Projekti modern i Rilindjes Kombëtare





Enis Sulstarova

Fjala “modern” është sinonim me “risi” dhe i referohemi modernitetit si një periudhë historike që karakterizohet nga pranimi se risia dhe ndryshimi janë të përhershëm dhe të pandalshëm. Në qendër të modernitetit është besimi i iluminizmit se shoqëritë njerëzore janë të paplotësuara dhe se natyra njerëzore është e aftë të përsoset. Agjenti i modernitetit është njeriu ndërsa mjeti i tij është arsyeja. Dija shkencore, universale dhe emancipuese, e ngritur mbi arsyen, përdoret nga njeriu për të ndryshuar mjedisin natyror, veten dhe shoqërinë. Përvetësimi i shpejtë dhe sa më i gjerë i dijes në një popull kërkon që dija të jepet në gjuhën amtare të institucionalizuar si një gjuhë letrare. Aspektet kryesore të shoqërisë moderne janë urbaniteti, prodhimi industrial, teknologjia dhe shkenca, lëvizshmëria më e madhe gjeografike dhe shoqërore, arsimimi i përgjithshëm i popullatës, laiciteti, individualizmi, kontrolli i imtë i shtetit mbi territorin brenda kufijve të tij, orientimi psikologjik drejt së ardhmes dhe vlerësimi pozitiv i ndryshimit. Lindja e nacionalizmit, i kuptuar si një doktrinë që synon përputhjen e njësisë kulturore me atë shtetërore, nuk është një rastësi e historisë, por produkt i forcave strukturore moderne.

Të shqetësuara nga pabarazitë dhe çarjet shoqërore që shkakton kapitalizmi dhe të interesuara për disiplinimin e forcës punëtore, elitat ekonomiko-politike e ndjejnë nevojën për kultivimin e një ndjenje të bashkësisë ndërklasore. Gjithashtu, në shoqërinë moderne shfaqet klasa e mesme e profesionistëve, si një nga bartësit kryesorë shoqërorë të nacionalizmit, sepse ajo zotëron kapitalin kulturor. Janë intelektualët ata që me përpunimin e elementëve kulturorë krijojnë apo përshtatin rrëfenjën kombëtare dhe mitet e kombit të tyre. Herët a vonë masat e galvanizuara nga politika e përqafojnë idenë e kombit, sepse funksionimi i demokracisë ka nevojë për më shumë se sa thjesht aspektin numerik të popullit: demokracia ka nevojë për përfaqësimin metaforik të popullit si sovran. Prandaj, abati Siejes [Emmanuel Joseph Sieyès] shpallte në prag të Revolucionit Francez se rendi i tretë i qytetarëve e fshatarëve e përbën kombin, jo elita e fisnikëve dhe klerikëve. Me rënien e referencave të shenjta të fesë e dinastisë, në mendjen e masave fillon të zërë vend përfytyrimi i kombit si një bashkësi njëherazi historike, “e shenjtë” e “tradicionale”, por edhe aktor kolektiv modern,  laik e i orientuar për nga e ardhmja. Përhapja e përfytyrimit të kombit ndjek përhapjen e teksteve të shkruara në gjuhët amtare dhe shtrirja e një gjuhe shihet si kufiri i natyrshëm i kombit.

Rilindja Kombëtare Shqiptare u formua dhe veproi në kuadër të reformave modernizuese që po ndërmerrte Perandoria Osmane dhe si përgjigje ndaj projekteve të shteteve ballkanike për të pushtuar trevat shqiptare. Ideologjia kombëtare shqiptare duhet parë si vazhdimësi dhe shkëputje nga fryma e modernizimit që karakterizoi Perandorinë Osmane në gjysmën e dytë të shek. XIX. Një pjesë e mirë e intelektualëve të Rilindjes ishin nga shtresa e nëpunësve të perandorisë të ndikuar nga iluminizmi, si p.sh. vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Ibrahim Temo, Ismail Qemali etj. Mirëpo, Rilindja ishte radikalizimi i përfundimeve që kishin nxjerrë “osmanët e rinj” dhe më vonë xhonturqit; nëse për këta alternativa ishte reformim ose shkatërrim i perandorisë, për rilindësit shqiptarë parësor ishte projekti i shkëputjes së shqiptarëve prej turqve në rastin e rënies së perandorisë. Këtë e shpreh qartë Ibrahim Temo në një letër që më 1900 i dërgonte njërit prej udhëheqësve në mërgim të xhonturqve, ku midis të tjerash i shkruan se për lëvizjen shqiptare kundërshtimi vetëm i autoritarizmit të sulltanit nuk mjafton dhe “nëse Turqia nuk është në gjendje të na mbrojë, me qëllim që të pengojë dëbimin tonë që këndej [Rumelia] së bashku me turqit, ne do të luftojmë me të gjitha forcat për pavarësinë e Shqipërisë”.

Shpeshherë Rilindja shqyrtohet nga aspekti romantik i saj, por do të ishte një tablo e paplotë po të mos përfshihej edhe aspekti iluminist. Letërsia e Rilindjes është quajtur “iluminizëm romantik” nga Masar Stavileci, sepse, përndryshe romanticizmit në Evropën Perëndimore, ajo ishte një letërsi e angazhuar shoqërore dhe politike për zhvillimin e shqiptarëve në të ardhmen. Nëse romantiku tipik vlerëson atë që është individuale, e veçantë dhe emocionale, rilindësi të përpiqet të ndërthurë të veçantën kolektive të shqiptarëve me misionin universal të emancipimit me anë të dijes që është motoja e iluminizmit. Poetët e Rilindjes ishin edhe mësues, gazetarë e politikanë, kumti i tyre ishte bashkimi, kapërcimi i ndarjeve fetare e krahinore, përparimi e dituria.

Te Rilindja, krijimi i një rrëfenje historike për shqiptarët dhe themelimi i miteve kombëtare nuk duhen parë si adhurim i autencitetit primitiv, apo heroizmit luftarak në vetvete. Kujtesa historike ishte gjithsesi në funksion të vetë-kritikës racionale, sepse u kujtonte shqiptarëve gjendjen e tyre të mjeruar në të tashmen, krahasuar me “erën e artë” të së shkuarës së tyre dhe me të tashmen e kombeve të përparuar të Evropës. Shpëtimi i kombit varej nga pjesëmarrja e shqiptarëve  në qytetërimin modern. Pionieri i Rilindjes Kombëtare, Naum Veqilharxhi i mëson bashkëkombasit  se shkrimi i gjuhës dhe nxënia e dijes është mjeti për të marrë pjesë me dinjitet në qytetërimin e përbashkët të njerëzimit, në të kundërt shqiptarët do të mbesin të paditur, pa dinjitet dhe skllevër të kombeve të përparuar. Sipas Sami Frashërit, qytetërimi është jetesa e prirë nga dituria, ndërsa barbaria është rrojtja pa dije. Ai shkruante se shqiptarët ishin gjysmë-barbarë dhe se kishin rrugë të gjatë përpara drejt qytetërimit. I vëllai, Naimi, në fund të rrëfimit të heroizmit luftarak të shqiptarëve në të shkuarën shkruan se ky është gjithsesi i mangët pa dijen: “O burra shqiptarë/ të marrim dituritë/ se s’është koh’ e parë/ tani lipsetë dritë”.

Dihet se poetët romantikë i këndojnë natyrës së atdheut e jetës së thjeshtë të fshatit, mirëpo projekti nacionalist për modernizimin e kombit ka të bëjë me qytetin dhe fabrikën. Poema si Bagëti e bujqësia janë qendrore për Rilindjen shqiptare, megjithatë ato nuk duhen marrë si refuzim apo arratisje nga moderniteti. Në radhë të parë ato janë poema politike dhe pedagogjike për të ngjallur dashurinë për atdheun dhe u drejtohen pikërisht bujqve e barinjve, sepse këto klasa përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë në Shqipërinë e shek. XIX. Poema e Naimit hapet me vargun “O malet e Shqipërisë” dhe në fillim atdheu jepet si një ide abstrakte e njësuar me natyrën dhe jetën “e virgjër” fshatare. Më poshtë, kur poeti fillon e përshkruan kufijtë natyrorë të atdheut, ai si piketa përdor edhe qytetet, krahas fushave, maleve, lumenjve e krahinave: fluturimi i përfytyruar i dallëndyshes ndalet me radhë në Çamëri, Korçë, Vlorë, Elbasan, Tiranë, Shkodër, Kostur, Përlep, Follorinë, Dibër, Shkup, Prishtinë, Gjakovë, Krujë, Pejë, Tetovë, Durrës, Lezhë, madje edhe në Ulqin, për të cilin poeti nuk harron të shënojë se po e mban “armiku ynë”.

Samiu te vepra Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet planifikonte që 15 qytete të shërbenin si qendra të ndarjes administrative të shtetit shqiptar dhe në mesin e territorit të tij të ngrihej një kryeqytet krejt i ri, i quajtur Skënderbegas, që do të kishte rrugë të gjera e të drejta, sheshe e shtëpi të mira, që do të ishte “i çpenguarë nga gjithë zakonet’ e keq, që kanë qytetet e vjetërë”. Meqenëse në Skënderbegas do të banonin shqiptarë të ardhur prej të gjithë trevave të vendit, edhe gjuha e qytetarëve do të ishte e përzier dhe do të formonte shqipen letrare shqipe. Kryeqyteti do të përmbante ministritë, shkolla të larta, akademi, shtypshkronja, shkolla të gjuhëve të huaja, muze e të tjera institucione qeverisjeje e dijeje që gjendeshin edhe në kryeqytetet e shteteve moderne evropiane të kohës. Samiu për Shqipërinë moderne parashikonte edhe një rrjet hekurudhor, bonifikimin e kënetave, sistemimin e shtrateve të lumenjve, hapjen dhe thellimin e porteve, miniera dhe punishte të përpunimit të burimeve natyrore e bujqësore (po aty: 94-98). Në vizionin e tij përfshihet sistemi fiskal, monedha kombëtare me simbolikën kombëtare të shtypur mbi të dhe funksionimi i qeverisjes vendore sipas sistemit që sot do ta emërtonim si decentralizimi i pushtetit (sipas parimit: “M’i lumtur’i vëndevet në botët ësht’ ay tek ndjehet fort pakë dor’ e qeverisë”, vjen edhe porosia: “Sa të mundet qeverija të mos ketë të bënjë drejt për drejt me vëndëset”).

Rilindësit themelimin shtetit shqiptar e mendonin se do të realizohej nga vullneti i kombit i përkrahur nga fuqitë e mëdha evropiane të kohës dhe mundësisht edhe nga Perandoria Osmane. Fuqitë e mëdha evropiane shiheshin jo vetëm si garanci e pavarësisë dhe e shtetit shqiptar, por edhe si orientuese të modernizimit të vendit. Te memorandumi që Abdyl Frashëri i dërgonte kryeministrit të Italisë Francesko Krispit më 1890, ai shkruante se autonomia ose pavarësia e Shqipërisë në kufijtë e saj natyrorë e etnografikë është një kërkesë legjitime e shqiptarëve dhe se ata do të ishin të gatshëm që në këtë shtet ata të pranonin organizim dhe ligje evropiane. Pikërisht disa nga masat shtetërore që rilindësit shqiptarë nuk i pranonin në kuadër të centralizimit të perandorisë, si p.sh. rekrutimi i detyruar dhe mbledhja e taksave, rilindësit ishin të gatshëm t’i realizonin në kuadër të një shteti autonom shqiptar, ku rekrutët do të shërbenin brenda kufijve të tij dhe taksat do të përdoreshin për zhvillimin e tij. Nacionalizmi shqiptar i Rilindjes nuk mund të ishte ksenofob, për nga vetë nevoja që të njihej në botë kombi shqiptar dhe për shkak të nevojës që aspirata e tij për pavarësi dhe zhvillim të përkrahej nga shtetet e përparuara evropiane.

Lëvizja kombëtare shqiptare nuk kishte synime hegjemoniste dhe as imperialiste në Ballkan. Ajo ndiqte thjesht atë parim modern që më vonë do të emërtohej si e drejta e vetëvendosjes së popujve. Projekti i bashkimit të katër vilajeteve osmane për të formuar Shqipërinë autonome, është gjykuar ndonjëherë si “Shqipëria e Madhe”, me qëllimin për ta barazuar politikisht dhe moralisht me projektet imperialiste të nacionalizmave serbë, grekë e bullgarë. Projekti i Rilindjes dallon nga ata të fqinjëve, për dy arsye. Së pari, referencat e këtyre projekteve vinin nga perandoritë e Mesjetës, ishin të mbrujtura me vizione mesianike fetare dhe nuk i përmbaheshin realitetit etnik në terren. Së dyti, Rilindja ndiqte parimin e mbizotërimit etnik të bazuar thuajse përherë në gjuhën e folur nga popullata, por ajo vepronte brenda kuadrit administrativ të shtetit ekzistues osman dhe bashkimi i katër vilajeteve ishte një zgjedhje praktike për t’i shndërruar kufijtë administrativë të Perandorisë në kufij shtetërorë të Shqipërisë. Rilindja nuk ushqente shovinizëm ndaj kombeve të tjerë në Ballkan. Te manifesti i tij politik, Samiu parashikonte te Shqipëria e së ardhmes shkolla fillore, të mesme dhe të larta në gjuhët e tyre amtare për joshqiptarët që do të përfshiheshin brenda kufijve të shtetit, duke e përjashtuar asimilimin e detyrueshëm. Të mos harrojmë se planet bashkëkohore të shteteve ballkanikë për shqiptarët parashikonin shpërnguljen dhe asimilimin e dhunshëm (p.sh. me anë të konvertimit fetar të myslimanëve e katolikëve në ortodoksë).

Përfytyrimin rilindës për kombin shqiptar në mënyrë të përmbledhur e gjejmë te vargjet e Naimit: “Gjithë ç’jemi Shqipëtarë/ Jemi një fis e një farë/ Kemi të tërë një shpresë/ një gjak, një gjuhë, një besë”. Prejardhja e përbashkët etnike jepet me fjalët “fis” “farë” dhe “gjak”, gjuha jepet si karakteristikë kulturore dalluese dhe besëlidhja politike për të ndërtuar ardhmërinë e njëjtë gjendet te fjalët “besë” dhe “shpresë”. Mund ta besosh prejardhjen e njëjtë dhe farefisninë e kombit, mund të thërrasësh në ndihmë paraardhësit e lavdishëm të vdekur (Aleksandri, Pirro, Skënderbeu), mirëpo primordialiteti i supozuar i kombit nevojitet të provohet te njerëzit e gjallë dhe kriteri kryesor për dallimin e shqiptarëve nga të tjerët mbetej gjuha: kush e ka shqipen gjuhë amtare është shqiptar. Gjuha u bë motivi qendror i përpjekjes kombëtare të Rilindjes. Gjuha e zbulon qenien shqiptare si të tillë, prandaj, siç shkruan Hysamedin Feraj në librin E pafilozofuara, “rilindësit e vendosën në gjuhë qenien dhe logosin shqiptar. Vendosën në fjalë dhe fjali çka është karakteristike për shqiptarët si të tillë, që nuk mundet me qenë veti e ndonjë qenësimi tjetër… Gjuha si zbulim i qenies e diferencon qenien nga sfondi i padukshmërisë së saj dhe e bën të dukshme, e tregon. Gjuha shqipe është gjuha që e diferencon nga gjuha e “gjithë njerëzimit”, si sfond i padiferencuar”.

Natyralitetin e etnisë apo kombit shqiptar rilindësit e lidhnin me gjuhën dhe kjo gjë ishte në pajtim me kriterin pozitivist të dijes iluministe. Gjuha pajtohej më shumë se sa fetë me ligjin e natyrës, prandaj përbënte një bazë më të arsyeshme për lidhjen etnike dhe kombëtare. Këtë gjë Rilindja e ka përsëritur pareshtur që nga Veqilharxhi, që kundërshtonte nipin e tij pse ky mendonte se të krishterët e myslimanët nuk i bashkon gjë dhe nuk ka se si të lidhen politikisht, te Jani Vreto, që shkruante se “lidhja e gjuhësë ndë një komp ësht’ e vetijëtë [e natyrshme] dhe e përjetshme, lidhja e besësë ndë një fe e ndë një dogmë është e shpifurë [e shpikur] edhe përkohëshme” e më tutje. Arsyeja tjetër për theksin që rilindësit i vinin gjuhës shqipe është se, sipas tyre, arsimimi i popullit në gjuhën amtare ishte thelbësor për modernizimin dhe zhvillimin e vendit, si edhe për pjesëmarrjen e tij të denjë në qytetërim. Shqiptarët duke mos kultivuar gjuhën e tyre konsideroheshin si të paqytetëruar nga të huajt dhe të padenjë për të vendosur vetë mbi të ardhmen e tyre. Ky është argumenti i Vretos, i cili si shembull sillte vendimin e fuqive evropiane për pushtimin e Ulqinit nga Mali i Zi: “Gjuhëpashkruarëtë quhen barbarë, pa barbarëtë ndë rretht të gjuhëshkruarëvet e tëë qytetëruarëvet nukë qasenë, edhe të drejtat’ e tyre nukë shikohenë as ndigjohenë, edhe vërtetim i kësaj fjale na ishte Ylqini… që dje ndë ditëtë tonë u ra e udhësë paudhë ndë mbledhjet e të fortëvet të epetë jatrëkombasve [një kombi tjetër] dhe u dha me pahir dhe me gjak”. Gjuha është pronë e kombit dhe arsimi në gjuhën amtare e bën çdo anëtar të kombit që të përdorë arsyen dhe të fitojë dijen e nevojshme për emancipimin e tij si individ dhe vetëvendosjen e tij si qytetar. Në këtë aspekt, kërkesa e Rilindjes për përdorimin e gjuhës kombëtare në shkolla dhe administratën shtetërore përmbante edhe idenë e demokracisë (Stavileci, 2000: 84).

Qëndrimi i Rilindjes ndaj feve mund të përmblidhet në dy thënie: “Fet’ e besëtë t’i kemi/ Po të ndarë të mos jemi” nga Naimi dhe parulla e famshme e Vaso Pashës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Më sipër pamë se si Vreto natyralitetin e lidhjes gjuhësore të shqiptarëve e ballafaqonte me lidhjen e përkohshme fetare. Në këtë mënyrë, rilindësit e përfytyronin kombin shqiptar si një bashkësi sovrane ndërfetare e përmbi ndarjet fetare. Ky përfytyrim nuk do të ishte i mundur pa idenë e sovranitetit kombëtar dhe idenë e laicitetit, të dyja të trashëguara nga moderniteti evropian e sidomos nga doktrinat e iluminizmit. Koncepti i kombit u formua në një Evropë që kishte parë zbulimet gjeografike, luftërat fetare,  iluminizmin, rrëzimin e mbretërve dhe përfytyrimi i kombit në mendjet e shumë evropianëve zuri atë vend që më parë ishte i fesë dhe i dinastisë mbretërore. Në qoftë se reformatorët osmanë që nga Tanzimati kishin projektuar barazinë e qytetarëve të perandorisë, pavarësisht nga feja e tyre, duke bërë që në njëfarë mënyre të ndahej koncepti i shtetit nga islami, Rilindja e radikalizoi idenë e laicizmit osman, sepse e ktheu në një kusht sine qua non për ekzistencën e kombit shqiptar.

Edhe pse rilindësit, që nga Veqilharxhi e tutje, nuk nguruan që të përdornin kanalet fetare dhe botëkuptimet fetare për përhapjen e idesë së kombit dhe mobilizimin e shqiptarëve, në përgjithësi mbizotëroi parimi se kombi nuk duhej ankoruar te asnjëra nga fetë ekzistuese. Laiciteti për rilindësit kishte dy anë funksionale. Së pari, laiciteti i brendshëm ofronte kushtin për krijimin e një sfere publike të shqiptarëve, pikërisht sipas parullës së Pashko Vasës. Pra, “shqiptaria” do të ishte feja civile e shqiptarëve, krahas dhe përmbi fetë ekzistuese. Ky erdhi e u bë qëndrimi i mbizotërues i rilindësve, përballë ideve që kërkonin që fetë të merreshin parasysh për organizimin e shtetit dhe të sferës publike. Samiu e kundërshtoi si përçarëse idenë e Jeronim de Radës ta organizuar shtetin shqiptar si një konfederatë të përbërë nga tri njësi politike, nga një për secilën nga fetë tradicionale. Ana e dytë, laiciteti i jashtëm, kishte të bënte me mbylljen e sferës publike shqiptare prej ndikimeve të dëmshme politike dhe kulturore prej shteteve fqinje. Jo më kot Samiu shkruante se dy duhet të ishin qëllimet madhore kombëtare të shqiptarëve: lëvrimi i gjuhës shqipe dhe krijimi i kishës së pavarur (autoqefale) ortodokse shqiptare.

Në përfundim të artikullit tonë, mund të themi se Rilindja Kombëtare Shqiptare ishte një lëvizje kulturore dhe politike nacionaliste që projektonte mëvetësinë politike dhe modernizimin e kombit shqiptar. Kombi shqiptar përfytyrohej si një bashkësi ndërfetare e atyre që flisnin gjuhën shqipe. Kombi shqiptar shihej si evropian në zanafillën dhe në të ardhmen e tij. Prandaj, rilindësit kërkonin të ndiqnin modelet e modernitetit të shteteve evropiane në një kuadër kombëtar shqiptar, që do të thoshte se nacionalizmi shqiptar i Rilindjes ishte i hapur ndaj botës së jashtme, kërkonte të mësonte nga përvojat më të fundit të kombeve të tjerë. Rilindësit refuzonin zbatimin e atyre reformave modernizuese që po ndërmerrte Perandoria Osmane e që ata i gjykonin se rrezikonin mëvetësinë e Shqipërisë dhe përkrahnin reformat që i gjykonin se nxisnin mëvetësinë dhe zhvillimin e shqiptarëve (p.sh. pranohej që shteti osman duhej të investonte për të ngritur rrjetin shkollor, por gjuha e shkollave duhej të ishte shqipe dhe kjo e fundit duhej të mësohej me alfabetin latin; ose bëhej thirrje për mospagim taksash nëse këto përdoreshin jashtë vilajeteve shqiptare etj.).

Projekti rilindës ishte për një komb të përbërë nga individë të arsimuar dhe të aftë në ato profesione që nevojiteshin për ndërtimin e një shoqërie moderne dhe më universale. Kuadri kombëtar (“vilajeti shqiptar autonom”) shihej si kusht i nevojshëm për aspektet ekonomike dhe politike të modernizimit dhe demokratizimit, siç shprehen këto në formën më të plotë se tjetërkund gjatë Rilindjes te manifesti i Sami Frashërit. Vetëvendosja kombëtare, mbrojtja e të drejtave kombëtare dhe statusi i barabartë i kombeve ishin për rilindësit parimet që do të rregullonin marrëdhëniet e shqiptarëve me kombet ballkanike dhe më gjerë.

 

 

 

 

 

Comments

  • Nje nga intelektualet publike shqiptare Sulstarova qe nuk Je asnjehere I zhgenjyer kur e lexon. Me intrigoi qendrimi libertar I Samiut ndaj idese se qeverisjes. A government governs best that governs less.

  • Mu duk pak apologjetik ndaj rilindjes apo me sakte nacionalizmit ne pergjithesi. Problemi kryesor qe ka me kete kombtarizmin mbifetar eshte se ne praktike ka kerkuar te uzurpoje lirine fetare, te nenshtroje fene nen petkun kombtarist dhe sigurisht qe me gjithe laicitetin e deklaruar ky nuk ka qene i njelloj i aplikuar. Zogu, per shembull, arriti te mbylle medrese e tu imponoje dhe delegatet myslimaneve ne kongresin e tyre por nuk kish takat te bente te njejten gje me katoliket. standartet e ndryshme vazhdojne sot e kesaj dite. Projekti kombetar i shqiptareve duhet riartikuluar ne nje konsiderate te re per te drejtat komunitare e individuale qe nuk mund te shkelen nga kushdo qe ka zene monopolin e interesit kombetar.

    • Zogu u fut ne krize serioze me kishen katolike kur ndaloi shkollat e saj ne vend. Nderhyri deri qeveria italiane qe te gjehej nje zgjidhje. Hapi faqet e fondamentalisteve katolike dhe shiko pak si flitet per Zogu. Nuk mbahet mend ndonje hoxhe i ekzekutuar nga Zogu -qofte dhe me te drejte – po ke nderkaq Dom Gazullin te varur, dhe fotografine ia gjen kudo neper internet , me litar ne qafe e me xhandarin e Zogut perbri. Sigurisht une nuk po them ketu se Zogu paska qene anti-katolik, se edhe klerikun e ekzekutoi me rastin e nje kryengritjeje, po ama dua te them se edhe anti-musliman si po e beni nuk ka qene. Ketu si anonime, eshte shume kollaj te gjenden gabimet dhe ndahen detyrat, por Zogu mbajti mbi shpine peshen unike te te qeverisurit te nje vendi musliman ne Europe. Kjo peshe mund te mbahej vetem me kompromise e sakrifica. At qe e fajesojne si anti-musliman Zogun, e bejne duke pafajesuar fillimisht Europen, dashje-padashje. Sepse vetem duke e hequr faktorin imperialist dhe kryqetar te Europes se kohes mundet te dale Zogu problematik.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *