Zëri i gruas





imagesMund të pretendohet se dy nga momentet më të rëndësishme të misionit profetik të Profetit Muhamed a.s. janë fillimi i shpalljes dhe Marëveshja e Hudajbijes. Teksa e para është e qartë për këdo që është i njohur me biografinë e Profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e dyta, pak më pak e njohur, është vlerësuar si një moment kulminant nga shumë nga sahabët apo dishepujt e Profetit a.s. Në të dy këto momente dramatike dhe sfide për Profetin, njëri nga përballja me realitetin transhendent, me kryengjellin Xhibril, e tjetri i përballur me rezistencën e bashkësisë së vet që nuk dëshëronte paqe me persekutuesit e tyre, zëri i arsyes, drita në errësirën e konfuzionit, erdhi nga dy gra: Hatixhja dhe Um Salamah, Zoti qoftë i kënaqur me to.

Ndryshe nga roli që idealet patriarkale u caktojnë grave si mbështetëse pasive e ngushëlluese të burrave në strehën familjare, zëri i këtyre grave na vjen në histori si zëri i mençurisë dhe arsyes kur mungonte arsyeja, në momente vendimtare, qoftë në ndodhitë mistike apo ato politike të bashkësisë. Sidomos në rastin e Um Salamas në paktin e Hudajbijes, zëri i saj i arsyes erdhi kur mungonte arsyeja nga gjithë burrat – e këta disa nga më të shkëlqyerit në historinë e njerëzimit. Në të dy këto momente krize, Profeti a.s. gjeti rrugëdalje duke pasuar zërin e këtyre dy grave.

Kudo në botën muslimane e prej shekujsh, zëri i gruas herë është shuar, herë ndrydhur e injoruar. Në vetë bashkësinë tonë, zëri i femrave është i munguar. Kemi vënë në dukje më parë në këtë faqe se nuk ka asnjë grua në postet drejtuese të KMSH-së, asnjë grua në bordin e organizatave muslimane të shoqërisë civile, asnjë grua në këshillat e xhamive.

Në ambjentet tona kemi imponuar kode të një etike false të marëdhënieve gjinore të një komunikimi të panatyrshëm ku shohim prezencën e njëri-tjetrit si rrezik e jo si plotësues të jetës tonë komunitare dhe kjo nuk është as e shëndetshme e aq më produktive. Xhamitë tona nuk janë ftuese, por përjashtuese të femrave dhe atyre u akreditohen rrëza jo dinjitoze për tu falur, në të cilat duhet të hynë në mënyrë kuazi-ilegale. Marëdhëniet dhe manaxhimi i hapsirave tona komunitare është formësuar nga një mentalitet shovinizmi maskulin prej lagjesh periferike, me lexime e transportime nga kohë e vende të tjera që legjitimohen si “islamike”, por që janë një përzierje toksike për jetën tonë komunitare. Të njëjtët meshkuj që komunikojnë me shoqet e klasës, koleget e punës, shitsen e ushqimorese farmacisten në mënyrë normale, pësojnë një lloj petrifikimi kur përballen me “motrën muslimane” dhe anasjelltas.

Kur një muslimane amerikane, Amina Wadood, drejtoi faljen e një xhemati të përzier pati një reagim alarmues të muslimanëve kudo në botë. Si musliman suni unë besoj se ai ritual është në kundërshtim me praktikat e kodifikuara të Islamit. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet kushtuar vëmendje në atë që Amina Wadood e pasuesit e saj po thonin për pozitën e femrave në bashkësitë tona, për hapsirën e tyre në xhami, për diskriminimin e brendshëm. Në Hollandë, një grup muslimanesh kryesisht me origjinë turke e marokene morën një hapsirë me qera dhe hapën faltoren e tyre ku burrat nuk lejohen duke shpjeguar se ishin të lodhura nga fakti që jeta fetare e komunitare u diktohej nga burrat.

Lëvizje ultra-konservatore muslimanesh në Egjipt kanë krijuar xhematet e tyre të grave, që quhet si lëvizja e grave në xhami dhe lëvizje të tilla ka patur edhe nga gra para luftës në Siri. Shovinizmi maskulin është toksik e shkatërrues për bashkësinë.

Si mund të jetë KMSH-ja organi përfaqsues i muslimanëve në Shqipëri kur nuk ka asnjë grua në këshillin drejtues, apo në këshillin e përgjithshëm? Pse këta drejtues shoqatash muslimane e dinë veten më të mirë se Profeti dhe nuk ftojnë gratë në bordet drejtuese që të kontribuojnë energjinë, aftësitë, mpreftësinë dhe spiritualitetin e tyre?

Në një artikull të mëpërparshëm këtu në blog sollëm në vëmendje se teksa ankohemi për diskriminimin e muslimaneve në Shqipëri, ne nuk adresojmë diskriminimin e brendshëm. Por një komentuese solli në vëmendje diçka shumë të rëndësishme. Citoj:

i eshte refuzuar nje motre muslimane vendi i punes ne nje shkolle qe drejtohet nga muslimanet, vetem pse nuk kishte shami. Motra me mesataren 9,8 ne master. Shkolla ka punesuar mesuese te pakualifikuara nderkohe, por me vite ne islam mashallah dhe me shami mashallah. Nuk po hyj ne detajet e i intervistes se jane shume poshteruese.

Bashkësia na përfshin të tërë, pavarësisht nga shkalla e niveli i religjiozitetit (gjë që nuk përkthehet përherë drejt me nivelin e spirtualitetit). Bashkësia i përfshin muslimanet me shami apo pa shami. Ne jemi këshillues e jo gjyqtarë, por për më tepër, në një vend ku shamia është njollë në biografi, është gjëja më imorale kur meshkujt, që nuk paguajnë gjobën e mbajtjes së shamisë, guxojnë të gjykojnë femrat muslimane për pasjen apo mungesën e saj, apo qoftë për formën dhe modelin e saj. Nëse muslimanet me shami janë të margjinalizuara në bashkësinë tonë, muslimanet pa shami janë edhe më shumë të tilla, a thua se nuk janë pjesë e bashkësisë. A thua se të tërë ne që i japim vetes të drejtën të gjykojmë jemi aq të kompletuar fetarisht saqë mund të gjykojmë mangësitë e të tjerëve. Vështirë të mendosh për një formë më fatkeqe gjynafi se kjo lloj vetëkënaqsie boshe.

Shovinizmi maskulin është në kundërshtim me thelbin e misionit profetik, daua-n – ftesën, pikërisht sepse po mban dyert e bashkësisë mbyllur për femrat muslimane.

Comments

  • i thone Umi Selemeh. keshtu shkruhet ne shqip sepse keshtu shqiptohet ne orgjinal
    Um Salamah eshte e shkruar ne anglisht

  • Ju falenderoj qe komentin e bete pjese te nje shkrimi me vete. Nje xhest shume fisnik nga ana juaj.
    Megjithate po fillon te me trembe ky injorimi qe po i behet nga te zellshmit e kesaj faqeje. Nuk i vjen mire me sa duket te degjojne te verteten. Duan apo nuk duan keta, grate muslimane jane faktor edhe kur ato i le ne hije. Vetem se kur zeri i tyre mungon per nje kohe te gjate, zeri i burrave fillon e behet gjithnje e me i eger per pasoje edhe zemra ndjek te njejtin ritem. Por ajo qe me shqeteson me shume eshte qendrimi qe kane muslimanet (me sakte selefijte) ndaj vajzave muslimane pa shami. Eshte si nje lloj hakmarrje plot frustrim, qe ja zbrazin “gjysmakeve ne fe”. Eshte e tmerrshme te jesh studente e varfer e te detyrohesh te dalesh ne fotografi me shami per te marre nje burse 50 dollareshe, dhe ne fund te mos e marresh hic, se informatoret e sigurimit kane zbuluar te verteten. Po pse duhet vene ky fare kushti njehere? Pse duhet kerkuar venja e shamise kur hyn ne klase dhe heqja e saj kur del nga klasa, si ne rastin e asaj motres qe ju refuzua vendi punes se nuk kishte shamine. Nuk i mjafton ketyre njerezve venja e kokes ne sexhde, frika ndaj te Madhit Zot dhe dashuria e pakufishme per Te? Nje cope lecke eshte prove me e rendesishme se fjala, se besa qe kemi lidh me Allahun? Une personalisht jam e tmerruar nga keta lloj njerezish qe kane fytyre e kerkojne po nuk dine te japin. O Zot na jep mundesine te mos kemi nevoje per meshiren e sadakane e ketyre te pameshirshmeve.

    • L ti shkruan: “Megjithate po fillon te me trembe ky injorimi qe po i behet nga te zellshmit e kesaj faqeje.”

      Asgje per tu habitur. Ne kemi ‘islamizu’ gjithe komplekset, mangesite, ngurtesite tona dhe ne fakt, sfida e vertete eshte te cmontohen keto qendrime duke riformuluar ate qe na ben bashkesi, gje qe jemi perpjekur ta themi dhe me pare ketu

      http://www.e-zani.com/2012/01/17/sekt-apo-bashkesi/

      Problemi eshte se ne kemi lene fushen fetare, kemi abandonuar hapsirat ku shpesh jemi ndjere ngushte e nuk kemi kerkuar te sfidojme kete fryme. Ne te kundert, teksa kemi hedhur shpesh vrerin, ne nuk kemi organizuar veten ne formulimin e nje bashkesie me krahehapur, ngritur mbi vlerat e perbashketa ku pranimi i diversitetit brenda bashkesise eshte nje prej me themeltareve. Sic kam shkruar dhe me pare, motoja duhet te jete ne vargjet e Rumit: Eja kushdo qe te jesh / rruga jone nuk eshte rruge e deshperimit.

    • pak kujdes ne emrtimin e hexhabit” lecke”..e kuptoj qe je e revoltuar, por prape permbaje pak veten….
      kurse sa per ate qe thote njeri nga komentuesit qe nuk ka femra ne bordet drejtuese te shoqatave, do te doja te dija se cila eshte ajo shoqate qe e ka ftuar ndonje vajze dhe ne rastin me te pare nese vajza leviz nje cike majtas apo djathtas direktivave , ata e kane mbajtur pavaresisht mendimit te saj ( qe nuk bie ndesh me parimet as te islamit dhe ne fakt as te vete shoqates)..
      une di rast flagrant , kur nje vajze qe punonte ne nje nder shoqatat qe na ka emer goxha te mire, drejtuesit e hoqen me prektesin se nuk kishin fonde me per tia paguar rrogen, nuk ia thane cope fare ” ti bere pa na pyetur ne” .sektoret e grave nuk kane asnje funksion ne asnje shoqate , jane thjesht sektore pa asnje vlere..jane te reduktuar thjesht te jetimet dhe te ca konkurse u ku ta di une…aspak terheqese , shkurt fare..

      • E keni vene re qe as shoqatat e as KMSh nuk Kane “departamente te burrave” po vetem “departament te grave?” Interesant

      • Hixhabi nuk eshte nje cope lecke, perkundrazi eshte mendafsh i bute drite. Eshte rroba eremire e Xhenetit. Eshte deshmia dhe krenaria e te perkiturit diku. Eshte kthimi i ngrohte ne shtepi. Kthehet ne nje cope lecke kur te detyrojne paturpsisht, ta heqesh e ta vesh per interesa materiale, dhe per egon e semure te disa robve per te komanduar mbi disa te tjere. Nuk ndryshon fare kjo kerkese e venies se hixhabit per nje dore para a nje vend pune, nga ajo e detyrimit me ligj te heqjes se hixhabit ne institucionet publike.

  • Hixhabi e farz ajn per muslimanen por gjithsesi duhet kuptuar situata e veshtire ku jetojme dhe tu japim te gjithave te njejten ngrohtesi imani.

    • Se pari ky perkujtim do kish kuptim nese ne kete artikull do ishte thene per shembull se hixhabi nuk eshte farz. Se dyti, ajo qe po thuhet eshte edhe nese nuk zbatohet ky farz, kjo nuk te perjashton nga bashkesia e kjo eshte ne thelb te ceshtjes. Me pas ketu nuk eshte se eshte qendrim vetem ndaj femrave pa hixhab. Ketu po flitet per qendrim ndaj gjithe femrave.

  • Dashje pa dashje muhabeti po reduktohet te shamia, nderkohe qe ashtu sic e kuptova une shkrimi kishte te bente me shume me zerin sesa me pamjen. Mungesa e ketij zeri (apo qendrimi) duket te jete nje problem serioz i bashkesise por ashtu sic eshte vene ne dukje edhe ne shkrim ky eshte problem i vjeter dhe ne njejten kohe i perhapur kudo, dhe si i tille zgjidhja do jete e lidhur fort me qendrat nga ku feja ka ndikim ne Shqiperi, duke perfshire ketu si vendet arabike ashtu edhe bashkesite muslimane ne Perendim. Me kete nuk dua te them se jane pa vlere perpjekjet ne rrafsh lokal, ne fakt perkundrazi, dhe nje forum si ezani eshte ideal sidomos per pjesmarrjen e femrave. Ketu nuk jane barrierat e tipit komunitet musliman apo keshilla xhamish. Eshte nje ushtrim qe duhet inkurajuar.

    • Ka, ne fakt nje keqkuptim te madh ne lidhje me shamine. Shume muslimane, e kuptojne shamine ne te njejten menyre te cektet, sic e kuptojne islamofobet: si terheqje e gruas nga jeta sociale, apo te pakten si distancim prej mjedisve me prezence mashkullore. Ne fakt, e kunderta eshte e vertete. Shamia eshte nje mjet per hapjen e gruas ndaj shoqerise, jo per mbylljen e saj. Shamia eshte mjeti, nepermjet te cilit, gruaja ben te mundur te ushtroje aktivitetin e vet shoqeror ne prani te burrave, pa qene e eksozuar ne aspektet e saj terheqese seksualisht. Shamia eshte nje filter ne marredheniet shoqerore, ajo eleminon shikimet epshore, duke lejuar ato miqsore, apo thjesht te praktikave te jetes se perditshme. Shamia, garanton marredheniet shoqerore midis burrave dhe grave, duke reduktuar terheqjen fizike midis tyre. Nese gruaja do te duhet te qendronte larg mjediseve ku ka meshkuj, atehere, per cfare duhet shamia?
      Problemi eshte se shume muslimane sot shkartisin marredheniet shoqerore tradicionale me Islamin. Nje pjese e madhe e marredhenieve shoqerore jane kushtezuar historikisht nga tradita, zakonet, struktura e marredhenieve tradicionale, pa pasur ndonje baze te drejtperdrejte ne sheriat ne aplikimin e tyre. Sot, kur struktura tradicionale nuk ekziston me, eshte e pakuptimte te ruajme te njejtat zakone sociale, te cilat jo vetem qe jane jofunksionale, por nuk kane edhe referenca definitive ne sheriat. Sheriati ka ne themel lejimin, dhe perderisa praktika zakonore nuk ekziston me, nuk ka perse te ekzistojne barriera te tilla. Nderkohe mentaliteti patriarkal i shumices se studenteve te shkolluar per fe ne vendet arabe, priren te kene ne baze te gjykimeve fetare ne marredheniet mashkull-femer, lejimin. Kjo ka ngurtesuar dhe defunksionalizuar normat shoqerore brenda mjediseve muslimane, duke na bere te sillemi ne menyre krejt te papershtatshme, deri situata komike ne shoqerine tone. Ky eshte nje ngerc me nje kosto te jashtezakonshme, jo vetem ne zhvillimin e shoqerise muslimane, por edhe ne imazhin qe ajo krijon ne kete vend.

  • -“Ndoshta edhe ti do jesh ne Xhenet, edhe ti qe vesh pantallona e nuk ke shami.” Me ka thene njehere nje shoqe tek pinim kafe e bisedonim per femijet tone dhe edukimin e tyre. Si nje rrufe ne qiell te paster, ose me mire si nje teater absurd, ma veshi me shpulle. 🙂 Po kjo c’pati thashe me vete? Nderkohe ajo eshte shume e mire dhe e sjellshme, po kete ma tha ama. Me thane me vone, qe eshte ceshtje doktrine. Disa muslimane mendokan per vellezrit e vet, se nuk do te jene ne Xhenet. Se Xheneti eshte vetem per me te miret. Po une per te mire e di veten. 🙂
    Duke u nisur nga kjo carje e thelle qe eshte krijuar, me disa qe vene disa te tjere ne Xhehenem, dhe keta te dytet qe skandalizohen me kete nivel te ulet te perceptimt te fese nga te paret, nuk e di se si e se kur mund te gjehet nje gjuhe e perbashket. U bene shekuj qe tentohet dhe nuk ja kan arrit. Pala e pare duhet te vendose te na lere pak vend ne Xhenet se ka vend per te gjithe.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *