e.zani

Në filmin Rendition (2007) të regjizorit Gavin Hood, një shkencetar arabo-amerikan dyshohet për lidhje me grupe terroriste dhe për këtë arsye dërgohet që të meret në pyetje e torturohet në një vend arab (Marok). Pas shumë torturash ai pranon akuzat, por agjenti i CIAs që vëzhgon hetimet fillon të dyshojë se i akuzuari po pranon vetëm që të mos vazhdojnë rrahjet dhe më pas i bindur për këtë liron të burgosurin që kthehet në familjen e tij në Chicago.

Filmi është bazuar në historinë e Khalid al Masri, një gjerman me origjinë libaneze, i cili në vitin 2003 shkon për të kaluar pushimet e vitit të ri në Maqedoni dhe atje arrestohet nga policia maqedonase e i dorëzohet CIAs, e cila e dërgon për interrogim në Afganistan. Qysh në aeroportin e Shkupit ai rrihet brutalisht, sodomizohet dhe më pas i vihet një thes në kokë për të nisur sagën e torurave për katër muaj. Pas katër muajsh ai hidhet në anë të një rruge në Shqipëri, pa asnjë akt-padi, pa asnjë akuzë, pa asnjë dëshmi kundra tij.

Një panel prej 17 gjyqtarësh të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut vendosi unanimisht në dëm të shtetit maqedonas për shkeljen e të drejtaave të Khalid al Masrit dhe urdhëroi shtetin maqedonas të paguajë $78,000 në dëme. Unioni Amerikan i Lirive Civile po përfaqson Khalid al Masrin në përpjekjet për të sjellë në gjyq shtetin amerikan, përpjekje që gjer më sot kanë qenë të pasukseshme.

Kostandin Bogdanov, avokati i palës maqedonase, tha se Maqedonia jo vetëm që do paguante dëmet, por edhe do rihapte rastin al Masri si dhe një investigim mbi sa ka ndodhur. Ky hap i palës maqedonase duhet përshëndetur.

Në të njëjtën kohë, duhen ngritur pyetje mbi rolin e Shqipërisë në operacione të ngjashme dhe në mundësinë që shteti shqiptar të ketë shkelur të drejtat e individëve të tjerë të ngjashëm me këtë rast. Një sërë raportesh të mëpërparshme kanë përmendur vende të Evropës lindore, ndër të cilat edhe Shqipëria, të cilat kanë shërbyer si vende tranziti në operacionet e rrëmbimeve dhe torturimeve të paligjshme të CIAs. Shoqatat e të drejtave të njeriut duhet të investigojnë nëse qeveria shqiptare ka shkelur ligjet e nëse Shqipëria është përfshirë në asistimin e rrëmbimeve dhe torturave në të ashtuquajturën ‘luftë kundra terrorit,’ gjatë së cilës një numër ende i panjohur myslimanësh u rrëmbyen e u shkëputën nga familjet e tyre, u torturuan brutalisht dhe iu mohuan të drejtat themeltare njerzore.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *