Njeriu në pasqyrë





Chris Hedges

 

Në kulturën e famës ne shkatërrojmë atë që adhurojmë. Shfrytëzimi komercial i vdekjes së Majkëll Xheksonit u orkestrua nga forcat korporative që e shndërruan Xheksonin në një të çmendur. Xheksoni, me fëmijëri të grabitur dhe i rrethuar nga grabitqarë, preja e të cilëve ishte frika dhe dobësia e tij, ndihej aq i konsumuar nga neveria ndaj vetvetes sa vendosi ta shndërrojë fytyrën e tij afro-amerikane në një maskë vdekjeje kaukaziane në ndryshim të përhershëm, dhe të fshihte pedofilinë e tij të dukshme pas iluzionit piterpanas të fëmijërisë së përhershme. Ai nuk arrinte të ndante jetën e tij publike nga ajo private. Ai u shndërrua në një mall, në një produkt që mund të shitej, përdorej dhe manipulohej. Ai u infektua nga nihilizmi moral dhe shpërbërja personale, dy tiparet themelore të kulturës sonë korporativiste.

Shërbimi i tij funeral – një show i larmishëm me arkivol – vlerësohet se u ndoq nga 31.1 milionë teleshikues. Ceremonia që përfshinte performancat dhe homazhet e kryera nga Stevie Wonder, Brooke Shields dhe njerëz të tjerë të famshëm u transmetua ‘live’ nga 19 rrjete televizive, përfshi mediat më të fuqishme në botë. Ishte episodi i fundit i serialit të gjatë “Majkëll Xhekson”. Episodi u mbyll me vajzën e Xheksonit, Parisin, që u detyrua të qëndronte përballë një mikrofoni për të folur rreth babait të saj. Xhenet Xheksoni, përpara se vajza të arrinte të lidhte dy fjalë, i kërkoi Parisit që të thoshte diçka. Ndërkohë që vajza shpërtheu në lot, të rriturit përreth saj rregulluan mikrofonin që ne të dëgjonim sa më mirë ngashënjimat e saj. Turma duartrokiti. Ishte jehona përndjekëse që shkatërroi babain e saj.

Historitë që na pëlqejnë më shumë janë ato të ‘jetës së vërtetë’ – të famës së menjëhershme, suksesit të egër, të shoqëruar më pas nga një rrënim i gjatë, i çuditshëm dhe makabër. O.J. Simpson ofron një version më të butë të të njëjtit komplot. Po ashtu edhe Britney Spears. Xheksoni, në fund të jetës së tij ishte i mbytur në borxhe dhe kishte pranuar një marrëveshje jashtëgjyqësore me vlerë 22 milionë dollarë në dobi të Jordy Chandlerit, pa harruar shtatë akuzat e ngritura për abuzim me të miturit dhe dy akuzat e tjera për nxitjen e një agjenti të intoksikuar drejt kryerjes së një krimi. Ne u ushqyem me shpërbërjen e tij fizike dhe psikologjike, veçanërisht në kohën kur shumë amerikanë po luftojnë kundër tatëpjetës ekonomike, humbjes së pozitës shoqërore dhe shpërbërjes personale.

Drama e përflakur e jetës personale të Xheksonit u ingranua përsosmërisht me dramat që shikojmë në televizione dhe filma, apo dëgjojmë në lajme. Lajmet lulëzojnë me histori të ‘jetës së vërtetë’, veçanërisht ato që përfshijnë njerëzit e famshëm. Raportimet në lajme janë mini-drama që realizohen falë një ylli, një batakçiu, një trupe mbështetëse, një prezantuesje hirplotë dhe një fundi dramatik ose shpeshherë të papritur. Publiku konsumonte me babëzi ‘lajmet’ rreth Xheksonit, që në të shumtën e herëve tejkalonin çdo trill të shkruar mbi letër, veçanërisht gjatë ekzilit dhe zvetënimit të tij. Në “Fahrenheit 451,” novelën e Ray Bradbury mbi distopinë e të ardhmes, njerëzit shpenzojnë pjesën më të madhe të ditës duke parë ekrane gjigantë që shfaqin skena të pafundme ndjekjesh policore dhe frike ndaj krimit. Jeta, siç Bradbury e kuptoi, pasi ambalazhohet, inskenohet dhe filmohet, shndërrohet në formën më imponuese të argëtimit. Dhe Xheksoni ishte një show gjigant. Ai e meritonte një fund madhështor.

Ata që krijuan personin publik të Xheksonit dhe e shndërruan në një pronë, fillimisht si fëmijë dhe përfundimisht si një kufomë të mbyllur brenda një arkivoli me pllakëza ari dhe vlerë 15.000 dollarë janë agjentët, publicistët, punëtorët e marketingut, skenaristët, producentët e filmave dhe të televizioneve, kostumografët, makiazhatorët, trajnerët e fitnesit, prezantuesit dhe personalitetet televizivë që krijojnë një gamë të gjerë njerëzish të famshëm për qëllime përfitimi. Ata janë  mjeshtrit e padukshëm. Askush nuk mund të arrijë statusin e të famshmit, dhe asnjë iluzion kulturor nuk mund të gëlltitet si realitet pa ndihmën e kësaj ushtrie ndërmjetësish dhe orientuesish kulturorë. Producentët në Staples Center, Los Angelos, u siguruan që 18.000 të pranishmit dhe audienca televizive (edhe BBC-ja i kushtoi tre orë të programacionit të saj homazheve) të shikonin një funeral të shndërruar në një tjetër formë qaravitjeje që synonte ekzaltimin dhe argëtimin popullor.

Shërbimi përkujtimor ndaj Xheksonit ishte kremtim i famës. Ishin edhe shikimet e trazuara të grupeve të fëmijëve, përfshi edhe fëmijët e tij që këndonin mbi arkivol. Xhonsoni i Magjishëm shfrytëzoi rastin t’i bënte reklamë restorantit Kentucky Fried Chicken. Shields-i, duke fshirë lotët, risolli në kujtesë sesi ajo dhe Xheksoni 33-vjeçar – që gjithmonë deklaronte se ishte heteroseksual – u futën fshehurazi në dhomën e Elizabeth Taylor-it një natë përpara martesës së saj të fundit për t’i hedhur një shikim vjedhurazi përpara çdokujt tjetër fustanit të saj. Shields-i dhe Xheksoni, në dasmën e Taylor-it bënin shaka duke thënë se ishin “nëna dha babai i nuses”.

“Po, atyre që e dëgjojnë këtë histori mund t’iu duket shumë e çuditshme,” tha Shields-i, “por ne u argëtuam me të vërtetë.”

U shfaqën fotomontazhe në të cilat fotoja e Xheksonit duke rrokuar duart me Nelson Mandelën shoqërohej menjëherë nga një foto e tij me bretkosën Kermit. Fama i zbret të gjithë të famshmit në të njëjtin nivel. Fama është vlera e vetme. Dhe të gjitha anekdotat me sa duket konfirmojnë faktin se kur e kalon jetën si njeri i famshëm, nuk ke asnjë ide se kush je në të vërtetë.

Ne e matim jetën tonë duke përdorur si etalon këta të famshëm. Ne kërkojmë të jemi si ata. Ne imitojmë pamjen dhe sjelljen e tyre. I arratisemi çorodisë së jetës së vërtetë përmes fantazisë së aktrimit të tyre. Ne, gjithashtu, jemi të dëshiruar të tërheqim audienca admiruese për filmin madhështor dhe në xhirim e sipër të jetës tonë. Përpiqemi ta shikojmë veten duke lëvizur në jetë ashtu siç kamera do të na shikonte, të kujdesshëm për mënyrën si vishemi, si qëndrojmë dhe çfarë themi. Shpikim filma që luhen brenda kokëve tona, me ne si aktorët kryesorë. Vrasim mendjen si do të reagonte audienca. Kultura e famës, pothuajse në mënyrë të pandërgjegjshme, na ka mësuar si të prodhojmë skenarë të brendshëm personalë. Kemi mësuar mënyra të foluri dhe menduari që shfytyrojnë thellësisht lidhjen tonë me botën dhe njerëzit që kemi përreth. Neal Gabler, që ka shkruar me urtësi mbi këtë çështje, argumenton se kultura e famës nuk është edhe aq konvergjencë e kulturës së konsumizmit me fenë saç është gllabërim i fesë nga kultura e konsumizmit.

Xheksoni ndihej dëshpërimisht i frikësuar nga fakti që po rritej. Ai besonte se mund të kontrollonte racën dhe seksin. Ai e shndërroi veten, përmes ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ndoshta hormoneve femërore, nga një mashkull afro-amerikan me lëkurë kaf në një vampir hermafrodit me fytyrë të bardhë pa identitet të qartë seksual. Ndërsa preku ekstremet, ai bëri thjesht atë që shumë amerikanë të tjerë bëjnë. Vitin e kaluar në SHBA u kryen 12 milionë ndërhyrje kirurgjikale kozmetike. Këto ndërhyrje u kryen sepse në Amerikë, shumica e qenieve njerëzore, të varfër dhe të pasur, të famshëm dhe të panjohur, janë kushtëzuar ta shikojnë veten si objekte të tregtueshëm. Ata janë objekte, produkte konsumi. Ata nuk kanë vlerë të brendshme. Ata duhet të duken përrallorë dhe të gjallë mbi skena mahnitëse. Ata duhet të mbeten të rinj. Ata duhet të arrijnë famë dhe para, ose iluzionin e tyre, për të qenë të suksesshëm. Dhe nuk ka aspak rëndësi sesi arrijnë deri aty.

Nihilizmi moral i kulturës tonë licencon një vuajerizëm të errët mbi poshtërimin, dhimbjen, dobësinë dhe tradhtinë e të tjerëve. Edukimi, ndërtimi i komuniteteve, ndershmëria, transparenca dhe ndarja e të mirës me të tjerët janë cilësi që në këtë shtrembërim demokracie dhe moraliteti përqeshen dhe nuk marrin asnjë votë në çdolloj ‘reality show’. Ata që konkurrojnë për famë dhe para nëpër ‘reality show’, me votën e tyre vendosin të ‘zhdukin’ të padëshiruarit. Në çastet e fundit të ‘reality show’-ut “Top Modelja e Ardhshme Amerikane”, pamja e vajzës së përjashtuar gjatë episodit zhduket nga fotografia në grup që shfaqet në ekran. Ato që flaken jashtë, të paktën për audiencën televizive, bëhen jopersona. Të famshmit që nuk arrijnë të prodhojnë publicitet, për mirë ose për keq, zhduken. Jeta, siç këto show na mësojnë, është një botë brutale konkurrence të pandershme dhe kërkim i vazhdueshëm për famë dhe vëmendje. Dhe jeta shërben vetëm për poshtërimin personal të atyre që na kundërshtojnë. Ata që fitojnë janë më të mirët. Ata që humbasin meritojnë të fshihen. Ata që dështojnë, ata që janë të shëmtuar apo të varfër, nënvleftësohen ose përqeshen. Qeniet njerëzore përdoren, tradhtohen dhe hidhen në kosh në kulturën e konsumizmit. Kjo është pak a shumë historia e jetës së Xheksonit, megjithëse ai përjetoi ekuivalenten e ringjalljes si i famshëm që ishte. Vdekja e tij duhet të ketë qenë diçka e mirë për shitjen e muzikës së tij dhe ndoshta edhe për kompaninë e re diskografike të hapur nga babai i tij, të cilën Xho Xheksoni nxitoi të reklamonte publikisht pas vdekjes së të birit. Dhembshuria, zotësia, inteligjenca dhe solidariteti janë asete të kota kur qeniet njerëzore shndërrohen në mallra. Ata që nuk arrijnë të bëhen të famshëm, që nuk fitojnë dot çmime ose që nuk fitojnë miliona në kompanitë e Wall Street-it e meritojnë fatin e tyre.

Kulti i vetvetes, të cilin Xheksoni e trupëzonte, dominon kulturën tonë. Ky kult fsheh brenda vetes veçoritë klasike të psikopatëve: joshjen sipërfaqësore, ndjenjën e madhështisë dhe vetë-rëndësisë; nevojën për stimulim të vazhdueshëm, dëshirën për të gënjyër, mashtruar dhe manipuluar; dhe paaftësinë për të ndjerë keqardhje ose ndonjë fije fajësie. Xheksoni, nga martesat e tij të pasinqerta e deri tek marrëdhëniet e diskutueshme me djem të rinj, i kishte të gjitha këto cilësi. Kjo është etika që promovohet nga korporatat. Është etika e kapitalizmit të pafre. Është besimi i keqorientuar sipas të cilit stili dhe përparimi personal, i keqkuptuar si individualizëm, është i njëjtë me barazinë demokratike. Është kremtim i imazhit mbi substancën.

Në kultin e vetvetes ne kemi të drejtë të marrin atë që duam. Mund të bëjmë gjithçka, edhe të shkatërrojmë dhe të përçmojmë ata që kemi përreth, përfshi edhe miqtë tanë, për të fituar para, për të qenë të lumtur dhe për t’u bërë të famshëm. Pasi arrijmë famën dhe pasurinë, ato shndërrohen në justifikimin dhe moralin tonë. Rruga si arrijmë deri aty është e parëndësishme. Është kjo etikë perverse që na dha bankat e Wall Street-it dhe fondet e investimit, që qëllimisht shkatërruan ekonominë dhe vodhën paratë e  dhjetëra miliona aksionerëve të vegjël të cilët kishin blerë aksione për të financuar pensionin ose shpenzimet e kolegjit të fëmijëve të tyre. Krerët e këtyre korporatave, njësoj si fituesit e këtyre ‘reality show’-ve që gënjyen dhe manipuluan të tjerët për të fituar, ia hodhën paq me qindra miliona dollarë të fituara në formë kompensimesh dhe bonusesh. Etika e Wall Street-it është etika e famës.

Mbulimi i ethshëm i vdekjes së Xheksonit është shembull i qartë i fluturimit tonë kolektiv drejt iluzionit. Obsesioni pas vogëlsirave të jetës së tij fsheh dëshpërimin, mungesën e qëllimit dhe zbrazëtinë e jetëve tona. Ai shmang pyetjet morale që ngrihen si rezultat i padrejtësisë shoqërore në rritje, thellimit të pabarazisë, luftërave të kushtueshme imperialiste, kolapsit ekonomik dhe korrupsionit politik. Ndjekja e tërbuar e pozitës, pasurisë dhe famës, ka shkatërruar shpirtrat tanë, njësoj siç shkatërroi Xheksonin dhe siç ka shkatërruar ekonominë tonë.

Fytyrat e njerëzve të famshëm fshehin identitetet e atyre që zotërojnë pushtetin e vërtetë – korporatat dhe elitat oligarkike. E ndërsa ne zhytemi në batak ekonomik dhe politik, ndërsa marshojmë drejt një krize që do të krijojë më shumë mjerim se Depresioni i Madh, ne kontrollohemi, manipulohemi dhe shpërqendrohemi nga hijet prej celuloidi në muret e shpellës së Platonit. Fantazia e kulturës së famës nuk është projektuar vetëm për argëtim. Është projektuar për të na zhveshur emocionalisht, për të na pështjelluar mbi identitetin tonë, për të na shtyrë drejt fajësimit të vetes për telashet tona, për të na kushtëzuar që të ndjekim famën dhe lumturinë duke shmangur kundërvënien tonë. Në fund, kjo ishte arsyeja e vërtetë e mbulimit mediatik masiv të vdekjes së Xheksonit, një spektakël vulgar dhe pa shije për të shmangur një kulturë në vdekje nga imitimi i ulërimës së ujkut të egërsuar.

 

Përktheu: Fatjon Nanaj

Comments

  • Mrekullia vete! Pra dashamiresit e tij, urojme te ndjekin gjurmet e tij…, por jo ne ç’do veprim qe ka ndermarre ku xhekson, pasi te gjithe dine qe ishte nje pedofil, ku edhe per kete i hengren avokatet pothuaj tere pasurine, duke shitur edhe diznejlend…, pastaj shpresojme qe te mos nderrojne ngjyren e lekures te gjithe, se pastaj si merr vesh as derqi… Nga fundi i 70′ deri nga mesi i 80′, ishte edhe nje nga kengetaret e mi te preferuar, por qe atehere kane kaluar dhjetevjeçare (2,5). Megjithe ate, urime xheksonit…, te pakten e kane pranuar… Se i krishtere nuk mund te ishte, me ate sjellje.

  • Eshte gjithnje e me shume koha e vetedijesimit se kjo nuk eshte jeta (bota) ku mund te jesh i vertete; duhet nje tjeter menyre e te jetuarit, pa progresin e premtuar prej politikaneve, folesve televizive dhe hoxhallareve te Shqiperise.

  • Hoxhallaret sot drejtojne emisione televizive si showmen-ë dhe shesin fetva
    me cmim te lire duke i siguruar vetes fame dhe privilegje.

    • Sikur ta mbanim muhabetin te Michael Jackson per sot e ti lejme hoxhallaret per dite tjeter them une. Chris Hedges si ngahera provokues I mendimit pertej vanitetit te perditshem. Flm perkthyesit dhe ezanit.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *