Howard Zinn[1]

 

Ka dy çështje që nevojiten të adresohen këtu. Së pari, pse duhet të pranojmë përkufizimin që kultura jonë i bën këtyre dy faktorëve? Pse duhet të pranojmë se ‘talenti’ i dikujt që shkruan tekste për një agjenci publicitare që reklamon ushqim për qentë dhe paguhet 100.000 dollarë në vit është superior ndaj talentit të një mekaniku makinash që fiton 40.000 dollarë në vit? Kush mund të thotë se Bill Geitsi punon më shumë se pjatalarësi në restorantin që ai frekuenton, ose se drejtori ekzekutiv i një spitali që fiton 400.000 dollarë në vit punon më fort se infermieria ose një punëtor i spitalit që fiton 30.000 dollarë në vit? Presidenti i “Boston University” fiton 300.000 dollarë në vit. A punon ai më shumë se personi që pastron zyrat e universitetit? Talenti dhe puna e palodhur janë faktorë cilësorë që nuk mund të maten në mënyrë sasiore. Përderisa nuk ekziston një mënyrë matjeje sasiore, ne pranojmë masën që u jepet nga personat që përfitojnë prej saj. Më kujtohet Fiorelo Laguardia që duke folur në Kongres në vitet 20’-të, kundërshtoi pagesën e një fature prej të cilës do të përfitonte sekretari i Thesarit, Endrju Melon, duke hedhur dyshime nëse Meloni punonte më shumë se një shtëpiake në Harlemin Lindor të cilës i duhej të rriste tre fëmijët e saj me të ardhura minimale.

Si mund ta matim talentin e një artisti, muzikanti, poeti, aktori dhe novelisti, shumica e të cilëve në shoqërinë tonë janë të paaftë për të fituar para të mjaftueshme që t’i mbijetojnë talentit të udhëheqësit të ndonjë korporate. Sfidoj këdo që mendon se mund të masë cilësisht, cilësinë e talentit dhe të punës së palodhur. Kjo është një nga përgjigjet e mundshme ndaj sfidës time; orë pune vs orë pushimi. Po, kjo është një mënyrë e përshtatshme sasiore. Nëse përdorim këtë standard atëherë një shtëpiake duhet të paguhet më shumë se shumica e drejtuesve të korporatave. Dhe punëtorët që bëjnë dy punë – të tillë ka me miliona- e që praktikisht nuk kanë fare kohë të lirë, duhet të shpërblehen shumë më tepër se drejtorët e korporatave që mund ta zgjasin pushimin e drekës deri në dy orë, t’i kalojnë fundjavat në plazh dhe pushimet vjetore në Itali.

 

Këtu më lind një pyetje e dytë: Pse duhet ‘talenti dhe puna e palodhur”, edhe nëse mund t’i matim cilësisht, të shërbejnë si kriter shpërblimi (para të fituara). Jetojmë në një kulturë që na mëson se kjo është një e vërtetë e ardhur nga parajsa, ndërkohë që në të vërtetë i shërben interesave të të pasurve, veçanërisht nëse kemi parasysh se janë ata që kanë përcaktuar për ne si ta përkufizojmë ‘talentin dhe punën e palodhur’. Pse të mos përdorim një tjetër kriter për caktimin e shpërblimit? Pse të mos i shpërblejmë njerëzit në varësi të kontributit të tyre ndaj shoqërisë? Në këtë mënyrë, punonjësi social që kujdeset për fëmijët ose të moshuarit, mësuesi ose artisti, do të meritonte më shumë para se drejtori i një kompanie që prodhon mjete luksoze sportive, dhe sigurisht që do të meritonte më shumë para se drejtori i një kompanie që prodhon bomba, armë nukleare ose substanca kimike ndotëse. Por, akoma më mirë, pse të mos përdorim si kriter për të ardhurat shumën që njerëzve u nevojitet për të bërë një jetë modeste, dhe përderisa të gjitha nevojat bazike njerëzore janë të ngjashme, atëherë nuk do të kishte një diferencë ekstreme për sa i përket të ardhurave. Gjithkush do të kishte mjaftueshëm para për ushqim, strehim, kujdes shëndetësor, edukim, argëtim dhe pushime.

 

Sigurisht që ka një objeksion tradicional sipas të cilit nëse nuk i shpërblejmë disa njerëz me të ardhura të tepërta, shoqëria do të shkatërrohet, se progresi varet nga këta njerëz. Argument i dyshimtë! Ku e gjejnë argumentin se njerëzit kanë nevojë për të ardhura marramendëse që të motivohen të bëjnë gjëra të rëndësishme? Faktikisht, kemi argumente të bollshme për të treguar se fitimi motivon drejt sjelljeve jashtëzakonisht shkatërruese. Ekonomia do të përqendrohet në prodhimin e sendeve më fitimprurëse, prandaj në vend të qendrave të kujdesit shëndetësor paratë do të investohen në prodhimin e armëve nukleare nëse fitimi këtu është më i madh. Njerëzit bëjnë gjëra të mrekullueshme (mësues, mjekë, infermierë, artistë, shkencëtarë, shpikës), pa stimuj të mëdhenj financiarë. Sepse ka forma shpërblimi të tjera përveç atij monetar që i shtyjnë njerëzit të prodhojnë gjëra të dobishme – shpërblimi i të qenit i vetëdijshëm se po i shërben shoqërisë, shpërblimi i fitimi të respektit të njerëzve që ke përreth. Nëse nevojiten stimuj për disa lloje punësh, atëherë këto stimuj duhet të shkojnë për njerëzit që bëjnë punët më të padëshirueshme dhe të pakëndshme, për t’u siguruar që edhe këto punë të bëhen. Unë kam punuar si profesor kolegji. Kjo punë ishte më e këndshme krahasuar me punën që bënte burri që vinte të pastronte zyrën time. Mbi bazë të ç’kriteri (me përjashtim të atyre të krijuar artificialisht nga kultura jonë) unë kam nevojë për më shumë motivim monetar se ai? (Kjo vlen edhe për profesorët e ligjit!)

 

Një tjetër argument: Edhe nëse ju mund të tregoni talentin e duhur dhe të punoni fort, të përkufizuar në mënyrë krejt budallaqe nga kultura jonë, për të fituar të ardhura të larta, lind pyetja ç’lidhje ka kjo me të miturit? Ata nuk kanë pasur mundësinë të tregojnë ‘talentin dhe punën e tyre të palodhur’, prandaj pse disa duhet të rriten në luks dhe të tjerët në varfëri? Pse foshnjat e pasura duhet të jetojnë dhe të varfrat të vdesin (vdekshmëria foshnjore prek kryesisht të varfrit)?

 

Në rregull, të tregohemi pak praktikë! Ne jemi, sikurse ju pohoni, shumë larg të qenit një shoqëri egalitare, por ne sigurisht që mund të lëvizim drejt saj përmes taksimit progresiv të të ardhurave, përmes një niveli minimal të ardhurash të siguruara nga qeveria, përmes sigurimit të kujdesit shëndetësor, edukimit dhe strehimit për çdo familje. Njerëzit (zakonisht ata me të ardhura të larta) të cilët shqetësohen nga të ardhurat e barabarta, mund t’i shtendosim duke thënë se barazia absolute nuk është as e mundshme dhe as e dëshirueshme, por diferencat pasurore dhe në standardin e jetesës nuk duhet të jenë ekstreme. Duhet të ketë një standard minimal për të gjithë, veçanërisht për fëmijët që janë viktimat e pafajshme të këtij filozofimi mbi pronën dhe pasurinë.

 

 

 



[1] Howard Zinn (1922-2010) ka qenë akademik, historian, shkrimtar, dramaturg dhe aktivist social. Përpara dhe gjatë veprimtarisë së tij si profesor i shkencave politike në “Universitetin e Bostonit”, nga vitit 1964-1988, ai ka shkruar mbi 20 libra përfshi edhe librin e tij më të njohur “Historia e Njerëzve të Shteteve të Bashkuara”.

Comments

  • Nuk e di ku pret ta shohesh emrin e autorit por e ke ne krye te artikullit, perfshi edhe informacion mbi zotni autorin ne fund te artikullit. Ka edhe nje resme per te pare si duket autori… Po s’dolen keto…

  • e bukur!
    por ne momentin qe prisja te shihja pertej analizes se qelluar te realitetit zgjidhjen e duhur deri diku hyjnore, pashe moralin humanist pa Zot, ne vend te atij religjioz, pashe nje “muuuu” te fuqishme majtiste me ate “taksen progresive” te Rames!

    analize e bukur, por zgjidhje deficente. ne fakt njerezit kane aftesi te kuptojne krizen ku gjenden, por udhezimi gjithmone nglet peng i meshires hyjnore qe tregon ne fakt paaftesine e vetezgjidhjes se pavarur njerzore! dhe qe ne fakt i ben keta njrez te vegjel sado te medhenj qofshin ne njeren ane te medaljes!

  • Leave a Reply to Anonymouse Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *