e.zani

«Siç e shkrova edhe më parë, rruga e demokratizimit është një nga më të vështirat. Do të ketë eksese dhe keqkuptime, do të ketë telashe, fjalë e veprime të marra, do të ketë abuzime me të, të gjitha këto dihen. Por ajo ndaj është edhe madhështore, ndaj është heroike se është e tille. Historia do t’ju japë ju meritën e madhe, meritën e njeriut, që në momentin e duhur historik zgjodhi rrugën e vetme, alernativën e vetme që mund të zgjidhej.

[…]

Populli është me ju. Një grusht forcash të errëta që kundërshtojnë këtë proces janë të papërfillshme në krahasim me shtatë milionë shqiptarët që i urojnë këtij vendi një të ardhme që ai do të ketë me siguri. Kur këto forca të hidhen mënjanë si mbeturinat nga vala e historisë, atëherë do të duket se sa të mjera e qesharake kanë qenë dhe atëherë njerëzit bashkë me gëzimin do të ndiejnë ndoshta edhe një keqardhje: Sa shumë vëmendje u kushtuam, sa shumë i mbivlerësuam, e u lodhëm me to.

Kombi shqiptar është me ju, sepse me ju është e ardhmja. Ky komb kupton shumë gjëra dhe në gjërat themelore është i pagabueshëm. Ashtu siç e shpërblen me mosdashuri mosdashurinë, ashtu në kujtesën e tij dhe në zemrën e tij të madhe di t’i ruajë përherë ata që e deshën, që punuan për të, që punuan jo për ta mërzitur, jo për ta sfilitur, por përkundrazi për ta shëndoshur, për ta gëzuar, për ta bërë të lirë. Ju e keni ketë fat. Me ju është e ardhmja. Me ju është Shqipëria».

*Ismail Kadare, Tiranë, 3 maj 1990.

«Vepra jote i është kushtuar mbrojtjes së atdheut, lirisë e pavarësisë së tij, luftës heroike të Partisë sonë e të shokut Enver Hoxha, për të ruajtur sovranitetin tonë (kujtoj “Gjeneralin…”, “Kështjellën…”, “Dimrin e madh”, “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Koncert…” – të falenderoj për botimin frëngjisht që më dërgove – etj., etj.). Kjo të nderon, jo vetëm si shkrimtar, por mbi të gjitha si luftëtar, si patriot, si komunist. Veprën tënde e do populli dhe e ka vlerësuar Partia. Mos harro atë ç’ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favorin tënd. Madje nëse të shkruaj kështu hapur, pa shumë “diplomaci”, kjo ka lidhje me ato marrëdhënie miqësore që ekzistojnë mes nesh, por edhe i nisur nga ai kujdes që Partia vazhdimisht ka treguar për Ismail Kadarenë, të cilin e kemi dashur dhe e duam shkrimtar të madh, po e po, por edhe luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë e të popullit».

*Ramiz Alia, Tiranë, 21 maj 1990.

Këto janë dy fragmente nga letra që Ismail Kadare i dërgoi Ramiz Alisë dhe përgjigja që mori në vitin 1990, kur shkrimtari vendosi të bëhej “disident”. Se cili është imazhi që Kadare ka ndërtuar për vetveten këtë e tregon më së mirë diktatori Alia kur i kujton pasionin gati libidinoz, funksionalizmin e fantazizë kadareane për regjimin dhe reciprocitetin e marrëdhënieve mes nomenklaturës dhe shkrimtarit, çka e bën Kadarenë pjesë të pandashme të tragjedisë gjysëmshekullore ose një bashkëregjizor i shpërblyer nga duartrokitjet e enverizmit. Ka të drejtë Kadare kur pohon se «historia do t’ju japë ju meritën e madhe, meritën e njeriut, që në momentin e duhur historik zgjodhi rrugën e vetme», pasi këtu autori, megjithëse i drejtohet Alisë, në fakt flet me vetveten. Ai mendon, me të drejtë, se regjimit i ka ardhur fundi, por elita mund të shpëtojë lekurën dhe, çka është me e rëndësishme për shkrimtarin, fytyrën, nëpërmjet metamorfozës. Pra, kemi hyrë në histori si “shkatërrues të vlerave” më sublime të shqiptarëve, duke i shndërruar ata në banorë të savanës në kërkim të mbijetesës, tani mund të vazhdojmë të qëndrojmë në histori duke “larë duart”.

Për Kadarenë ishte sigurisht më e thjeshtë. I mjaftonte ikja (largimi?). Atij i ka munguar përherë qëllimi dhe angazhimi për mjerimin shqiptar. Vetëm ikja mund ta shpëtonte: të kuptohemi, nuk flitet për jetën e tij se sa për egon. Të tjerë do ta bënin ndryshimin duke rrezikuar jetën. Ai do të kthehej pastaj i kulluar, disident. Një lëvizje e shkëlqyer e një pragmatizmi koherent. A mund të jetë disident ai Kadare që përshkruan Alia? Nëse po, atëherë i duhet ndryshuar vërtetë kuptimi termit disident.

Duke qenë se gjesti i Ponzio Pilato-s për Kadarenë është vërtet anakronik dhe ngjason gati me shfajsimet e Nurembergut, shkrimtari ka ndërmarrë prej dy dekadash detyrën e ambasadorit të eurocentrizmit me bazë fetare. Ky është trendy i momentit, komod për politikën shqiptare dyngjyrëshe, në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe paralel me objektivat e atyre institucioneve fetare që prej kohësh shtyjnë drejt këtij eurocentrizmi.

Me të vërtetë populli shqiptar «në kujtesën e tij dhe në zemrën e tij të madhe di t’i ruajë përherë ata që e deshën»? Apo harron ato që në pesë dekada e skllavëruan e që sot vazhdojnë ta mashtrojnë? Kadaresë i pëlqen formula e pasivizmit të Nënë Terezës: sill faqen tjetër, duro, prano realitetin. Kjo duket se vlen për të tjerët ama, jo për shkrimtarin në vetvete, sepse ai gjatë regjimit e shfrytëzoi realitetin e nuk kishte ç’të duronte pasi nuk vuajti, ndërsa sot nuk e “sjell faqen tjetër” të pranojë trashëgiminë kulturore shqiptare, por shpik testamente e vlera që, me stilin e trashëguar nga regjimi, mendon t’i imponojë. Mos po pretendon shumë Kadare: edhe disident edhe profet?

 

*Fragmentet e cituara janë marrë nga libri Letërkëmbim me presidentin, bot. II, Tiranë 2005.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *