Emrat Myslimanë të Ndaluar në Greqi





Gazeta Shqip raporton se: Një vajzë me origjinë shqiptare, e lindur në Greqi, sot është tre vjeç. Në gjendjen civile shqiptare, pas tre vitesh, u regjistrua me emrin Bebi. Në Greqi nuk ka të drejtë të përfitojnë nga shërbimi shëndetësor, apo nga lehtësi të tjera, për shkak të mungesës së emrit.

Familja Shehu ka tre vjet që sorollatet nëpër zyrat e gjendjes civile të Komunës Kutalli dhe të Qarkut të Beratit për t’i vënë fëmijës një emër. Pas shumë përpjekjesh, më në fund i vunë një emër, që ndoshta nesër kur kjo vajzë të rritet, t’i shikojë me zemërim jo vetëm prindërit por të gjithë ata që i mohuan një të drejtë për të pasur një emër.

Çifti Shehu jetonin dhe punonin prej disa vitesh në Rodos, Greqi. Pas disa viteve martesë, çifti gëzohet me një fëmijë, të cilën e lindën në maternitetin e këtij qyteti. Fryt i dashurisë së tyre ishte ky fëmijë, një vajzë e bukur, me peshë normale. “Një fëmijë i bukur”, kështu i thanë mjekët grekë babait të vajzës Miklovan Shehu. Miklovani, i cili në fakt quhet Gëzim, ndërroi emrin për shkak të dokumenteve. Gëzimi nuk donte që vajzën e tij ta pagëzonin me emër ortodoks, siç u detyrua vetë. Dëshironte që t’i vinte emrin e nënës së tij, që nuk jetonte. Këtu autoritetet greke vendosën t’ia mohonin këtë të drejtë. Sipas Miklovanit, emri i nënës së tij ishte mysliman, Fatime, Fatma. Autoritetet greke e regjistruan fëmijën me të gjitha të dhënat, por pa emër, sikundërse pas lindjes, në rast se fëmijës nuk i ke vendosur emrin, shënohet Bebi dhe kështu u bë. Emri Fatma nuk u “përtyp” për autoritetet greke, të cilat nuk e regjistruan fëmijën me emër, por thjesht shkruan të dhënat në certifikatën e lindjes, duke shënuar edhe detajin “i papagëzuar”.

Për arsye pune, Miklovani qëndroi 15 muaj në shtetin helen, pasi nuk po sistemonte dokumentet e duhura. Në shtetin grek nuk është e thjeshtë dhe për një emigrant shqiptar, gjithmonë ka barriera. Për të regjistruar fëmijën dhe për ta pajisur me certifikatë, më pas edhe me pasaportën biometrike, Miklovani nisi bashkëshorten dhe fëmijën në Shqipëri, së bashku me gjithë dokumentacionin e duhur, të firmosura nga shteti grek.

Por për çudinë e tij dhe të bashkëshortes, fëmija nuk regjistrohej, pasi nuk kishte emër në certifikatën e lëshuar nga autoritetet greke, ku përcaktohej se Bebi ishte i papagëzuar. Në dokument shënoheshin detajet e fëmijës, të dhënat e lindjes, por jo emri.

Këtu filluan edhe stërmundimet në Shqipëri. Noterët përkthyes që s’dinin se ç’të bënin me këtë lloj dokumenti të lëshuar, pagesat pafund si dhe problemet për çiftin e ri, stres, lodhje, shpenzime…

Më në fund, pas tre vjetësh, i ati i vajzës, Miklovani, Gëzimi, pohon se arrin të zgjidhë problemin me vajzën e tij, duke e regjistruar me emrin Bebi.

Babai i vajzës së vogël pohon për gazetën se ka vuajtur shumë për të mbledhur dokumentet që nga lindja e saj e deri në ditët e sotme, por nuk kanë munguar edhe problemet në kufi, ku kanë tentuar t’ia grisin pasaportën.

Miklovani tregon sesi fëmija i paregjistruar me emër ngeli tre vjet pa certifikatë, pa pasaportë dhe ai s’mundte t’i merrte sërish në Greqi, bashkëshorten dhe fëmijën, duke jetuar të ndarë nga njëri-tjetri. Kjo për të ishte vërtet e dhimbshme dhe nuk po i gëzohej dot fëmijës së tij të parë. Ai tregon sesi ka mundur të ndihmojë në rritjen e vajzës, duke punuar në shtetin helen, si dhe duke i sjellë gjithçka i nevojitej, pasi ajo nuk gëzonte asnjë të drejtë shërbimi mjekësor, pasi nuk figuronte e regjistruar dhe ai vetë ia kishte blerë vaksinat, duke shpenzuar qindra euro në Greqi. Ndërsa tregon për gazetën “Shqip” se më në fund e regjistroi me emrin Bebi, Gëzimi bën apel që shteti shqiptar duhet të tregojë më shumë kujdes për emigrantët, pasi dhe këta janë pjesë e këtij vendi.

Comments

  • Artikulli duket pak romantik, me referenca te dobeta, me pika te erreta, por kjo eshte routina e nje organi si gazeta Shqip qe ka objektiva te qarte politik dhe kerkon te justifikoje emrin e vet (Shqip), megjithese forca te ciles i ben publicitet nuk shquhet aspak per atdhetarizem. Ajo force ka qene ne pushtet per 8 vite dhe problemet e Miklovanit nuk i ka shtjelluar ndonjehere me optiken e nje shteti perfaqesues e jo me te nje shteti patriotik, e nuk po them nacionalist. Pa harruar se Shqip eshte zeri i atyre qe perfituan politikisht nga 1997, ato qe politika e cila detyron Gezimin te nderroje emer i solli ne pushtetin shqiptar.

    Pas kesaj paranteze, Gezimi-Miklovani duhet t’i kushtoje pak kujdes zgjedhjeve personale e pastaj te projektohet ne kerkesa tek Shteti. Eshte e lehte te drejtohet gishti nga Shteti, por ky nuk eshte entitet abstrakt pasi buron pikerisht nga Gezimi dhe qytetaret e tjere. Nese individi ben zgjedhjen e Gezimit, te cilen nuk po e gjykoj aspak, e kam te pamundur ta pranoj kritiken ndaj perfaqesise, pra ndaj Tjetrit.
    Ai jeton ne Greqi, i eshte nenshtruar kerkesave te politikes greke, eshte integruar dhe tani zbulon se ka tradita familjare qe duhen mbrojtur, deri ne ate pike sa te mos regjistroje vajzen?
    Informacioni i gazetes Shqip me duket shume i ceket, ne kete rast, aq sa ky nuk mund te jete artikull informues. Te mos flasim pastaj per etiken e gazetes. Problemi nuk perballohet me artikuj-telenovela, por me analiza dhe hetime qe vertete angazhohen te ndricojne problemin. Gazeta mund te na shpjegonte procesin e detyrimit te Gezimit per t’u shnderruar ne Miklovan. Me detaje e fakte. Ky eshte informacion dhe vullnet per te zgjidhur fenomenin.

    Natyrisht, kuptohet se qellimi i postimit ne blog eshte ai i denoncimit te fenomenit qe ekziston ne nje vend te BE-se prej dekadash. Ne nje vend perendimor.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *