Neki Kaloshi

Njëqind vjetori i pavarësisë shqiptare korespondon me 50 vjetorin e konstitucionalizimit të sistemit demokratik në Kuvajt, që është një festë kombëtare në këtë vend, e cila festohet pikërisht në muajin nëntor. Në të njëjtën mënyrë, si edhe në Shqipëri, Kuvajti gjatë këtyre ditëve është i gjithi në festë, duke iu gëzuar 50 vjetorit të formimit të tij si shtet demokratik. Koinçidenca duket sikur dëshmon për lidhje të shumta midis Shqipërisë dhe Kuvajtit, megjithë diferencat dhe distancat e shumta.

Kuvajti është një shtet i vogël në Gjirin Arabik (Persik), që njihet për mirëqenien, por edhe për bujarinë e banorëve te tij, si dhe për pasuritë që Zoti i ka falur. Shoqëria kuvajtjane ka ditur ti përdorë këto pasuri, por nga ana tjetër ka ditur, mbi të gjitha, të manifestojne bujarinë, si një virtyt i lartë njerëzor. Në vitin 1999, kur populli i Kosovës po përjetonte ditët e tmerrit nga agresioni serb, Televizioni Shtetëror në Kuvajt nisi një fushatë bamirësie për të ndihmuar Kosovën. Thirrja u shndërrua në garë, kush të jepte më shumë, që nga drejtues të lartë të shtetit e deri tek nxënësit e shkollave. Në mbrëmje fushata u mbyll me plot 10 milion dollarë.

Nëse do të hedhim një vështrim gjatë këtyre 20 viteve Kuvajti është pa dyshim një prej vendeve me kontributin më të madh ekonomik në ndërtimin e ekonomisë shqiptare pas diktaturës. Investimet Kuvajtiane i kalojnë 500 milion dollarë, ndërkohë që rreth 50 milion kanë ardhur në formë bamirësie dhe rreth 400 milionë të tjera, kanë ardhur si donacione të akorduara ndaj shtetit shqiptar në projekte zhvillimi.

Shumë njerëz mund të mendojnë se lidhjet shqiptare me Kuvajtin janë vetëm ato që kanë të bëjnë me donacionet e majme arabe, por duhet thënë që në Kuvajt kanë studiuar shumë të rinj shqiptarë, jo vetëm në dijet fetare, por edhe në fusha të ndryshme të shkencave humane e tekniko-shkencore. Gjithashtu, ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës, Kuvajti ka një komunitet të vogël shqiptarësh, të cilët kanë ndërtuar jetën e tyre në këtë vend mikpritës, duke jetuar me dinjitet, të patrazuar për përkatësinë e tyre etnike.

Ashtu si edhe Shqipëria, Kuvajti është një vend i vogël, me një shoqëri që ruan ende një pjesë të mirë të marrëdhënieve shoqërore tradicionale, megjithë përfshirjen e fortë në rrjedhat e zhvillimit modern. Megjithatë, ky është një vend që ka ditur të ecë me ritme shumë të shpejta gjatë këtyre 50 viteve. Infrastruktura kuvajtjane është ndër më të zhvilluarat në botë, e pakrahasueshme duke e llogaritur për numër popullsie. Ekonomia është shvilluar në shumë drejtime, përveç atij minerar, ndërkohë që arsimi është prej kohësh në qendër të vëmendjes së politikës, duke zhvilluar një sistem të avancuar e mirëfinancuar, me oportunitete të jashtëzakonshme.

Gjithkush mund të thotë se tërë këto begati vijnë nga nafta, por në fakt, nafta nuk mjafton, nëse një shoqëri nuk ka aftësinë ta shfrytëzojë pasurinë e vet. Për rrjedhojë mund të them se vlerat kryesore që i japin zhvillim këtij vendi, janë vlerat shoqërore. Përveç bujarisë së dëshmuar, shoqëria kuvajtjane shfaq një nivel të lartë mirkuptimi shoqëror, ku mungon konlfiktualiteti, gjë që e ndihmon atë të zhvillojë potencialet njerëzore. Një dëshmi për këtë, është ndërtimi i të ashtuquajturave kooperativa financiare, ku blloqe të caktuara banimi mblidhen së bashku e investojnë në ndërtimin e qendrave të biznesit, duke i përdorur fitimet në dobi të banorëve. Këto qendra drejtohen nga një bord që zgjidhet nga vetë banorët çdo dy vjet dhe ato kanë rezultuar të suksesshme në përmirësimin e jetës urbane dhe nevojave të popullsisë. Fitimet u shkojnë banorëve, si aksionerë të tyre, pasi më parë plotësohet një buxhet për nevojat e jetës në komunitet, si psh. investimet në projekte publike, në dobi të shtresave në nevojë, apo në stimulimin e studentëve dhe nxënësve të shkollave.

Moderniteti Kuvajtjan është zhvilluar në harmoni me strukturën tradicionae dhe jo në konflikt me të, siç ka ndodhur në shumë vende të botës. Lidhjet e forta shoqërore si ato të fqinjësisë, farefisnisë etj, janë ruajtur me fanatizëm dhe madje ato kanë shërbyer, në të kundërt me çfarë ndodh në Shqipëri, si një instrument i përfaqësimit në parlament, duke eleminuar polarizimet konlfiktuale. Një traditë të tillë kuvajtjanët e kanë institucionalizuar në atë që ata e quajnë sistemi i “divanit”, ose, nëse mund ta themi ndryshe, sistemi i odës së burrave. Divanija është një formë organizimi shoqëror e lidhur me politikën, në të cilën përfaqësuesit më me prestigj të një komuniteti tradicional, mblidhen një herë në javë për të diskutuar probleme të ndryshme. Në grumbullime të tilla marrin pjesë edhe përfaqësuesit e tyre në parlament, si dhe drejtues të institucioneve shtetërore duke përcjellë në vendimmarrje nevojat e diskutuara.

Kuvajti është një shembull interesant i modernizimit që nuk përplaset me trashëgiminë kulturore dhe organizimin tradicional. Kjo ka bërë që shoqëria kuvajtjane të përthithë të gjithë elementët e rëndësishëm të modernitetit, pa u vendosur në përplasje me traditat e veta dhe pa krijuar konflikte dhe probleme sociale, siç ndodh në shumë vende. Një përvojë e tillë, ndoshta do të ofronte elementë të dobishëm për një vend me kontraste të mëdha siç është Shqipëria.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *