64123.b

Doan Dani

Njëkohësisht me përfundimin e luftës në Kosovë, në Itali dilte në treg libri në formë interviste Serbia: l’ultima trincea d’Europa (Serbia: llogorja e fundit e Evropës), i autorit Dragoš Kalajić, shkrimtar i njohur serb, ish-senator i Srbska Republika, ultranacionalist, themelues i Institutit të Studimeve Gjeopolitike me qendër në Beograd. Përveç shfaqjes së viktimizimit klasik të nacionalizmit serb, autori tenton të emocionojë ndonjë kategori të veçantë lexuesish kontinental me sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, që, sipas tij, në faza të ndryshme të historisë është sakrifikuar për Evropën. Sakrificat fillojnë në mesjetën e vonë me betejën e Fushë Kosovës për të vazhduar, teorikisht, gjatë shekullit të kaluar me spastrimin etno-fetar gjatë konflikteve të Jugosllavisë, për të cilët homologët e Kalajić, nëpërmjet hipnozës kolektive nacionaliste, janë përgjegjës po aq sa dhuna e armëve.

Në thelb ideja e Kalajić sintetizohet mjaft mirë nga titulli i librit ku Serbia e tij përshkruhet si valkiria evropiane e angazhuar në një histori mesianizmi me synim shpëtimin e kontinentit nga Lindja apo, siç shprehet autori, nga «korridori islamik». Kjo është arsyeja që në libër Serbia identifikohet si «llogore», pikërisht sepse ka mbrojtur krishtërimin, që Kalajić e konsideron sinonim të Evropës mesjetare dhe të sotme, çka nxjerr në pah, ndër të tjera, edhe paradigmën e gabuar të mosndryshimit kohor; por gjithashtu, në shekullin e XX, sipas bindjes së autorit, ajo vazhdon të jetë mburojë e Evropës nga depërtimi i sotëm turk. E meqenëse termi i përzgjedhur është «llogore» duhet të nënkuptojmë se raportet e Evropës me Lindjen ose me Turqinë, mes dy besimeve tradicionale apo mes kulturave, janë domosdoshmërisht konfliktuale, aq sa spastrimi i realizuar në Bosnje nga serbët dhe kroatët, e më pas i replikuar në Kosovë por i penguar nga NATO, merr hije normaliteti. Siç duket, për Kalajić, Serbia duhej dekoruar dhe jo ndaluar, e aq më pak ndëshkuar.

Psikozë epidemike

Disa analogji të psikozës së nacionalizmit serb të shprehur këtu nga Kalajić përçohen në mënyrë të kthjellët nga mjaft intelektual shqiptarë, veçanërisht kur është fjala për raportin me Lindjen, qasjen ndaj shekullit XV, ndaj trashëgimisë osmane dhe të ashtuquajturave “vlera shqiptaro-perëndimore”. Debati (pseudo)historik i dy dekadave të fundit vërtitet rreth ngjyrosjes së paradigmave patriotike-marksiste me frymën eurocentrike, që sëbashku tentojnë t’i japin trojeve shqiptare rolin e «llogores» evropiane, duke e shtyrë atë më në jug të Serbisë. Një rezistencë lokale e zhvilluar në emër të interesave politike të disa sundimtarëve, shpesh herë në konflikt me njëri-tjetrin, merr dimension kontinental, fetar dhe kulturor. Inflacioni i etiketave «mburoja e krishtërimit» dhe «Alteti i Krishtit» i shërbejnë më së miri këtij qëllimi.

Për t’ju afruar akoma më shumë psikozës ultranacionaliste të Kalajić nevojitet edhe mekanizmi i “frikës sintetike” i mishëruar nga interpretimi i politikës moderne turke apo nga i ashtuquajturi neo-osmanizëm. Analiza të kësaj fushe injektohen herë pas herë nëpër media, madje edhe nga zëra të afërt me politikën, siç ishin pretendimet e pëcjella nga ndonjë këshilltar i ish-presidentit Bamir Topi, duke kontribuar në jetëgjatësinë e gjendjes së tensionit kolektiv ndaj synimeve apo komploteve armiqësore: ndonëse me një kah dhe një gjuhë tjetër, kjo ndodhte edhe gjatë enverizmit. Në miopi të tilla është e lehtë të nënvizohet ideja e «llogores» mesjetare dhe e asaj bashkëkohore kundër neo-osmanizmit.

Elementi i tretë i analogjisë është propagandimi i rrënjëve evropiane, rigorozisht të përcaktuara nga feja e përbashkët, në kërkim të pranimit në gjirin evropian ose të “indulgjencës”. Ideja e «llogores», e shprehur në këtë mënyrë ose nëpërmjet termit mburojë, shërben për të krijuar përkatësi identitare dhe përjashtime. Por nëse Kalajić përpiqet të mbulojë gjenocidin e filluar me lindjen e Jugosllavisë, nuk kuptohet mirësia kolektive, në kuptim nacionalist, që pretendon të prodhojë «llogorja» (ndaj Lindjes dhe neo-osmanizmit) e dyfishtë shqiptare.

Dialog dhe monolog

Tani, duke lënë mënjanë praninë e qartë në logjikën e autorit të vijimësisë manipuluese të tezave klasike naconaliste serbe, pasi historia nuk vërteton ndonjë tendencë të veçantë të popullit serb për të shpëtuar ortodoksinë, krishtërimin apo Evropën, dhe beteja e Fushë Kosovës, ku serbët luftuan edhe kundër njëri-tjetrit, e shpjegon më së miri këtë, ashtu siç nuk vërteton rezistencën permanente të serbëve ndaj osmanëve, ajo që vlen të theksohet dhe që krijon diferencën është publiku të cilit i drejtohet Kalajić. Faktikisht shkrimtari serb synon dialogun me evropianët që e konsiderojnë cënuese politikën amerikane në Ballkan dhe me kategorinë, që ashtu si ai, e mbyll kontinentin brenda kufijve fillimisht fetarë. Meqenëse identiteti kombëtar serb është ndërtuar mbi themele fetare-ortodokse, Kalajić nuk e ka absolutisht të nevojshme t’i drejtohet kombit të vet, megjithëse, për arsye politike dhe kulturore të shtresëzuara gjatë një mijëvjeçari, nuk është aspak e thjeshtë përpjekja ekumenike e autorit, madje ajo ngjason me një manovër politike, siç mund të jetë pranimi i sforcuar, i vonuar dhe i detyruar i gjenocidit në Srebrenicë nga parlamenti i Beogradit.

Këtu ndodh ndryshimi me ato segmente elitare shqiptare që, ashtu si Kalajić, përqafojnë idenë e «llogores-mburojë». Pikërisht sepse doktrina e nacionalizmit shqiptar është ndërtuar mbi baza jofetaro-tradicionale, të një kombi që në shek. XIX ndiqte tre besime kryesore, publiku i këtyre segmenteve është në radhë të parë ai shqiptar. Anakronizmi i «llogores», i pavërtetueshëm historikisht – si në rastin serb ashtu edhe në atë shqiptar –, më tepër se publikut evropian, në rastin tonë, i drejtohet popullit shqiptar, çka e bën atë kryesisht një monolog kombëtar, gjthmonë nëse mund të flitet akoma për komb shqiptar siç jemi mësuar ta njohim dhe ta pranojmë. Për nacionalizmin serb, të identifikuar, ndër të tjera, edhe nga ortodoksia, ideja e «llogores» me krakter fetar është tashmë e rrënjosur, ndërsa për shqiptarizmin kjo përbën një risi me të cilën fillimisht duhen mësuar vetë shqiptarët.

Një model multientik dhe njëkohësisht përjashtues

Përveç orekseve vetjake, partiake dhe segmentare, sajimi i «llogores-mburojë» shqiptare nuk rrugëton me integritetin kombëtar. Vështirë të gjendet ndonjë rast në botë ku një komb i formuar mbi baza etniko-kulturore të ketë pësuar një metamorfozë të atillë sa realiteti ri nuk përputhet me paradigmat e fillesave. Ka raste lëvizjesh me karakter etno-lokal (në Itali, Francë, Belgjikë, Kanada, etj.), ku në thelb shteti-komb përceptohet si shumë i gjërë për një komunitet specifik i cili kërkon shkëputjen, por këto levizje nuk pretendojnë të shtrijë konsesusin “kombëtar” jashtë grupit të vet.

“Gjeneralët” e «llogores-mburojë» shqiptare nuk mjaftohen me një etno-lokalizëm të fosilizuar diku në mesjetë, por mundohen të rinacionalizojnë të gjithë kombin shqiptar mbi baza fetaro-tradicionale specifike dhe në funksion të këtij objektivi përvetësojnë teorinë e «pastërtisë së gjakut» të percaktuar nga feja. Në këtë mënyrë brenda kombit shqiptar krijohen tre etni, të panjohura për shqiptarizmin e rilindësve, që përkojnë me tre besimet kryesore dhe identifikohen nga pozicioni në raport me llogore-mburojën: brenda apo jashtë saj.

Apogjeu i absurditetit

Ideja e «llogores» gjeneron në mënyrë automatike një komb shqiptar multietnik, por nga kombinimi i kësaj ideje me teorinë e «pastërtisë së gjakut» rrjedh përjashtimi. Të jesh brenda kësaj llogoreje-mburojë me karakter fetar, që përbën kufirin e një Evrope të pretenduar parësisht fetare, do të thotë të kesh “identitet antiko-mesjetar” dhe “shqiptarësi të kulluar”, por do të thotë gjithashtu të kesh një identitet fetar specifik dhe të raportohesh me tjetrin në mënyrë ekskluzivisht konfliktuale, madje deri në asgjësim, siç reflekton jetësimi i nacionalizmit serb në tre dekadat e fundit: vetë termi «llogore» përcakton një situatë konfliktualiteti. Të ndodhesh jashtë kësaj «llogoreje-mburojë» nënkupton armiqësi, internim në “vlerat orientale”, në trashëgiminë osmane dhe në traditën fetare islame.

Nëqoftëse për imazhin kolektiv serb kjo dikotomi ka kufij të qartë, megjithëse nuk mund të mohohet trashëgimia bizantino-osmane (orientale) e kulturës serbe, në ambientin shqiptar është fatale, sepse në të dy anët e «llogores» ka vetëm shqiptarë: duke kërkuar me çdo kusht renditjen në mburojën fetare të një Evrope teocentrike nodhemi përballë Atyre ndaj të cilëve duhet të mbrohemi, por edhe Ata jemi përsëri Ne. Ky është përfundimi i logjik i transformimit manipulues të epopesë së Skënderbeut në një «mburojë të krishterë» tek e cila duhet të identifikohemi për të qenë shqiptarë dhe nga e cila duhet të marrim shembull për të shpëtuar Evropën nga neo-osmanizmi, që Kalajić e thjeshtonte në një «koridor islamik» e mjaft intelektualë shqiptarë nuk hezitojnë ta interpretojnë nga i njëjti prizëm. Kuptimi i përpjekjes së shqiptarëve përgjatë historisë merr ngjyresa fetare, ndërsa osmanizmi dhe neo-osmanizmi nga rrafshi politik transferohen në atë fetar.

Parodia më domethënëse ndodh në Kosovë. Kërkimi patologjik i përfshirjes në «llogore» shpaloset në mënyrë sistematike nga klasa politike, nga një pjesë e shoqërisë civile dhe nga përfaqësues të institucioneve fetare apo qarqeve të afërta. Për ironi «llogorja» ku përfundojnë është ajo e Kalajić, i cili përpunon idenë e «mburojës së krishterë serbe» pikërisht për të përjashtuar shqiptarët e Kosovës dhe, pse jo, për të justifikuar spastrimin. Pastaj, sa pak është e influencuar politika evropiane dhe ajo amerikane nga psikoza e Kalajić e dëshmon ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë. Vallë të jenë aq të painformuar sa të mos e dinë që identiteti serb bazohet tek një doktrinë e krishterë, me rrënjë kulturore pjesërisht të përbashkëta, ndërsa identiteti shqiptar është laik dhe për me tepër kufizon një komb që në raportet demofetare është i kundërt me kombin serb?

Këto elita që marrin votën dhe hapësirën publike me premtimin e ëndrrës evropiane në të vërtetë evropian kanë vetëm kostumin. Ato vazhdojnë të notojnë në mentalitetin e konfliktualitetit asgjësues, ndërsa i ndërtojnë raportet përmes llogoreve fetare. Tallja me masën duket kthjellët: patetizmin e motove nacionaliste e shoqërojnë me domosdoshmërinë e rinacionalizimit të kombit mbi baza teocentrike, mirëpo kostoja e «llogores» së përbashkët me serbët është zhbërja e kombit shqiptar.

Comments

  • keshille: per shkrime kaq te mira, po qe nuk ngjallin fare debat, eshte mire te vendosni ndonje titull me mevlud qe te dyndet populli e te nise debati.

    dhe ta mendosh se ne shkrim nuk behet fjale per gje tjeter, pervecse per riperkufizimin brutal, servil, vetevrases te shqiptarise, ne terma posacerisht crrenjoses per fene dhe dinjitetin e atyre qe jane pro apo kunder mevludit

    • Anti-mevludi eshte opium per popllin. Eshte komode te riprodhosh grindjet qe Jane bere shekuj me pare, pa pare sherrin qe po te behet te pragu I deres.

  • zoteri me fal por duhet te ta them kete MARKSIZMI edhe PERENDIMI ka nja 150 vjet qe s’i kane mire punet mire me njeri-tjetrin , keshtu qe ngrehina e artikullit eshte e dyshimte … respekte

    • po pra c’ne Marksi keshtu pa pritur… c’dege marksizmi do jete ngaterruar valle papritmas aty mes fjalesh… se shume gjona i jane atribu marksizmit e na eshte kthy ne klishe. ndonje sqarim do i bente mire shkrimit…

    • nuk te fal fare sepse ‘ngrehina e artikullit’ s’ka te beje fare me Marksizmin e kesisoj duhet mesur leximi perpara komentimit.

      he, Hajredin, e pe qe sa u zu ne goje mevludi reagoi mileti?

      • Epo marksizmi ne komente vlen vetem per t’u largu nga thelbi i vete shkrimit -riperkufizimi i shqiptarise sipas oreksit. Dhe ngrehina e artikullit ia godiste ca ketij muhabeti.

  • Termi marksizem gjendet vetem ne kete fjali:

    “Debati (pseudo)historik i dy dekadave të fundit vërtitet rreth ngjyrosjes së paradigmave patriotike-marksiste me frymën eurocentrike, që sëbashku tentojnë t’i japin trojeve shqiptare rolin e «llogores» evropiane, duke e shtyrë atë më në jug të Serbisë”.

    Duke nenvizuar faktin qe termi ndodhet brenda nje logjike shume me te gjere, arsyeja e perdorimit lidhet ekskluzivisht me qasjen marksiste ne historiografine shqiptare. Pastaj se çfare nenkupton kjo qasje ishte e pamundur te shtjellohej ne kete hapesire. Sidoqofte, lidhet me rrymat shkencore te historise dhe jo me “konfliktin” e perendimit me marksizmin.
    Ne kete fjali thjesht jam reduktuar tek dy metodat e ndertimit te kaluares shqiptare, pra ajo patriotike-marksiste dhe ajo eurocentrike. Mund te shtoja edhe metoden nacionaliste (puritane ose romantike), por artikulli ka objektiv tjeter.

    Ne kete aspekt nuk ka asgje per t’u shpjeguar ne “te mire te artikullit”.

    • Me vjen keq Doan por me kete komentin nuk i ke dhene pergjigje pyetjes sime qe e pranoj qe nuk ishte shkruar ne formatin akademik te shkrimit. Pyejte ime ne fakt qenka shume me e rendesishme sesa mendova une si kurioze per perdorimin e termit Marksizem ne shkrimet ne Shqip. Nese paradigma patriotike-marksiste qenka nje nder dy metodat e ndertimit te se kaluares Shqiptare, dhe duke patur parasysh boshtin e ketij shkrimi, nje sqarim se c’nenkuptohet me termin patriotik-marksist do te ishte elementar per t’ia bere te mundur ndjekjen e llogjikes se argumentit jo-historianeve ose atyre qe mendojne ndryshe. Mendoj se detyra e intelektualeve eshte pikerisht kjo te arrije t’ju flase atyre qe nuk jane te disiplines apo atyre qe nuk ndajne te njejtin mendim, me pak fjale per te menjanuar nje situate ne te cilen dialogu eshte vetem mes te te konvertuarve (e them kete jo ne ndonje kuptim fetar, por per te kategorizuar ate grup njerezish qe ndajne te njejtin mendim per nje ceshtje).

      Mendoj se do te kishte qene e udhes qe nese ka nje konsensus per perdorimin e termit ne kete fushe akademike, te jepej nje reference se ku gjendet termi i shtjelluar. Nese eshte debat pa konsensus, atehere referenca mund te jepet per debatin. Keto jane praktika te njohura qe jane ne te mire te shkrimit per lexuesin, edhe pse ndoshta jo per autorin.

  • Paralelizmi eshte interesant dhe ngjashmeria tregon patetizmin qe i prodhon ideologji te tilla, te nisura, jo nga idete, as nga realiteti, por nga armiku.
    Ne menyre shume te qarte, ideologjia kombetare zyrtare, qe po prodhon shoqeria civile dhe politika ne Shqiperi e Kosove, ne qender te shpjegimit te historise, kombit shqiptar dhe raporteve te tij me rajonin dhe Europen, nuk buron as nga ndonje premise ideore e as nga ndonje veshtrim konkret i historise dhe rrethanave ku ky vend ka jetuar. Ne menyre tejet te shemtuar, kjo ideologji, nuk eshte gje tjeter vetem se apologji genocidale brenda per brenda kombit. Ndersa serbet kete apologji genocidale, e ndertojne per te justifikuar urrejtjen e tyre ndaj shqiptareve dhe boshnjakeve, ideologjia shqiptare e nderton per te justifikuar urrejtjen brenda per brenda vete shqiptareve. Retorika e references fetare ne identitetin fetar (bazuar tek Skenderbeu) ndertohet me funksion politik per te bere te mundur perjashtimin nje grupi te madh kombformues, sic jane shqiptaret muslimane. Retorika fetare e perfshire ne identitetin kombetar shqiptar (te cilin jo me kot rilindasit e formuluan ne menyre afetare) i sherben pikerisht perjashtimit nga e drejta e kombit 70 perqind te shqiptareve me besim musliman.
    Sidomos katolikocentrizmi eshte me agresiv ne kete drejtim. Qofte edhe duke pretenduar se jane 10 perqind (pa perfshire ketu te gjithe shqiptaret jashte Shqiperise zyrtare), duke pohuar se feja e te pareve (katolicizmi) eshte feja e vetme e shqiptareve, ata rreken te perjashtojne 90 perqind te kombit. Atehere kufinjte e kombit i bie te shtrihen rreth e rrotull Lezhes, Mirdites dhe Malsise se madhe. Ky eshte antishqiptarizmi me i madh qe mund te ekzistoje tek shqiptaret. Nje antishqiptarizem i maskuar me petka nacionalizmi, i cili ne fakt as qe ka lidhje me nacionalizmin e vertete.

  • Tek Shekulli, por me nje titull qe nuk perqendron lexuesin ne thelbin e shkrimit.

    Sara, çeshtja e metodes patriotike-marksiste eshte e pamundur te shpjegohet ne kete artikull sepse nderpret logjiken e shkrimit dhe, cka eshte me rendesishme, ajo nuk perben boshtin e ketyre tre faqeve.
    Lexuesi mund te mos kete te qarte edhe aspekte te tjera dhe duke konsideruar qe lexuesi nuk eshte i vetem une dhe asnje autor (besoj) nuk kemi mundesi e hapesire per te shtjelluar cdo paqartesi. Do te postohet nje shkrim tjeter me sqarime perkatese rreth tri metodave te sipercituara, e pas atij edhe nje tjeter, posaçerisht per qasjen marksiste. Une i kam parasysh nevojat qe ti parashtron, por duhet te kuptosh mire idene qendrore te artikullit dhe argumentat ne funksion te saj. Secili prej tyre mund te jete nje bosht i mire per analiza te ndryshme qe mund te realizohen ne artikuj te tjere. Pra eshte e rendesishme te percohet nje mesazh ne menyre sa me te qarte dhe ky proces kerkon metoden e vet. Te keshilloj te kesh durim per te lexuar artikullin tjeter.

    flm

  • mire, mos me fal s’ka problem… por qe te ngresh nje teori mbi nje pohim eshte e rrezikshme o zoteri… fakti qe Marksi ka shkruar diku ne qindra miliona fjale se feja eshte opium per popullin nuk mund ta deduktosh kete togfjalesh si atribut te marksizmit ose thjesht MARKSIZEM… qe feja eshte opium per popullin e ka thene ne menyren e tij dhe jim morrison,,, si i bie tani ta lidh ELIZTIZMIN me HIPIZMIN vetem se paskan kete korrelacion …

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *