Përkujtimi ynë për këtë ditë





Të dashur miq

Gjejmë rastin të ndajmë me ju urimet më të mira dhe solidaritetin tonë në një ditë kaq të rëndësishme për një vend të vogël si i yni. Kjo ditë është për ne një burim frymëzimi dhe motivimi për të ndjerë dhe forcuar përkatësinë tonë, të lidhur ngushtë me këtë vend. Si njerëz që i kemi besuar dhe i jemi nënshtruar Zotit, Krijuesit të Gjithësisë, nuk mund të mos ndjejmë sot dashuri dhe nderim për vendin tonë, të cilin ky Zot na e ka lënë amanet dhe kjo fe na urdhëron ta duam e ta ndërtojmë.

Gjithashtu, nuk mundemi të mos shprehim nderimin tonë për gjithçka që brezat para nesh arritën të realizojnë me vendosmërinë e tyre për të shpëtuar këtë vend të kërcënuar nga fuqi të jashtëzakonshme. Falë përpjekjeve, vullnetit, herozimit të treguar prej tyre, të cilat kërkuan mund, gjak e sakrifica, u bë e mundur që sot të kemi një strehë, ndonëse të gjymtuar, për jetën dhe dinjitetin tonë, megjithë vargun e gjatë të andrallave që ende na shqetësojnë e na mundojnë. Vepra e tyren na bën të ndjejmë dyfish përgjegjësinë për këtë vend, duke qenë se ai mbetet edhe amanet i tyre.

Jemi krenarë për kontributin e çmuar që myslimanët shqiptarë, duke nisur që nga klerikë, hoxhallarë e dijetarë të këtij vendi, e deri tek njerëzit e thjeshtë, kanë dhënë për këtë vend së bashku me komunitetet e tjera. Në shumë drejtime sakrifica e tyre ka qenë e jashtëzakonshme, jo vetëm për kostot që ata kanë përballuar, por edhe për zgjedhjet e vështira që janë detyruar të bëjnë.

Prej këtej shprehim sot keqardhje të thellë për devijime të mëdha që grupe të ndryshme politike e kulturore kërkojnë t’i bëjnë projektit kombëtar të trashëguar prej tyre. Nuk mund të lemë pa përmendur indinjatën tonë të thellë ndaj përpjekjeve të shumta që synojnë t’i përjashtojnë myslimanët nga trashëgimia historike e këtij kombi, duke dashur ti bëjnë ata të ndjehen të huaj në shtëpinë e tyre. Na duhet të ripërsërisim sot se myslimanët shqiptarë janë njësi kombformuese themelore në këtë vend dhe çdo projekt përjashtues ndaj tyre është krejtësisht antikombëtar, pasi shkel mbi themelet e këtij vendi e rrjedhimisht edhe mbi idealet që trashëgojmë nga themeluesit e tij.

Sot nuk mund të mos vërejmë me trishtim se shumë prej idealeve të atyre që e themeluan këtë komb kanë mbetur të parealizuara. Shumë ligësi e mbrapshti ka sot në këtë vend, i cili vuan prej një shekulli probleme të mëdha. Megjithatë, kjo ditë na jep kurajë të kuptojmë e këmbëngulim se kjo është shtëpia jonë dhe duhet të bëjmë më të mirën për të, sido që të jetë.

Urojmë që e ardhmja për të gjithë ju jetë më e mirë dhe e begatë. Zoti na ndihmoftë e na drejtoftë në më të mirën!

E-zani

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *