indexLoela Xhafa

 

S’kanë kaluar vetëm se pak javë nga lirimi i Ramush Haradinajt nga burgu, duke u liruar ai nga të gjitha akuzat e ngritura, ose më mirë të stisura të kryeprokurores Carla del Ponte. Edhe mbrojtësit më të zjarrtë të zonjës kanë mbetur tashmë pa gojë nga dështimet e njëpasnjëshme të ish-kryeprokurores.

Performancat dhe ekzibicionet  e zonjës ish-kryeprokurore, të shtrira këto edhe në një libër qesharak “Unë dhe – kriminelët e luftës,” vetëm sa janë përpjekur të mbulojnë punën e saj të dobët dhe dashakeqe.

Krimet e tmerrshme që kanë ndodhur në Ballkan pas viteve ’90të e këtej nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm se e kanë shtyrë ish-in e Prokurorisë së Hagës të fantazojë me sa mundet në rastin më të mirë, dhe të mbrojë me sa ka fuqi e mundësi kriminelët e luftës.

Përtej detyrës së saj për të hedhur dritë e drejtësi mbi krimet masive serbe duke filluar nga Kroacia, Bosnje-Herzegovina e së fundmi Kosova, ajo nuk ka bërë gjë tjetër vecse është munduar të largojë përgjegjësitë nga Serbia edhe nëpërmjet akuzash qesharake të tipit  shtëpia e verdhë, të cilat nga pozicioni i saj do të duhej t’i hetonte e t’i provonte në menyrë të pakundërshtueshme. Zonjës Del Ponte nuk i thoshin asgjë krimet, genocidi, torturat, varret masive, spastrimi etnik, që ka ushtruar sistematikisht e për vite me rradhë Serbia ndaj popullsive të Ballkanit. Arrestimi i bujshëm i Milloshevicit u kthye në një bufonadë e pasuar nga vdekja e tij misterioze, me ç’rast u mbyll gjyqi në ngarkim të tij dhe ai i shpëtoi paq dënimit që do ta damkoste Serbinë për atë që ishte në të vërtetë.

Pas të luturash të shumta drejtuar Serbisë sa me zor u arrit dorëzimi (jo arrestimi) i kriminelëve me damkë Ratko Mlladic dhe Radovan Karaxhic dhe lirimi i tyre i mundshëm ose ndonjë vdekje e mistershme nuk do të përbënte më habi. Më pas ajo iu vëersul si skifter Kosovës dhe së bashku me kanakarin e saj Dick Marty hartuan raporte pas raportesh për të bërë gjënë e tyre të preferuar barazimin e viktimave me agresorin, për të lënë në hije krimet e tmerrshme serbe.

Shfajësimi i gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markac nga ana e Gjykatës së Hagës ishte si një kërcitje shuplake për zonjën  Del Ponte dhe Serbinë duke e kthyer zonjën në pozita krejt qesharake jo vetëm profesionale, por dikund edhe fizike, ndërsa Serbisë i ka rikthyer instiktin e vjetër të kërcënimit me luftë, sic bëri, fjala vjen, Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremic.  Jeremici e quajti vendimin e Hagës si te padrejtë dhe të motivuar politikisht dhe u shpreh kështu:

“Është fakt i pamohueshëm se një cerek milioni serbë etnik u dëbuan nga shtëpitë e tyre (nga Kroacia – shënimi im) brenda disa ditëve, dhe gjykata, e cila duhej të kishte hetuar këto krime, vendosi se nuk ka as fajtorë e as përgjegjës.         
Si përfundim, i bie të mos ketë ndodhur asnjë krim faktik, gjë që në fakt është në kundërshtim me realitetin. Mendoj se duhet bërë e qartë për publikun ndërkombëtar mënyra e arsyetimit të Gjykatës së Hagës dhe pasojave që sjell, në mënyrë që të jetë historia ajo që do të thotë fjalën përfundimtare dhe të mos ndodhë më që aktet kriminale të falen dhe të deklarohen virtyte.”

Sa për dijeni, ky zotëria që thotë këto fjalët plot pasion drejtësie, kaq i fyer dhe i prekur nga vendimet e Hagës, përvecse Ministër i Jashtëm i shtetit me kriminelët më të shumtë të luftës dhe asnjë të dënuar pikërisht për shkaqet që mëton, kryeson aktualisht Sesionin e 67 të Asamblesë së Pergjithshme të Kombeve te Bashkuara dhe nisur nga thëniet e tij nuk e meriton të rrijë asnjë minutë më shumë në atë karrige.

Ndërkaq “e shokuara” Carla del Ponte thotë se “ajo ka bërë gjithcka siç duhej”. Në fakt po, ka bërë gjithçka për të zbehur në kurriz të shtëpisë së verdhë  dhe shtëpive të tjera të fantazisë së saj të sëmurë krimet dhe masakrat 20-vjecare serbe me qindra mijëra viktima, shumë syresh të zhdukura pa nam e nishan; ka bërë gjithçka për të zhdukur diferencën midis gënjeshtrës dhe të vërtetës.

Të kuptohemi drejt, krimet e luftës të kryera nga cilido individ apo në cdo vend, duhet të dalin në shesh dhe të dënohen, por deri më tani personat apo institucionet që duhet të bënin drejtësi, vetëm se e kanë çuar atë në rrugë pa krye duke ia humbur kuptimin fjalës.

Së fundmi, ish-kryeprokurorja e Hagës i është bashkangjitur një grupi hetimor te OKB-s për hetimin e krimeve të luftës të kryera nga forcat qeveritare siriane me premtimin e bujshëm se do mbledhë provat dhe do të pyesë dëshmitarë për të provuar krimet e luftës, torturat dhe vrasjet e kryera mbi civilë të pafajshëm për t’ia paraqitur më pas Këshillit të Sigurimit të OKB-s. Më pas, e pyetur nga një televizion zviceran për ndonjë paralele të mundshme midis hetimeve të krimeve në Siri dhe atyre të kryera në vende të tjera, Del Ponte u përgjigj: “Sigurisht, janë të ngjashme, po trajtojmë të njëjta krime, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Dhe duke parë eksperiencën e saj ne Ballkan, populli sirian të mos shpresojë shumë.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *