Aldo Hysa

Ismail Qemal bej Vlora në posterat e Pavarësisë dhe të festimeve në kuadrin e 100 vjetorit na paraqitet si një perëndimor i thekur.

 

Tashmë dihet se pushtetet e ndryshme kanë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzojnë me imazhe të ndryshme në favor të propagandës së tyre zyrtare. Ndërkaq regjimi komunist që shkoi i ka tejkaluar të gjithë kufijtë e abuzimit, sidomos me armiqtë e regjimit, të cilëve jo vetëm ua fshiu emrat nga historia zyrtare, por edhe fotot e tyre ua hoqi nga muzetë e librat e historisë, duke retushuar gjithçka rregullisht, sa herë që zbuloheshin dhe asgjësoheshin grupet armiqësore. Është shumë e njohur në ambientet e ndryshme studimore letraro-historike skema bardhë e zi e trajtimit të problemeve. Minus – viti 1944; çdo gjë para këtij viti ishte e zezë, vetëm një dritë e vogël xixëllonte, ajo e Partisë Komuniste me shokun Enver Hoxha në krye; plus + viti 1944; fillonin vitet e lumtura të ndërtimit socialist dhe ndriçonte dielli socialist i Partisë së Punës. Shumë e varfër si skemë, por shumë efikase në shkatërrimin e shoqërisë dhe të kundërshtarëve, sepse ishte shumë e thjeshtë në damkosjen e armiqve dhe ngritjen e imazheve të reja të propagandës komuniste. Mirëpo fatkeqësisht kjo skemë po vazhdon edhe në këto ditë që po flasim edhe ne për 100 vjetorin e pavarësisë, ku vetëmburrja kombëtare është ngritur në kupën më të lartë të qiellit dhe të nxitur nga berihaji kolektiv “shqiptarizmi” ka marrë flakën e dollive të tryezave kolektive. E rëndomtë kjo gjë vërehet më posterat e Ismail Qemal bej Vlorës, të cilët paraqiten po ashtu si edhe në kohën e regjimit monist “një plak me musteqe e mjekërbardhë”. Ky imazh po shumëfishohet vazhdimisht dhe ka zënë tashmë parafytyrimin kolektiv të shqiptarëve, kurse historianët dhe politikanët heshtin. A thua nuk e dinë ata, se kush ishte Ismail Qemal beu?… Nuk ta do mendja!

Babai i pavarësisë së Shqipërisë një politikan dhe qeveritar karriere osman, i cili sipas shumë të dhënash ka pasur edhe bekimin e Shtetit Osman të asaj kohe erdhi në Vlorë i shoqëruar nga fesi i tij karakteristik për të gjithë burrat e asaj kohe. Ai ishte një burrë osman, me të gjitha vetitë dhe virtytet e asaj kohe dhe në të gjitha fotot e tij publike apo private ai shihet të ketë dalë me fesin osman, i cili i përkthyer nga historiografia komuniste ishte një fes turk, turk i barazvlefshëm me pushtuesin e egër, që nuk e kishte lënë shqiptarin të lirë; për pasojë i duhej hequr fesi dhe ia hoqën Ismail Qemal beut fesin.

 

Anormalia në gjithë këtë mesele është se edhe regjimi i sotëm demokratik tejet i perëndimizuar deri në palcë po e vazhdon këtë lojë, pra devijimin e kuptimit të imazheve për të dhënë një tablo, e cila është e rreme, sepse të gjithë ata burra që e bënë pavarësinë në Vlorë, dhe ecën me idenë: “Ta bëjmë Shqipërinë”, e iu përkushtuan kësaj ideje maksimalisht vinin me një background karriere osman dhe me feset e tyre përkatës. Ishte dominante të mbaje fes. Mehmet pashë Dëralla, Turhan pashë Përmeti e shumë figura të tjera. Nuk po i hyjmë këtu imazheve të kalasë së Krujës, shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit e ndonjë tjetër, të cilat po vuajnë nga këto devijime, të cilat janë adaptuar rëndom nga “Shqiptaristët”, por që vijnë si pasojë e një propagande tejet të rënduar komuniste qysh nga vitet e regjimit monist.

Këtu nuk ka vend ajo fjala e urtë shqiptare “Sipas kokës do ta vejnë dhe festen”, por sipas kohës ta heqin apo ta vejnë festen.

Comments

  • Si e mendon dikush shqiptarin e ri?

    Shqiptarin e ri dikush e mendon me ato ide që patën: Skënderbeu, Noli, Enveri, A.Frashëri, I.Qemajli, etj, me të cilët sllavët e helenët do t`i nënshtroin shqiptarët për jetë e mote. Në Kosova është nxjerrë në plan të pare dhe është ngritur në nivelin e heroit dhe të shëmbëlltyrës për t’u ndjekur nga shqiptarët Isa Boletini që ka qenë, siç është cilësuar “tribun popullor i bashkëjetesës” me serbët dhe është lënë në plan të dytë Hasan Prishtina që ka qenë siç thuhet “nacionalist i tërbuar”, sepse konsideronte serbët si armiq kryesorë të shqiptarëve; në jug është nxjerrë në plan të parë dhe është lavdëruar Çerçiz Topulli, Gjoleka etj., dhe është lënë në plan të dytë Abedin Dino që shpëtoi Çamërinë nga aneksimi grek, është nxjerrë në plan të parë Abdyl Frashëri që sipas projekteve nacionaliste serbe e futi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në luftë kundër osmanëve dhe solli shkatërrimin e saj dhe është lënë në plan të dytë Sami Frashëri që thotë se serbët dhe grekët janë armiqtë kryesoë të shqiptarëve, është glorifikuar Ali Pashë Tepelena që ka qenë vegël e nacionalizmit grek dhe janë lënë në plan të dytë Bushatllinjtë që kanë zhvilluar beteja fitimtare kundër serbëve dhe grekëve, është nxjerrë në plan të parë Pjetër Bogdani që bashkëpunoi me rusët, Arsenijen e III Cërnojeviq dhe aleatët e tyre austro-hungarezë dhe janë lënë në plan të dytë klerikët katoikë që luftuan kundër sllavizimit të kishës shqiptare, etj., etj. Kur nxirret në publik kjo punë që kanë bërë historianët dhe pohohet prej tyre, një pjesë e publikut shqiptar revoltohet jo ndaj historianëve, por ndaj atyre që bashkë me historianët tregojnë se çka është bërë.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *