Maqedonia, shteti që s’ekziston





indexNga i dërguari i posaçëm Yves Cornu

Kjo gishtëz e Ballkanit përdor Aleksandrin e Madh për t’i farkëtuar vetes një identitet.

Le Point, 6 dhjetor 2012

Udhëtarët që mbërrijnë me avion në Maqedoni ulen në aeroportin Aleksandri i Madh. Më pas, në Shkup, në kryeqytet, arrijnë përmes autostradës Aleksandri i Madh. Dhe, nëse dëshirojnë të shkojnë në restorant apo të pijnë ndonjë gotë, do të gjenden pashmangshmërisht në sheshin kryesor, në mes të së cilit mbretëron, kohët e fundit, statuja ekuestre e Aleksandrit të Madh. Një monument kitsch-i ballkanik: rreth tridhjetë metra i lartë, përfshi piedestalin, me lojra dritash dhe shatërvanë, që ndryshojnë sipas ritmit të melodive popullore apo muzikës së filmave të famshëm. « Fonogramin origjinal të Luftës së Yjeve që nuk resht së luajturi nuk e duroj dot më », shfryn kamarierja e kafenesë Pelister.

 

Mbreti i Maqedonisë që ndërtoi një perandori këtu e njëzetekatër shekuj më parë nuk është i vetmi që adhurohet kaq paptitmas e me kaq interes. E një përmase të ngjashme, shtatorja e bronzit në lavdi të atit të tij, Filipit II, është duke u përfunduar së ndërtuari në bregun tjetër të Vardarit, lumit që përshkon Shkupin. Tjera në listën e shtatoreve në përmasa XXL: Nenë Tereza, emri i së cilës mbetet kurdoherë i lidhur me Kalkutën, por e lindur në vend. Pa folur për celebritetet e ragut të dytë (një perandor bizantin, një mbret mesjetar, një udhëheqës indipendentist i shekullit të shkuar…), pozat e mermerta të të cilëve përbëjnë ndërkaq kortezhin e Aleksit të pashëm, por në një format në raport me mirënjohjen që gëzojnë.

 

Por s’mbaron me kaq. Porta Macedonia, një hark triumfi inaguruar në fillim të vitit, i bën komshillëk një kopjeje të një tempulli grek, shpallje e fundit edhe kjo, ndërkaq që qindra punëtorë i japin dorën e fundit një serie ndërtesash zyrtare të trajtuara në stil neoklasik. Ky s’është më qytet, ky është një park tematik :

« Maqedoland »! « Gjithë këto statuja nuk janë veçse pjesa më e dukshme e « Skupit 2014 », një projekt i gjerë destinuar të rehabilitojë qytetin, i cili u shkatërrua nga tërmeti i vitit 1963 dhe qe ndërtuar rrëmbimthi, korrigjon Gjorgji Mitrevski, drejtor i Ipsos Strategic Puls. Disa vite më parë askush nuk rrezikonte të dilte në qendër pas mbrëmjes, përpos klientëve të prostitutave ».

 

Mjeshri i punës së këtij kantieri të madh: kryeministri shumë i ri dhe shumë nacionalist Nikola Gruevski (vetëm 36 vjeç kur mori pushtetin). Qëllimi i shpallur për këto punime të mëdha është duke u arritur, meqenëse zemra e Shkupit ka nisur vërtet t’i shëmëllejë idesë që bartet për një qytet europian. Çka mbetet është qëllimi subkoshient, ai që justifikon grykësinë me referencat historike të lartpërmendura: tentativa për të farkëtuar një indentitet maqedonas, çka nuk është e thjeshtë në këtë vend ektoplasmik.

 

Me shtrirje më të përmbajtur se Bretanja, diç më e populluar se brendësitë e Parisit, e vështirë për t’u gjetur në hartën e këtij Ballkani, thuajse po aq i ndërlikuar dhe trazuar sa edhe Kaukazi, (Maqedonia) është mbi të gjitha një shtet që nuk ekziston si i tillë. Ndërsa mundi të mëvetësohet, pas copëzimit të Jugosllavisë, më 1991, Greqia fqinje e ndaloi të marrë zyrtarisht emrin Maqedoni, duke e vlerësuar kështu veten të vetmen trashëgimtare të Maqedonisë historike, atë të Aleksandrit të Madh, saktësisht. Qysh atëherë kjo gishtëz përmendet në institucionet ndërkombëtare vetëm me akronimin FYROM: ish-republika jugosllave e Maqedonisë. Ka edhe më për të ndezur vrullet patriotike. Sidomos kur dy bashkësitë që e themelojnë, shumica sllave dhe pakica shqiptare, mjaftohen me jetesën përbri njëra-tjetrës dhe shihen në sy me karshillëk. Nikola Gruevski besoi se e gjeti zgjidhjen ndërsa thirri fanfaret e linjës së parë dhe të dytë të lavdive vendase, i bindur se thirrja e madhështisë së shkuar do të gjeneronte doemos patriotizmin maqedonas. Është ende disi herët për ta gjykuar suksesin e ndërmarrjes, por është ndërkaq e mundur të përpilohet lista e efekteve të tij perverse.

 

« Problemi i këtij vendi nuk është të gjejë një identitet, por të kërkojë një të ardhme, proteston Vladimir Milcin, që udhëheq antenën vendase të Fondacionit Soros. Këto prodhime flakëruese nuk favorizojnë vetëm një regres të vjetëruar, por kompromentojnë për më tepër zhvillimin tonë ».

 

Sepse gjithë kjo e ka një çmim. Financiar, sigurisht. Asnjë shifër zyrtare nuk qarkullon, por vetëm fatura e koleksionit të statujave, disa prej të cilave janë prodhuar jashtë shtetit, mendohet të jetë disa dhjtëra miliona euro; çka për një nga shtetet më të varfra të kontinentit, ku shkalla e papunësisë tejkalon 30%, ka nisur të shkaktojë shtrëngime dhëmbësh. Por ka gjithashtu edhe një çmim politik. Sikundër gjithë vendet e Europës qendrore para saj, ish-republika jugosllave e Maqedonisë ëndërron dy arritje: të integrohet në NATO, premtim për sigurinë e një entiteti kaq të brishtë; dhe të anëtarësohet në Bashkimin Europian, sinonim me zhvillim të përshpejtuar. Megjithatë, si në njërin rast ashtu edhe në tjetrin, procedurat bllokohen nga Athina, e vendosur të përdorë të drejtën e vetos për sa kohë Maqedonia do të dëshirojë të quhet Maqedoni.

 

Kriza diplomatike u helmatis edhe më qysh kur qeveria kombëtarizoi Aleksandrin e Madh me shokë, heronj grekë në sytë e Athinës. Dhe për të qetësuar shpirtrat nuk duhen vënë shumë shpresa në kryeministrin e ri grek, Antonis Samaras: ky u shkarkua nga detyra e shefit të diplomacisë (greke) dhjetë vite më parë si pasojë e palëkundëshmërisë së tij në dosjen maqedonase. « Ç’bela! shqetësohet një universitar. Maqedonia qe e vetmja republikë jugosllave që u mëvetësua pa asnjë krismë arme, priti dhjetra mijra refugjatë gjatë konflikteve në Bosnjë e më pas në Kosovë, arriti t’i largohet kërcënimit të luftës civile më 2001, dhe ja  ku gjendet e bllokuar në dyert e BE-së për një zënkë fëmijësh filloreje ».

 

Vlen të pyetet nëse qeveria e tashme beson ende në shancet e vendit për t’iu bashkuar BE-së. E pakënaqur me përqeshjet kundër Athinës, qeveria ka nisur të sëkëlldisë seriozisht Brukselin me autoritarizmin e saj në rritje, me pritjen e saj për të burgosur pronarët e mediave armiqësore ndaj saj, dhe me kërcënimin për kontrolle fiskale ndaj cilido zëri të papajtueshëm me të. Sakaq, « antikuizimi » i harbuar i Shkupit nuk sjell vetëm dëme: « Maqedolandi » ndjell turistë. Sikundër një grup japonezësh hasur nën statujën e Aleksandrit, qartas të impresionouar nga gjëja. Dhëntë që të mos dalin në përfundime të pakthyeshme për artin në Europën e fillimshekullit XXI!

 

 

Përktheu: Nermin Begzade

Comments

  • Imagjinoni, vetem per pak,veten ne vend te nje maqedonasi ne nje shtet me nje etni tjeter te ndryshme ne shume aspekte: shume vitale;me nje rritje deshperuese demografike;me nje ndjesi te forte perkatesie etnike;me nje kulture dhe histori te gjate e te shtrire ne kohe etj etj, te gjitha keto me te vertete qe jane frustuese per nje maqedon.Shqiptaret,perpara se te ankohen,duhet ta kuptojne mire ‘kundershtarin’, per te vepruar ne menyre efektive , dhe te mos ndjehen aspak inferior, perndryshe situata do t’i perngjante asaj historise me grabitqarin dhe prene qe ikin te frikesuar nga njeri-tjetri,pikerisht, ngaqe nuk e njohin sho-shoqin…

  • Ne po shkruajm, po kritikojm po i shaujme e kush e di qka tjeter…, ndersa ata po punojne. Sot eshte shtet qe nuk ekziston po pas shume vitesh do te jet. E ne, neve do te ngelim ne gjume. Pune duhet qe te mos na shkelin ata.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *