Massafra

 

Anton Cara

Në një reagim mediatik, zëdhënësi i Konferencës së Ipeshkëvie të Shqipërisë, D. Gjergj Meta pasi kritikon ashpër një parti politike për cenimin e parimeve te sekularitetit, më specifikisht atë të ndërhyrjes së politikës në punët e fesë, bën këtë vlersim mbi liderët fetare te dy dekadave të fundit.

Kush i ka ndjekur zhvillimet fetare në vend në këto vite nuk mund të mos dëshmojë një përpjekje të jashtëzakonshme të krerëve fetarë të Shqipërisë, të gjithë atyre, duke nisur nga i ndjeri Haxhi Hafiz Sabri Koçi e tani Selim Muça e duke vazhduar, me Fortlumturinë e tij Janullatos, Imzot Pelushin etj, me Baba Dede Reshat Bardhin e tani me Baba Mondin, me Imzot Rrok Mirditën, Imzot Massafrën dhe ipeshkvijtë e tjerë katolikë, të cilët kanë qenë dhe janë shembull i punës së pareshtur dhe me përkushtim në komunitetet e tyre e po ashtu një shembull se si në momente të vështira kanë ditur të jenë bashkë për të përballuar situata të veçanta. Këtu nuk është fjala vetëm të ruhet figura e një kleriku ortodoks, por e të gjithë klerikëve në Shqipëri të çfarëdolloj feje apo race ato qofshin, por sidomos të ruhet autonomia e ndërsjelltë e institucioneve fetare dhe atyre shtetërore apo politike.

Në fakt reagimi i D. Metës, më tepër se sa një homazh për punën pastorale të secilit lider shpirtëror në gjirin e bashkësisë së tij, ka si motiv sulmet me bazë nacionaliste ndaj hirarkut të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ndërkohë që një klerik i Kishës Katolike në Shqipëri i del në krah homologut të tij ortodoks, duke dhënë sqarime të hollsishme se si organizohet jeta institucionale e Kishave, një hirark i lartë i po kësaj Kishe sulmon në mënyrë të pandershme Islamin në Shqipëri.

Akuzat sigurisht që janë të pabaza duke pasur parasysh se mosinjori nuk flet për raste konkrete të shfaqjes së ekstremizmit, por përhap në tym informacione të përgjithshme për formimin teologjik të personelit religjioz në KMSH si dhe të financimeve që ndihmojne ringritjen fetare të kësaj bashkësie. Për faktin e mirënjohur të mungesës së formimit të kuadrove në vend, gjatë këtyre dy dhjetvjeçarëve KMSH e ka plotësuar shumicën dërrmuese të personelit të saj teologjik me studentë që vijnë nga universitete të ndryshme të botës islame. Vështirë që kleriku i lartë katolik të mos jetë në dijeni të këtij fakti, prandaj këto konsiderata keqdashëse që riciklohen këtë radhë nga një homolog i zyrtarëve të KMSH, janë të dyshimta dhe të adresuara pa të drejtë.

Një tjetër çështje që “shqetëson” klerikun katolik është dhe prania ekonomike turke në Shqipëri, të cilën ai e konsideron “…një rikthim në Ballkan pas mungesës një shekullore”. Nuk është aspak e pranueshme që dikush, aq më tepër një teolog, ti shohë investimet e huaja në Shqipëri në këtë optikë, të cilat paradoksalisht i përngjajnë mëtimeve ideologjike të dikurshme për “rezikun anglo-amerikan”. Po të ndjekim këtë lloj skeme arsyetimi të huazuar nga teoria e përplasjes së qytetërimeve, do të duhej të përmendnim dhe rikthimet austriake dhe italiane në Ballkan të cilat, duke i shkëputur nga konteksti i tyre ekonomik, për të hyrë në teoritë e konspiracionit, do t’i përcaktonin komunitetet katolike në këtë hapsirë si bazën e tyre të veprimit. Vetë z. Masafra, është pjesë e një projekti të tillë të huaj, që kontribuon në shërbim të misionit të vet në shqipëri, dhe askush nuk e ka parë me shqetësim e nuk ka ngritur alarme të tilla mbi praninë e tij në drejtimin e klerit katolik shqiptar.

Zëdhënësi i Konferencës së Ipeshkëpive të Shqipërisë, në frymën e sipërcituar nga shkrimi i tij, duke ndjekur regullat e lojës së ndershme, do të duhet ti dalë në krah KMSH-së nga sulmi frontal i kolegut të vet, aq më tepër kur ka luksin ti bëjë apologjinë një kleriku të një bashkësie tjetër religjoze për ta mbrojtur nga thirrjet pasionante me ngjyrime tifozësh. Në rast të kundërt elozhet ndaj përpjekjeve të liderëve muslimane si dhe fotografitë ndëreligjoze me buzëqeshje të stampuara në fytyrë nuk mund të tingëllojnë ndryshe vetëm si hipokrizi e detyruar nga rethanat e bashkëjetesës demokratike.

Kisha Katolike në Shqipëri e ka për detyrim moral të distancohet nga retorika islamofobe e disa prej eksponentëve te saj të huaj që paradoksalisht, duke qenë vetë pjesë e ndikimit të huaj në vend, stigmatizojnë ndihmën dhe asistencen e ofruar nga jashtë ndaj bashkësisë së muslimanëve shqiptarë. Vetë zëdhënësi në fjalë e kërkon autonominë e bashkësive fetare si garanci për ruajtjen e lirisë së ndërgjegjjes në vend, ndaj pikë së pari, duhet që Kisha Katolike ta respektojë vetë atë që kërkon, duke e dëshmuar në mënyrë konkrete, të patkën për të zbutur sadopak dëmin moral të shkaktuar kundrejt një bashkësie tjetër si ajo e muslimanëve shqiptarë.

Comments

  • shume zhgenjyes qendrimi i ketij eksponenti te larte katolik shqiptar (apo italiano-shqiptar). Dom Gjergj Meta dhe Imzot Rrok Mirdita duhet te distancohen nga kjo deklarate.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *