e.zani

 

Kur tradita elitare shqiptare trajton osmanët, termi që mbizotëron shoqërimin e periudhës pesëshekullore është zakonisht pushtimi. A përdoret e njëjta njësi matëse edhe për raste të tjera? Jo. Diferencimin mund ta vërejmë tek një pafundësi botimesh të shekullit të kaluar, ku tërheqin vëmendjen zërat fetarë. Shpesh-herë ato shprehin ndërthurjen e interesave politike me interesat fetare, me rezultat intepretimin e së kaluarës në funksion të simbiozës. Mund të justifikohet se, duke i etiketuar osmanët si pushtues, veprohet në menyrë patriotike. Dakord. Përse atëherë nuk veprohet kështu edhe me pushtues të tjerë, fjala bie me romakët?

Arsyet janë disa, por kryesorja është se për qarqet klerikale shqiptare të fillimshekullit XX Roma mishëronte “zemrën” e një feje tradicionale e gjithashtu, pas Konkordatit me Musolinin, përfaqësonte edhe kryeqytetin politik të një Perandorie me interesa ekonomike e politike të lidhura me Shqipërinë.  Kjo shpjegon përse Gjergj Fishta, që osmanët i konsideron si barbarë, pushtues e robërues – e kjo mund të lexohet qartë në pjesen hyrëse të Kanuni i Lekë Dukagjinit, ku Fishta bën recensionin – teksa në vitet ‘30 trajton sundimin romak flet me pathos gati vëllazëror. Ja si e përshkruan ai periudhën romake, pa asnjë gjurmë pushtimi, në një numër të Revista d’Albania të vitit 1940:

Romakët preferonin të importonin në vendet e zotëruara civilizimin e tyre dhe, me një administrim të matur, të ndërtonin një gjendje mirëqenieje dhe paqeje […]. Gjenerali i madh [Çezari] arriti të sistemonte nga ana administrative dhe të vlerësonte ekonomikisht Ilirinë […].  Më shumë se argjent, romakët merrnin nga Iliria ushtarë të shkëlqyer […]. Paraardhësit tanë ilirë […] u shkrinë me sunduesit dhe i dhanë Romës […] njerëz që morën në dorë drejtimin e perandorisë […] jo më si ilirë, por si romakë.

A nuk na kujton kjo raportin e shqiptarëve me Portën e Lartë? Megjithatë, për Fishtën, Çezari është gjeneral i madh, ndërsa Mehmeti është pushtues; ka pax romanorum por jo pax otomanica. Sigurisht, për të aritur në nivele të tilla integrimi duhej konvertimi kulturor dhe, ndër të tjera, ai fetar. Pra administratori mund të ishte nga zona dhe etni të ndryshme, por duhej të ishte romak. Nëse nuk ishte pagan fillimisht dhe i krishterë, pas ediktit të Milanos, individi nuk arrinte në asnjë shkallë të hierarkisë administrative e jo më të bëhej perandor. Madje, pas një edikti të Teodorit të Madh, çdo lloj identiteti fetar jashtë krishtërimit ishte krim ndaj Perandorit. Vetë aktiviteti i Fishtës gjatë periudhës osmane dëshmon se Porta e Lartë nuk arriti në këtë stad persekutimi. E megjithatë, për Fishtën osmanët janë pushtues barbarë, ndërsa romakët sundues të kulturuar.

Fishta i thurte lavde Romës perandorake të antikitetit në një revistë italiane të Romës perandorake të shek. XX, ashtu siç ndodhte në një artikull të pafirmosur të revistës Hylli i Dritës i vitit 1939:

Çdo ushtar i huej âsht këqyrë prej nesh si flamurtar i vdekjes […]. Ushtarët e Romës veç janë pritë me sy të tjerë. Mbi krahë të tyne nuk e hetojm flamurin e robnis, nder mendje të tyne nuk dallohet dishiri i perbuzjes, nder zembra të tyne nuk shihet se kà xanë vend mnija e anmikut. Janë bijt e njij populli të madh. Nji popull qi ka ndriçue heret e vonë nji bot, nuk mundet me futë në zì nji komb […]. Ushtarët e Romës shklasin në tokën e ilirve per me u a njitë doren, per me i pagzue – n’êmen të miqsìs shekullore, n’êmen të dashtnìs njerzore –: vllazën, per me i lanë, per hater të historìs së lumnushme, të lirë. Të lirë, pse Shqypnia âsht folklori mâ i çmueshmi i Evropës.

Artikulli flet për «pagëzim», ndërsa Shqipëria po pushtohej nga Musolini, ose, sipas autorit anonim, nga pasardhësit e perandorisë romake, apo, sipas Fishtës, të civilizimit. Përpjekja për liri kalon në një rrafsh abstrakt: kur një forcë e huaj shkel tokat shqiptare dhe këndvështrimi përcaktohet nga feja, atëherë kjo forcë mund të jetë civilizuese, nëse feja e saj përputhet me atë të vëzhguesit, ose, në të kundërt, mund të jetë robëruese e barbare kur përputhja fetare nuk ekziston, e këtu, për autorët e artikujve të mësipërm, renditet periudha osmane.

Veprimtaria e Pjetër Bogdanit është akoma më qartësuese. Ai nuk kishte asnjë platformë politike dhe asnjë plan për të drejtuar vendin. Atdheu i Bogdanit ishte një copëz Shqipëri ku vepronte juridiksioni i Propaganda Fide. Për rrjedhojë, kombi, sipas tij, identifikohej nga besnikëria fetare ndaj Romës: të tjerët ishin skizmatikë, turq dhe sllavë. Bogdani nuk kërkon ta çlirojë këtë copëz Shqipëri, por të dëbojë osmanët, për të vendosur një sundim (austriak) me fasadë fetare që përputhet me institucionin që ai përfaqëson: përpiqet me të gjitha forcat që vendi të pushtohet nga një perandori tjetër, vetëm sespe kjo do të imponojë monopolin fetar të Bogdanit. Liria, Kombi, Atdheu, në këtë rast, marrin vlerë nga besimi fetar, aq sa nuk mund të flitet fare për ekzistencën e tyre. Osmanët janë pushtues sepse paraqiten me një fasadë të caktuar fetare. Romakët e antikitetit, ato të Musolinit dhe austriakët, janë çlirues pikërisht nga fasada e tyre fatare ose raportet e privilegjuara me institucionet fetare.

Paradoksalisht: Bogdani, me idenë e tij fetare të kombit, emërton shkolla publike në vende laike, ku nxënësja me shami nuk mund t’i frekuentojë; nxënësve u mësohet se një perandori është civilizuese e një tjetër është pushtuese.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *