ndryshme mbi të cilët kanë ngritur besimin e tyre tek e vërteta, apo botëvështrimet e tyre mbi të. Për një pjesë të madhe të popullsisë në botë e vërteta gjendet tek Islami si vizion mbi jetën e paradigmë për të përmbushur këtë vizion. Por gjithë sa thamë me lart mendoj se fatkeqësisht ka prekur edhe mënyrën sesi ne e kuptojmë Islamin, për më tepër si e praktikojmë atë. Ai që ne quajmë realitet islam është fatkeqësisht krejtësisht larg Islamit, ose duke ndjekur të njëjtën linjë narracioni që kemi përdorur deri tani, mund të themi se është Islam i zhveshur nga Islami. Ashtu sikurse kemi bërë me realitetin tonë duke e zhveshur nga thelbi i tij, ashtu po përpiqemi të bëjmë edhe me Islamin tonë. Po i japim shijen artificiale të kafes pa kafeinë…

Njeriu nuk mund të jetojë pa të vërtetën, edhe sikur të dojë ta bëjë këtë, sepse në natyrën e të vërtetës është aftësia e saj për t’u imponuar, për të ngadhënjyer. Po ashtu, njeriu e ka të vështirë të jetojë denjësisht edhe pa Islamin, ose vizionin hyjnor për jetën në tokë, por ama njeriu e ka të mundur të mashtrojë veten duke pretenduar se po punon për këtë vizion. Me ndoj se është pikërisht ky hendeku i madh që e ndan Islamin nga ne. Ndërsa radhët e muslimanëve sa vijnë e shtohen, shpresa për materializimin e parimeve dhe frymës Islame bëhet gjithmonë e me e shkrifët, si dallgët e detit. Është e dhimbshme të shikosh se sa më shumë ligjërata, predikime, hutbe shkarkohen mbi mendjet e të ashtuquajturit “umet”,  aq më shumë shtohet prirja për të thithur prej Islamit atë që është tokësore, që na mundëson përfitime afatshkurtra dhe na ofron rehati. Fatkeqësisht rëndësia e fjalëve prevalon mbi veprat. Predikimi Islam i ngjan sot një propagande ideologjike që ofron lumturinë e materializuar këtu, në dimensionet e kësaj bote, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër. Në media, spote dhe ligjërime na shfaqen pareshtur imazhet manipulatore të besimtarëve të lumtur, të suksesshëm dhe të rehatuar në vilat apo ‘Mercedes’-ët e tyre. E gjithë kjo mirëqenie materiale dhe lumturi psikologjike shitet si “fryt i besimit të tyre dhe i njohjes së të vërtetës”. A thua se ishin më të devotshmit ata që shijuan frytet e kësaj bote? Dijetarë e hoxhallarë flasin pareshtur sesi zbatimi i normave islame na mundëson të jetojmë të lumtur, na mundëson mirëqenie dhe qetësi. Në biseda të lira dhe formale diskutohet pambarimisht mbi kalifatin, sheriatin, shpëtimtarët e shumëpritur të sojit njerëzor (të ashtuquajturit liderë), pa qenë në gjendje të kuptojmë se këto janë thjesht mjete dhe se liderët nuk janë asgjë më shumë se trupëzim i cilësive më të spikatura të një shoqërie, por në shkallën më të lartë të mundshme,  dhe në një shoqëri ku mbizotëron mashtrimi dhe vjedhja, lider është mashtruesi apo hajduti më i madh.

Mendoj se është pikërisht kjo paraqitje e gabuar e Islamit që krijon muslimanë të ngjashëm me shkumën e detit. Jemi aq shumë por njëkohësisht jemi shumë pak. Sa më shumë që flasim për fenë aq më shumë i largohemi thelbit të saj duke e zhveshur nga dimensioni social, nga vetëmohimi, aktivizmi, parehatia dhe ngushtimi që natyrshëm çdo besimtar duhet të përjetojë në suazat e kësaj bote. Zhveshja e Islamit nga këto cilësi është rezultat i pashmangshëm i humbjes së lidhjeve me realitetin. Kjo ka prodhuar edhe paaftësinë për të ofruar modele të gjallë dhe aktualë të trupëzimit të vlerave dhe vizionit islam. Si sizifë modernë jemi të detyruar t’i referohemi përvuajtshëm dhe pareshtur modeleve të së shkuarës. E gjitha kjo sepse Islami sot konsiderohet më shumë një hajmali për t’u varur në qafë që të na sigurojë rehati, qetësi dhe fat sesa rruga e vështirë dhe e mundimshme tek e vërteta. Ata që e ngrënë zërin më lart duhet të heshtin të parët. Gjatë plot 600 viteve të dekadencës së qytetërimit që muslimanët ndërtuan, mendoni vallë se munguan hutbet, ligjëratat, fetvatë? Përkundrazi, ato u shtuan duke ngushtuar gjithmonë e më shumë hapësirat e veprimit në dobi të ideologjizimit. Nëse dikur fjala e lirë nuk ekzistonte dhe dijetarët i shkruanin veprat në burgje, sot, kur fjala e lirë është e garantuar dhe e mbrojtur, mimberet shfrytëzohen në dobi të politikës përçarëse dhe denigruese të cilën ne jo vetëm nuk e luftuam, por e ushqyem.

Sot duhen heronj të heshtur, jo propagandistë të rehatuar në iluzione. Për sa kohë që vazhdojmë të mashtrojmë veten duke zhveshur Islamin nga thelbi i tij, që nënkupton të qenit i shqetësuar, në ankth ose, siç mrekullisht Profeti a.s thotë në një hadith, “i huaj” ndaj kësaj bote dhe në përpjekje të vazhdueshme për të reformuar veten dhe mjedisin përreth, gjasat për lartësim janë të pakta. Do të vazhdojmë t’i injektojmë vetes doza opiumi për të gjeneruar një realitet të zhveshur të cilit i përgjigjet një islam po ashtu i zhveshur, pragmatist, sipërfaqësor, iluzionar dhe pa shije.

 

P.S :“Çfarë duhet të bëj për të trashëguar përjetësinë?” Fjodor Pavloviç Karamazov, duke cituar Biblën, pyet At Zosimën tek “Vëllezërit Karamaz”. Zosima përgjigjet: “Mbi të gjitha mos gënje veten.”



[1] Zhak Lakan (1901-1981); psikanalist dhe psikiatër francez me kontribute të veçanta në filozofi.

[2] Filozof bashkohor francez.

Comments

  • Pershkrim briljiant i kohes ku po jetojme. Me pelqeu per frymen islame qe kishte ne te, shkrime tilla has me shum ne media perendimore(me fryme krishtere). Kam pershtypjen qe shum besimtar musliman, duke dashur t’i ikin, te shmangin kete “gabim” perqafojne mendimin/rrymen selefiste. Ju uroj edhe njeher per shkrimin.

  • Si shoqëri, një hap të dukshëm drejt njerëzores do ta kishim manifestuar në momentin që një bashkëqytetar yni, homoseksual, do të ndjente lirinë e natyrshme që të dalë në një televizion publik dhe të flasë hapur dhe natyrshëm për veten e tij. Kjo sot nuk mund të ndodhë. Nuk mund të ndodhë sepse ai nuk e ka guximin, duke e njohur barbarinë e shoqërisë, ta bëjë këtë hap; nuk mund të ndodhë, sepse televizioni publik nuk do t’ia mundësonte këtë, duke e ndjekur disponimin e publikut të vet, i cili do të ishte kundër asaj shfaqjeje; nuk mund të ndodhë, sepse ai e di se posa të dalë nga studioja mund ta rrahë, poshtërojë a vrasë ndonjë bashkëqytetar i vet, për më tepër duke e pësuar pastaj edhe indiferencën ose tamam tumirjen e organeve të rendit dhe shoqërisë në tërësi ndaj një akti të atillë.

    • O Idebenone, qe mos kemi inflazion martiresh kendej, sikur pati nje parade para ca kohesh. Ne nje vend protektorat si Shqiperia e cila drejtohet nga ambasadoret e Evropes, ju patet dhe ambasadoret e Evropes ne mbeshtetje, edhe avokatin e popullit, ju keni Hillary Clinton qe ngriti muhabetin e atij cunit refugjat nga Lezha. Lale, amon se nuk po ju ndalo kush televizionin. Sa per dhune, fatkeqsisht jena shoqeri e dhunshme po heteroseksualet nuk po i kurse dhuna e atdheut tone.

    • E kunderta eshte e vertete. Mediat, politika, shoqeria civile, ambasadat e huaja, te gjitha jane ne mbrojtje te homoseksualeve me te gjithe fuqine, nderkohe qe ne kete vend njerezit diskriminohen, shtypen, paragjykohen e dhunohen edhe per ceshtje shume me njerezore, sic eshte feja, raca apo perardhja familjare e krahinore. Perkundrazi, ky shtet i jep perparesi te drejtes seksuale perpare te gjithe te tjerave, madje te tjerat i nencmon krejtesisht dhe askush nuk e ngre zerin.
      Ja nje reagim i ketij blogu per kete:
      http://www.e-zani.com/2012/03/31/monument-seksi-mbrohet-nga-shteti/
      Edhe nje tjeter:
      http://www.e-zani.com/2012/03/25/diktatura-e-homoseksualitetit/

  • Me gjithe friken se po genjej perseri veten,po guxoj ta them qe shkrimi ishte per mua dhe per te gjithe muslimanet. Urime Fatjon

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *