Dykuptimësitë e Iluminizmit





thinker

Magnus Bradshaw [*]

Për iluminizmin sekular, arsyeja është dhuntia më thelemore njerëzore dhe për rrjedhojë edhe baza e nevojshme për çdo qasje ndaj etikës. Sidoqoftë, tradicionalisht në perspektivën islame arsyeja është parë si një mjet, në vend që të shihet si një mënyrë krejtësisht e vetëmjaftueshme e arritjes së përfundimeve morale të padiskutueshme, sepse siç ka vërejtur edhe Weaver-i, “Arsyeja e vetme nuk arrin të përligjë veten . Jo pa arsye djalli është quajtur princi i juristëve dhe jo rastësisht tek Shekspiri të ligjtë janë arsyetues të mirë. Nëse prirja (e natyrshme) është e gabuar, atëherë arsyeja e rrit dëmin e saj.  Por, nëse prirja është e drejtë, atëherë arsyeja urdhëron dhe e dërgon më tej të mirën”.[i] Megjithatë, kërkimi për një parim racional të moralitetit që mund të zbatohet universalisht është qendror për etikën sekulare moderne.  Si Emanuel Kanti ashtu edhe utilitaristët Jeremy Bentham dhe John Stuart Mill u përpoqën të gjenin pikërisht një parim të tillë, autoritetin e të cilit nuk do të mund ta mohonte asnjeri. Në mënyrë paradoksale, arsyeja i dërgoi ata në përfundime radikalisht kontradiktore dhe u tregua e pafuqishme për të siguruar një pikëpamje “neutrale” nga e cila mund të merrej një vendim ndërmjet perspektivave dhe pretendimeve konkurruese morale. Teoria deontologjike e Kantit dhe qasja teleologjike e utilitarizmit janë që të dyja me të meta të mëdha – pavarësisht nga dobësitë e qenësishme të këtyre teorive – për shkak të mbështetjes në supozimet iluministe rreth rolit të arsyes në etikë, supozime këto që në ditët tona shihen, ndër të tjerë edhe nga MacIntyre dhe John Gray, si të vjetëruara. Këta dy autorë sugjerojnë se përpjekjet për të siguruar një bazë pastërtisht racionale për një moralitet objektiv janë të mbështetura, në mënyrë të pashmangshme, në themele joracionale, që në fund të fundit nuk janë gjë tjetër vetëm se një grup preferencash dhe presupozimesh të përbashkëta. Në ditët tona shumë sekularistë pranojnë se arsyeja e vetme është treguar e paaftë të sigurojë një bazë vetëpërligjëse për moralitetin dhe se nuk ka asnjë arsye për të qenë të moralshëm, të tillë që çdo person i arsyeshëm të jetë i detyruar ta pranojë[ii].

Një tjetër problem për pretendimet universale të teorive të bazuara racionalisht ka qenë gjithmonë fakti se jo të gjithë mendimtarët sekularistë kanë qenë të mendimit se arsyeja është e aftë të kryejë një rol të tillë. Për David Hume, për shembull, arsyeja duhet të jetë shërbëtorja e pasioneve në vend se të jetë padronja e tyre, ndëkohë që racionalizmi e injoron faktin – feja dhe psikologjia moderne pajtohen në këtë pikë – se ekziston një aspekt i natyrës njerëzore që nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë racional dhe se ky irracionalizëm luan një rol shumë domethënës në jetën njerëzore. Kësodore, kur kërkimi i parimeve abstrakte, të tilla si detyra ose lumturia e shumicës bien në konflikt me dëshirat tona egoiste, shpesh këto të fundit mbizotërojnë mbi të parat, sepse në praktikë abstraksione të tilla (si ideja e detyrës dhe të mirës së përgjithshme) kanë pak kontroll mbi vullnetin njerëzor dhe është e pagjasë që ata të frymëzojnë besnikëri apo frikë të madhe. Apeli për të vendosur arsyen përmbi interesin vetjak injoron po ashtu faktin se ne nuk mund t’i trajtojmë njerzit paanësisht dhe se nga perspektiva pastërtisht racionale mund të jetë më racionale që të përmbushësh dëshirat personale me sa më efikasitet të jetë e mundur. Siç ka vërejtur edhe Roger Scruton: “Është devotshmëria dhe jo arsyeja ajo që mbjell brenda nesh respektin për botën, për të kaluarën dhe të ardhmen e saj, dhe e cila na pegon nga plaçkitja e gjithçka mundemi para se drita e vetëdijes të dështojë tek ne”[iii].

Shumë prej vlerave fillestare të iluminizmit në fakt kanë qenë trashëguar në formë të transpozuar nga Krishterimi. Përkundër kësaj, shumë shoqëri moderne liberale kanë kërkuar më pas që të lirojnë vetveten nga traditat morale që perceptoheshin si tiranike dhe të vjetëruara, duke iu apeluar parimeve universale të mirëpranuara dhe të disponueshme për të gjithë. Megjithëkëtë, MacIntyre argumenton se projekti illuminist i kërkimit të një përligjieje të pavarur racionale për moralitetin dhe progresin e përbashkët racional, përmes vlerave liberale, ka dështuar[iv], duke rezultuar në relativizëm dhe në atë që Gray i referohet si “gjendja postmoderne e prespektivave të copëzuara dhe praktikave të pathemelta, të cilat refuzojnë konceptin illuminist të arsyes[v]. Postmodernizmi, i rrënjosur në kriticizmin që Niçja i bëri Iluminizmit, thekson shumësinë e prespektivave të cilave u mungon uniteti apo ndonjë bazë objektive, sepse të gjitha vlerat janë thjesht çështje prespektivash dhe nuk ka asnjë “pikëpamje morale” neutrale. Nisur nga një perspektivë postmoderne, liberalizmi, larg së qenuri i aftë për të ofruar një grup parimesh universale morale, rezultoi të ishte asgjë më shumë se një tjetër pikëpamje historikisht e kushtëzuar, një pikëpamje njëlloj e ndjeshme ndaj vorbullës shpërbërëse të relativizmit modern. Kësisoj, Iluminizmi ishte në fund të fundit vetëshkatërrues sepse metoda e tij racionale e kërkimit ekspozonte pashmangshmërisht parimet e tij themelore ndaj një shqyrtimi fshikullues, të cilin ata nuk mund ta përballonin për një kohë afatgjatë. Ky përfundim i projektit iluminist, sugjeron Gray, minon shumë prej asaj që është themelore në traditën perëndimore[vi], e cila mund të mos jetë më e rinovueshme, por e destinuar për një rënie të pakthyeshme. Ai argumenton se Iluminizmi duke privilegjuar arsyen në kurriz të vlerave të tjera na ka lënë përfundimisht si trashëgimi një botë e cila është “njerëzisht e pakuptueshme dhe e paqëllimtë në mënyrë shkatërrimtare… ajo nuk ka nxjerrë asgjë që t’i ngjajë një qytetërimi të ri… por në vend të kësaj [ka prodhur] nihilizëm”[vii].

Përktheu: Rezart Beka

[*] Fragment i shkëputur nga eseja “From Humanism to Nihilism: The Eclipse of Secular Ethics” (CMC Paper nr. 6), f. 2-3.


[i] Richard Weaver, Ideas Have Consequences, University of Chicago Press, Chicago, 1948, f. 19.

[ii] Përshembull, Julian Baggini, Atheism: A Very Short Introduction, OUP, Oxford, f.44

[iii] Roger Scruton, Animal Rights and Wrongs, Demos Open Access, no date, f.51

[iv] Alasdair MacIntyre, After Virtue, University of Notre Dame Press, Notre Dame, Indiana, 1981, f. 38.

[v] Gray f.146

[vi] Ibid. f.146

[vii] John Gray, Enlightenment’s Wake: Politics and Culture at the Close of the Modern Age, Routledge, London, 1995, f.146, 145

Comments

  • e lexova perkthimin me mjaft interes dhe qasja e Bradshow-t eshte mjaft e mrehte vetem me ben habi fakti qe pse nuk eshte nisur te perkthehet nga fillimi pra qe prej
    ‘The question is no longer as Dostoyevsky put
    it ‘‘can civilized man believe?’’ Rather: can
    unbelieving man be civilized?
    1
    Philip Rieff
    1
    I
    n order to deepen our understanding of the…

    • Se pari mireserdhe se kishim kohe pa degjuar prej teje. Sa per perzgjedhjen, le te pergjigjet Rezi po ti mos mungo perseri per kaq gjate…

      • Miresejugjeta!

        Nuk e kam pare te udhes te komentoj. T’ju them te drejten territori i komenteve me eshte dukur shpeshhere sulfurik dhe ekzizston nje tendece e madhe per te mos u kuptuar. Sidoqofte ju ndjek gjithmone. Selamet e mija
        n

    • Teksti origjinal eshte shume i gjate, por nentemat e tij kane nje autonomi kuptimore ne vetvete, prandaj mendova se eshte me mire te serviret pjese pjese. Ne fakt ate pjesen e pare te artikullit qe permend ti, e kam perkthyer dhe ia kam derguar adminit, ku dhe i kam thene ta nisi me pjesen e pare, por me shume gjasa do ti kete shpetuar ky sugjerim i imi. Edhe keshtu eshte mese ok, sepse sic e thashe temat e artikullit jane te plota ne vetvete.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *