Te jesh heretik ndaj monokulturës kërkon njëherazi kurajo dhe stil, por ne duhet të kemi hapësirë edhe për ata që nuk kanë as kurajo dhe as stil.
Sfida e myslimanit modern qëndron në kombinimin e një disidence të vendosur ndaj kulturës globale dhe një ndjenje shërbimi dhe përunjësie. Triumfalizmi është po aq dëmtues për shpirtin sa edhe kompleksi i inferioritetit. Aty ku besnikëria është karshi Zotit dhe dashuria është për atë që pritet të jetë aspirata e njerëzimit atëherë besimtari mund të ndërthurë keqardhjen për viktimat e tkurrura (e mërrolura, e rudhura) të monokulturës me mirënjohjen për udhëzimin e Zotit.
Një pjesë e kësaj mirënjohjeje dhe përunjësie merr formën e një vetëdijeje urtësiplotë se jo çdokush ka forcën për të qenë i ndryshëm. Natyra njerëzore është komformiste dhe monokultura demonizon gjithnjë e më shumë dallueshmërinë e myslimanëve. Myslimanë të trembur, të ankthshëm për të kënaqur (të tjerët), gjenden kudo. Ata janë të padobishëm për bashkësinë e tyre ose, tekefundit, edhe për mikëpritësit e tyre, sepse ata nuk mund të shërbejnë si shërues, por vetëm si një kor i frikësuar panegjiristësh. Allahu po na sprovon përmes tyre; dhe e vetmja përgjigje e suksesshme ndaj kësaj sprove është të tregohemi falës dhe të përpiqemi të gjejmë pomadë për plagët e shkaktuara nga nga ky melting-pot, meqenëse ky fenomen, vit pas viti, rritet në mënyrë më dramatike gjithnjë e më shumë.
Perktheu: Rezart Beka
[*] Abdal Hakim Murad, “Commentary on the Eleventh Contentions”, The Quilliam Press, f. 68
Comments