Conferenza_UAMI_2012

 

e-zani

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Shtetit shqiptar, UAMI, bashkimi i disa shoqatave shqiptare muslimane me qendër në Itali, organizoi një konferencë dyditore të zhvilluar në qytetet Milano dhe Trento në bashkëpunim edhe me Forum Albtrentino (FAT), me qendër në provincën e Trentos. Të ftuarit në cilësinë e relatorëve ishin historianët Paolo Rago dhe Enis Sulstarova si dhe gazetari dhe publicisti Fatos Lubonja. Morën pjesë, gjithashtu, përgjegjësi i sektorit të kulturës në bashkinë e Milanos, z. Stefano Boeri, homologia e tij në provincën autonome të Trentos, si dhe drejtoresha e Osservatorio dei Balcani e Caucaso, znj. Luisa Chiodi. Takimi i Milanos u organizua nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë të bashkisë së atij qyteti, në shenjë mirënjohje ndaj aktivitetit dhe seriozitetit të shoqatës UAMI e cila është e pranishme në realietin italian prej vitit 2009, por edhe ndaj shqiptarëve të besimit islam. Gjithashtu, bashkia e Milanos ka sponsorizuar e mbështetur edhe Ekspozitën Fotografike të ideuar nga UAMI, që po realizohet pikërisht këtë javë në Milano.

Sipas drejtuesve të shoqatës, konferenca kishte për qëllim përballjen e pikëpamjeve të ndryshme, të shtjelluara nga tre relatorët, në lidhje me doktrinën e shqiptarizmit, si njëra nga shtysat themelore në lindjen e Shtetit shqiptar, dhe diskutimin me pjesëmarrësit. Ndër të tjera, në kumtesën e historianit Paolo Rago, u nënvizua përpunimi i shqiptarizmit nga ideologët kryesorë të Rilindjes, qasja ndaj Perandorisë osmane në prizmin e këtyre personazheve, roli i miteve themeluese, siç është qëndresa në epokën e Skënderbeut. Fatos Lubonja vuri theksin tek roli i enverizmit në përhapjen e ideologjisë nacionaliste në popullin shqiptar duke përfshirë edhe zhvillimet e njëzet viteve të fundit. Ndërsa Enis Sulstarova shtjelloi dikotominë mes integrimit evropian dhe bashkimit kombëtar, të cilat, sipas Sulstarovës, janë dy projekte që nuk përjashtojnë njeri-tjetrin.

Gjithashtu, drejtuesit e shoqatës dëshirojnë të bëjnë të ditur dy aspekte negative që janë edhe dëshmi e paradoksit shqiptar, ku nga njëra anë promovohet etika e atdhedashurisë e nga ana tjetër nuk respektohen qytetarët. Së pari, mbarëvajtja e konferencës në Milano u rrezikua nga odisea e relatorëve, të shkaktuar nga papërgjegjshmëria e kompanisë së fluturimeve Belle Air, e cila tashmë e ka konsoliduar traditën e abuzimit, të pandëshkuar, me oraret, çmimet, destinacionet dhe cilesitë e fluturimeve.

Por, së dyti, mungesa e kësaj konferencë erdhi pikërisht nga përfaqësuesit e Shtetit, të atij organizmi që shoqata shqiptare i promovoi rrugëtimin njëshekullor. Konsulli i Milanos, Nausika Spahia, siç njofton kryetari i shoqatës, z. Bakalli, është ftuar personalisht, por nuk ka dërguar as një mesazh të vetëm urimi e jo më të merrte pjesë. Takimi ishte i sponsorizuar nga bashkia e Milanos, si përfaqësues i të cilës mori pjesë z. Boeri, njëri nga drejtuesit më të lartë të një bashkie që me vëllim demografik i afrohet Republikës së Shqipërisë. Si të themi: i “huaji” na respekton, i “yni” na përçmon. Nuk jemi në gjendje ta gjykojmë “turpërimin” e znj. Spahia nga sigla islame që mban shoqata UAMI, pra, theksojmë, nga qytetarët e Shtetit që ajo përfaqëson, por mund t’i kujtojmë se ambasada shqiptare në Romë, gjatë periudhës së drejtimit të ambasadorit Llesh Kola, i ftuar disa herë në aktivitetet e UAMI-t dhe përherë i papranishëm, ka pëdorur faqen e saj zyrtare si dritare e aktiviteteve me karakter fetar. Konkretisht:

«Në përfundim të meshës në Kishën e Shën Mihillit Kryengjëll, të pranishmit i përshëndeti Ambasadori i Shqipërisë në Itali, Llesh Kola. Ai falënderoi nismëtarin e kësaj ngjarje të rëndësishme, don Antonio Sharrën, ipeshkvijtë e Avecanos e Sulmonës, që “po ia kthejnë besimtarëve të krishterë e mbarë Shqipërisë një personalitet të shquar siç është Shën Pelini, martir. Kjo ngjarje ripohon historinë e lashtë të mundimshme e të lavdishme që ka kaluar populli shqiptar përgjatë shekujve, i cili nga gjiri i vet ka nxjerrë edhe figura të mëdha si Shën Pelini në shekullin e VII, Skënderbeu, heroi ynë kombëtar dhe Mbrojtës i Krishtërimit, dhe e Lumturuara Nënë Terezë në kohët tona”».

Këto janë fjalë që nuk kanë nevojë për komente. Shpjegojnë më sëmiri që përfaqësues të tipit  “Llesh Kola” i konsiderojnë postet shtetërore si karrige personale, nga ku mund të bëjnë katekizëm publik, dhe, duke vëzhguar më lart mitet dhe manipulimin e tyre “ambasadoresk” (shikoni rastin e “Mbrojtësit të Krishtërimit”), paralelisht bojkotojnë shumicën e qytetarëve që përfaqësojnë. Pastaj na flasin edhe për atdhetarizëm! Diplomat dështakë, që nuk arrijnë të ndikojnë Vatikanin në njohjen e Kosovës, por grigjë e bindur dhe dinamike që nuk heziton të promovojë personazhe fetare, ose të fetarizuara, nga tribuna laike. Po ç’mund të presim nga një ambasadë që për laicitet dhe ekuilibër mund (duhet) të uronte festën dhe jo festat e fundvitit e që nuk denjon t’u urojë një festë të vetme qytetarëve musliman të pranishëm në Itali?

 

Comments

  • Po cfare presim ne nga nje shtet qe nuk ruan dot as monumentet e veta te kultures…shteti jone eshte si torta e 100 vjetorit.

  • Aq me teper kur zoja Jozefine ka sponsorizuar qe ne Itali te shkojne “Te tane njato shkodrane e shkodrane qe kane kalu dy teste A. Testi i servileve te saj ne PD dhe B. Testi i te qenunit katolik madje ma katolik se Papa Ratzinger”. Perpara itash!

  • Me vjen keq, por cfare ka ketu per t’u ndiere vecanerisht te diskriminuar? Ne kete vendin tone qeveria ka vendos te shkaterroje perdite publiken (ne fakt me mire duhet thene ta shese e vjedhe sa te mundet), te shkaterroje sistemin shendetesor, arsimin, ambientin. Ka vendosur te injoroje varferine e ta shohe vetem progres, ka vendosur mos t’i vere re shkollat qe mbyllen neper fshatra, ambulancat qe nuk funksionojne me, spitalet e rrenuara, ujin e ndotur. Ka vendosur te lere pjesen me te madhe te popullsise te perjashtuar nga e drejta per vendim-marrje reale duke vendosur te shese gjithe pasurite tona publike me nje te rene te lapsit. Ne nuk flasim per keto, ne flasim vetem kur cenohet ajo pjese e dinjitetit tone si besimtare. pjesa tjeter e identitetit tone, ne fakt e ekzistences tone: (me gjoja) qytetare te Shqiperise, te privuar nga te drejtat baze rralle degjohet ne diskursin tone. Nuk eshte shume per t’u cuditur atehere qe shqetesimet tona rralle e prekin shoqerine, pasi plaget e tyre te perditshme jane ndoshta akoma me te thella e te dhimbshme se mungesa e konsullit Shqiptar ne konferencen e UAMI-t & te tjere. Nuk dua te them ne asnje menyre qe shqetesimi nuk eshte i drejte, por nese do vazhdojme te merremi vetem me ceshtje specifike dhe te mos merremi me diskriminimin sistemik te perditshem nga shteti, gjasat jane qe do ngelemi vetem ne nivelin e denoncimeve qe lexohen vetem nga besimtaret.

    • Ke shume te drejte Sara. Fatkeqsisht muslimanet reagojne si muslimane vetem kur preket posacerisht feja, e nuk reagojne fare si te tille per padrejtesite shoqerore e kombetare. Pervec kesaj, kleriket e rrogetaret e fese jane gati te ulen ne tavolina e te negociojne apo dhe thjesht te pozojne per te perfituar pak status me perfaqesues te pushtetit, cilido qofte ky, i majte, i djathte, vrases, hajdut, i korruptuar.

      Megjithate, dua te them se reagimi i mesiperm eshte i domosdoshem, nuk i ikim dot, per arsye se denoncon hipokrizine dhe paftyresine qe karakterizon institucionet tona publike, gjasme laike, qe jane shnderruar totalisht ne paradhoma kishash, me bredha krishtlindjesh e me Nene Tereza e me Kalores te Krishterimit. Kjo eshte nje permase e shtuar pseudo-fetare kristiane qe ia kane veshur vetes te njejtat institucione ku shqiptari poshterohet e vidhet. Personalisht, falenderoj Zotin qe ky shtet kriminel me institucionet e tij i rri larg fese time. Feja ime pranon vetem te pastrit. Ndoshta literalistet tane, qe i duan gjerat me tabela, te thjeshtuara, do vije dita qe do ta kuptojne se po ky shtet strukturalisht anti-musliman, eshte i njejti qe edhe i vjedh e i vret, e ndoshta e gjejne lidhjen pastaj.

    • Nese ka nje rast diskriminimi ky eshte tipik, pasi termi ka lindur pikerisht per te percaktuar mungesen e trajtimit te barabarte te nje individi ose te nje grupi ne raport me te “tjeret”. Pastaj ne lidhje me shqetesimet e tjera, ato, fatkeqesisht, jane pjese e realitetit te politikes tone, pa dallim ngjyrash. Pastaj eshte edhe dorezimi konsensual e masiv ndaj kesaj kaste politike. Blogu ka pecjellur shqetesime te ndryshme, nder te cilat mendojme se hyn edhe diskriminimi. E nese nuk ka te drejta te barabarta e kote te pretendohet indinjata, fjala bie, ndaj ambientit, kur ky ambient na qenka pasuri e nje grupi, ndersa pjesa tjeter eshte nje mase sklleverish per vota. Ne te vertete, te indinjohesh dhe te protestosh per shendetesine, arsimin, etj, eshte specifike. Te pretendosh barazi eshte e drejte themelore qe vendos rregullat e lojes, te cilat pastaj mundesojne paktin e bashkejeteses ne harmoni (jo domosdoshmerisht fetare).

  • Sara,

    UAMI, si organizate, ka aktivitete dhe qellime te tjera dhe jo ato qe permend ti, megjithese shqetesimi qe ti ngre eshte i drejte, por s’ka lidhje fare me artikullin dhe me “denoncimin” qe ben ti. Shteti shqiptar te pakten per “sy e faqe” eshte i detyruar te mbroje interesat apo te nxisi qytetaret qe perfaqeson te angazhohen dhe te integrohen ne vendet e huaja ku ata jetojne, pra ky eshte obligim dhe nuk eshte se do vije per qoke ne nje konference apo ekspozite te UAMI-t, per te na bere “qejfin” neve. Te gjithe te ftuarit neper keto takime (si te huaj, ashtu edhe bashkeatdhetar) kane shprehur kenaqesi dhe vleresim per orgazizimin, por ne te njejten kohe habiten si nuk ka fare perfaqesues te institucioneve tona ne keto aktivitete…

    Ka 4 vjet qe “injorimi” nga ana e perfaqesuesve te shtetit tone ne Itali eshte total dhe rasti i fundit, ai i ekspozites, eshte edhe me flagranti. Konsullata e Milanos ndodhej vetem 3 minuta ne kembe nga vendi ku mbahej ekspozita fotografike (e bere me rastin e 100 vjetorit dhe jo per mevlud, te kuptohemi). Ekspozite e cila qendroi e hapur 1 jave rresht dhe asnje prej tyre nuk denjoi ta vizitonte dhe as te ishte pjesemarres ne takimin e fundit i cili u be me perfaqesues te bashkise se milanos!!
    Tani c’te te them une tjeter. Me vjen keq edhe mua qe Shqiperia eshte bere kosh i mbeturinave te Italise, apo qe hidrocentralet shiten per 5 lek, apo qe varferia eshte ne ekstrem etj, por keto duhen trajtuar ne nje konteks dhe vend tjeter, nga dikush tjeter.

    Artikulli apo edhe statusi i UAMI-t nuk i perfshin keto tematika.

    fredi

  • Normalisht, menyra sesi vleresojme veten sjell edhe vleresimin e te tjereve. Ne e konsiderojme veten pleh, prandaj dhe te tjeret na sjellin plehrat e tyre per te pastruar vendin e tyre. Shqiperia ka kohe qe eshte bere pusete e kanalizimeve te ujerave te zeza te Europes.

  • Mendoj se u shpreha qarte kur thashe se nuk ka gje per t’u cuditur aq shume me rastin specifik, sepse shqiptaret po diskriminohen perdite. Po diskriminohen ne arsim pasi ata qe kane para jane ne gjendje te ndjekin cfaredo shkolle qe duan, ata qe s’kane jane te detyruar ose te ndjekin shkollat ku tarifat jane me te lira, ose ne fakt te heqin dore. Ne fshatra gjendja eshte shume me alarmante ku femijet vecanerisht vajzat e kane te pamundur te vazhdojne edhe te mesmen pasi kjo do do te thote qe iu duhet te udhetojne nga nje fshat ne tjetrin qe pervec te tjerave perfshin edhe kosto te paperballueshme. Eshte nje rast i paster diskriminimi strukturor qe vetem pse je lindur ne nje familje te varfer, aq me shume ne fshat, privohesh nga e drejta per arsim. Akoma me qartazi ne mjekesi: nese ke para mund te kurohesh ne spitalet private, nese nuk ke perballu me nje sistem te degraduar. Ama edhe aty nese ke para te japesh nen dore. Eshte bere e dukshme me sy te lire, krijimi i nje sistemi me dy nivele: nje per te pasurit (privati) dhe nje per te varferit (publiku) dhe asgje per ata qe s’kane asnje para. Nuk besoj se me duhet te zgjatem ne kete: nje sherbim per te varferit, eshte i varfer. Tashme eshte realitet qe s’ka nevoje per shpjegime qe ata qe kane para jetojne prane liqenit ne Tirane, apo ne vende te zgjedhura ku ajri eshte me i paster. Zonat e ndotura, zonat anes rrugeve nacionale, zonat qe kane tendencen te permbyten jane per te vaferit. Une nuk gjej fjale tjeter ta quaj kete vetem se diskriminim mbi bazat e shtreses sociale qe i perket.

    Une gjithashtu shkruajta qe shqetesimi eshte i drejte, por ne nuk jemi akoma duke reaguar ne terma strategjike persa kohe qe organizata qe kane anetaresi (qofte KMSH apo UAMI) nuk arrijne te ngrene zerin e tyre per cdo lloj forme diskriminimi e padrejtesie ne shoqerine tone. Keshtu nderhyrja ime ishte me shume ne aspektin strategjik. Po ka patur shume tema ketu ne E-zani, por eshte vetem nje forum, madje forum virtual, pa aneteresi e pa strukture organizative. Roli i organizatave eshte thelbesor nese ndonje gje do te duhet te ndryshoje ne shoqerine tone e prej ketu buron edhe shqetesimi im per strategjite. Organizata qe ngrene zerin vetem per diskriminimin ndaj nje grupi njerezish, ne fakt per nje aspekt te identitetit te nje grupi njerezish, ka gjasa qe te kene mbeshtetje vetem ne ate grup njerezish dhe vetem per ata per te cilet kjo pjese e identitetit te tyre eshte e rendesishme.

    Sic u shpreha edhe ne komentin e meparshem, shqetesimi eshte i drejte. Pyetja ngelet: cfare duhet bere? Ketu ne jemi teresisht zbuluar. Ne analizojme, denoncojme dhe mbaron aty, pasi nuk ka asnje plan per te ndryshuar gjerat. Ky ishte motivimi im per te shkruar ketu: na duhet nje strategji, ose disa strategji ne varesi te kushteve specifike ku besimtaret jane. Dhe une nuk po ngelem ne nivelin e kritikes, po jap edhe mendimin tim: Nese nuk ngreme zerin per padrejtesite ne shoqeri, nese nuk behemi pjese aktive e levizjeve per nje shoqeri me te drejte, do ngelemi vetem nje grup qe diskuton me njeri-tjetrin.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *