Licenca për intelektualë





Opiumi i intelektualeve

 

E. Mërtiri

Nën qiellin gri të politikës shqiptare ndihesh i rrethuar nga vulgariteti, ku paradoksalisht indiferenca ndaj vlerave dhe problemeve shoqërohet me tone të larta debati, gjuhë agresive dhe tension të përditshëm. Do të ishte e kuptueshme dhe e pranueshme nëse ky tension do të vinte nga pasioni politik, kulturor apo ideologjik, por gjithçka duket anormale kur shikon se aktorët në konflikt shfaqin kaq shumë indiferencë ndaj ideve që mbrojnë. Mund të vëresh me lehtësi se ka një përpjesëtim të zhdrejtë midis vlerës së debatit me interesimin e palëve të përfshira. Realiteti tregon se përgjithësisht në Shqipëri debatohet më fort për gjërat më pa interes. Në një masë të madhe kjo ndoshta vjen prej faktit se në Shqipëri mosinteresimi i skajshëm ndaj ideve shoqërohet me një personalizim të diskutimit. Për rrjedhojë, në Shqipëri nuk diskutohet për politikë, por për personazhe të politikës dhe çdo ide apo dukuri është vetëm pretekst për interesat e lojtarëve që i përdorin. Kjo është një dukuri e kuptueshme, po të kemi parasysh se elitat shqiptare nuk janë formuar si pasojë e mekanizmave të tregut të ideve dhe medieve, por në saje të një trashëgimie që buron nga regjimi i kaluar. Përgjithësisht akademikët, por dhe një pjesë e mirë e figurave të artit, të kulturës dhe medieve janë individë që statusin e personit publik e kanë fituar gjatë këtij regjimi. Për rrjedhojë, inteligjenca shqiptare nuk është aspak e interesuar për idetë dhe problemet shoqërore që trajton, por për të rikonfirmuar pushtetin mediatik e kulturor që zotëron. Diskursi publik në Shqipëri nuk ka ndonjë objektiv konkret më të madh se rikonfirmimi i pushtetit publik të subjektit ligjërues.

Një peticion i nënshkruar nga një grup njerëzish kundër mosvotimit të tri ligjeve nga kryetari i opozitës ka ndezur një debat mbi nocionin e intelektualit dhe rolin e tij në Shqipëri. Debati në vetvete është mjaft i rëndësishëm për një vend si Shqipëria, ku falsifikimi i intelektualit ka të paktën 70 vjet që prodhohet në seri e madje sanksionohet nëpërmjet dëshmish e kriteresh po kaq të rreme, duke sjellë trullosje masive në shoqëri. Por ngjarja që ka shërbyer për ngritjen e këtij debati është aq joserioze, sa nuk ia vlen ta diskutosh. Një peticion kundër shefit të opozitës nuk mund të jetë spunto për një reflektim mbarëshoqëror mbi një temë të tillë. Në fakt, nuk është hera e parë që debatet serioze hapen për arsye banale, duke bërë më tej që ato të zhvillohen po kështu në një klimë dhe gjuhë banaliteti.

Nuk e vë në dyshim se ai peticion është firmosur nga shumë njerëz që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me atë që presupozohet të jetë roli i intelektualit, ndonëse mes nënshkruesve ka edhe njerëz vërtet të respektuar për kontributin e tyre në mendimin shqiptar. Gjithashtu është e qartë se shumica dërrmuese e nënshkruesve janë motivuar politikisht, një pjesë në mbrojtje të qeverisë, duke shtuar një zë kundër opozitës, por pa harruar edhe një pjesë tjetër që motivohet prej bindjeve të veta antikomuniste, sipas të cilave PS-ja shihet si një trashëgimtare e regjimit të Enver Hoxhës. Por nuk mund të mos vërejmë se edhe përpjekja për të delegjitimuar nënshkruesit është po kaq pa vlerë dhe po kaq e politizuar. Fakti që dikush ka akses në medie nuk e bën aspak më meritor për të qenë intelektual, duke parë se si është masakruar shtypi shqiptar gjatë këtyre viteve. Kur jemi në këtë derexhe, nuk ndryshon asgjë nëse statusin e intelektualit e pretendojnë edhe disa jomeritorë të tjerë të panjohur.

Sidoqoftë, deri diku, duke pasur parasysh kontekstin shqiptar, mund të jetë e kuptueshme çdo përpjekje instrumentalizuese në të tilla raste. Kjo është diçka e rëndomtë dhe e përditshme në realitetin ku jetojmë, ku pritshmëritë ndaj politikës mbeten krejt minimaliste, të reduktuara në eliminimin e së keqes më të madhe kundrejt asaj më të vogël. Ajo që nuk mund të pranohet është fakti se në këtë moçal njëra palë pretendon puritanizëm moral në një kohë kur dukshëm motivohet po njësoj nga interesa politike si ato për të cilat demaskon palën tjetër. Nëse themi se nënshkruesit e peticionit synojnë t’i dalin në krah qeverisë, nuk do mend se po kështu ata që i kundërvihen peticionit po përpiqen t’i dalin në krah opozitës. Nga ky këndvështrim, amoraliteti i dyanshëm çekuilibrohet nga hipokrizia opozitare për standardin e rremë moral të pretenduar. Ndërmjet dy palëve që instrumentalizojnë vlerat, pala më e fëlliqur është ajo që denoncon si amorale instrumentalizimin e tjetrës.

Mbi të gjitha, përdorimi i diskutimit mbi rolin e intelektualit mbetet këtu peng i politikës së ditës, duke e shpërdoruar për një çështje banale në një kohë kur ky debat mbetet të merret shumë herë më seriozisht sesa vetë fati i dy forcave politike në konflikt të marra së bashku. E gjithë kjo rikonfirmon në mënyrë rutinore mungesën e vlerave që bashkëshoqëron çdo diskutim vlerash në Shqipëri. Fundja, askush në këtë zhurmënajë nuk ndalet të vlerësojë nëse është apo jo i drejtë reagimi ndaj mosvotimit të tri ligjeve prej opozitës. Diskutimi mbetet te qëllimi pse ndërmerret një qëndrim, jo te vlera e tij në vetvete. Kjo vjen sepse vlerat në vetvete nuk kanë rëndësi.

Në rastin konkret nuk ka rëndësi aspak se çfarë kostoje publike ka zvarritja e këtyre tri ligjeve. Madje edhe rëndësia që u jepet atyre lidhet me faktin se i kërkon Europa dhe jo me nevojën publike që kemi për to. Qëllimi i kërkesës për miratimin e tyre është marrja e statusit të vendit kandidat dhe jo efekti shoqëror i tyre. Ky është mentaliteti i elitave tona të zhveshura nga vlerat, elitave që nuk kanë asnjë projekt a ideal, por që orientohen në mënyrë oportuniste nga interesat personale e klanore. Debati publik këtu është si një shatërvan që qarkullon në një sistem të mbyllur hidraulik të njëjtin ujë të ndotur në tubacionet e kaldajës propagandistike të Enver Hoxhes. Duhet të jesh vërtet naiv të presësh ndonjë produkt me vlerë në këtë mjedis.

 

 

Comments

  • faleminderit autorit… kisha kohe pa lexuar nje shkrim vertet te mire… shkrim qe prek mbi plagen e majisur te shoqerise shqiptare qe nuk rresht se prodhuari intelektualizem te qelbezuar me hipokrizi e servilizem

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *