Simptomat e rënies morale





thinker

Magnus Bradshaw [*]

Çështja nuk është më siç e ka thënë Dostojevski:  “A mund të besoj njeriu i civilizuar”. Por, në vend të kësaj [çështja është]: A mundet njeriu jobesimtar të jetë i civilizuar?” Philip Rieff[1].

Në mënyrë që të thellojmë kuptimin tonë për vendin e Islamit në botën moderne, është e dobishme që të ballafaqojmë etikën Islame[2] dhe të atë sekulare. Në ditët tona kjo e fundit është ngushtësisht e asociuar me perspektivën e humanizmit sekular “refuzimi i fesë në favor të besimit në përparimin e njerëzimit me përpjekjet e tij”[3]. Ndërsa myslimanët e shohin autoritetin si diçka që buron në formë përfundimtare nga Zoti, humanistët sekularë e shohin moralitetin si të qenësishëm për njerëzimin. Argumentohet se autoriteti ynë i brendshëm moral ofron bazën e nevojshme për ti bërë ligjet vetë. Ndonëse Islami mund të pranojë që dhuntitë racionale dhe shpirtërore të njerëzimit sigurojnë një ndjenjë të brendshme morale është, po ashtu, e qartë se njerëzimi është tejet në nevojë për një drejtim moral, dhe në fakt është i aftë – si individualisht ashtu edhe kolektivisht – që të devijojë rrezikshëm dhe në mënyrë shkatërrimtare, nëse nuk është i pajisur me dritën e besimit dhe nënshtrimit ndaj udhëzimit hyjnor që buron prej saj. Sa i përket mosbesimit, Kurani e bën të qartë se ai është një gjendje paditurie dhe errësire shpirtërore, implikimet morale dhe sociale të të cilit janë të dukshme në korrupsionin dhe padrejtësinë e arabisë paraislamike. Ekziston qartësisht, së paku pjesërisht, një analogji ndërmjet asaj kohe dhe kohës sonë, për aq sa ajo është e identifikuar me humanizmin sekular dhe kësisoj edhe me ateizmin. Në vijim do të marr në konsideratë shqetësimin e përhapur rrreth rënies morale, kaq evidente në ditët tona dhe do të marr parasysh kriticizmin e një sërë vlerash humaniste sekulare, gjerësisht të bashkëndara. Në vend se të paraqes një perspektivë islame specifike në lidhje me këtë çështje do të mundohem të përqendrohem tek themelet, tejet të ndryshme, të etikës fetare dhe sekulare dhe tek fakti që shkollarët jomyslimanë kanë arritur në përfundime, rreth problemeve të etikës bashkëkohore, të cilat mund të bashkëndahen edhe nga myslimanët.

Simptomat e rënies

Zakonisht kritikët e sekularizmit perceptojnë një lidhje ndërmjet sekularizimit të shoqërisë dhe rënies morale. Ishte viti 1948 kur eseisti amerikan Richard Weaver vërente se “Se ka arsye të forta për të deklaruar se njeriu modern është bërë një idiot moral… po i afrohemi një gjendjeje në të cilën do të jemi amoralë, pa pasur kapacitetin për të perceptuar këtë fakt, dhe të degraduar, pa pasur mjete për ta matur atë”[4].  Për Weaver-in, kjo vështirësi është e lidhur me mohimin e transcendencës, të cilin ai e barazon me mohimin e vetë të vërtetës. Ai argumenton se nëse nocioni humanist “njeriu është masa e gjithçkaje” do të jetë pika jonë e referimit moral, prej kësaj nuk ka për të buruar gjë tjetër vetëm se një relativizëm gërryes, midis simptomave të të cilit ai konsideronte se ishe edhe dobësimi i ndjenjave dhe marrëdhënieve normale njerëzore, humbja e aftësisë për të njohur të turpshmen, si edhe egoizmi, narcizismi dhe mëkatshmëria e njeriut modern.  Pak më afër në kohë, në studimin e tij të shquar rreth vështirësive bashkëkohore etike, të titulluar “After Virtue” (1981), Alasdair MacIntyre sugjeron se Perëndimi ka vuajtur një lloj “katastrofe morale”:  “Ne kemi humbur shumë, për të mos thënë krejtësisht, kuptimin tonë për moralitetin, si teorikisht ashtu edhe praktikisht”[5].

Në të vërtetë, vazhdimësia morale e kulturës perëndimore duket se është ndërprerë dhe se nuk gjendet më ai konsensus që ka ekzistuar deri para pak kohësh. MacIntyre sugjeron se shoqërive bashkëkohore perëndimore i mungojnë kriteret e pranuara morale: “Çështjes se çka është ajo falë së cilës një gjykim i veçantë moral konsiderohet i vërtetë apo i gënjeshtërt ka filluar t’i mungojë çdo përgjigje e qartë”[6]. Sociologu David Hunter vëren se të vërtetat janë zëvendësuar nga vlerat, d.m.th. “të vërtetat që janë privuar nga karakteri i tyre urdhërues. Ato janë zëvendësuese për urdhëresat e zbulesës që janë tretur [duke u shndërruar thjesht në] një varg mundësish… Vetë fjala ‘vlerë’ nëkupton reduktimin e së vërtetës në dobishmëri, të tabusë në funksion, të bindjes në thjesht preferencë; të gjitha të përkohshme, të gjitha të shkëmbyeshme… shenjtëria mungon dukshëm”[7]. Këto zhvillime marrin jetë në kontekst të ngritjes së individualizmit moral, rënies e institucioneve të mbajtes së moralit dhe një nënvleftësim i nocionit të vetëpërmbajtjes në të cilin nocionet e fajit dhe gjykimit moral janë bërë tabu.

Përktheu: Rezart Beka

[*] Fragment i shkëputur nga eseja “From Humanism to Nihilism: The Eclipse of Secular Ethics” (CMC Paper nr. 6), f. 2-3


[1] Philip Rieff, The Triumph of the Thera­peutic, University of Chicago Press, 1987, f.4

[2]Këtu i referohem ‘rrymës kryesore’ normative islame, në vend se formave ‘fundamentaliste’ apo ‘moderniste’ të religjionit.

[3] Ashtu siç përkufizohet nga Collins Concise Dictionary.

[4]Richard Weaver, Ideas Have Consequenc­es, University of Chicago Press, Chicago, 1948, p.187

[5] Alasdair MacIntyre, After Virtue, University of Notre Dame Press, Notre Dame, Indiana, 1981, p.2

[6] MacIntyre, op. cit. p.60

[7] James Davison Hunter, The Death of Character: Moral Education in an Age Without Good or Evil, Basic Books, New York, 2000, p. xiii, xiv

Comments

  • Ateizmi, ashtu siç merret me mend vete prej disa ateistesh per nga natyra, nuk shprehet askund si kunder-ide e ndonje te vertete te zbuluar dhe t’arritur deri tani, qofte kjo e vertet si shkence, Zot, Zot islam, i kreshter, çifut apo tjeter. Ateisti thjeshte vetem sa nuk beson te ata njerez qe zbulojne te vertetat e tyre si te vetmet te verteta mbi dhe e asgje tjeter(“Udha qe di un eshte e vetmja!”). Vetem aty ky vjen era fanatizem ateisti vezhgon me dyshim dhe askund tjeter(sigurisht edhe te femrat…). Pjesa tjeter eshte loje fatesh dhe vullneti per tu bere pjese e kesaj loje; kjo edhe eshte deshira nga e cila njeriu i larte (Tragjik) gjen shpresen qe i shkon per shtat. Sikur bota te ndahej vetem ne pesimiste dhe te lumture pamja do ngjante per te pase meshire.
    “Ne don Zoti e paça gabim.”

  • Leave a Reply to Zoti Zot Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *