Baba Viktori dhe Nënë Tereza (II)





e.zani.

 …vijim

 

Publiciteti i fashizmit në faqet e Hylli i Dritës ka formë parabolike. Fillimisht, në vitin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia, kjo parabolë ndodhet mjaft lart në grafikun e marrëdhënieve reciproke mes dy institucioneve, Kishës dhe Shtetit italian. Në numrin 8-10 të vitit 1939 publikohet Statuti i Partisë Fashiste Shqiptare. Pushtimi i Shqipërisë interpretohet si «pagzim», bashkim, «vllaznim»:

Kur rryma barbare e popujve të verit nguli mbi gërmadhet e Perandorís romake feudalizmën e Mesjetës, Shqipnia pra se prap n’u largue prej dritës s’Okcidentit, dritë qi n’errsinën e atyne kohnave qe e vetmja shpres per njerzín […]. Sod, mbas qinda vjetësh, kombi shqiptár po kthen prap n’at dritë, po kthen në dritën e Romës nder shêjet e Liktorit ndën kunorën e Mbretit t’onë të dashun, Viktor Emanuelit III, ndën drejtimin e Duçes1.

Marin Sirdani, pasi e quan 7 prillin një «prishje relacjonesh» mes dy qeverive, përcjell më tej fjalën e Lazër Shantojës me rastin e kremtimit të 28 nëntorit të vitit 1939. I tërë fjalimi rreket të tregojë se Shqipëria rrezikonte zhdukjen dhe se e shpëtoi ndërhyrja italiane, por as Sirdani e as Shantoja nuk shpjegojnë se nga kush rrezikohej vendi dhe përse u largua mbreti shqiptar. Madje kolegët e tyre, në vitin 1940, do ta rrëfejnë 7 prillin si hap i domosdoshëm, pasi Ahmet Zogu «pat trathtue aleancen miqsore me Italí e vû në rrezik shi eksistencen e vet kombit shqyptár»2. Pra Zogu paskëka tradhëtuar Italinë. Trupat italiane janë të mirëpritura: Fishta ju uron suksese të mëtejshme. Mungon çdolloj përshkrimi me ngjyresa pushtimi. Është vëllazërimi i shumëpritur, ndriçimi i Shqipërisë nga ushtritë fashiste.

Koncepti i vëllazërimit buron nga artikuj të ndryshëm të së njëtës revistë. Kështu, duke analizuar pushtimin italian si normalitet politik, Shantoja mbështetet tek “vellezërit”.

Kemi humbun për ket punë [pas 7 prillit] indipendencen t’onë kombëtare? […] Populli shqiptar âsht mbledhun sod [28 nëntor 1939] […] per me dhân shembullim mâ klasik të dalkaukllekut kolektiv e zyrtár qi ka njoh deri tash historija e Shqipnís? Ju pergjigjem: Jo! Un kishem m’u turpnue sot para bashkatdhetarve të mij, para vllazenve te mij t’Italís, po të dojshem me lujetë rolin e nji jongleuri fjalësh […]. Kombi i vogél shqiptár, i shternguem ndermjet dy racave të mëdhaja, ndermjet racës latine e slave, do të terhiqej fatalisht prej njanës ose prej tjetrës. Duhet me qênë fare i verbtë per mos me pamun se në cilën anë do ta shtynte popullin shqiptár e karakteri e temperameti e interesat e vet.

Ideja e Shantojës është se një popull ose një shtet i vogël, ashtu si në xhungël, i nënshtrohet një fuqie më të madhe (darvinizëm politik), e këtë mund ta kuptojmë. Kjo, për priftin, është normale ashtu siç është e natyrshme që shqiptarët, për karakterin e tyre kombëtar (!), të zgjedhin nënshtrimin ndaj Italisë (!), që, kujtojmë, erdhi me ushtri dhe jo me referendum. Do të thotë se pushtuesi, për Kishën e atyre viteve, përcaktohej akoma nga kritere mesjetare, pra nga feja.

Situata nuk ndryshon shumë me të tashmen. Në momentin që kryeministri Sali Berisha deklaron formulën e “lidhjeve të gjakut” me Turqinë, shpërthen histeria e kryeredaktorit aktual të revistës Hylli i Dritës. Ai, por jo i vëtem, na rrëfen se si turqit janë pushtues sepse rrjedhin nga osmanët, se ne nuk (duhet të) kemi lidhje me Lindjen. Të jetë shqetësuar vallë për fenomenin e pushtimit? Nëse po, përse nuk kërkon falje ose përse nuk e sjell, në krahasimin me Berishën, faktin që edukatorët e tij konsideronin vëllazërim pushtimin italian? Për Ndrecën, ashtu si edhe për Shantojën dhe paraardhësit e shekujve të mesjetës, nuk ka fare rëndësi humbja e lirisë kombëtare, por feja e imponuesit dhe interesat në funksion të saj. Në të kundërt, nëse Ndreca vërtet do të shqetësohej për lirinë kombëtare, nuk do të përqendrohej ekskluzivisht tek osmanët.

Mund të na qartësojë akoma më tej një tjetër artikull i revistës, me titull «Historija e njij vjeti»3:

Bashkimi i jonë me Romë nuk âsht vetem nji ndodhje e sodit […] Të parët t’onë, sa mâ te shternguem qi mbaheshin per Romë, aq mâ teper dishmoheshin per shqyptarë […].

Me fjalë të tjera, “bashkimi” me Romën e shek. XX është ripërtritja e “bashkimit” fetar të mesjetës, të përforcuar, shprehet autori, nga françeskanët e benediktinët. Pikërisht këtu është thelbi: lidhja me Romën, më përpara se politike, është fetare dhe historike. Kjo shpjegon natyrshmërinë e pohuar nga Shantoja, ndjesinë e vëllazërimit, si dhe histerinë e Ndrecës, sepse të qenurit shqiptar, në teleologjinë e këtyre eksponentëve të klerit katolik, karakterizohet nga lidhja fetare me Romën, aq sa “plumbat” e fashizmit shndërrohen në “çokollata”.

Autori (anonim) vijon duke nënvizuar besnikërinë ndaj Viktor Emanuelit III, – që sipas tij është «mâ teper Át se Sovran», – dhe të Duçes (në stil kanunor) «qi din me mbajtë shka premton». Pushtimi reduktohet tek «të hîmnit t’ushrivet italjane»: fragmenti i fundit, “çuditërisht”, ngjason me «hyrjet», «kalimet» e «marrjet» e ushtrive venedikase, andegavene dhe anzhoine, në Shqipërinë mesjetare të Aurel Plasarit. Pushtimi i Romës (fashiste dhe fetare), gjithashtu, identifikohet si «lidhja e madhnueshme», duke marrë një karakter sakral. Analizës së autorit nuk i mungon e kaluara e Skënderbeut, «fytyra» e të cilit «ndritet prej shpirtit italjan», sepse:

Historija e Shqypnís provon se drita e saj i ka ardhë gjithmonë prej Perendimit, me përpjekjet e saja me Italí, e errsija e saj prej Lindjes, prej sulmevet e prej sundimit të Turqvet. Luftimet heroike të Skanderbegut bâhen kundra Turkut e mêrr zêmer prej Venedikut. […] 250.000 Shqyptarë braktisin votrat e tyne e gjêjn mproje n’Itali, kû […] rrijn tue perkujtue bashkimin e perhershem të historís e të jetes së dy kombevet adriatike.

Sikur të mos ishte ajo fjala sundim do të mendonim se artikullin e ka shkruar ndonjë autor i sotëm i revistës, apo vetë kryeredaktori, i cili, madje edhe nga faqja zyrtare e ambasadës shqiptare në Romë, shpalos teza të tilla në formë paradigmash. Nuk kuptohet, në këtë rast, nëse ambasada jonë në Romë drejtohet nga njerëz të painformuar, apo ekstazohet nga Roma.

Vitet e fundit vërehet një degradim historiografik dhe një agresivitet akoma më përjashtues, aq sa termi sundim është zhdukur nga qarkullimi. Fundja, nuk përbën ndonjë risi përdorimi i sundimit osman si e keqja absolute. Edhe në një studim të ekonomisë së zonës së Shkodrës, Shuk Radoja, pasi identifikon pushtimin italian me termin bashkim, nuk arrin të evitojë etiketën “mjerim” përballë trashëgimisë osmano-bizantine4.

Mund të themi se në vitet 1939-‘40 publicistika e revistës e shpie parabolën e marrëdhënieve me fashizmin në kulmin e saj. Pastaj, në vitet 1941-’42, kemi një vijimësi konstante. Kjo sepse faza e impaktit me forcat italiane i ka lënë vendin fazës se konsolidimit. Tani promovohen gjuha, letërsia, muzika, arti italian në përgjithësi, historia, etj.; trajtohet gjërësisht edhe ekonomia shqiptare gjatë viteve të «lidhjes se madhnushme». Nuk ka asnjë denoncim të pushtimit. E si mund të ketë kur ai quhet vëllazërim dhe kur «lidhja» shpie te «gjaku i derdhun zbashku»5?

Largimi i trupave italiane dhe hyrja e atyre gjermane kalon në heshtjen e revistës. Pushtimi hitlerian nuk e galvanizon shumë redaksinë. Gjermania i ishte imponuar në atë kohë edhe Romës e Vatikanit, megjithëse ky i fundit kishte nënshkruar një konkordat që në vitet ’30 me Hitlerin. Lufta e Dytë botërore po shkonte drejt disfatës së nazi-fashizmit dhe qëndrimi i Vatikantin nuk mund të ishte besnik i madhërimit fillestar të Duçes dhe Hitlerit, por, gjithashtu, nuk mund të shkëputej nga ajo varësi fillestare. Hylli i Dritës është indiferent, por edhe i angazhuar. Së pari, mungojnë tërësisht kritikat ndaj fashizmit dhe nazizmit. Së dyti, në një artikull të vitit 1944, përshëndetet angazhimi politik i klerit në bashkëpunimin me autoritetet gjermane në Shqipëri nëpërmjet Anton Harapit.

Artikulli i parë që shënon frakturën në «vllaznimin» me Romën fashiste është ai i vitit 1944, dhe i referohet ditës së 7 prillit, e cila metaforizohet si «Dita e Robnís» ose «dita qi u liruem nga Atdheu»6. Jo vetëm që artikulli është i vetëm, por nuk nënvizon as bashkëpunimin me fashizmin, as krimet e tij dhe as ideologjinë fashiste në vetvete. Reduktohet vetëm tek 7 prilli që, më në fund, konsiderohet si ditë pushtimi.

A mund të shënojë ky artikull rizgjimin etik të idealeve fetare të revistës? Jo. Përgjigjen do ta argumentojmë në pjesën e tretë të artikullit.

 

______________________

1. Hylli i Dritës, 11-12 (1939), fq. 616.

2. 10-11 (1940), fq. 427.

3. 3-4 (1940), fq. 97-109.

4. 1-2 (1941), fq. 20-30.

5. 10-11 (1940), fq. 428.

6. 4 (1944), fq. 1-5.

 

vijon

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *