enver hoxha
E. Mërtiri

Nevoja për rivlerësimin e 100 viteve të pavarësisë ka zgjuar debatin për vendin dhe rolin që i duhet dhënë edhe Enver Hoxhës në historinë e Shqipërisë. Shumë aktorë në debatin publik shprehin vendosmërisht nevojën e një angazhimi për të zbardhur në dimensionet reale figurën e tij, ndërkohë që jo pak prej tyre nuk ngurrojnë të shfrytëzojnë diskutimin për rishikimin e historisë, duke e përdorur si klishe, për të kërkuar të njëjtën gjë edhe në trajtimin e figurës së diktatorit. Ata kërkojnë një histori të diktaturës të zhveshur nga vlerësimet morale, duke e ngatërruar mendimin historik nëpër ferishtet e kalkulimeve relativiste të dëmit dhe dobisë. Natyrisht këta zëra vijnë nga e majta dhe nuk do shumë mend të kuptohet se këto qasje janë më tepër përpjekje për të rehabilituar, sa të jetë e mundur,regjimin komunist, e për rrjedhojë trashëgiminë e tij politike e ideologjike.

Dekonstruksion pa konstrukt

Dikujt mund t’i duket naive të besosh se bëhet fjalë për rehabilitim të figurës së diktatorit, por e vërteta është se pothuaj të gjithë personazhet e rreshtuar në këtë qëndrim vijnë nga ajo klasë intelektualësh që edhe privilegjet e sotme i gëzon në saj të kontributit të ofruar në atë regjim. Për këtë arsye, mund të themi se e kundërta është naivitet. Naivitet është besimi se enverizmi është varrosur njëherë e përgjithmonë dhe se ai nuk ka më asnjë ndikim në jetën politike e ideo-kulturore shqiptare, në një kohë kur ky vend trashëgon po ato elita kulturore e politike që i kanë shërbyer makinerisë ideologjike e propagandistike të diktaturës, duke i dhënë formë mendimit dhe vetëdijes shoqërore për vite me radhë. Naivitet është të besosh se zbutja e qëndrimit publik për diktatorin, nuk ka lidhje me nevojën për legjitimitet moral tek ish-shërbëtorët e atij regjimi që sot vijojnë të ruajnë pushtetin e tyre në sferat e kulturës dhe politikës. Naivitet është të besosh se relativizimi i kriminalitetit të xhelatit, nuk ndikon në lehtësimin e përgjegjësisë për ata që konstruktuan dhe mbajtën në efektivitet makinerinë propagandistike dhe mekanizmin ideologjik të regjimit të tij.

Mbrojtësit e këtyre tezave rreken ta paraqesin nevojën për ridimensionimin e diktatorit si një përpjekje për objektivitet dhe realizëm. Ata ftojnë të çlirohemi nga pasioni i gjykimeve morale që, sipas tyre, na pengojnë të jemi të kthjellët dhe të ftohtë në gjykim. Objektivitet për ta do të thotë ti shohësh gjërat në dritë-hijet e tyre duke i vlerësuar njerëzit e rëndësishëm të kombit me të mirat dhe të këqijat e tyre. Interesante është se ata nuk bëjnë të njëjtën gjë kur flasin për figurën e Ahmet Zogut apo për Luftën Nacional-Çlirimtare, e po e njëjta gjë vlen edhe për periudha më të hershme të historisë së Shqipërisë. Në mënyrë të përpiktë papërputhshmëria e standardeve vlerësuese është saktësisht e sinkronizuar, duke shpënë në qëndrime oportuniste në funksion të antagonizmit klasor e ideo-politik. Kjo na bën të kuptojmë se arsyeja përse sot ata e nxijnë kaq fort figurën e Zogut është e njëjtë me arsyen pse ata heshtin për Enver Hoxhën.

Në këtë linjë mendimi ka kategori historianësh dhe intelektualësh që dekonstruksionin e kërkojnë vetëm në çmitizimin e krimeve të komunizmit. Kjo duket absurde, kur shikojmë që shoqëria jonë nuk ka asnjë gjykim përfundimtar për këto krime. Në Shqipëri nuk janë dënuar ende me ligj krimet e komunizmit, nuk janë hapur ende dosjet, ende nuk janë pastruar nga pushteti bashkëpunëtorët e regjimit dhe ende nuk janë kompensuar dhe rehabilituar të persekutuarit e tij. Ata kërkojnë çmitizim ekskluzivisht aty ku nuk ka ende mit. Ky model çmitizimi është më shumë një barrierë kundra sensibilizimit shoqëror ndaj kësaj problematike dhe ai synon të mbajë të fjetur ndërgjegjen shoqërore.

Interesant është gjithashtu fakti që debati për rolin e Enver Hoxhës zhvillohet pa u zbardhur ende shkencërisht figura e tij. Prej 22 vjetësh mungojnë në mënyrë dramatike studimet e kompletuara shkencore, debatet akademike, konferencat në lidhje me të. Gjithashtu arkivat nuk janë ende plotësisht në dispozicion të studiuesve dhe për ironi, një biografi e ngritur mbi dokumentacionin e arkivit personal të diktatorit vjen nga pena e një gazetari, jo një studiuesi. Heshtja ka shoqëruar në mënyrë solemne qarqet akademike shqiptare, si efekt i ekuilibrave latentë mes komplekseve mbi të kaluarën dhe presionit të juntës kulturore në pushtet. Enver Hoxha është kështu paradoksalisht figura më e harruar e historiografisë shqiptare. Në këto kushte historianët e oborrit diktatorial kërkojnë sot rishikimin e një historie që nuk është shkruar ende.

Gjysmëhero, gjysmëxhelat

Përpjekja për të ridimensionuar figurën e Enver Hoxhës mbështetet mbi disa argumente krejtësisht naive. Intelektualë të shumtë, përfshi së fundmi, për të disatën herë, edhe Rexhep Qosen, kanë riformuluar në mënyrë të ripërsëritur të njëjtën patericë logjike që priret të relativizojë kriminalitetin e udhëheqjes komuniste dhe regjimit të instaluar prej saj. Sipas tyre, është në dobi të një gjykimi të shëndoshë njohja e të mirave krahas të këqijave të atij sistemi, ndërkohë që duhet vlerësuar doemos qëndresa antifashiste e Partisë Komuniste dhe udhëheqësit të saj gjatë luftës së dytë botërore. Ata ftojnë të ndajmë periudhën e luftës nga regjimi komunist, si dhe, nga ana tjetër të njohim një sërë zhvillimesh të këtij regjimit në planin ekonomik e social, në rindërtimin e vendit, siç është ai i elektrifikimit dhe industrializimit, alfabetizimit apo edhe emancipimit të gruas, barazisë sociale etj. Qosja i shton kësaj edhe një argument tëri, duke na ftuar të mos i gjykojmë krimet e komunistëve shqiptarë në mënyrë të dekontekstualizuar, por t’i vlerësojmë ato duke marrë në konsideratë prirjet e kohës, pasi regjime të tilla u përhapën në shumë vende të tjera.

Deri diku, është e kuptueshme që, të ishe komunist në vitet ‘30-‘50 mund të jetë e justifikuar për faktin se jo kushdo kishte imunizimin e duhur intelektual nga dehja e opiumit të Marksit. Por justifikimi i lajthitjes pas një doktrine intoksikuese nuk mund të jetë justifikim për krimet e një force politike kaq të përgjakshme. Krimi nuk mund të justifikohet me mendjelehtësinë, dhe as me faktin që po kaq kriminelë ishin të gjithë udhëheqësit e tjerë komunistë në të gjitha vendet e bllokut lindor. Nga ana tjetër, nëse kjo logjikë vlen, i bie që të njëjtin justifikim të mos e kursejmë as ndaj simpatizantëve të doktrinës fashiste, jo vetëm për nivelin e përafërt të kriminalitetit ideologjik që shfaqin të dyja dogmat, por edhe për shkak të fuqisë sugjestionuese që kishin mbi turmat.

Përdorimi i luftës antifashiste, si një vlerë që i duhet njohur Enver Hoxhës dhe Partisë Komuniste, është një naivitet logjik që pengon arritjen e një vlerësimi përfundimtar. Pse jo, nëse është kështu, merita për qëndresën e popullit shqiptar ndaj fashizmit i duhet njohur edhe Titos dhe Miladin Popoviçit, si organizatori dhe truri i vërtetë i Partisë Komuniste Shqiptare. Nëse dikush kryen disa veprime të mira, në funksion të një plani kriminal, është absurde të thuash se ai po vepron mirë. Ky distancim i individit nga thelbi i vet, dhe ky copëzim i tij në dy anë të kundërta, përbën një analfabetizëm logjik krejtësisht fëminor. Çdo gjë mund të ketë të mirat dhe të këqijat e veta, por në fund na duhet të dalim në një përfundim, nëse diçka mbetet e mirë apo e keqe në thelbin dhe tërësinë e vet. Relativizimi absolut i vlerave sjell mohimin dhe përjashtimin e tyre, duke përjashtuar çdo mundësi vlerësimi. Historia përtej të mirës dhe të keqes shndërrohet në një narrativë pa qëllim e pa funksion.

Kjo logjikë sjell shterpësi analitike, pasi sterilizon mundësitë për të dalë në konkluzione. Me të njëjtën logjikë, mund të themi se edhe Hitleri duhet vlerësuar për pavarësimin e Gjermanisë nga politikat poshtëruese të Anglisë dhe Francës, për rrëzimin e qeverisë së Vajmarit që ishte një kukull në duart e tyre në kurriz të popullit gjerman. Mbi të gjitha, e ashtuquajtura Luftë Nacional-Çlirimtare mbetet një periudhë historike që duhet të ridimensionohet në vlerat reale dhe historisë i mbetet të dëshmojë efektin e vërtetë të Partisë Komuniste në dëm të çështjes kombëtare. Por gjithsesi ky është një tjetër debat. Thelbësore mbetet të pohohet se një objekt historik i diskutueshëm, nuk mund të përdoret si provë e argument për një vlerë historike, edhe sikur logjika e legjitimuesve të komunizmit të jetë e drejtë.

Komisarët e dritës

Po kaq shterp është edhe arsyetimi se regjimi ofroi një sërë kontributesh në rindërtimin e vendit pas luftës. Kontekstualizimi nuk zbatohet në rastin konkret për ta mbështetur analizën në një plan krahasues me vende të tjera. Pa u ndalur në argumentet që tregojnë se komunizmi thelloi me disa fish varfërinë në vend, duke shkuar deri në kufijtë e mbijetesës, evidentojmë se edhe ato që i njihen si arritje, vlerësohen në mënyrë krejtësisht të dekontekstualizuar, në raport me vende të tjera. Pa i hyrë një analize të hollësishme, Shqipëria komuniste ishte vite dritë larg vendeve të ekonomisë së tregut, por gjithashtu ishte shumë larg edhe prej vendeve komuniste brenda bllokut.

Nëse u ndërtuan disa fabrika dhe ndërmarrje ato rezultuan joefiçente dhe krejtësisht jokonkurruese qoftë edhe në tregun rajonal, ndërkohë që elektrifikimi mbetet një përrallë, në kushtet e mungesës së zhvillimit teknologjik, që krijonte një konsum minimal të energjisë. E destinuar vetëm për ndriçim të banesave dhe tek-tuk ndonjë pajisjeje të lehtë shtëpiake si radio, apo televizori, «drita e partisë» mbetet thjesht një barcaletë bajate pa shije. Edhe sot e kësaj dite shqiptarët vijojnë ta quajnë «drita» shpenzimin për konsumin e energjisë elektrike, sepse, për vite me radhë, energjia elektrike është përdorur thuajse vetëm për ndriçim. Kjo flluskë plasi menjëherë pas vitit 1990, sapo shqiptarët filluan të kenë akses në blerjen e pajisjeve elektroshtëpiake si frigoriferë, lavatriçe, sobë elektrike, reflektorë e kaloriferë ngrohës, kur prodhimi kombëtar i energjisë doli i pamjaftueshëm për të mbuluar as nevojat e ekonomisë shtëpiake. Vlerësimi bëhet akoma edhe më i pavërtetë, nëse krahasojmë prodhimin e energjisë me vende të tjera të rajonit, e të mos i shtojmë kësaj edhe krahasimin e resurseve natyrore dhe përqindjes së shfrytëzimit të tyre.

Ndër të tjera, arsimimi i vendit është një nga arritjet më të mëdha që i faturohen regjimit komunist në Shqipëri. Apologjetët e tij, e paraqesin këtë proces si diçka të nisur nga hiçi dhe harrojnë të tregojnë se arsimimi mori një hov të madh fillimisht gjatë mbretërimit të Mbretit Zog. Por, erdhe këtu, kemi të bëjmë me një proces që u ngrit në funksion të një mbrapshtie në përmasa të frikshme që ende do ti vuajmë edhe për shumë kohë. Regjimi komunist ngriti një sistem jo arsimdashës, një sistem që mohonte dijen dhe zhvillimet shkencore moderne, që eliminonte shkencat shoqërore, që injektonte helmin e doktrinës së vet në çdo qelizë të shoqërisë. Arsimi komunist në Shqipëri ishte industria më e madhe në vend, industria e prodhimit të njeriut tëri, qenies me shkollë e pa mend, që i shërbente më së miri instalimit të paditurisë së ngritur në sistem. Nuk ka sesi të dojë arsimin, një regjim që vret e masakron pa shkak inteligjencën e shoqërisë, duke e perceptuar atë si kërcënim për “pushtetin popullor” alfabetik.

Nga njëra anë, diktatura duket se arsimoi popullsinë, duke alfabetizuar shtetasit e saj deri në skaje të largëta, por nga ana tjetër, ajo pengoi zhvillimin e arsimit në nivelet shkencore, dhunoi dhe përçudnoi mendimin shkencor nëpër standarde ideologjike karikatureske. Në fakt që herët, për të propaganduar marrëzitë e veta, komunizmi ka shfrytëzuar zgjerimin e masës së njerëzve të alfabetizuar, në kushtet e krijimit të shoqërive moderne dhe paditurisë së alfabetizuar që moderniteti e mban në funksionim nëpërmjet ideologjisë. Alfabetizimi masiv shndërrohet kështu në mjetin më efikas për lavazhin e trurit të popullit, në mënyrë që të sundohet më lehtë. Arsimi komunist në Shqipëri ka shërbyer më shumë për deformimin e individit sesa për formimin e tij, ndonëse, patjetër që ka sjellë edhe vlera pozitive, si efekte anësore.

I gjallë në mendjet tona

Përpara se të fillojmë të mendojmë për Enver Hoxhën, duhet fillimisht të drejtojmë shikimin nga vetja, për të kuptuar se ai është ende brenda nesh. Ai është brenda nesh në mentalitetin, por edhe në vijimsinë e përshkallëzimeve politike e shoqërore dhe është ende shumë e vështirë për t’u dezinfektuar nga ata 50 vjet të tmerrshëm. Për të rivlerësuar Enver Hoxhën, duhet së pari ta zhbëjmë atë, ta nxjerrim nga vetja. Hapi i parë i çdo ndërmarrjeje studimore është krijimi i distancës së nevojshme midis objektit dhe subjektit. Enverizmi, mbetet ende i gjallë në rrjetën e neuroneve që përcjellin impulset kuptimore të botës shqiptare, ndaj nuk mund ta studiojmë Enverin pa shpëlarë më parë enverizmin.

Si çdo sëmundje nervore, enverizmi ka edhe një problem themelor: faktin që i sëmuri nuk e pranon se është i sëmurë. Inteligjenca shqiptare, e formuar në një mjedis ideo-kulturor të ngarkuar ekstremisht me flukse ideologjike radioaktive nga më helmueset, edhe sikur të gjejë kurajën morale për të pranuar fajet e veta, e ka të pamundur biologjikisht të çlirohet nga rrjeta konceptuale ku është ushqyer prej së vogli. Për këtë arsye duhet pranojmë se është më mirë që figura e Enver Hoxhës është lënë në heshtje. Subjekti njohës, nuk është ende gati për të zbardhur babanë e vet, ashtu siç nuk është gati për të zbardhur shumë gjëra nga historia shqiptare.

Që ky proces të vihet në funksionim, duhet fillimisht që Enver Hoxha të formulohet si objekt studimor, përtej fijeve të pafundme që na lidhin fuqishëm me të, qoftë nëpërmjet përfitimeve personale që një pjesë e elitës shqiptare trashëgon prej tij, qoftë nëpërmjet përshkallëzimit të efekteve politike që ende gjallojnë në jetën politike shqiptare, qoftë nëpërmjet  aparatit konceptual të trashëguar, nëpërmjet të cilit vijojmë të shohim botën. Për të njohur Enver Hoxhën, duhet fillimisht të demontojmë enverizmin nga kafka e hekurt e elitave intelektuale. Zhvendosja e tij përtej subjektit njohës dhe projektimi i tij si një objekt i njohshëm në mënyrë të pavarur, është ndoshta ndërmarrja më e vështirë për inteligjencën shqiptare.

Comments

  • Leave a Reply to arnaut Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *