Elton Hatibi

Gazeta Dita, një gazetë e re në tregun shqiptar, shtroi pyetjen: A është Shqipëria Islamofobike. Gazeta i kërkoi Elton Hatibit, Redi Shehut dhe Besnik Sinanit të shkruanin një artikull të bazuar në këtë pyetje. Po sjellim këtu kontributin e Elton Hatibit në këtë debat e në ditët në vazhdim do sjellim artikujtë e dy autorëve të tjerë.

A është Shqipëria islamofobike?

Shqipëria si një vend europian, nuk mund të përjashtohet nga harta në të cilën Islamofobia ka njohur shtrirje të konsiderueshme kohët e fundit. Në rastin e Shqipërisë, duhen dalluar veçoritë e saj të zhvilluara në kontekstin e saj vendor, elementët e të cilit jo domosdoshmërisht janë identike me vendet e tjera në kontinent. Për të pasur një vështrim më të qartë të Islamofobisë në Shqipëri, paraprakisht duhet ta njohim aty nga ku është përftuar dhe emërtimi. Në kontinent Islami është fenomen i cili lidhet me historinë dhe realitetet e këtyre vendeve përgjithësisht nga e kaluara e tyre si fuqi koloniale, si dhe me praninë përherë në rritje të emigrantëve me origjinë myslimane. Kjo prani gjithnjë në rritje e myslimaneve ka shtuar njëkohësisht debatet publike mbi rolin dhe detyrat e tyre në shoqëritë përkatëse, debate të cilat në shumë raste interferohen nga ligjërimi ksenofob i qarqeve të ekstremit të djathtë në Europë. Fobitë, kërcënimet dhe linçimet, tradicionalisht të drejtuara ndaj minoriteteve fetare dhe më pas ndaj bashkësive hebraike të cilat shtetet totalitare i shndërruan në ideologji, tashmë po adresohen të sistematizuara ndaj myslimanëve, fatkeqësisht të konsideruar nga ekstremistët edhe pas shumë dekadave ende si të huaj.

Thirrjet për kufizimin e lirive fetare dhe civile ndaj myslimanëve gjejnë kështu terren në vendet ku njohja e traditave dhe vlerave të Islamit ka mangësi të theksuara, injorancës rreth tij i duhen shtuar dhe frikërat e shkaktuara nga efektet mediatike mbi konfliktet e dhunshme në vendet myslimane, përherë më të ampifikuara se sa konfliktet në të cilat ata mungojnë. Të artikuluara nga ekstremi i djathtë në truallin ku nga të njëjtit aktorë dhe për të njëjtat shkaqe u zhvillua një genocid, dhe u traumatizuan popullata të tëra, Islamofobia konsiderohet me të drejtë një kërcënim për demokracinë dhe të drejtat themelore të njeriut. Në Shqipëri si dhe në një pjesë të mirë të Ballkanit, Islami është një realitet historik i konsoliduar nga bashkekzistenca me popuj myslimanë nën suazën e Perandorisë Osmane. Në periudhën kur elitat shqiptare zhvilluan kulturën e tyre kombëtare, ata i’u prezantuan bashkëkombasve të tyre si një entitet i cili i tejkalonte dallimet fetare dhe ku elementi i përbashkët kombëtar për ta do të ishte gjuha.

Për të zhvilluar dhe përhapur më gjerë ndër shqiptarë gjuhën shqipe do të jepnin kontribut të madh intelektualë e personalitete me besime të ndryshme fetare. Nën këtë premisë ata të cilët do të kërcënonin këtë kohezion social mbi baza përjashtuese fetare do të identifikohen si ekstremistë deri në përçarës kombëtar, siç ishte rasti me rebelimin e Shqipërisë së Mesme ndaj Princit Wied, prirjes separatiste të elementëve grokomanë në Jug dhe përpjekjeve për krijimin e një republike katolike në Veri të vendit. Kjo nuk e përjashton faktin se në dekadat e para të Shtetit Shqiptar në disa nivele të ligjërimit publik të hasim një karikaturim të praktikave dhe fenomeneve kulturore të cilat identifikohen me Islamin, kjo gjithmonë në frymën e një orientalizmi kulturor në favor të oksidentit progresist.

Pas viteve ‘90 kur liria e besimit u bë pjesë e përditshmërisë së shqiptarve, elitat kulturore të cilat në pjesën dërrmuese kishin lidhje me regjimin e vjetër ateist, dhe nën trysninë kolektive të një mosidentifikimi me vlerat e supozuara të Europës, krijuan një distancë publike me Islamin duke e konsideruar në shumicën e rasteve atë si një fenomen arkaik i mbetur nga e kaluara jonë osmane. Kjo e shkuar e freskët bashkejetese me osmanët, dhe ndikimi i saj i shtrirë në dimensione të ndryshme kulturore do të kthehen tashmë në tabelën e preferuar e cila goditet periodikisht me klishet e kodifikuara tashmë të orientalizmit. Secila përpjekje për të ridimensionuar rolin e Islamit në sferën publike do të haste rrjedhimisht një oponencë me ngjyresa tallëse dhe raciste nga eksponentët e lartë të kësaj elite.

Janë të freskëta në memorien kolektive asocimet bajate në kryetitujt e mediave tona të fenomeneve kulturore ose konfliktuale nga Lindja e Mesme me rritjen e religjiozitetit të rizbuluar të myslimanëve shqiptarë, pa u kujdesur aspak për të kontekstualizuar ngjarjet dhe problematikat e tyre në secilin realitet. Vetëm vitet e fundit kemi një ndërgjegjsim të disa analistëve dhe intelektualëve, të cilët problematikat në lidhje me Islamin dhe myslimanët i trajtojnë duke u përkujdesur të mos neglizhojnë ndjeshmëritë fetare të rëndësishme për besimtarët. Bashkarisht me shfaqjen e një moderimi në ligjerimin publik i cili trajton temat e Islamit, vërehet një rritje e islamofobisë në publik si teknikë e huazuar nga vendet perëndimore, sa që tendeca modeste për moderim e cekur më lart si balancuese e domosdoshme sociologjike ndaj peshës së Islamofobisë gjithnjë në rritje, ndjehet e papërfillshme.

Përherë e më shpesh sidomos tek të rinjtë hasen në qasje të ndryshme të komunikimitpublik nivele shqetësuese islamofobie duke nisur që nga shfryrjet ksenofobe vulgare e deri tek reflektimet identitare të artikuluara në formate letrare, që gjithsesi shperfillin dukshëm kriteret dhe metodologjitë shkencore. Rreth kësaj fryme intolerance e cila po gjen përherë e me tepër terren në shoqërinë shqiptare, shpesh herë kontribuojnë dhe autoritete shtetërore, ku në raste të vecanta drejtperdrejtë kanë cenuar dinjitetin e bashkeqytetarëve të tyre muslimanë. Presidenti Moisiu me ligjeratën e tij të sforcuar mbi identitetin është shembulli më i rëndësishëm por jo i vetëm i përfshirjes së autoriteteve në këtë fenomen. Duke i shkuar këtij konstatimi deri në fund, një agjensi e specializuar e munguar në këtë drejtim, do të vërente nivele shqetësuese të ligjërimit islamofob në vend të shtrira në disa nivele të shoqerisë, tepër të larta për vetë kriteret e kontinentit.

Kjo rritje e gjuhës së urrejtjes ndaj myslimanëve shqiptar nga një pjesë e elitës së vendit drejpërdrejt minon harmoninë ndërfetare ende të admirueshme tek shtresa të gjera të popullsisë për të cilën edhe pse në mënyrë kronike autoritetet shtetërore krenohen publikisht, pak nisma politike ndërmarrin për ta ruajtur nga kërcënimet e shprehura me gjuhën e Islamofobisë. Indiferenca ndaj institucioneve fetare, përveç bjerrjes së përgjithshme morale të cilën ajo inkurajon, thellon hendekun e mosnjohjes së vlerave respektive të cilat fetë përçojnë në publik, duke i dhënë kështu armën më të fortë ksenofobisë dhe racizmit, injorancën. Sa më shumë dekurajohen shqiptarët të njohin të veçantat ndërmjet tyre, aq më shumë shtohet mundësia e instumentalizimit kolektiv nga qarqe raciste, të cilat në emër të uniformitetit të ofruar nga ligjërimi përjashtues kanë përkufizuar viktimën kryesore dhe nën goditje të vazhdueshme rrënojnë një pjesë të konsiderueshme të identitetit tonë kombëtar.

Shqisa kryesore e cila në fillimet e krijimit të Shtetit Kombëtar Shqipëtar përpiqej të ruante kohezionin social mes subjekteve të tij dukshëm ka pushuar së luajturi funksionin e saj vital, duke i hapur shteg të papriturave të cilat mund të na rezervojë e ardhmja. Paradoksalisht në të shkuarën një pjesë e konsiderueshme e gardianëve të këtij kohezioni social i bazuar mbi respektin reciprok ndërmjet besimeve të ndryshme ishin besimtarë dhe klerikë të krishterë dhe myslimanë, kontribues të barabartë në komunitetet e tyre. Ndërkohë, këto dy dekada ku elita politike dhe kulturore gjerësisht nuk identifikohet me praktika fetare dhe ku mundësia për baraslargësi ndaj institucioneve fetare dhe interesave të tyre publike teorikisht duhej të ishte e lartë, Islamofobia njeh një kurbë të lartë ngjitjeje. Do të mjaftonte kjo optikë, për të kosideruar si domosdoshmëri rritjen e mbështetjes politike dhe shoqërore për institucionet fetare dhe shoqërinë civile përkatëse, të cilët mund të ushtrojnë ndikim pozitivë në publik për të neutralizuar efektet e Islamofobisë dhe të çdo lloji tjetër ksenofobie në vend.

*Autori ka një Master mbi Religjionin dhe Kulturën në Mesdhe Universiteti Papnor Gregorian Romë

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *