evropa_danes-431

 

E. Mërtiri

Europa është sot një aspiratë parësore për të gjitha vendet e ish-bllokut lindor, të cilat synojnë të përfshihen në komunitetin e vendeve që përbëjnë Bashkimin Europian. Por në fakt, ajo është një aspiratë gjithashtu e vetë vendeve që sot janë anëtare të këtij komuniteti, pasi ajo mbetet ende një entitet i padefinuar përfundimisht. Është shumë vështirë sot të përcaktojmë se çfarë quajmë Europë, aq sa filozofi dhe sociologu i mirënjour Edgar Morin, do të shihte si thelbin e këtij entiteti, pikërisht papërcaktueshmërinë e tij. Sipas tij, vështirësia për të gjetur një ind lidhës dhe të kudoshfaqur në këtë entitet, përbën veçantinë e e tij, dhe pikërisht ketu duhet kërkuar themeli i atij që mund ta quajmë «identitet europian». Për Morin, Europa është një mozaik kontradiktash dhe dialektikash, të cilat prodhojnë një realitet kompleks, të papërfundueshëm e që në të njëjtën kohë, i jep këtij nocioni thelbin e veçantisë, si të vetmen mundësi për ta dalluar e përcaktuar në mënyrë unike.

Europa si paradoks

Europa, si një themel identitar, mund të thuhet se fillon në mesjetë, në periudhën më të errët të saj, me kryqëzatat. Një armik i jashtëm, Islami, është mjeti i duhur për të prodhuar një identitet të brendshëm, të përbashkët, për një truall demografik të thërrmuar nga një mori mbretërishë, të konfiguruar nga baticat dhe zbaticat e konflikteve politike. Përveç rrezikut të jashtëm, është katolicizmim mburoja që plazmon të përbashkëtën e duhur për të prodhuar antagonizmin e nevojshëm. Por, menjëherë pas kësaj, Eurpa fillon të ngjizet në konflikt të pakompromis me pushtetin papnor dhe dogmat e kishës. Ajo çfarë përbën një ndër elementët e veçantisë së asaj që quajmë Europë, lidhet pikërisht me humanizmin, iluminizmin dhe mbi të gjitha, modernitetin, që u zhvillaun në antagonizëm me pushtetin klerikal, në një përpjekje për t’u çliruar politikisht, intelektualisht dhe shpirtërisht nga dogmat dhe pushteti fetar. Europa që ne njohim sot, është Europa laike, humaniste dhe individualiste.

Por edhe kjo nuk ka mjaftuar, romantizmi është një pol tjetër që i kundërvihet iluminizmit, ndërkohë që rryma të shumta kanë vijuar përgjatë të gjithë historisë të prodhojnë bipolaritetin e nevojshëm, mbi të cilin është zhvilluar dialektika Evropiane. Europa prodhoi ndërkohë republikën si kundërpërgjigje ndaj monarkisë dhe pushtetit papal, e më pas Perandorinë, diçka edhe më e kundërt me republikën. Përsëri ajo nuk u kënaq. Ajo u bë atdheu i nacionalizmit dhe të gjithë pamë thërmimin e perandorive të mëdha, si shembje e një epoke që tashmë i përkiste së kaluarës së errët. Ndërkohë, sot nacionalizmi akuzohet si gjeneratori më i madh i luftërave, tensioneve që prishin paqen dhe lumturinë e njerëzve dhe vetë ideja e Bashkimit Europian është një përpjekje, që në thelb, synon të kapërcejë kombin. Globalizmi, si kundërpeshë u bë ideali i ri, por që shumë shpejt po bëhet një diell që nuk ngroh askënd.

Sot, ende studiues të ndryshëm, debatojnë me forcë mbi të ardhmen e Europës, të tronditur edhe nga një krizë ekonomike që ka gjasa të marrë përshkallëzime të frikshme. Asgjë nuk dihet nëse e nesërmja do na gjejë në një sistem ekonomik që do të vazhdojë të ruajë Euro-n, apo në thërmimin e këtij sistemi, duke u kthyer tek monedhat e dikurshme kombëtare. Nëse Euro mbijeton, nuk dihet ende nëse kjo do të bëhet duke ruajtur këtë sistem politik dhe ekonomik, ku vendimmarrja financiare buron nga një sistem fragmentar buxhetesh nacionale të pavarura nga njëri-tjetri, apo do të krijohet ndonjë sistem bashkimi, në kurriz të autonomive nacionale. Të gjitha këto dëshmojnë vetëm për një gjë në mënyrë të qartë: pasigurinë.

Europa na ushqen

Të vetmit që e shohin Eurpën si një garanci për të ardhmen e tyre, janë vendet aspirante për në BE. Racionalisht, kjo është e pashpjegueshme, në kushtet ku ndodhet BE-ja, por duke parë mënyrën sesi funksionon politika dhe ideologjia në këto vende, gjithçka bëhet e kuptueshme.

Shqiptarët, ashtu si edhe një pjesë e mirë e popujve të lindjes, e shohin integrimin si mënyrën e vetme për të gjetur derman, nga një histori e gjatë, e lodhshme dhe dramatike gjatë periudhës së modernizimit. I vetmi shpjegim për këtë është fakti se kjo shoqëri vepron në mënyrë iracionale, dhe kjo ndoshta është edhe arsyeja kryesore përse ne nuk jemi dhe e kemi shumë të vështirë të bëhemi europianë.

Kjo mëyrë të menduari është karakteristikë për të varfërit. Duke mos parë asgjë konkrete në realitet, për ndryshimin e jetës së tyre, ata janë të prirur të jenë ëndërrimtarë duke besuar shumë kollaj tek mrekullitë. Pikërisht kjo tërheqje iracionale drejt mrekullisë, ndoshta ka qenë faktori kryesor që i motivoi turmat për tu ngritur kundër një regjimi që dukej i pacënueshëm, siç ishte sistemi komunist në Shqipëri. Ëndërra europiane, më saktë, ëndërra për mirëqenie e komoditet, si ajo që u fanepsej shqiptarëve nëpërmjet ekraneve televizive italiane, ishte ajo që ndezi zjarrin e revoltës, për t’i motivuar turmat në një valë të papërmbajtshme ndryshimesh. Rrëzimi i regjimit shihej nga shqiptarët asokohe, si grushti që do të shembte makthin duke na hedhur përtej, drejt tokës së premtuar, ku gjithçka do të rregullohej si me magji.

«Ne qeverisim, bota na ndihmon», – ka qenë një parrullë elektorale e asaj kohe. «Me ne fitojnë të gjithë», – një tjetër, pak më e vonë. Kurrë ndonjëherë nuk është mbushur më plot sheshi Skënderbej si në ditën e ardhjes së sekretarit amerikan Xhejms Bejker, tek i cili qendrorin varur shpresat e të gjithëve, për ndihma financiare që do të na i mbushnin hambarët plot. Zhgënjimi që pasoi me shifrën prej 6 milion dollarësh, që ai i dhuroi qeverisë shqiptare, ishte ndoshta po aq i madh sa euforia e pritjes, shifër që të gjithë e përkthyen në: nga dy dollarë për frymë. Në të njëjtën mënyrë mund të shpjegohen edhe ëndërrat e servirura nga politikanë të kohës për «çekun e bardhë» që prisnim nga amerikanët, të cilin do ta mbushnim vetë me sa shifra të na donte qefi. Gjithashtu po në të njëjtën mënyrë mund të shpjegohet edhe histeria e piramidave.

Shqiptarët kanë tashmë 100 vjet që presin një mrekulli të huaj, të na i zgjidhë përfundimisht hallet, problemet, por edhe dëshirat e orekset tona që nuk kanë të mbaruar e të ngopur. Kjo vjen, sepse shqiptarët nuk mendojnë, e për rrjedhojë nuk arrijnë të kuptojnë se në realitet nuk ekziston një shkop magjik që të bëjë çudira për ta. Kjo vjen sepse ne nuk duam ta pranojmë realitetin, që na dëshmon se asgjë nuk mund të arrihet pa mund e sakrifica. Ne mbyllim sytë dhe e përgënjeshtrojmë këtë realitet.

Europa mendon për ne

Në veprën e tij «Vëllezërit Karamazov», Dostojevski trajton me mjeshtëri prirjen e turmave për të mos menduar. Medimi do të thotë për ta përgjegjësi, të cilën shumica e njerëzve nuk e mban dot. Kjo i bën ata të kenë nevojë për një udhëheqje, të cilës do të mund ti besojnë përgjegjësinë e të menduarit. «Arratisje nga liria», – do ta quante Erik From këtë tipar të turmave, që në fakt, nuk është gjë tjetër, vetëm se asgjësim i vullnetshëm i vullnetit dhe lirisë. Dostojevski na thotë se për njeriun nuk ka gjë më të vështirë sesa të kërkojë e të gjejë personin të cilit, me kënaqësi, do ti falë lirinë e tij. Për këtë arsye ai thotë se njerëzit do ta mohojnë Krishtin, nëse ai rikthehet për t’u dhuruar lirinë. «Na robëroni, vetëm na ushqeni», do të ishte motoja e tyre.

Europa sot është objekti të cilit shqiptarët i falin me kënaqësi lirinë e tyre, ndonëse ajo paradoksalisht na kërkon të kultivojmë lirinë. Europa në mendjet tona ka zëvendësuar Partinë. Ajo është autoriteti që mendon për ne. Nga ky kuptim, Europa sot është një objekt ku ne shkarkojmë nevojën për të menduar, është mjeti për të mbajtur veten me shpresë se një ditë do të jemi edhe ne njerëz, si gjithë bota. Populli ka nevojë për një aspiratë, por puna, liria, drejtësia nuk ngrohin sa duhet ëndërrat tona. Mirëqenia po. Dhe Europa është aspiratë e mirëqenies që dëshirojmë të paktën prej 70 vjetësh.

Të gjithë në Shqipëri e pranojnë Europën si aspiratën më të madhe të shoqërisë shqiptare, por në realitet askush nuk reflekton me seriozitet mbi të si entitet dhe integrimin si proces. Askush nuk ofron ndonjë qasje serioze mbi paradokset që e shoqërojnë këtë proces, dhe mbi pikëpyetjet që shtron e ardhmja. Europa është një aksiomë e marrë pa vëretim, është një konvencion i pranuar pa diskutim.

Tëhuajsimi si shpëtim

Integrimi në Europë, të paktën kulturalisht, konceptohet prej shqiptarëve më shumë si përvetësim i kulturës globale, që është diçka krejt pa lidhje me realitetin europian. Në fakt, secili prej nesh ndërton brenda vetes europën e tij. Secili projekton mbi të, dëshirat, aspiratat apo lakmitë e veta dhe në fund duket se rrugët e shqiptarëve drejt integrimit janë po aq të shumta sa çka dhe shqiptarë.

Në fakt, vetë Europa nuk është një gjë e dhënë përfundimisht. Në aspektin kulturor ajo përmbledh një konstelacion kulturash, ku çdo popull ka individualitetin e vet. Mund të jesh europian si anglez, francez, gjerman, spanjoll, italian etj. Por si mund të jesh europian si shqiptar, kur shqiptarët po e zhbëjnë krejtësisht kulturën dhe trashëgiminë e tyre? Në qoftëse fëmijëve në Angli u ngjisin emra të tillë si Xhejms, Henri, Stjuard, në Gjermani Hans, Karl, Jurgen, në Itali, Paolo, Mateo, Marko, si mund të jesh shqiptar europian kur fëmijët tanë mbajnë emra të huaj Henri, Jurgen apo Marko?

Nuk mund të jesh europian pa qenë fillimisht shqiptar. E përgjithshmja përbëhet nga të përveçmet, dhe nuk ka rrugë tjetër për t’u identifikuar me të, përveç fragmentares. Shqiptarët duhet të mësojnë fillimisht të jenë shqiptarë, për të qenë më pas europianë. Duke mos ditur të jenë shqiptarë, ata po pretendojnë më kot të jenë një komb krejtësisht i përgjithshëm, pa asgjë të veçantë, një komb thejsht dhe vetëm europian, pa asgjë shqiptare, përveç dalldisë e katrahurës nëpërmjet të cilës duan ta implementojnë këtë artificialitet.

Gjatë këtyre 20 vjetëve, kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme tek shqiptarët. Pavarësia e Kosovës, është një shkundje që ka ndezur një zell nacionalizmi tek shumë njerëz, i cili ka munguar thuajse krejtësisht përgjatë 10 vjeçarit të parë të demokracisë. Megjithatë ky zell nacionalist mbetet iracional dhe vijon në linjë mitologjike e megalomane. Një pjesë e mirë shqiptarësh sot janë edhe nacionalistë dhe eurocentristë duke e identifikuar kulturën e tyre jashtë vetvetes. Për këtë arsye, është argëtuese të shohësh faqet nacionaliste në internet, apo në rrjetet sociale on line, të mbushura me emra anglisht Nacional Albania, Albanian Falg, Albania’n Albanians, Eagle Eye, Red Black Albania. Të qenit nacionalist sot në Shqipëri është paradoksalisht diçka trendy.

Paradoksi i integrimit

Në thelb, ajo çfarë duhet t’i shqetësojë sot shqiptarët që interesohen seriozisht për zhllimet kombëtare, ka të bëjë me atë çfarë mund të quajmë kulturë shqiptare. Si mund të ruhet, restaurohet, përshtatet ajo duke u përputhur me nevojat e kohës dhe se si mund ta shpëtojmë atë nga kërcënimi i kulturës globale. Shqiptarët vijojnë të akuzojnë njëri-tjetrin se po u shërbejnë armiqve të Shqipërisë, grekë, serbë, turq etj. ndërkohë që nuk kuptojnë se kërcënimi më i madh për kulturën kombëtare është kultura konsumiste që vjen nëpërmjet proceseve globalizuese. Thuajse askush nuk e ngre zërin për krizën ku ndodhet sot kultura shqiptare dhe për problemet e shumta shoqërore që pasojnë.

Elitat shqiptare nuk kanë thuajse asnjë përgjigje për shqetësime të tilla. Ata promovojnë një kauzë integrimi pa bosht, që as hahet e as pihet. Integrimi është sot vetëm një slogan që përdoret verbërisht si koordinatë legjitimimi për çdo lloj ideje, projekti apo iluzioni që gjithkush ka në kokë. Integrimi është sot një retorikë pa përmbajtje dhe pa esencë, që artikulohet si diçka për të gjithë kemi rënë dakort se duhet, por askush nuk e di se pse, si e qysh.

Elitat shqiptare shprehen shumë të sigurtë në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian, ndërkohë që vetë Europa nuk është kaq e sigurtë dhe entuziaste për vetveten. Vetëpërjashtimi i shqiptarëve nga diskutimi i dyshimeve mbi Europën dhe i problemeve të saj, tregon paaftësin për të qenë europianë. Elitat shqiptare nuk kanë prodhuar kurrfarë diskursi serioz mbi pritshmëritë e së ardhmes së Europës dhe vendin që do të duhet të zenë shqiptarët në të. Ato gjithashtu, nuk kanë ofruar kurrfarë debati mbi raportin midis lokales dhe të përgjithshmes në kulturën europiane.

Në këto kushte, integrimi shndërrohet në një pengesë për zhvillimin e racionalitetit. Integrimi është kushti që ne i vemë arsyes, përpara se të vihet në veprim, duke i imponuar rezultatin. Për këtë arsye, itegrimi është praktikisht kushtëzim dhe frenim i lirisë dhe si i tillë ai bëhet pengesa më e madhe, jo vetëm për zhvillimin e kombit, por edhe për vetë integrimin si një proces real i krijimit të lidhjeve të shqiptarëve me vendet europiane.

 

Comments

  • Te varfrit, te perballur me realitetin e veshtire priren te besojne me lehtesi te mrekullite thote autori i shkrimit. Pamvarsisht formulimit, ne thelb me duket se kemi te bejme me nje justifikim te thenies se Marxit “Feja opium per popullin”. Edhe sipas Marksit te varferit kishin nevoje per keto mrekulli qe ua siguronte efekti dehes i religjionit. Prandaj qe te perballen me realitetin kane nevoje te heqin dore mga konsumi i opiumit.

  • …emocion i madh per nje lexues ,fans i E-zanit, kur ne nje shkrim sillen edhe mesazhe te profeteve te artit… le ta plotesoj intelektualin e mirenjohur Mertiri me nje tjeter mesazh dostojevskian,shpalosur ne vepren’Krim dhe ndeshkim’ : varferia dhe injoranca jane shkaku per pasojat e ulta dhe te shemtuara, ose thene me shqip, burrimi i gjithe te keqijave…

  • Ish presidenti i ShBA-se(Klinton)ne programin e mandatit te tij prej dhjete pikash pohonte se ShBA-te duhet te arrrijne Evropen ne dy aspekte:Familja dhe Arsimi. Me sa duket Krishterimi me shenjterimin e familjes eklipson edhe superfuqite.

    • O Fatma kishe kohe qe s’na kishe dale kendej nga mehalla e thashe se kishe hequr dore nga ky misionarizmi tip deshimitaresh te Jehovait. Une nuk e di nga e ke gjetur kete deklarate te Klintonit por di ti sa veta falin meshen ne Paris? Ku e gjete kete krishterimin evropian? Per krishterim ka me shume e eshte me potent ne Amerike.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *