Baba Viktori dhe Nënë Tereza (III)





e.zani.

 …… vijim

 

Vrasësit e Zotit

 

Deri në Konçilin e II të Vatikanit (1962-’65) hebrenjtë janë cilësuar si deiçid, apo vrasës të Zotit. Një stigmatizim i tillë ka filluar që në shek. II, madje hapat e parë ndodhen në Ungjillin e Gjonit. Që aty merr hov literatura e ashtuquajtur Adversus Iudaeos, nga e cila përforcohet “doktrina” e deiçidit. Megjithëse e braktisur në vitin 1964 ajo vazhdon të mbijetojë deri edhe në rangjet e larta të klerit.

Sot në Shqipëri ka një trend kolektiv që priret të pasqyrojë me doemos gjurmët e hebrenjve në trojet tona, pasi nëpërmjet studimeve të tilla tentohet të dëshmohet (në një aspekt) niveli i tolerancës shqiptare, thuajse i salduar në kodin gjenetik të kombit.

Ky zell studimor përmban në vetvete dy probleme, që në fakt janë dy faktor të ndërlidhur me njëri-tjetrin, në kuptimin që ekzaltimi i njërit mohon tjetrin. Numri i hebrenjve në trevat shqiptare është rritur veçanërisht në fundin e shek. XV, pas dëbimit masiv nga politika inkuizitore e Spanjës katolike. Sistemimi i tyre në territoret shqiptare përqendrohet në zonat urbane, e Vlora është mbase shembulli më domethënës. Pasi “bombardohemi” çdo ditë nga komente mediatiko-akademike të tipit «periudha osmane ishte pushtim; qytetet u osmanizuan», nuk mund të mos shkaktojë “habi” indiferenca e plotë ndaj rolit të Portës së Lartë në pritjen dhe rrënjosjen e hebrenjve në qytetet shqiptare, në ato hapësira ku sundonte në mënyrë të drejtëpërdrejtë administrata osmane. Përkundrazi, pothuajse të gjithë studjuesit e interesuar, dhe ndonjë gazetar, harrojnë ekzistencën e Perandorisë Osmane, sikur këto territore të ishin politikisht shqiptare. Nuk është e rastësishme që hebrenjtë, nga shek. XV e në vijim, përqendrohen në qendrat urbane, në rajonet me islamizim të hershëm, ndërsa mungojnë, fjala bie, në zonën “gjysëm autonome” Dukagjin-Mirditë.

Mënjanimi i rolit osman në zgjerimin e padiskutueshëm të komuniteteve hebraike në territoret e sunduara nga Porta nxjerr në pah të vetmin faktor të mundshëm, “dashamirësinë gjenetike” shqiptare. Kësaj metode i shtohet edhe trajtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë botërore dhe “dashamirësia gjenetike” arrin apoteozën e saj. Pastaj, kur kombinohet me fenomenin Nënë Tereza pesha e altruizmit shqiptar merr tipare globale. Shumë shpejt harrojmë se i kemi dhënë botës – pasi kështu e paraqesim/n – karrieristë të tipit Ismail Kadare, që kanë krijuar famën personale duke ndërtuar makinerinë e nënshtrimit enverist të 3 milion shqiptarëve.

Për të njohur më nga afër tolerancën ndaj hebrenjve dhe ndaj tjetrit në përgjithësi, mund të shërbejë edhe një analizë e Hylli i Dritës botuar në vitin 1939*. Në çdo faqe të artikullit termi «çifut» ka qartësisht vlerë negative. Në teleologjinë e vet ky artikull synon të justifikojë veprimet raciale të Gjermanisë naziste, duke kritikuar qëndrimet anglo-amerikane dhe duke u fokusuar tek krimet sovjetike dhe spanjolle (jo frankiste).

Për redaksinë nuk ekzistojnë «çifutë» në Shqipëri:

«Komisjoni Nderkombtar i kontrollit, bashkue në Vlonë vjetin 1913, per me ndertue statutin e Shqypnís, qiti ne ket statut nji artikull, mbas të cilit çfutent e vetem çfutent do të gzojshin në Shqypní të njajtat tagre civile me nenshtetas shqyptarë, me gjithse aso kohe në Shqypní s’kishte me thanë nji familje çfutensh».

Roli i tyre në nivel global, sipas redaksisë, ndjek një program-komplot të caktuar:

«Qellimi i çfutenvet âsht ky: me shue kristjanizmin e me luftue kulturen kristjane […]. Pika e parë e programit të çfutenvet e e masonvet âsht: me bâ qi të zhduken mbretent […]. Tue vorfnue per ditë mâ teper popujt kristjan t’Europës e t’Amerikës, frotës çfuto-masonike nderkomtare po i del me perhersue nder ta zín e paknaqsín, prej cillave shkaktohen mandej lufta e kryengritje në botë».

Konsiderata për «çfutent» ngjason me atë ndaj «harapve»:

«Çfutent […] po u rrinë ballë për ballë harapve në Palestinë, tue u vrá me ta si derrat me derra».

Alegoria e derrave i ka mbizotëruar kohërave, për t’u transformuar në deklaratat e priftit Anton Kçira në «qen», referuar muslimanëve në Srebrenicë dhe në Kosovë.

Një pjesë e konsiderueshme e artikullit shtjellon autorësinë e «çfutenvet» në revolucionin rus (1917) dhe në luften civile të Spanjës (1936-‘39):

 «Nji miljon e tetqindmij të mbytun […] janë të vramët e të varunt e të parit tmerim (terrore). Gjith ktyne të mbytunve u duen shtue edhè njatà, qi diqen ûjet, gazepit, ose edhe vetëm per t’u bamë qefin suduesve të rì – çfutenve bolshevikë të Rusís».

Edhe Lidhja e Kombeve reduktohet tek një «institut çifuto-masonik», sidomos kur vendimet e saj bien ndesh me politikën koloniale italiane. Por sipas redaksisë shtetet e Lidhjes:

 «hasen m’hundë-lesh, m’Mussolinin, i cili t’u rá grusht hundvet atyne 52 shteteve, e t’i a futi shtjelm Home Fli-it, tue t’i nisë ato 150 doname prej mesdheut, si t’ishin kênë sule [lundra] zaganjorësh».

Krahasimi i “flotës së Lidhjes” me “lundrat e banorëve të fshatit Zogaj”, që ndodhet pranë brigjeve të liqenit të Shkodrës, shpreh tifozerinë e redaksisë për Musolinin, gjestet e të cilit marrin përmasa titanike, po ashtu si normaliteti i pushtimit të Etiopisë.

Por më shumë se investitura heroike e Musolinit dhe e gjeneralit filofashit Franko, tërheq vemendjen roli i avokatit që redaksia ndërmerr për veprimet e Hitlerit. Bëhet fjalë për terrorin ndaj hebrenjve në Gjermani të filluar në 1938:

«Kishin marrë zjarm sinagogat e çfutenvet. Në e nesret nade mbandej, nji çetë kryengrijtsash të butë e të dishiplinuem po del e i a nis me thye metodikisht e me shumë ndergjegje dugajët e çfutenvet. […] Makinat e qinda mija fletoresh i a nisem me vjellë nder miljona ekzemplaresh rektimet tanë pezm të ndergjegjes politiko-demokratike-nderkomtare […]. Merret vesht se aj qi i prîjn kroqatës antitedeshke âsht presidenti Rososvelt […]. Fusha kundra Hitler-it ditë e per ditë bâhet ma e helmueme aq sa atje i âsht mbush mendja botës se nji luftë kundra Germanís do t’ishte krejt e arsyeshme [pasi] Hitler-i i ká perzanë çfutent prej Reich-ut».

Në këtë demagogji gjeopolitika reduktohet tek ndëshkimi ose jo i Gjermanisë për politikën e saj raciale dhe vetë politika raciale përshkruhet nga revista me «vetrina dyqanesh» dhe «zjarr sinagogash». Hebrenjtë janë fajtorë, pasi synojnë të shkatërrojnë krishtërimin, ndërsa Hitleri sinonimon i ligjin: «Qeveria âsht mprojtsja e qetsís e e gjytetnimit». Hitleri nuk do të marrë asnjë kritike nga redaksia, qoftë edhe në vitin e fundit të jetës së tij.

«Në fillim ishte Interesi»

Pas këtyre qëndrimeve del më qartë heshtja ndaj krimeve naziste dhe ndaj pushtimit fashist. Redaksia e ka zgjedhur “skuadrën” e vet, atë që urdhëron Roma dhe jo ideali, «derrat», pastaj, le të vriten. Heronjtë e saj janë Musolini, Hitleri, Franko, Karoli e deri edhe marshalli Pétain, lideri i qeverisë kuislinge franceze, të cilit revista i kushton një artikull të posaçëm**. Sidoqoftë, në momentin që këta do të ndodhen përpara greminës, për të mos përfunduar në vorbullën e gjyqit moral të historisë, Roma fetare i braktis aleatët e zbuluar në vitet ’30. Detyrimisht ky inversion ndikon edhe revistën Hylli i Dritës që publikon nje artikull të vetëm kritik ndaj 7 prillit.

A mund të shënojë ky artikull rizgjimin etik të idealeve fetare të revistës? Jo. Sepse vjen pas disa viteve mënjanimi të idealeve sublime fetare, ose, më mirë, pas gërshetimit të politikës me këto ideale; nuk është një lëvizje për vetë-katharsis; respekton me përpikmëri direktivat dhe interesat politike të qendrës; nuk kritikon në asnjë çast veprimtarinë e trupave gjermane në Evropë dhe në Shqipëri. Në të kundërt, Hylli i Dritës merr një pozicion të rreptë ndaj komunizmit si ideologji. Fakti që ndaj fashizmit dhe nazizmit mungon një qasje e tillë nënkupton respektimin e verbër të politikave institucionale të Vatikanit, megjithëse Shqipëria, ndryshe nga Italia (e përpara 1943) ishte e pushtuar. Të gjithë diktatorët e djathtë evropianë, përgjegjës për miliona të vrarë, përshëndeten, vlerësohen, mbrohen, “adhurohen”, vëllazërohen publikisht nga zërat klerikalë në Hylli i Dritës.

Kjo do të thotë që, përpara interesave të hierarkisë, kombi, liria si koncept, mesazhet paqësore, padrejtësia, nuk meritojnë vetëflijim apo fenomenin e martirizimit, nëpërmjet të cilit, sot, intepretohet qëndrueshmëria e Kishës në vitet e regjimit enverist. Regjimet nazi-fashiste ishin pozitive? Ishin më të dobishme për njerëzimin, aq sa të mos meritonin një kritikë apo martirizim? Përse këmbëngulet tek opozita e cila përshkruhet si dashuri e Kishës për popullin shqiptar gjatë viteve të enverizmit? Nëse ishte dashuri, ku humbi gjatë viteve të nazi-fashizmit? Nëse ishte institucion aq idealist, përse nuk u martirizua përballë pushtimit dhe krimeve të regjimeve totalitare të djathta?

Ashtu si qëndrimi diku pasiv e diku bashkëpunues me totalitarizmat e djathtë, edhe qëndrimi kundërshtues ndaj totalitarizmave të majtë nuk vjen nga mbivendosja e idealeve, apo edhe e emocioneve të dashurisë e të paqes (kombit, nacionalizmit), por nga roli primar i interesave të Kishës. Siç e pamë, përcaktuese janë interesat politike të këtij institucioni: “dashuria” për kombin merr një lloj vlere vetëm kur atdhetarizmi ndërpritet me këto interesa institucionale. Edhe hebrenjtë, ashtu si arabët, janë një popull «derrash», që do të marrin vlerë vetëm në momentin kur interesi i Kishës për imazhin e saj do ta nxisë valëvitjen e flamuarit të idealeve dhe të paqes. Ky flamur përbën edhe shtysën e publicitetit të Nënë Terezës në Shqipëri. I njëjti flamur që shndërroi Viktor Emanuelin III në baba dhe Duçen e Hitlerin në gjeni, trima e heronj.

 

 

* Hylli i Dritës, 8-10 (1939), fq. 370-379.

** 9-10 (1941), fq. 450-454.

 

Comments

  • Artikulli eshte i mire, ne te tria pjeset, vetem se nuk me duket se justifikohet shume stilistikisht prania e Nene Terezes ne cdo titull, meqe shkrimi fokusohet gati i gjithi tek Hylli i Drites dhe fashizmi.

  • Ne shkrimin e pare qendronte mire krejtesisht, sepse permendej direkt kjo teme. Megjithate, titulli tregon dy anet e kunderta dhe pa lidhje te katolikocentrizmit shqiptar, si nje dialektike qe tregon paradoksalitetin e nje veprimtarie qe kerkon te mpije trute e shoqerise.

  • Daja Sami,

    eshte nje kenge qe qarkullon ne youtube, por qe nuk e gjej linkun, ku “artisti”, nder te tjera, thote: syri yt, rrumbullak me 4 cepa. Rrumbullak apo me qoshe?

    Edhe me “dajak” edhe me “faqen tjeter” nuk shkon. Me armikun, me pushtuesin, me fashizmin, dhe ne fund me paqen e nenshtrimin, nuk mund te krenohesh paralelisht.

  • Eshte nje shprehje ilustrative e perpjekjes njerezore per te mberritur ne thelbin ontologjik te gjerave, te rrokshme vetem iracionalisht: Te besh rrethin katror.
    Na ky kuptim, edhe artisti eshte duke zbuluar rrenjet ontologjike te ekzistences se vet, si nje subjekt qe persiatet per te thene te pathenshemen. 🙂

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *