Baba Viktori dhe Nënë Tereza





e.zani.

Një vit pas pushtimit të Shqipërisë Hylli i Dritës* i uronte Viktor Emanuelit III përvjetorin e mbretërimit. Në fakt nismëtari i urimit është vetë Gjergj Fishta. Në vijim redaksia i qëndis arritjet e kësaj mbretërie dhe rolin e saj pozitiv në Shqipëri, por vetëm pasi ka shprehur disa qëndrime politike tashmë standarte:

«Nji epokë historike e ré qi hapet në vorrimin e nji tjetre, e cila, mbas njiqind e mâ vejtëve lëvisjesh shqetsuese mbi kontinentin europjan, sot fiket, meket, mbaron. Të hîmt e Italís në luftë, të hîmt e ushtrive gjermane në Paris, u dhan shtjelmin demokracive; idét e revolujonit francez u zhgulën, hine në të kaluemen […]. Njerzimi pret tanë kureshtë rendimin qi do të vîjë mbas kësaj shtergate të furishme. Pret pagjen, drejtësín e nji rendi shoqnuer të qindrueshem. Siell sŷt kah dy persona-zhenij, qi kanë sot fatin e popujve në dorë: kah Musolini e Hitleri».

Lëvizjet e permbysura nga nacional-socializmi dhe fashizmi, për të cilat aludon redaksia e revistës, janë të majta. Së bashku me laicizmin iluminist të Revolucionit francez, ato përbëjnë një problem, të përceptuar nga redaksia akoma në gjysmën e shek. XX: iluminizmi, socializmi, laicizmi, madje edhe nacionalizmi, janë armiqtë që shoqërojnë politikën e Vatikanit nga viti 1789. Redaksia e revistës, në këtë artikull, nuk duket shumë larg këtyre shqetësimeve. Ironike, por nacionalizmi kalon në një plan të dytë dhe vetëm në këtë mënyrë pushtimi (italian) mund të duket emancipim. Paqja, liria, mirëqenja do të gjenerohen nga dy «zhenite» e sipërcituar! Pas pjesës hyrëse redaksia i përkushtohet mbretit italian dhe veprimtarisë së tij. Ai konsiderohet si «Mbret i ynë» në disa kalime gjatë artikullit; fushata pushtuese në Afrikë identifikohet si «ngadhnjyese». Dhe nuk mund t’i mungojë këtij “arti dekorativ” prania e Duçes:

«Asht i pari shtet [Italia] qi i nenshtrohet nji rryme të ré sheruese [fashizmit], e cila, nen doren e mjeshter të Duçes krekcon kombin prej forcëve të mëshehta e damtuese […]. E gjalluneme e rinueme Italija perballon sankcjonet meskine të demokracive».

E si mund të mos citohej Musolini?

«Zgjidhëja e Çashtjes Romake e Konkrodati i bâm me Selín Shêjtë janë nji monumenti historik qi i lânë nderë Madhnis së Tij e Duçes të Madh të Fashizmit»

Nga «Mbreti i ynë», Viktor Emanueli III bëhet edhe «Prindi ynë», por që ndryshon nga mbretërit paraardhës. Një i “pashkollë” deklaronte në fillim të shek XX «Dum Babën» dhe gjatë regjimit të enverizmit, e veçanërisht njëzet vitet e fundit, një akt i tillë përdoret si dëshmi e pengesës së fesë islame në bashkimin kombëtar shqiptar, aq sa Kadare e ka bërë Haxhi Qamilin një lloj motoje antifetare. Tek Hylli i Dritës Duçja e Viktor Emanueli bëhen baballarë, por ja që kryeredaktori aktual nuk ka syze për “Haxhi Qamilët” e traditës që trashëgon.

Artikulli vazhdon me analogjinë e Ahmet Zogut me sulltanët. Duket sikur diskursi publik nuk ka ndryshuar shumë në Shqipëri nga vitet ’30 e deri sot:

«Ne shqyptarët në të kaluemen kemi pasë shumë mbreten […]. Kjenë sulltanat e kuq e kje sulltani i bardhë. Të parët nuk lanë mas vedit veç rrenime e perdhosëje; i mbrami u shtŷ mâ pertej, me vepren destruktive n’ata shka plozhtësija e të parëve e la si e pat gjetë. Me i pì gjakun popullit e me luejtë me fatin e tij kje mendsia e sulltanit dhe e e të gjithë sulltanave të parandejshem».

Të kesh emrin Viktor, megjithëse pushtues, do të thotë se je «ngadhnjyes» e «prind», ndërsa të kesh emrin Ahmet Zogu, megjithëse shqiptar – firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë – dhe mbret i shpallur nga elita e vendit, të bën automatikisht sulltan. Morali i përrallës: sulltanët janë “vampira”, Hitleri dhe Musolini janë gjeni, mjeshtra e mesianikë. Këto stereotipe ndaj sulltanëve e ndaj Zogut jemi mësuar t’i lexojmë nga tradita enveriste, por ja që regjimi kishte pararendës në imazhin e osmanëve dhe, natyrisht, të vetvetes.

Artikulli mbyllet me optimizmin që shqiptarët do ta bëjnë familjar më pas, në periudhën enveriste, kur aktorët dhe simbolet do të jenë të ndryshëm:

«Në ket lulishtë, shqyptarë e italjan, të vllaznuem në Mbretin e vet Peranduer e t’udhëhjekun prej Duces të madh të Fashizmit, i vên themelet, me vangë e shpatë, njij epokë së ré, njij qytetnimi të rí».

Tani, kushdo mund të spekullojë me këto fjalë: se Kisha katolike ishte krahu shpirtëror i fashizmit, apo, edhe më tepër, se fashizmi ishte pjellë e krishtërimit, siç bën Ardian Ndreca, në një pozicion tjetër, kur ndërton ura mes enverizmit dhe fesë islame. Pa hyrë në detaje, artikulli është dëshmi e interesave të përbashkëta politike të Kishës dhe Musolinit e për këtë ka me dhjetëra studime që e trajtojnë çështjen në mënyrë specifike.

Ajo që ne vërejmë është moralizmi mashtrues. Ndreca, kryeredaktori aktual i kësaj reviste, vazhdon traditën semantike të denigrimit të periudhës osmane dhe të besimit islam. Ai gjithashtu intepreton veprimet politike, fjala bie të Hamza Kastriotit, me optikën moraliste të tradhtarit. «Ndërkaq» – pohon në një artikull – «në gjysmën e viteve ’30 shumë familje shqiptare tue mos pranue reformat e Zogut për heqjen e ferexheve u shpërngulën drejt Turqisë dhe Sirisë, tue vu kështu besimin përpara kombit». Jemi kurioz të dimë se çfarë mendimi ka për ato, e këtu renditet edhe Fishta, që Duçen e quajnë gjeni dhe shpëtimtar, që mbretin italian e bëjnë babë, që pushtuesin e bëjnë vëlla, vetëm e vetëm sepse këto përputhen me fenë e vëzhguesit.

Por Ndreca nuk është endemik. Aurel Plasari, i cili ka mbuluar të njëjtin rol në vitet ’90, e përcakton deri edhe konvertimin si tradhti, ndërsa Mehmeti i tij është vazhdimisht pushtues; Agron Gjekmarkaj flet për renegatizëm, por shumë shpejt harron se herë pas here madhëron “renegatin” Kadare.

Meqenëse fashizmi është më i “vjetër” se enverizmi, e po kështu edhe Kisha në raport me fenë islame (në Shqipëri), do të ishte më korrekte që Ndreca, Gjekmarkaj, Plasari, Nikaj, etj., të kërkonin fantazmat në shtëpinë e tyre, t’i trajtonin pushtuesit siç e përcakton termi dhe jo feja, të mos abuzonin me etiketat, që shumë mirë mund të shtrihen, siç pasqyron artikulli, tek një pjesë e klerit katolik dhe e revistës së tyre gjatë pushtimit fashist, e gjithashtu të mos abuzojnë me «Dum Babën», pasi artikulli tregon se si motoja «Dum Papën» e shndërron pushtuesin sa në vëlla e sa në baba.

«Kush është pa mëkat të hedh gurin i pari» – toshte Jezusi. Baba Viktori dhe Mjeshtri Duçe mishërojnë imponimin, pushtimin, dhunën, diktaturën. Në të kundërt, Nënë Tereza mishëron nënshtrimin, dorëzimin, adhurimin, por nacionalizmi i tejkalon dy stadet sepse nuk pranon as pushtimin e as nënshtrimin e “faqes tjetër”. Edhe Baba Viktori, edhe Nënë Tereza, edhe nacionalizmi nuk mund të bashkëjetojnë, përveçse në një kuadër hipokrizie. Fishta e mbyll letrën drejtuar perandorit duke uruar «triumfin përfudimtar të ushtrive të lavdishme sabaude [dinastia perandorake italiane]».

 

* Hylli i Dritës, 7-9 (1940), fq. 297-302.

vijon…

Comments

  • Pervec ndonje artikulli me gjys zeri te Arben Putos, linku I te cilit ishte sjelle ne artikull in qe I parapriu ketij, kjo lloj analize eshte teresisht e munguar ne shtypin shqiptar qofte edhe ne kete periudhe vemendjeje histerike me historine. Artikulli eshte shume I mire.

    • Me shume se kujdes duhet respekt dhe ky duhet te jete reciprok. Cdo gje eshte e dokumentuar nga vete revista ne fjale apo nga personazhet e cituara. Madje jemi limituar ne keto paragrafe.

  • Qe kleri katolik ka qene antizogist kjo eshte mese e njohur, po keshtu qe kleri katolik jo pak here u eshte bere pengese edhe vet kryengritesve katolik te Mirdites (duke i dorezuar edhe tek osmanet) eshte dicka qe e pohon Clayer ne librin e saj dhe kjo nuk para ben buje se tani “kalifati” per shqiptaret (qe jo pak here e vetquajne veten pragmatista) eshte Perendimi dhe Vatikani (lexo Evropa).

    Ne periudhen ne fjale (vitet 39′) dihet boterisht qe vete kisha Katolike ka qene mbeshtetese e Duces, kjo per shume arsye te ndryshme. Kohe me pare ne website u botua nje shkrim i Hans Kung, teolog i famshem me origjine zvicerane, ne librin e dyte te vepres se tij (Besimet Abrahamike) Krishterimi, autori na paraqet gjendjen e Kishes duke akuzuar rende mbeshtetjen qe shume prifterinj apo kardinale i dhane nazizmit dhe fashizmit. Keshtu qe edhe Hylli i Drites (qe asokohe sikudner sot financohet nga Vatikani) do te kishte nje sjellje te tille. Ajo qe une mendoj se eshte e dobishme eshte qe vete myslimanet aq sa jane kritike ndaj vetes se tyre te jene hulumtues dhe sqarues edhe te pozites se te tjereve. Kjo per te ndertuar nje dialog por edhe per ti sherbyer nje te vertete e ndertuar mbi faktet historike.

  • Sa interesante eshte fjalia e Ndreces: “tue mos pranue reformat e Zogut per heqjen e ferexheve”.
    Thua se Zogu ndermori disa reforma posaçerisht per “ferexhete”. Te gjithe normativen fetare zogiste e ka thjeshtezuar tek “ferexheja”. Kjo sepse ai i redukton muslimanet praktikante dhe fete fene islame tek “ferexheja”.

    Pjesmarrja apo jo e Zogut ne te ashtuquajturen Asamble e Vlores eshte mbuluar me mister edhe nga regjimi i Enver Hoxhes. Sidoqofte, mendoj se thelbi eshte tek krahasimi i Zogut me V. Emanuele III ne raport me shqiptaret dhe me shqiptaresine.

    • Fjalia e Ndreces eshte interesante edhe sepse sugjeron se myslimani, qe te jete shqiptar i mire, duhet ta konfirmoje kete perhere duke zgjedhur ne dem te fese se tij – kjo sigurisht ne nje vizion te kombit ku myslimanet dalin teper – si vizioni i Ndreces per kombin, nje komb qe ai do ta rikuperoje sepse e quan te humbur qysh kur erdhi islami.

      • Pa shpallur katoliket shqiptare pavaresine nga Vatikani, z. Ndreca nuk mund te flase dot per prioritetin e kombit para fese.

        • Interesantja eshte se katoliket e deklarojne hapur perparesine e besimit mbi kombin, Krishti e Papa perpara kombit, lidhjen me Romen e Vatikanin por atyre nuk u vendoset pyetja qe nuk e bejne vetem injorantet por edhe Piro Misha: Feja apo kombi perpara. Katoliket e deklarojne hapur se eshte FEJA, dhe kjo u numerohet patriotizem.

          Vereni tek artikulli i meposhtem edhe komplekset e Dom Metes dhe perpjekjen per te justifikuar ‘malesine’ katolike dhe largimin nga qytetet.

          http://www.mapo.al/2012/11/28/katoliket-dhe-100-vjetori-i-pavaresise-se-vendit/

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *