Frika ndaj Islamit në Shqipëri





Në vazhdim të debatit të hapur në gazetën Dita për islamofobinë në Shqipëri, po sjellim artikullin e Besnik Sinanit në përgjigje të pyetjes ‘A është Shqipëria islamofobike.’ Mund të klikoni këtu për të lexuar përgjigjen e Alfred Lela dhe këtu për të lexuar Arben Lialia.

Besnik Sinani.*

A është Shqipëria islamofobike?

Kur Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia po konsideronte lejimin e lirive fetare në Shqipëri, një figure madhore e kulturës bashkëkohore shqiptare, shkrimtari Ismail Kadare, sugjeroi që mos hapeshin  xhamitë. Në shpjegimin e tij, Kadare bën të qartë se për të, ashtu si dhe për shumicën e establishmentit kulturor e intelektual shqiptar, Islami përbënte njëkohësisht aksidentin fatal historik si dhe pengesën kryesore të kthimit të Shqipërisë në “familjen evropiane.” Me gjithë hapjen e xhamive, ideja se Islami reflekton një lloj njolle në biografinë kombëtare përballë evropianëve, u bë një refren i përsëritur në media e në qëndrime të establishmentit kulturor shqiptar, si dhe u zyrtarizua në qëndrimet e një sërë funksionarësh shtetërorë nga e majta dhe e djathta.

 

Ky qëndrim u artikulua dhe nga ish-kreu i shtetit, presidenti Alfred Moisiu, në fjalimin e mbajtur në Angli në 2005, kur deklaroi se në thelb të gjithë shqiptarët janë të krishterë dhe se Islami është një fe e mbivendosur, jo-historike për shqiptarët. Islami u deklarua zyrtarisht si i huaj në mozaikun kombëtar. Këto qëndrime janë shprehje dhe gjeneratorë të një frike ndaj Islamit, të përftuar kështu si pengesë për të ardhmen e shqiptarëve. Mbartësit e besimit, sidomos në format e tij publike – kryesisht vajzat që mbanin shaminë myslimane – u panë dhe u demaskuan si shenja të një rreziku kombëtar që tenton ta shpjerë “Tiranën në Teheran,” agjentë të axhendave nga Lindja e Mesme që kërkojnë të ndërrojnë kahjen evropiane të Shqipërisë. Kjo frikë ka motivuar dhe legjitimuar politika e qëndrime diskriminuese në punësim, shkollim apo dhe leje ndërtimi për xhami. Frika shqiptare ndaj Islamit reflekton kontekstin specifik shqiptar po aq sa dhe një klimë ndërkombëtare. Opozita kundër ndërtimit të një xhamie në pjesën jugore të Manhattan-it në New York e gjetkë në ShBA nxiti revistën Time të vendosë në faqen e parë të saj pyetjen: Is America Islamophobic?

 

Në një studim të Qendrës për Progres Amerikan të titulluar Fear Inc. (2011) (përkthyer në shqip e postuar nga blogu mysliman e-zani.com si Fabrika e Frikës: Rrënjët e Rrjetit të Islamofobisë në Amerikë) vihet në dukje se, në fakt, fushata islamofobike në Amerikë ka si gjeneratorë ideologjikë dhe financiarë një numër shumë të vogël personash dhe organizatash, por që kanë arritur të vënë miliona dollarë në shërbim të kauzës së tyre. Kjo fushatë ka synime të qarta politike: duke nxitur frikë dhe urrejtje të publikut ndaj Islamit, synimi kryesor është të efektojë politikat elektorale në ShBA, ku ende një numër jo i vogël i popullsisë beson se Presidenti Barack Obama është mysliman. Synimi i dytë ka të bëjë me efektin në politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme, kryesisht në territoret e pushtuara arabe në Palestinë dhe konfliktet e ndërlidhura me të.

 

Raporti i Këshillit të Evropës për Islamin, Islamizmin dhe Islamofobinë në Evropë (2010) thërret vëmendje tek roli i partive të djathta populiste në Zvicër, Hollandë, Belgjikë, Francë e gjetkë ku është abandonuar retorika anti-emigracion në favor të një propagande mirëfilli antiislame. Frika ndaj militantizmit të dhunshëm politik të disa grupeve myslimane – identifikuar jo krejtësisht saktë në raport si ‘islamizëm’ (jo të gjitha format e islamizmit politik janë të dhunshme) – është përdorur për të identifikuar në tërësi fenë islame dhe të tërë myslimanët si të dhunshëm dhe si kundërshtues të vlerave evropiane. Ky raport vë në dukje se një nga ushqyesit kryesorë të islamofobisë është injoranca ndaj traditave dhe vlerave fetare të bashkësive fetare të Evropës dhe rekomandon programe edukative që informojnë studentë e publikun në përgjithësi mbi fetë, kulturat, dhe historitë e popujve të kontinentit evropian. Një sërë pikash të këtij raport kërkojnë përqasje me realitetin shqiptar.

 

Ky raport rekomandon shtimin e programeve shkollore gjer në nivel universitar që studiojnë Islamin, vlerat e përbashkëta dhe traditat e myslimanëve, ndërsa në Shqipëri futja në shkolla e lëndëve që informojnë rreth traditave fetare në Shqipëri u kundërshtua fuqimisht. Ndërkohë që ky raport njeh dhe identifikon gjeneratorët e islamofobisë në Evropë, Tirana politike ka vazhduar të përsërisë se Shqipëria është një shembull i rrallë i tolerancës ndërfetare. Në të kundërt, debatet në forume online ndikojnë rritjen e intolerancës fetare ndër shqiptarët. Duhet vërejtur fakti se disa nga nxitësit kryesorë të islamofobisë në perëndim nuk kanë amplifikuar idetë e tyre nëpërmjet mediave më të njohura të vendit, por nëpërmjet blogosferës. Në blogosferën shqip kemi prej disa kohësh hapjen e faqeve me qëndrime ekstremiste me nuanca nacionaliste e katolike (ashtu si nuk mungojnë dhe faqe të tilla myslimane) të cilat ndikojnë në krijimin e një gjuhe tensioni dhe urrejtjeje ndërfetare.

 

Në anën tjetër, figura ekstremistësh në perëndim janë gjithsesi të margjinalizuar nga mainstream, por në Shqipëri, figura ekstremistësh që lavdërojnë masakrën e Sebrenicës, bëjnë thirrje për deportim të myslimanëve shqiptarë e lavdërojnë terrorizmin e norvegjezit Breivik promovohen në mediat kryesore të vendit. Ksenofobia dhe racizmi i mbartur i Islamofobisë nuk është bërë ende një koncept i papranueshëm i mainstream- it shqiptar. Në vitet e fundit kalkulimet elektorale kanë sjellë një lloj rehabilitimi publik të myslimanëve nga politikanët e majtë dhe të djathtë. Prezenca e politikanëve përkrah liderëve komunitarë myslimanë, sidoqoftë, nuk është përkthyer në adresimin e margjinalizimit dhe diskriminimit të myslimanëve të thjeshtë në punësim dhe shkollim. Të dy raportet e sipërpërmendura vënë në dukje se demaskimi dhe lufta kundra islamofobisë nuk kërkon të mohojë rrezikun e militantizmit politik që vjen nga grupe myslimanësh në vende të ndryshme të botës, por të vërë në dukje se ekuivalenca e pretenduar midis këtyre grupeve dhe shumicës së myslimanëve është një karikaturë reduktuese e realitetit. Të dy këto raporte vënë në dukje se islamofobia përbën një rrezik për demokracinë dhe për vlerat thelbësore perëndimore. Në Shqipëri, për shkak të specificitetit historik, islamofobia rrezikon edhe kohezionin dhe solidaritetin social të shoqërisë.

 

*Autori është kontribues në vëllimin e ardhshëm të Leiden University Press, në Hollandë, Sharia in the West (2013).

Comments

  • FLM Sinani, Shehu dhe Hatibi per keto shkrime shume te kthjelleta, te drejta, dhe te nevojshme.
    Shkrimi i Leles mu duk teper i dobet, jo-serioz, dhe ekspozues i paragjykimeve dhe mungeses se ndjeshmerise ndaj besimtareve muslimane qe ekzistojne tek “elitat” shqiptare.

  • Per sa i takon respektimit te lirise, te pakten teorikisht, Lela do te kishte te drejte sikur logjika e tij te shtrihej ne nje rrafsh 360 grade.
    Pertej ironise se termit “kenge”, qe ne miopine orientaliste te Leles, te pakursyer edhe ne kete artikull, merr dritehije tallavaje, thirrja islame (ezani) mbetet e vetmja shqetesuese per autorin. Cenimi akustik i lirise se individit shqiptar vjen edhe nga kembanet, nga trafiku, nga mitingjet, nga frenetizmi i jetes se perditshme. Te gjitha keto hyjne ne “dhomen” e gjumit ose bien ne kontakt me njeriun cdo dite. Eshte njelloj sikur te thuash: me makinen e tij Lela ndot ajrin qe une thith, pra shkel lirine time te mbijeteses, e, madje, jo te komoditetit te dhomes. C’te bejme? Te gjthe me biçikleta? Mbase do te ishte me mire, por nderkohe autori eshte perqendruar ne nje analize te njekahshme.

    Megjithate ai e jep edhe zgjidhjen. “Kenga e incizuar” e ezanit, sipas Leles, eshte shenje radikalizmi, ndersa zhdukja e saj eshte “butesi” islame, ne kuptimin “estetik dhe etik”. Qellimisht autori nuk e quan me emrin specifik, sepse do te duhej te pranonte qe ezani eshte thirrje e jo simbol demostrativ i besimit. Tek simbologjia demostrative hyjne kryqet, qe kane mbire neper pasurine kombetare shqiptare, neper male e kodra, ne vende jo rastesisht te dukshme. Perse? Mos valle per thirrje? Do te shkoje njeri ne maje te malit? Por keto Leles i duken shenja evropiane.

    Zgjidhja e dyte vjen nga “perkthimi i kenges”. Kjo ishte per barcalete. Nje person qe e ka emrin “Alfred” konsideron radikalizem dhe mungese shqiptarizmi thirrjen konvencionale ne namaz. Te pakten shqipero emrin Alfred e pastaj eja te besh estetistin dhe moralistin. Te lexosh shkrimet e Leles gjen aq fjale joshqipe sa teoria e perkthimit te ezanit duket anakronike, ose me burime forumike, pikerisht nga ato hapesire te webit qe Lela kritikon si islamofobike. Nese ai nuk eshte i tille, me mendimet qe shpreh nuk shkon pertej ketyre faqeve te webit.
    Neqoftese nje “kenge” ne gjuhe te huaj eshte radikalizem nuk e di c’duhet thene per mediat dhe rruget tona qe gumezhijne nga sallatat muzikore ne gjuhe te ndryshme. Ne kohen e Enverit quheshin “shfaqe te huaja” dhe per nje kenge te huaj mund edhe te pefundoje ne internim. Lela, si evropiano-perendimor, duhet te tregoje se nuk ka lidhje me metodat “estetike” te “Hoxhes”.
    Pertej komicitetit, komuniteti islam eshte i vetmi qe e ka qendren ne Shqiperi, ose me mire te themi, eshte i vetmi me autoqefali, pasi Kisha Ortodokse Shqiptare eshte lene ne harrese nga pesha e ndikimit grek. Ajo katolike dihet se ku pulson dhe cfare interesash primare ka ndjekur.

    Me pak fjale, Lela mendon se te qenurit musliman duhet fshehur ne thellesite e padukshme shpirterore, ndersa te qenurit evropian realizohet permes vlerave fetare te krishtera, qe duhen demostruar me force. Sic ishte rasti i Dom Nikolle Kaçorrit, krenarise sone te harruar, sipas nje artikulli tjeter te Leles.
    Ai i gjykon regimet e Mubarakut & Co si derivate islame, ndersa laicitetin evropian e shnderron ne sinonim te Kishes, megjithese kjo e fundit e ka luftuar te verteten ralative, laicizmin, dhe thjesht diversitetin pa kursyer edhe turren e druve. Mjafton kjo logjike per te kuptuar perse Lela ka pushtuar hapesirat e mediave te shkruara dhe perse shqetesohet nga liria e webit, megjithe abuzimet e saja. Nuk eshte me pak abuziv shtypi “qendror”, dhe Lela eshte shembulli me i mire i abuzimit.

  • Ne shqiperi, nese meson dy akorde te drejtshkrimit, mund te behesh shume kollaj analist. Nuk ka rendesi nese je apo jo njohes i fushes per te cilen flet. Rendesi ka qe ke mikrofonin ne dore dhe mund ta perdoresh.
    Fenomeni Lela eshte deshmi e nivelit shkretinor qe ka sot publicistika shqiptare. Nje cunak ende i njome, mund te futet befas ne zemer te gazetarise shqiptare dhe te shkruaje komente ne nje nga mediat me te shitura, duke u pozicionuar mire ne tregun e kalemxhive, ndonese nuk zoteron asnje pergatitje intelektuale, pertej asaj te rardhitjes me kujdes te fjaleve ne paragrafe. Kjo ndodh ne Shqiperi e askund tjeter dhe ndodh pikerisht sepse fusha eshte e djerre dhe koleget e tij jane, ku therret qameti. Per kete arsye, padituria e Leles nuk bie ne sy ne nje mjedis ku dija eshte perjashtuar.
    Konkretisht, Lela merr persiper te flase per tema qe nuk ka kurrfare pergatitje dhe megjithate askujt nuk ia vret syrin kjo, per shkak te rrumpalles publicistike qe ekziston aktualisht. Ne fakt, nuk di asnje ze sot ne shtypin qendror shqiptar qe te ofroje opinione profesionale ne keto tema (ne mediat periferike edhe gjen, sepse ne Shqiperi, me te miret shkruajne ne shtypin e dores se dyte). Ata qe kane shkruar per keto pune jane, shumica ish-oficere, ose njerez qe kane mbaruar shkollen e larte per letersi. Nderkohe qe laicizmi dhe shekullarizmi, roli dhe pozicioni i fese ne jeten publike, marredheniet e shtetit me fene, komunikimi nderkulturor, nderfetar etj, jane fusha studimi per te cilat sot ne bote mbrohen dizertacione e zhvillohen debate shkencore te thelluara.
    Ne te kunderten me kete, ne Shqiperi, kushdo mund te jape mend rehat per keto pune. Ne Shqiperi behesh filozof, mjaft te dish pak bukurshkrim. Kushdo qe ka nje opinion per disa gjera, konsiderohet opinionist, dhe liria e fjales konsiderohet liria qe cdo opinionist te shprehe opinionin e vet. Ndoshta, nga ky kendveshtrim ne mund te jemi vendi me lirine me te madhe te fjales ne bote, nese mund ta quajme liri rrumpallen verbale shqiptare.
    Lela ne kete rast, eshte duke ushtruar lirine dhe pergjegjesine qytetare, per t’ia shfaqur gjithe botes paditurine, naivitetin por edhe kompleksivitetin apo mercenarizmin e vet.
    Me e keqja eshte se ketu ne kushte te tilla relativizmi absolut, ka opinione dhe jo opinion. Per rrjedhoje, cdo i paditur del pa lagur dhe nuk mund te paditet dot nga opinioni publik.
    Keshtu qe Leles mund ti themi, fol se ne terezi e ke!

    • Nuk jane aq anarkike kriteret adnan sepse keto debate jane te mbeshtetura ne metoda te pranuara studimore e gjer diku dhe terminologjike. Nese ve re, dy kontribues kane studime relevante me debatin ne fjale e ndersa ky tjetri eshte produkt i inflacionit gazetaresk ne Shqiperi.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *