sww853Doan Dani

Prodhimtaria e memories kolektive të shqiptarëve gjatë gjysmës së parë të shek. XX kalon kryesisht nëpërmjet modelit letrar të trashëguar nga veprimtaria e rilindësve, publicistikës dhe hapave fillestarë të historiografisë. Kjo e fundit, me ndonjë përjashtim të sforcuar, është e pamundur të konsiderohet si shkencë e bazuar në qasje kritiko-analitike dhe ngelet e tillë, artizanale, deri pas Luftës së Dytë Botërore.

Produktet botohen në revista të ndryshme kulturore ku mbizotëron roli i revistave fetare në të cilat, shpesh herë, e kaluara mesjetare modelohet në funksion të interesave të ndërlidhura me doktrinën. Artizanët, në rastet kur nuk janë ingranzhe të klerit, janë pjesë e mendimit politik të kohës dhe përballen me të kaluarën jo nga pozita e historianit, por nga pozita e njerëzve me influencë tek rrathët e ndryshëm social e në mënyrë të veçantë tek aparati administrativ. Situata ndryshon dukshëm pas Luftës së Dytë Botërore me përcaktimin e metodologjisë, objektivave, fondeve dhe me ndërtimin e institucioneve specifike me synime katërçipërisht ideologjike.

Historiografi funksionale

Duke pohuar se «kalitja ideologjike e njeriut është garancia për çdo sukses në revolucion» Mehmet Shehu përkufizonte në mënyrë të qartë masat e domosdoshme në atë që ai quan «farkëtim i njeriut të ri». Ky prototip social do të krijohet që në bankat e shkollës, nga ato tekste që M. Shehu këmbëngul se «duhet» të rishikohen «për të përcaktuar çfarë është e drejtë e çfarë është e shtrembër, çfarë është e tepërt e çfarë është mangut […], faqe-për-faqe […] dhe fjalë-për-fjalë».

Motoja e reduktimit të njohurive në «as më shumë e as më pakë», aq sa i nevojitet «njeriut të ri» për t’ju bindur verbërisht “bandës” enveriste, shtrihet në të gjitha fushat e edukimit, ku historiografia, për vetë forcën e saj indoktrinuese, i nënshtrohet një ndërhyrjeje intensive dhe të mirëprogramuar. Nga kush? Në radhë të parë nga ajo “banda” e Byrosë politike, e përbërë me njerëz pa arsimin e mjaftueshëm: ky nivel udhëheqjeje përcakton çfarë duhet e çfarë nuk duhet të jetë historiografi, e këto persona flasim nga pozita që u mundësojnë ekskluzivitetin e përdorimit të foljes modale ‘duhet’, një ves ky i pavdekshëm për elitat shqiptare.

Që këtu mund të themi se studimet në fushën historike janë gjymtuar si nga objektivi – «farkëtimi i njeriut të ri» –, ashtu edhe nga objektiv-përcaktuesit – strukturat partiake. Përveç kësaj, ato – veçanërisht fusha e studimeve medievistike – plazmohen sipas metodologjisë marksiste-leniniste. Përparësia e historisë funksionale, binarët politik në të cilët ajo rrugëton dhe qasja marksiste-leniniste janë tre tiparet kryesore të “progresit” që solli enverizmi në historiografi dhe që akoma sot, pas 22 vitesh, mbijetojnë të qeta deri edhe në nivelin e pavetëdijes.

Derivatet e modelit marksist

Ajo çka sot njohim më pak – por përjetojmë më shumë – nuk është ideologjizimi i historiografisë dhe pilotimi i saj, se sa roli i metodologjisë, i cili, theksoj, nuk duhet ngatërruar me bindjen politike. Metodologjia marksiste-leniniste e aplikuar nga historiografia shqiptare ka në themel materializmin historik, një realitet paradigmatik i nënvizuar nga udhëheqja politike e Shqipërisë dhe i kanonizuar nga udhëheqja shkencore. Për hollësi mund të lexohet fjalimi i Hysni Kapos, që përcjell diktatin e Byrosë politike, me rastin e krijimit të Akademisë së Shkencave të RPSH dhe i drejtuesit të saj, historianit Aleks Buda.

Ky vizion, së pari, vendos në themel të historisë sonë aksiomën e evolucionit shoqëror të përftuar natyrshëm nga «zhvillimi i brëndshëm» dhe nga «rritja e forcave prodhuese të vendit», pra faktorët që ndikuan pozitivisht në të kaluarën shqiptare janë kryesisht made in Albania.

Së dyti, pasojë e këtij zhvillimi është paradigma që i jep «masave popullore» autorësinë e «krijuesit të vërtetë të historisë».

Së treti, meqenëse flasim për «masë popullore» duhet të kemi parasysh edhe rolin antagonist të pakicës «shfrytëzuese», që rrjedhimisht nënkupton një konfliktualitet të qëndrueshëm dhe të përhershëm klasor. Pikërisht ky konfliktualitet, sipas shkollës historike të pas Luftës së Dytë Botërore, «shtyn përpara gjithë zhvillimin historik». Kështu të paktën shprehej Enver Hoxha një vit përpara jubileut të pesëqind vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Inversioni kohor

E tërë historia shqiptare, nga etnogjeneza, e fiksuar diku ne shek. VII-XII, dhe në vijim, është intepretuar nëpërmjet determinizmit të «masave», të «elementit vendas», të «rezistencës ndaj shfrytëzuesve» dhe të «identitetit» që këto faktor krijojnë. Ku më mirë se në doktrinën e regjimit enverist jetësohen tre paradigmat e mësipërme? Teorikisht, si rezultat i pjekurisë vendase – që nuk mohon flukset nga jashtë –, regjimi ishte kurorëzim «i luftës së pandërprerë të masave» – e që këtu parulla patetike «populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë» – kundër «klasave shfrytëzuese» të brëndshme e të jashtme (armiqve), si dhe i vetëdijes kolektive.

Historiografia shqiptare, me pak fjalë, është rezultat i nevojave të enverizmit për legjitimitet e konsensus, por gjithashtu është edhe një shëmbëlltyrë e këyre dekadave që në të vërtetë mbulojnë disa shekuj: nëpërmjet inversionit e kaluara projektohet nga e tashmja, ndërsa në realitet ndodh e kundërta. E thënë ndryshe, «masat» mesjetare ndërtohen mbi imazhin e «masave» moderne, marrin formë dhe rol vendimtar në zhvillimet politike. Është thelbësore, pra, të kuptohet që përtej tentativës së krijimit të analogjive mes diktaturës së proletariatit, nga njëra anë, dhe epopesë së Skënderbeut e Rilindjes, nga ana tjetër, shkolla historiografike shqiptare e ka ndërtuar të kaluarën mbi baza ideologjike dhe mbi realitetin socialist.

Kjo shpjegon inflacionin e rolit të «masave», të identitetit të kombit që në mesjetë, të rezistencës konstante, të sakrificës shekullore shqiptare, të mbështetjes në «forcat tona». Emrat më të shquar shqiptar të historiografisë, letërsisë, artit e fushave të tjera kanë kontribuar në rrënjosjen e paradigmave të tilla. Duhet theksuar gjithashtu që ky vizion është internacionalist dhe fokusimi i historiografisë shqiptare përfshin, siç pohon historiani Koço Bozhori, edhe «masat e shtypura të popujve të tjerë».

Shartimi i metodologjisë

Popullsia, për shembull, në epopenë skënderbeiane është faktor po aq sa vetë udhëheqësi i saj, ndonëse sipas materializmit historik ky personazh duhej të luftonte për interesa personale, tipike të «klasës shfrytëzuese» ku ai, teorikisht, përfshihej, meqënëse historianët shqiptar kanë pranuar gjërësisht se Arbëria e asaj kohe ishte në një fazë të zhvilluar feudalizmi. Por ja që roli i heroit, i cili ka zëvendësuar rolin e personazhit historik, e njëson Skënderbeun me popullin duke krijuar një mospërputhje teorike në kuadrin e metodologjise marksiste: nuk ka një fragment të vetëm në studimet shqiptare ku Skënderbeu të paraqitet si «shfrytëzues» e për rrjedhojë në konflikt me të «shfrytëzuarit».

Kuptohet që një Skënderbe «shfrytëzues i masave» zbeh pozitën e heroit dhe në këtë rast tolerohet devijimi – gjithmonë i kontrolluar – nga qasja marksiste, për t’u gërshetuar me ngjyra patriotike. Nëse populli përfshihet kudo si rezultat i aplikimit të metodologjisë marksiste, prezantimi i Skënderbeut, për arsye ideologjike, thyen skemat në emër të ndikimit të metodologjisë nacionaliste, por asgjë nuk del jashtë kornizave të enverizmit. Memoria kolektive, çka është më thelbësore, ndodhet dyfish e manipuluar.

Modifikimi i pavetëdijes kolektive

M. Shehu ankohej deri edhe se tekstet e këngëve shqiptare, sidomos ato të vjetrat, krijonin tek dëgjuesi iluzionin që në Shqipëri «tema kryesore nuk ishte ndërtimi i socializmit e mbrojtja e Atdheut, por ishte dashuria». Njeriu i ri, përveçse në gjendje konstante tensioni e frike ndaj agresioneve të huaja misterioze, duhej të raportohej me traditën sipas diktatit politik. Ky ishte thelbi i terapisë së trushplarjes për disa dekada, që vulosi thellë në pavetëdije etikën e filtruar nga metoda «as më shumë e as më pakë» njohuri. Dominimi i monovizionit historik që kemi trashëguar është pasojë e vazhdimësisë së patrazuar të asaj elite kulturore që akoma sot edukon breza studentësh e boton libra shkollor, po aq sa e vazhdimësisë së qasjes marksiste ndaj të kaluarës – megjithë modifikimet me tone eurocentrike dhe nacionaliste – si dhe e ndikimit të shkollës mbi dy breza.

Në thelb «masa» nuk e ka humbur rolin historik të sajuar gjatë regjimit; ajo vazhdon të projektohet në të kaluarën si monolit me identitet qartësisht kombëtar; nuk vërehet asnjëlloj kompromisi mes sunduesve dhe të sunduarve gjatë shekujve, që nënkupton konfliktualitet konstant; në rastin e heroit nuk mbizotërojnë interesat personale. Ajo thjesht ka ndryshuar emër, nga «masë popullore» në «komb» apo në ndonjë kolektivitet mbikombëtar.

Pastaj nëse shtojmë këtu edhe faktin që ideja e një korsie të vetme interpretimesh historiografike është mbizotëruese, mund të themi pa frikë që rrugëtojmë verbërisht në gjurmët e shkollës së regjimit. Nga ana tjetër, në historiografinë shqiptare alternativat më të preferuara ndaj metodologjisë marksiste paraqiten po aq funksionale dhe të ideologjizuara.

 

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *