indexEmisioni i Ardit Gjebreas E Djela Shqiptare solli përballë njëri-tjtrit kreun e Agjensisë Shqiptare të Punësimit, një ent privat ky, dhe Edën, një vajzë myslimane që pretendonte se ishte diskriminuar për shkak të besimit e posaçërisht mbajtjes së shamisë si tregues i besimit të saj. Të pranishëm në përballjen e tyre ishte një juriste, Eni Çobani, drejtuesi i emisionit, Ardit Gjebrea dhe spektatorë të pranishëm në sallë. Në këtë emision pati gjëra që nuk shkonin, por pati dhe gjëra të rëndësishme që duhen evidentuar.

 

Së pari, është krejtësisht e habitshme që juristja në emision ju referua kontratës së shtetit me komunitetet fetare si dokumenti mbi bazë të të cilit një besimtare adreson probleme të diskriminimit. Jemi të njohur me dokumentin dhe e kemi komentuar edhe këtu në blog, por mendojmë se ky dokument, me shumë probleme në vetvete, nuk adreson problemet e diskriminimit. Për të informuar më mirë rreth ligjit që adreson problemet e diskrminimit po i referohemi materialit e diskutimit të para ca viteve në listën tonë për të cilën i jemi mirënjohës juristes S.D. Kam parasysh Nenin 10 që thotë:

 

Neni 10

Ndërgjegjja dhe feja

1-     Ndalohet diskriminimi lidhur me ushtrimin e së drejtës dhe lirisë së ndërgjegjes e të fesë, kur ka të bëjë me shprehjen e tyre individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.

2-     Ndalohet vecanerisht diskriminimi sa i takon ushtrimit te së drejtës dhe lirisë së ndërgjegjes e të fesë, kur keto te drejta e liri kane të bëjnë me shprehjen e shfaqjen e tyre ne jeten publike nëpërmjet fjalëve ose paraqitjes.

3-     Diskriminimi lidhur me ushtrimin e së drejtës dhe lirisë së ndërgjegjes e të fesë, nder te tjera, ndalohet ne menyre te posacme në institucionet arsimore publike e private, të kryerjes së shërbimit ushtarak apo të paraburgimit dhe burgimit.

4-     Përjashtime mund të vendosen vetëm me ligj, kur ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.

Këto përjashtime, në çdo rast, duhet të jenë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar nevojën për diskriminim, nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane të të Drejtave të  Njeriut.

 

Kjo është baza ligjore sipas së cilës adresohen rastet e diskriminimit e jo marrëveshja midis shtetit dhe KMSH-së. Në anën tjetër, po sikur Eda të ishte anëtare e një bashkësie fetare e cila nuk është e njohur nga shteti si një nga bashkësitë tradicionale, a nuk është shteti njëlloj përgjegjës që të njoh të drejtën e saj të besimit dhe praktimit të fesë? E drejta e lirisë fetare është e drejtë individuale e jo komunitare. Në anën tjetër, juristja krijon paqartësi kur flet për rregullat e brendshme të çdo zyre, enti, institucioni, dikasteri e shkolle, pasi rregullat e këtyre institucioneve nuk mund të bien në kundërshtim me kushtetutën. Kësisoj, nëse një universitet – qoftë edhe privat – vendos një rregullore të brendshme që ndalon vajzat me shami të marrin pjesë në mësim, kjo nuk mund të pranohet si e ligjshme pasi bie në kundërshtim me kushtetutën e vendit.

 

Gjithsesi, pati një sërë gjërash të rëndësishme që u thanë në këtë emsion. Duhet t’u jemi mirënjohës Ardit Gjebreas, juristes Çobani, por dhe publikut të vendit sepse njëzëri në hapsirën publike mediatike e deklaruan diskriminimin si të papranueshëm. Ky emision solli në vëmendjen publike faktin se përndryshe nga ligjet, diskriminimi mund të gjendet në shoqëri pavarësisht nga ligjet dhe duhet adresuar si problem i kulturës shoqërore.

 

Vetë gjesti i Ardit Gjebresë, i cili i ofroi punë Edës, ishte një mesazh i rëndësishëm kundër diskriminimit në punësim.

 

Le ta kemi të qartë se një rast i vetëm nuk sjell zgjidhjen e problemeve të diskriminimit ndaj femrave myslimane dhe besojmë se në mënyrë aktive myslimanet duhet të kërkojnë të drejtat e tyre. Në anën tjetër, ne si bashkësi jemi po aq fajtorë për diskriminimin ndaj femrave myslimane po aq sa ato ente, drejtorë shkollash apo islamofobë që kritikojmë. E kemi vënë në dukje dhe më parë se nuk ka asnjë femër në rol drejtues në KMSH, në organizatat myslimane të shoqërisë civile, në këshillat e xhamive apo institucione të tjera të myslimanëve në këtë vend. Nëse ne nuk besojmë se këto myslimane kanë aftësitë për të kontribuar në institucionet tona, atëherë me sa fytyrë e ngremë zërin kundra diskriminimit që u bëhet në shoqëri? Kjo nuk do të thotë se myslimanet nuk duhet të kërkojnë të drejtat e tyre, por kjo do të thotë që ne kemi dështuar në mbështetjen e këtyre anëtarëve të bashkësisë tonë. Sygjerojmë gjithashtu që KMSH të hapë një zyrë me juristë të specializuar për të mbështetur myslimanët që përballen me raste diskriminimi. KMSH dhe organizatat myslimane të shoqërisë civile duhet të sjellin energjinë, aftësitë dhe zërin e femrave myslimane në kryesinë e institucioneve tona.

Comments

  • Pune te mbare asaj motres me shami. Vetem se me vjen keq qe u detyrua te bej akrobaci per te marre ate qe i takon.

    Meqe doli ne mode denoncimi. Po denoncoj edhe une nje rast, ku i eshte refuzuar nje motre muslimane vendi i punes ne nje shkolle qe drejtohet nga muslimanet, vetem pse nuk kishte shami. Motra me mesataren 9,8 ne master. Shkolla ka punesuar mesuese te pakualifikuara nderkohe, por me vite ne islam mashallah dhe me shami mashallah. Nuk po hyj ne detajet e i intervistes se jane shume poshteruese.

    Perpara se te kerkojme, duhet edhe te dime te japim.

    • Kjo vjen nga arroganca e te besuarit se mund te gjykojme mbi fene e te tjereve, nga arroganca e te besuarit se jemi aq te kompletuar fetarisht para Zotit sa qe mund te shohim te tjeret nga lart poshte. Ne fakt myslimanet pa shami trajtohen sikur nuk meritojne te jene pjese e bashkesise.

      Dua te kujtoj ketu nje hadith te te dashurit tone, Profetit Muhamed, paqja dhe besimi i Zotit qofte mbi te sipas te cilit te paret njerez qe do hyne ne ferr jane nje Deshmor, nje filantrop e nje hoxhe sepse gjithe cfare kishin bere ne jete ishte bere per te fituar status e lavdi. Rroben e jashtme e kishin sic duhet, por ky nuk eshte kriteri se si vleresohen gjerat ne syte e Zotit.

  • Forumi Musliman i Shqiperise ka pergatitur nje raport mbi diskriminimin e femrave muslimane me shami ne shkolla e vende pune nder vite.
    http://fmsh-al.org/html/raportim.html

    Ligji Kunder Diskriminit, qe besoj eshte cituar me siper, ndalon me ligj diskriminimin ne shkolla (besoj te studenteve dhe mesueseve me shami apo jo?) por nuk jam i qarte ndese ndalohet me ligj diskriminimi ne vende pune private.

    FMSh gjithashtu ka dhe nje formular ku mund te raportohen rastet e diskriminimit: http://www.fmsh-al.org/html/raporto.html

    L, a e keni raportuar ju rastin qe permendet tek FMSH? 🙂

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *