0313OPEDrusso-articleInlineRashid Khalidi*

Çfarë duhet të bëjë Barak Obama, i cili po viziton Izraelin këtë të mërkurë për herë të parë gjatë presidencës së tij, rreth konfliktit Izraelito-Palestinez?

Së pari, ai duhet të braktisë rutinën e ndenjur të ofruar nga establishmenti i politikës së jashtme të Nju Jorkut e Uashingtonit, e cila mbahet fort pas rrënojave të të ashtuquajturit proçesi i paqes që, gjatë 34 viteve që nga marrëveshja e Kamp Davidit, në fakt ka ndihmuar ta bëjë paqen më pak të arritshme se kurrë.

Kur iteracioni më i fundit i këtij proçesi filloi me shpresa të mëdha në konferencën e paqes së Madridit më 1991, e cila çoi në marrëveshjen e Oslos dy vjet më vonë, 200,000 izraelitë ndodheshin ilegalisht në territoret e pushtuara palestineze si kolonë: sot ata janë më shumë se dyfishuar.

Deri në 1991 shumica e palestinezëve mund të lëviznin lirshëm, edhe pse nën pushtimin ushtarak të Izraelit. Sot, një gjeneratë e tërë palestinezësh nuk janë lejuar të vizitojnë Jeruzalemin, të hyjnë në Izrael, apo të kalojnë nga Bregu Perëndimor në Gaza. Ky getoizim i palestinezëve, bashkë me trazirat e intifadës së dytë gjatë 2000-2005 si dhe ndërtimi i kolonive në dukje të përhershme dhe i një muri aparteidi, janë frutat tragjike të të ashtuquajturit proçesi i paqes që Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr.

“Proçesi i paqes” ka konsistuar në lejimin e shkeljeve të Izraelit në dëm të Palestinës në shkëmbim të disa qëllimeve të politikës së jashtme që s’kanë lidhje me përparimin e paqes dhe lirisë së palestinezëve. Në fundin e viteve 1970 kjo përfshinte çmimin strategjik të luftës së ftohtë të kalimit të Egjiptit nga kolona sovjetike në atë amerikane.

Marrëveshja e Kamp Davidit mes Kryeministrit Menachem Begin dhe Presidentit Enver Sadat në thelb e vuri mënjanë çështjen palestineze. Këto shtrëngesa i dhanë formë proçesit të Oslos, ku Izraeli dhe Organizata Çlirimtare e Palestinës njohën njëra tjetrën, ndërsa gjithë çështjet themelore si kufijtë, refugjatët, uji, kolonitë izraelite dhe statusi i Jeruzalemit u lanë për më vonë.

Nga fundi i mandatit të tij të parë, Z. Obama praktikisht e braktisi agjendën e tij modeste të paqebërjes në shkëmbim të një periudhe qetësie në fushatën e Kryeministrit Benjamin Netanjahu për luftë me Iranin. Palestina u sakrifikua sërish, këtë herë si rryshfet ndaj Izraelit luftënxitës për tu sjellë mirë përkohësisht.

“Proçesi” i udhëhequr nga Amerika përfundimisht ka fuqizuar të djathtën ekstreme të Izraelit dhe e ka bërë vetëvendosjen palestineze më pak të arritshme se kurrë. Vazhdimësia më groteskun Oruellian që quhet “proçesi i paqes” është në kundërshtim me çdo përkufizim të edukuar të vetë-interesit Amerikan. Kjo ka përforcuar imazhin e Shteteve të Bashkuara si mbrojtësi dhe mundësuesi pa kushte i Izraelit. Për më tepër, kjo gjë fyen inteligjencën e popullit palestinez. Pavarësisht bashkëfajësisë së disa prej liderëve të tyre në një proçes që i ka lënë ata pa shtet dhe nën një kolonizim pafund të Bregut Perëndimor dhe të Jeruzalemit Lindor, ata meritojnë më shumë se të qenit të burgosur në tokën e tyre.

Nëse Z. Obama do vendoste ti përkushtonte energji zgjidhjes së konfliktit – një nëse e madhe – kjo nuk do ishte e lehtë. Palestinezët janë thellësisht të ndarë mes mbështetësve të faksionit Fatah të Mahmud Abasit, i cili qeveris Bregun Perëndimor, dhe Hamasit, grupit militant që kontrollon Gazën. Një pengesë edhe më e madhe është qeveria e të djathtës ekstreme të Z. Netanjahu, e cila është krejtësisht e vendosur të zgjerojë territoret.

Shkurtimisht, nëse objektivat e krejt proçesit të paqes nuk janë që ti jepet fund pushtimit, të hiqen kolonitë, dhe të lejohet vetëvendosja e vërtetë e palestinezëve, atëherë cili është qëllimi i pretendimit të rifillimit të tij?

Ka dy fakte që Z. Obama do bënte mirë ti mbante mend.

Dominanca absolute e Izraelit ndaj palestinezëve do të thotë që konflikti nuk është i tillë që kërkon lëshime reciproke prej dy palëve të barabarta. Për më tepër, paqja duhet arritur mes palestinezëve dhe izraelitëve, jo midis Z. Obama dhe kritikëve të tij në Partinë Republikane, lobin e Izraelit, apo partitë e ekstremit të djathtë izraelite.

Nëse Z. Obama nuk përballet dot me këto realitete, do ishte shumë më mirë për të që të tregohej i sinqertë: Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë realitet të patolerueshëm dhe janë të gatshëm të mbajnë turpin ndërkombëtar që rezulton prej kësaj. Njerëzit anembanë botës e kuptojnë se Amerika për shumë dekada ka ndihmuar në prodhimin e një situate ku, pavarësisht deklaratave të devotshme në mbështetje të shtetit Palestinez, ka, dhe në të ardhmen e afërt do ketë, vetëm një autoritet të vërtetë sovran mes Detit Mesdhe dhe Lumit Jordan: shteti i Izraelit.

Vetëm hebrejtë izraelitë janë qytetarë të plotë të asaj toke, ku 5 miljonë palestinezë jetojnë në shtypje ose në azil, dhe 1.2 miljonë arabë palestinezë jetojnë në Izrael si qytetarë të dorës së dytë. Zgjidha me një shtet e bazuar në diskriminim dhe shtypje të vazhdueshme është përfundimisht e paqëndrueshme. Mbështetja e vetme e jashtme e kësaj situate vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, qytetarët e të cilave janë gjithmonë e më të vetëdijshëm se një strukturë e tillë është thellësisht në kundërshtim me vlerat e tyre, siç ishte aparteidi në Afrikën e Jugut.

Zotit Obama i duhet të marrë një vendim. Ai mund ta pajtojë Amerikën me vazhdimin e mbështetjes dhe financimit të një status quoje të padrejtë që vetë ka ndihmuar ta prodhojë. Ose ai mund të fillojë të hapë një rrugë të re të bazuar në njohjen e faktit se Amerika duhet menjëherë të kundërshtojë pushtimin dhe kolonizimin dhe të mbështesë të drejtën e pakundërshtueshme të palestinezëve për liri, barazi dhe shtetësi. Rrugë të mesme nuk ka.

 

Rashid Khalidi, profesor i studimeve moderne arabe në Columbia University, është autori i librit më të ri “Sekserët e Mashtrimit: Si SHBA Ka Minuar Paqen në Lindjen e Mesme.”

 

Përktheu A.T.

Marrë nga The New York Times.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *