index

 

Oliver Jens Schmitt

 

Politikanët drejtues shqiptarë me përforcimin e retorikës nacionaliste po shkaktojnë dëme në politikën e jashtme

Gjatë festimeve të 100 vjetorit të ditëlindjes së Shqipërisë, politikanët shqiptarë shfaqën papritmas  tone nacionaliste. Me këtë retorikë të re, e cila po shqetëson fqinjët, largohet edhe vëmendja nga problemet e brendshme.

“Prej këtu, prej Shkupit, ju bëj thirrje shqiptarëve të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo  muaj, çdo vit për bashkimin e tyre.” Kështu u thirri Kryeministri shqiptar Sali Berisha më 25 nëntor 2012, gjatë një mitingu të madh në kryeqytetin maqedonas, pjesëmarrësve, mes të cilëve gjendeshin edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, zv/Kryeministri i Maqedonisë Musa Xhaferi, si dhe politikani shqiptaro-maqedonas dhe ish-udhëheqësi i guerrilasve Ali Ahmeti. Kryeqyteti maqedonas ishte zhytur në një det flamujsh shqiptarë.

“Një gjak, një gjuhë”

Ky fjalim u mbajt gjatë festimeve kushtuar njëqindvjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar më 28 nëntor 2012, festime të cilat krahas gëzimit që shkaktuan tek shqiptarët e Ballkanit dhe të Diasporës u shoqëruan edhe me tone të larta, të panjohura nacionaliste të politikanëve drejtues. Politikanë të rëndësishëm të Shqipërisë, me tone paksa më të ulëta ata të Kosovës dhe më të arsyeshme ata të Maqedonisë, përdorën një gjuhë që zakonisht e përdorin vetëm grupet radikale. Shqipëria shtrihet nga Preveza (Greqi) deri në Preshevë (një krahinë e Serbisë Jugore me shumicë shqiptare), nga Podgorica (kryeqyteti i Malit të Zi) deri në Shkup (me një pakicë të konsiderueshme shqiptare), deklaroi Berisha, i cili përdori edhe nocionin e “Shqipërisë etnike”, “ku shqiptarët përbëjnë etninë dominuese dhe jetojnë pa ndërprerje”.

Kryeministri kosovar tha se ekzistenca e dy shteteve shqiptare nuk ka qenë dëshira e shqiptarëve dhe se Shqipëria dhe Kosova do të ishin “më mirë” së bashku. Ali Ahmeti, me realitetin e brishtë të Maqedonisë në fokus, u tregua më i kujdesshëm e foli për të drejtat e shqiptarëve dhe për domosdoshmërinë e respektit të ndërsjellët ndëretnik. Polikanët shqiptarë që nuk janë në qeveri u treguan më të papërmbajtur: “Ne kemi një gjak, një gjuhë dhe një flamur”, shkruajti Xhavit Halili, i cili dikur drejtonte nga Zvicra rezistencën shqiptare në Maqedoni.

Retorika e re politike e udhëheqësve shqiptarë në Ballkan nuk kaloi pa u vënë re. Vendet fqinje e panë frikën e tyre të krijimit të një Shqipërie të madhe, përdorur shpesh prej tyre gjithashtu për qëllime propagandistike, të vërtetuar. Politikanë të lartë, si p.sh. Ministri i Jashtëm grek, bojkotuan festimet në Tiranë. Nacionalistët, si Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, i cili vetë, për qëllime të mbajtjes së pushtetit, përdor, pa përfillur fare dëmet në politikën e jashtme, nacionalizmin maqedonas kundër Greqisë dhe pakicave shqiptare, u shprehën kundër nacionalizmit triumfues shqiptar. Fjalët më të qarta i foli ambasadori amerikan në Tiranë, i cili e paralajmëroi qeverinë Berisha duke e sinjalizuar se SHBA nuk do të pranojnë asnjë ndryshim kufijsh në Ballkan.

Manovër për largimin e vëmendjes

Mbas euforisë mbarëkombëtare dëmet në politikën e jashtme janë të mëdha. Sepse që prej rrëzimit të diktaturës komuniste vendi konsiderohet si një faktor stabiliteti dhe e kishte orientuar veten qartësisht drejt politikës së NATO-s, e veçanërisht drejt Shteteve të Bashkuara. Hyrja në NATO dhe së fundi propozimi për dhënien Shqipërisë të statusit të kandidatit në BE, që u rishikua më pas prej Komisionit Evropian, ishin shpërblime për këtë qëndrim.  Përse qeveria shqiptare e vë në lojë reputacionin e mirë të politikës së saj së jashtme?

Vëzhguesit mendojnë se arsyeja janë zgjedhjet e qershorit 2013 në Shqipëri. Ashtu si në vendet fqinjë, Maqedoni p.sh., retorika nacionaliste heq vëmendjen nga problemet e vërteta të qeverive të kapura nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi dhe do të zhduket mbas zgjedhjeve. Por kjo nuk i shpjegon të gjitha sepse në Shqipëri, ashtu si edhe në Kosovë, janë krijuar parti radikale nacionaliste, të cilat në zgjedhje mund të bëhen të rrezikshme për partitë e konsoliduara.  Aleanca Kuq e Zi në Shqipëri, nën udhëheqjen e Kreshnik Spahiut, dhe Vetëvendosja në Kosovë, e drejtuar nga Albin Kurti, synojnë haptazi bashkimin e të dy vendeve.

Aleanca Kuq e Zi dorëzoi në janar 2013 kërkesën për zhvillimin e referendumit për bashkimin Kosovë-Shqipëri. Vetë Aleanca u krijua në vitin 2011 si protestë kundër mënyrës se si po regjistroheshin minoritetet, veçanërisht ai grek, gjatë regjistrimit të popullsisë. Ajo agjiton kundër Kishës Ortodokse Shqiptare, sipas saj institucion grek, mitropoliti i së cilës, Anastasios Janulatos, është kërcënuar së fundi rëndë, kurse në Maqedoni ajo nxit kundër martesave mikse.

Nacionalizmi si shprehje e opozicionit radikal bëri me sa duket që Berisha, dhe Thaçi bashkë me të, të përpiqen të mbajnë me një retorikë të re zgjedhësit e zhgënjyer që kërcënojnë se do të largohen. Për këtë, sidomos demokratët e Berishës janë gati të mërzisin edhe SHBA-s edhe BE-në. Qeveria e Berishës ka lajmëruar se do u japë kosovarëve pasaporta shqiptare, gjë që opozita shqiptare e sheh si një formë të blerjes së votave. Por edhe udhëheqësi i opozitës Edi Rama i bie së njëjtës muzikë kur kërkon që Shqipëria të ndërtojë në Preshevë spitale për gratë shqiptare. Rama zhvilloi shpejt një koncept të tijin për bashkimin: Ky duhet të ndodhë brenda kuadrit të BE-së. Kjo nuk është e re, sepse edhe Berisha e përmend vazhdimisht integrimin euro-atlantik si rrugën për bashkim, të cilin ai e celebron si “një e drejtë e shenjtë”.

Nacionalizmi shqiptar nuk është politikish i njësuar. Mes shteteve të vogla të Ballkanit, por edhe tek diaspora e madhe shqiptare ka shumë dallime. Socialisti Ben Blushi është një ndër të paktët intelektualë në politikën shqiptare që e interpreton nacionalizmin si një opozitë sistemi, ku armiku merr fytyra të ndryshme. Në Shqipëri ai drejtohet kundër partive të mëdha, në Kosovë kundër misionit të BE-së dhe “ndërkombëtarëve” në përgjithësi, në Maqedoni kundër kombit titullar maqedonas. Kjo çon në situatën paradoksale që në Shqipëri, p.sh., në të kundërt të Kosovës, një komisioner i BE pritet me krahë hapur.

Konstrukte të njohura

Intelektuali kritik më i rëndësishëm i Shqipërisë, Fatos Lubonja, flet për “nacional-evropianizmin”. Ai nënkupton me këtë atë që elitat shqiptare, të dala prej kuadrove komuniste, nacionalizmin e tyre e qëndisën me retorikë evropianizmi, ashtu siç dikur kishin përdorur si mbulesë marksizmin. Dhe në fakt, një analizë e retorikës nacionaliste tregon se modelet e mendimit janë po ato të vjetrat. Koncepti hapësinor i Berishës i korrespondon idesë së një Shqipërie me katër vilajete, pra me provincën e madhe të Shkodrës Osmane të deri 1912-ës, Kosovën (me kryeqytet Shkupin), Bitolën dhe Janinën. Në vend të “Shqipërisë së madhe” përdoret nocioni i “Shqipërisë etnike” ose i “Shqipërisë natyrale”. Veçanërisht Sali Berisha është ai që kultivon konceptin e një nacionalizmi “pozitiv”: Shqiptarët vetëm mbrohen kundër agresioneve, nacionalizmi i tyre është “human” dhe “më i civilizuar” se ai i nacionalizmave “shoviniste” të fqinjëve. Miti i viktimës, një mit i perceptimit të vetvetes së nacionalistëve, i përhapur në të gjithë Ballkanin, plotësohet me imazhin e “popullit të vetmuar” (që kultivohet edhe prej grekëve dhe hungarezëve, gjithashtu të izoluar gjuhësisht) dhe me paranojën e rrethimit të kohëve komuniste. Kombi vjen dhe paraqitet, ashtu si edhe gjatë komunizmit, në hapësirë dhe kohë etnikisht homogjen.

Më i madh apo më i mirë?

Klasifikimi i toneve të reja duhet shqyrtuar edhe në nivelin e politikës së jashtme dhe atij historik. Shqiptarët ndihen sot në Ballkan më të fortë se kurrë. Hashim Thaçi ishte i saktë kur e krahasoi situatën sot me atë të viteve 1999. Shqiptarët vështrojnë edhe dobësitë e vendeve që tradicionalisht i kanë parë si kundërshtarë, Serbia, e shkatërruar nga luftrat e humbura, dhe Greqia, e cila deri para pak kohësh kishte një influencë të madhe në vend.

Edhe raporti ndaj fuqive mbrojtësve perëndimore po ndryshon: Ashtu si pushtetarët shqiptarë të shekullit të  20-të, Berisha dredhon midis mbrojtësve të shumtë të politikës së jashtme, të cilët janë në të njëjtën kohë edhe dhënësit e parave. Përpara qeverisë turke flet për “gjakun e përbashkët” të turqve dhe shqiptarëve, përpara Papës paraqitet si pasardhës i heroit kombëtar Skënderbe. Para diplomatëve amerikanë, që përpiqen për ndarjen e shtetit të së drejtës nga dhuna, Berisha i lejon vetes shumë më tepër sesa Qeveria e Kosovës, e cila është fuqimisht e varur prej SHBA.

Festime euforike nacionaliste, retorikë fushate zgjedhore dhe zhvendosje tektonike në situatën politike të brendshme dhe të jashtme, të treja mblidhen bashkë në këtë dimër nacionalisto-shqiptar. Rezonanca tek masat është mbresëlënëse, por megjithatë jo e lehtë për t’u interpretuar. Rreth 1.5 milionë njerëz deri tani, statistikisht më shumë se gjysma e popullsisë, kanë vizituar brenda 45 ditëve ekspozitën e armëve (shumica e tyre të falsifikuara) të Skënderbeut të huazuara prej Austrisë.

Simbol i dytë i festimeve ishte “torta e madhe e pavarësisë” në Tiranë, shpërndarja e rregullt e së cilës dështoi prej trysnisë së njerëzve. Pamjet e njerëzve që gëlltisnin copa torte, që i paketonin ato në qese plastike dhe që në fund kërcenin mbi të apo gjuanin të tjerët me copa torte, janë në kontrast me fjalimet pompoze dhe tregojnë shumë më tepër për raportin e qytetarit me shtetin dhe dëshirat reale të shumicës së shqiptarëve. Intelektualët kritikë i bien drejt e në kokë: Alternativat janë ose një  Shqipëri më e madhe, ose një Shqipëri më e mirë. Elita politike ka zgjedhur për momentin, të paktën në retorikë, alternativën e parë.

Comments

  • Autori shkruan: “Alternativat janë ose një Shqipëri më e madhe, ose një Shqipëri më e mirë. Elita politike ka zgjedhur për momentin, të paktën në retorikë, alternativën e parë.”

    Nuk ka pse te jete kjo alternativa. Shqiperia si atdhe i shqiptareve ne Ballkan nuk ka asgje alarmante e nuk ka pse te jete me e keqe.

      • Zotnia e tij Schmidi eshte bere reference ne debatin publik per nacionalizmin shqiptar menduam se eshte me vend ta sjellim per debat. Interesante ishte edhe nje artikull i Mustafa Nanos i cili shkruan se bashkimi i Shqiperise me Kosoven do prishnin ekuilibrat qe kemi arritur!!!

        http://respublica.al/opinion/2013/02/02/shajnia-e-bashkimit-kombetar-u-duhet-rrufjaneve-per-vota

        Cfare qenkan keto ekuilibra te ndertuar qe prishka bashkimi me Kosoven? T’i kthehemi Schmidit, qysh kur qenka shprehja e interesave te shqiptareve ‘nacionalizem radikal,’ cfare ka radikale ne kerkesen per bashkim te dy shtetesh shqiptare?

        • Kerkoj hallall, po me mire do kishte qene te kishit bere nje pasqyrim kritik te shkrimit, sesa te botoni vete shkrimin. E para ngjan sikur i nenshkruheni ideve te ketij, e dyta duket sikur ju ka dhene leje ky per ta botuar.

          Sipas Shmitit, alternativa eshte o me i madh, o me i mire shteti, dhe sipas kesaj ideje, me mire ta leme Shqiperine te mire dhe te vogel, nga Bathorja deri tek Gjiri i Lalzit, se kaq sas e kemi s’po e mbajme dot. Eshte e turpshme arroganca e ketij qe e paska vendosur se c’eshte me e mira per shqiptaret dhe Shqiperine dhe eshte fyese ideja e ketij qe shqiptaret mund t’i barazojme3 me fukarenjte qe iu versulen tortes ne shesh. Pse vetem 341 fukarenj shqiptare qe ishin tek torta jane Shqiperia? Po pse nuk mund t’i barazojme zviceranet me fajdexhinjve te bankave ku fshihet leku i hajduteve e krimineleve te gjithe planetit, apo paret e vjedhura te hebrenjve? Po pse nuk duhet t’i barazojme Shmitat me ata qe shfarosen hebrenjte njehere?

          Pse edhe ky shpif dhe shtremberon fjalet e Berishes per ‘gjakun e perbashket me turqit’, dhe pse kete e ve ne opozicion me permendjen e Skenderbeut ne viziten e Berishes tek Papa? Pse eshte kaq primitiv ky historiani? Turqit nuk e kane kushtezuar kurre miqesine me shqiptaret tek Skenderbeu, apo Vatikani, dhe as vatikani tek turqit, pra pse do te prodhoje situata mesjetare ky historiani i mesjetes? Ky eshte po aq primitiv sa ata qe e akuzonin se na ka serbizuar Skenderbeun

          Mua me erdhi turp kur e pashe tek Panorama kete shkrim, imagjino si e ndjej veten kur e shoh ketu. Mbase jam pak anadollak dhe nuk e kuptoj mire lirine e fjales, po me duket se

  • Antinacionalizmi sot po behet streha e maskarenjve. Sot po sulmohet nga te kater anet retorika nacionaliste, duke u cilesuar si retorike hiporkite, nderkohe qe vete retorika antinacionaliste, po e sulmon nacionalizmin shqiptar me goditje nen brez.
    Normalisht, ka shume gjase te jete e vertete qe nacionalizmi tek shume politikane mund te jete i pasinqerte dhe perdoret per efkt elektoral. Po pse, vetem nacionalizmi shfrytezohet per kete? Dhe a thua eshte faji i nacionalizmit pse ka hipokrite qe e perdorin per interesat e tyre?
    Lubonja, sipas Shmit-it flet per naciona-europianizem, gje qe e perdor si zevendesim ndaj termit, poaq abuziv nacional-komunizem. Kushdo me dy pare mend ne koke e kupton qe nacional-komunizmi eshte nje sajese pa lidhje. E para vete komunizmi nuk ka asnje lidhje me nacionalizmin (komunizmi moton e vet kryersore ka internacionalizimin e botes), por megjithate, duke pranuar variantin stalinist te nje pansllavizmi abuziv (qe me shume eshte nje perdorim politik i ndjenjave nacionaliste te ruseve, per te rusizuar boten sllave) nuk ka asnje gjase te besosh qe komunizmi shqiptar eshte nacionalist. Ky i fundit ka lindur ne rrethe intelektualesh, qe kryesisht i kane perkitur pakicave kombetare, eshte mbeshtetur historikisht nga te huajt, ka krijuar nje parti (Partine Komuniste), nepermjet jugosllaveve, te cilet pas marrjes se pushtetit kane punuar per aneksimin e Shqiperise prej Jugosllavise, ka vrare e burgosur te gjithe nacionalistet shqiptare, ka carmatosur popullsine e Kosoves ne fund te luftes, per te mos ia drejtuar armet serbeve, ka shitur sistematikisht ceshtjen kosovare, i ka dhuruar jugosllaveve te gjitha resurset e vendit, si dhe te gjitha dokumentet historike per te na lene pa histori, ka lene ne harrese ceshtjen e Kosoves, ka shkaterruar kulturen, trashegimine, strukturen sociale dhe identitetin kmbetar ne menyre sistematike, e me pas ka bunkerizuar, varferuar, vrare e grabitur te gjithe vendin… e ne fund na del se qenka nacionalist…
    Identifikimi qe Lubonja dhe te gjithe pseudokozmopolitistet shqiptare i bejne nacionalizmit shqiptar me komunizmin, eshte nje goditje faull, ne debatin publik. Eshte nje perpjekje per ta delegjitimuar me pa te drejte retoriken nacionaliste, e cila ne thelb, ngrihet mbi te verteta te dhimbshme qe lidhen me padrejtesite historike qe vazhdojne ti behen dita-dites kombit shqiptar.
    Nese Berisah mashtron shqiptaret me hipokrizi nacionaliste, kjo nuk do te thote aspak qe nacionalizmi eshte i keq. Perdorimi i akuzes per hipokrizi elektorale, per te delegjitimuar nacionalizmin, eshte i njejte si perdorimi i konceptit nacional-komunizem.
    Ne fund, askush prej shmiteve dhe lubonjeve nuk na thone se perse vijojne padrejtesite ndaj ceshtjes shqiptare dhe perse fatet e ketij kmobi vazhdojne te gatuhen ne kancelarite e huaja, ne indiference te plote ndaj te drejtave tona? Askush nuk analizon se ky zell nacionalist qe i ka kapur sot shqiptaret, eshte logjike e fakteve, duke pare qe shqiptaret jane populli me i viktimizuar ne Ballkan, dhe qe po mbahet ende nen efektin e narkozave eksperimentale te Fuqive te Medha, qe i kane pare shqiptaret gjithomne si llokme per aleatet e tyre me te vegjel.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *