Petro-Sekularizmi!





foto.phpArber Fetiu

Tek po përfundoja një shkrim mbi nevojën për mirëkuptim dhe njohje të ndërsjellë ndërfetare, kur ja, Petrit Selimi del me një tjetër shkrim mbi fenë dhe rrezikun e saj: “Me dy gishta përpjetë” (Gazeta Express, 20 Mars 2013. Sekularizimi shpërfaqet edhe këtu si “legjitimues” i averzionit të shprehjes normale të besimit fetar.
Pasi që Petrit Selimi është funksionar shteti, funksionar i një shteti laik siç është Kosova, ai është referenca themelore e këtij shkrimi ku do bëj një kalim të shpejtë mbi përdorimin ideologjik diskursiv të laicitetit tek ai, dhe shkeljes që ai i bën principit. Laiciteti në shumë drejtime shërben si mburojë karshi shprehjeve të religjiozitetit në sferën publike, dhe prej principit politik si garantues i lirive fetare, ai rrëshqet në botëkuptimin filozofik si nocion jakobin, e madje anti-fetar.

Aludimi që Petrit Selimi bën në shkrimin e tij të fundit për gishtat e disa ushtarëve të FSK-së, të cilët, sipas Petritit, duke ngritur një gisht tek fotografoheshin (në një fotografi që qarkullonte në internet) performonin një “ritual kolektiv fetar” në ambientet sekulare të ushtrisë së Kosovës. Këta djem qenkeshin besimtarë dhe gishti i tyre qenkish ritual, lexon Selimi në motivet që fshihen pas fotos. Nuk është e rendit këtu që të tregohet në detaje se sa qesharake është kur ai karakterizon si  “rituale kolektive fetare” ngritjen e një gishti, – kjo me siguri do të përdorej si anekdotë në shumë departamente të antropologjisë, e sidomos aty ku Petriti ka studiuar, në Oslo, – ajo që është e rëndësishme këtu është që Zëvendës Ministri, për të dëshmuar “gabueshmërinë” e një “rituali kolektiv fetar” si ky, bën përdorimin diskursiv të “sekularizmit”, duke shprehur në mënyrë implicite se feja (në këtë rast e shprehur me të ashtuquajturin “ritual kolektiv fetar” të një-gisht-ngritjes) në ushtrinë sekulare është, sipas tij, shkelje e sekularizmit. Ushtria, zë një vend shumë të veçantë në teoritë e sekularizmit dhe ka zënë vend vazhdimisht në 100 vitet e fundit. Si ambient i mbyllur që është, sikurse spitalet apo burgjet, edhe ushtria duhet domosdoshmërish të akomodojë  besimet fetare dhe diversitetin fetar, por edhe atë botëkuptimor (ateist, agnostik etj).

Kështu për shembull, ligji  i vitit 1905 për laicitetin në Francë (pasi fetishizuesit e “ndarjes” i referohen shpesh Francës si model) në artikullin e tij të 2-të, tek përcakton se Shteti nuk njeh dhe nuk subvencionon asnjë kult, thotë shprehimisht kështu: “Sidoqoftë, mund të regjistrohen për benificione buxhetore shpenzimet relative për shërbimet e intervenantëve fetarë, si dhe shpenzimeve të tjera të destinuara për të garantuar shprehjen e lirisë së kultit në institucionet publike si lice, kolegj, shkollë, spital, azile (hapësira të qëndrimit të përhershëm apo të gjatë)  dhe burgje”. Është mbi këtë princip, që Franca sot, jo vetëm se garanton lirinë fetare në ushtri, mu mbi parimin e laicitetit, por edhe paguan klerin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të kultit brenda ushtrisë. Sekularizmat tjerë në hemisferen Perendimore janë poaq akomodues e edhe me shumë. Petritin dhe pushtetarët tanë, duket se perceptimi i përzier i laicitetit, i ka penguar të pyeten ndonjëherë mbi akomodimin e besimeve dhe botëkuptimeve në gjirin e ambienteve të tilla të mbyllura, ndërkaq, jo të shpërfytyrojë nocionin kompleks.

Shteti i Kosovës, si shtet laik (neni 8), në parim mund të kufizojë liritë fetare të individëve vetëm nën pretekstet e rendit publik, sigurisë dhe shëndetit siç parashikohen në nenin 55 të Kushtetutës së Kosovës, mbi “Kufizimet e të drejtave dhe lirive”! Pra është Neni 55, ai i cili e përcakton limitin e aplikimit të sekularizmit, siç ndodh gjithandej ku kufizimi i lirive dhe të drejtave në parim nuk guxon të bëhet nëse nuk cenon njërën nga pretekstet e parashikuara të Nenit 55 të Kushtetutës.

Ushtarët e ushtrisë së Kosovës duhet të akomodohen nga Shteti i tyre, sikurse ata të Francës, Amerikës, e vendeve të tjera demokratike e sekulare, e jo të kufizohet shprehja e botëkuptimeve fetare përveç nëse kjo prish rendin publik, sigurinë apo shëndetin. Këtu nuk është fjala vetëm për botëkuptimet fetare, por edhe ato sekulare. Kësisoj, një ushtar ateist e vegjetarian  i cili i nënshkruhet filozofisë utilitariste të Piter Singeri-t  duhet të akomodohet në hapësira të tilla të mbyllura si ushtria (apo spitali, aeroplani, kantina ushqimore e shkollës) dhe të mos i ofrohen Pashteta të viçit si ushqim kompulsiv, por alternativa vegjetariane. Kjo është po aq e vlefshme edhe për restrikcionet fetare të muslimanëve, apo nesër  të çifuteve, hindusëve, zen-budistëve e të qytetarëve tjerë të Kosovës fantastike, të cilët meritojnë akomodim në këto hapësira pikërisht në emër të sekularizmit.

Paradoksalisht, Petriti, në mënyrë banale, duke e quajtur “ritual kolektiv fetar” një përshëndetje që paskan bërë disa myslimanë (sipas përshkrimit që bëhej në foton e qarkulluar), mendon se një gjë e tillë nuk përkon me një ushtri sekulare. Kjo nuk është aq absurde vetëm për shkak se ngritja e një gishti konsiderohet “ritual kolektiv fetar” sa është se kjo shihet si jo-kompatibile me sekularizmin.

Me cilin nga pretekstet e Nenit 55 do mund ta mbronte Petrit Selimi këtë? Natyrisht me asnjërin. Për me tepër, një artikulim i tillë decidivisht anti(individit)-fetar është anti-sekular dhe shkelje flagrante e principit të laicitetit.

Ky pra është  njëri nga shpërfytyrimet absurde të sekularizmit në diskursin tonë, të cilin përtej diskursit të opinionistëve e ndajnë edhe funksionarët e shtetit laik. Për me tepër, Petriti, duke u indinjuar nga shenja e “rrezikshme” e një-gishtit fetar, si shprehje e shkeljes se petro-sekularizmit, ai propozon që të promovohet ngritja e dy gishtave, duke mos e ditur se ajo simbolikë ka një origjinë që daton përtej mitit Britanik, tek Joga Budiste dhe shpreh gjesturën e Prana Mudra-s. Ironikisht, Petriti në tentativën e tij për të injektuar modelin e tij të sekularizmit, pra petro-sekularizmin, e shkel atë me dy këmbët apo  me dy gishtat.

Muslimanët e mirë vs. muslimanët e këqinj

Petriti nuk është vetëm në aventurën e tij me laicitetin, ai është mbase shprehja më e lartë në hierarkinë e funksionarëve të shtetit që shprehin praktikisht atë që shpërfaqet pothuajse sa herë flitet e shkruhet për fenë, e veçanërisht për laicitetin. Si shpërdorues i sekularizmit që është, duhet bërë e ditur edhe një shkelje tjetër e principit të sekularizmit që ai bën dhe që ka konsekuenca. Ajo është favorizimi që ai dëshiron t’i bëjë një forme të botëkuptimit brenda-islam, ndaj një forme tjetër.

Në shkrimin e tij të fundit ai prish neutralitetin me të cilin e lidh Kushtetuta si funksionar i Shtetit të Kosovës që është, duke favorizuar Bektashizmin, rendet sufite dhe shkollën juridike islame që ka ekzistuar ndër shqiptarë, atë Hanefite (Petriti , nuk e di që p.sh. të njëjtës shkollë juridike i takonin edhe Talebanët dhe se shumë prej tyre iu takonin rendeve sufite). Kjo i përjashtojnë automatikisht qytetarët besimtarë të Kosovës, të cilët nuk identifikohen me ndonjërën nga preferencat e Petritit. Të imagjinojmë për një moment të njëjtën gjë edhe mbi krishterimin. Pasi Kisha Katolike ka qenë kaherë pjesë e krishterimit tonë tradicional, të gjithë të krishterët e tjerë, siç janë psh, ato qindra denominacione Protestante që operojnë në Kosovë, nuk mund të jenë të denja për hapësirën tonë dhe as të afta për “mirkuptim të ndërsjellë”).

Kështu, vetëm këto janë të afta për “mirëkuptim të ndërsjellë”, sepse veç Islami i “lehtë” e i “moderuar” si ai bektashinjëve, sufijve apo hanefijve, siç përfytyrohen nga Petriti dhe të tjerë, me verë në dorë, mund të jetë mirëkuptues e tolerant, tjetri është i dhunshëm, intolerant, irracional, dogmatik.

Petriti edhe në një shkrim tjetër me titullin “Many Challenges for Kosovo-but not Religion”, shpërfaq modelin ideal të muslimanit të mirë përmes të cilit natyrisht identifikohet “muslimani i keq”: muslimani i mirë është si gjyshja e Petritit, bija e një Imami në Prishtinë e cila për pashkët i ngjyroste vezët. Karshi gjyshes, Sami Frashërit me verë në dorë, sufijve, bektashijve dhe hanefitëve të përfytyruar të Petritit, gjendet modeli tjetër, ai i cili nuk përkon me referencialet e tij dhe i cili edhe konstruktohet në raport me referencat e funksionarit publik: pra është ai muslimani i cili nuk e pi verën, nuk ngjyros vezët për ditën e pashkëve, që e bën nervoz Burim Ramadanin, sepse nuk feston Vitin e Ri, që e bën nervoz edhe Kim Joung Li-në sepse nuk e feston as Seolall-in, ai muslimani i cili nuk ka ndonjë preference për rendet sufi apo bektashi dhe i cili nuk i takon shkollës Hanefite, siç përfytyrohet nga Petriti, por i takon ndonjërës nga ato 130 shkollave juridike që kanë ekzistuar dikur në mendimin Islam, apo ndonjërit prej qindra variacioneve të atyre 4 shkollave dominante që ekzistojnë sot. Krejt këta nuk janë “muslimanët e mirë” sepse nuk përkojnë me modelet e Petritit, të cilat janë të vetmet që i janë “dedikuar ruajtjes së modelit të respektimit të ndërsjellë”, të tjerët janë të përjashtuar nga kjo.

Me një fjalë, perceptimi i Petritit dhe favorizimi i një perceptimi të tillë, është ajo që vëzhguar me të drejtë nga një studiues zviceran për të cilin në hapësira ku religjioni perceptohet si problem, muslimani duhet të jetë musliman pa Islam, ngase ekziston një dyshim i përhapur se të jesh shumë musliman nënkuptuaka të mos jesh realisht dhe në mënyrë komplete i integruar në vlerat Perendimore, – dikush do thotë: edhe në ato Shqiptare.

Siç pati vënë në pah filozofi i ri emergjent Sead Zimeri, në diskursin publik mbi fenë ndër shqiptarë shihet ngritja e flamurit të një “Islami të butë”, të një Islami për biznes i cili është i “mirë” për laicistët shqiptarë, ngase butësia e tij ua lejon mbulimin e paknaqësive të eksploatimit dhe se karshi këtij Islami “paqësor, tolerant dhe liberal” (që rrumbullakohet me sufijtë, bektashijtë dhe shkollën hanefite siç përfytyrohet nga nga autori), qëndron ai tjetri, “Islami jo-tolerant, i keq, agresiv”, i vrazhdë e i rrezikshëm, Islami që çon ujë tek Serbia, siç thotë Selimi.

Në njëfarë mënyre, siç ka vënë re poeti dhe publicisti Ervin Hatibi, ky është Islami i cili shërben si “vitrinë”, e që për Petrit Selimin në fakt e ka kuptimin e Islamit të Diplomacisë Publike, me të cilin  rrihet gjoks për verën e Samiut, libertarianizmin seksual të meshkujve dhe të femrave, homoseksualizmin, baret dhe Halloween-i…….përmes të cilave definohet ai Islami tjetër, “i keqi” , “para-modern-i” , “arkaiku”…. Ky Islami “i mirë” ia do të mirën shqiptarëve, e ai “i keqi” çon ujë vetëm në mulli të Serbisë.

Kjo tendencë për të favorizuar nga lart ekskluzivisht njëlloj interpretimi fetar karshi të tjerëve mbase është shpërfaqje e një skizofrenie komplekse, ku “muslimani kulturor”, në mënyrë që të shfaqë Islamin e tij si më të mirë e me të denjë, dhe ndoshta edhe nga dëshira për të justifikuar mungesën teologjike në të, krijon “Tjetrin” e tij, i cili është ai që nuk futet domosdoshmërisht në kornizat e atij “islamit minimal” të Baton Haxhiut dhe e vë këtë Tjetrin e tij përballë si “të rrezikshëm”, si “Islam i keq”! Dualizimi nga lartë i një “Islami të butë” vs “Islamit të keq” imagjinar, është vetëm një parathënie e ankthit që ka “muslimani i butë” se mos, pa tiparet me të cilat ai vet-përkufizohet, do të trajtohet si i “padenjë për të qenë evropian i vërtetë e i mirë”!

Ky është diskurs i përhapur nëpër Op-Ed-et e gazetarisë, por bëhet shumë më problematik kur kjo ndarje të bëhet nga Shteti, mishërim i të cilit tani është funksionari i ekzekutivit. Në fjalët e studiuesit frëng Olivier Roy, ky favorizim shprehimor i një botëkuptimi ndaj një tjetri nga Shteti, është shkelje flagrante e sekularizmit të Shtetit, ngase duke bërë këtë, ky i fundit i rreket zgjedhjes mes interpretimeve fetare, gjë të cilën nuk ia lejon principi i sekularizmit në parim.

Shtetit nuk i takon, thotë Roy, që të merret me dogmat dhe me çështjet e qiellit. Kjo është e ndaluar për Shtetin dhe konsiston në shkelje të parimit të laicitetit, ndërhyrje e shtetit në favorizimin e interpretimeve teologjike. Ajo te cilën Shteti duhet të sforcojë është principi i tolerancës, që është rregulla e lojës që mundëson raportet midis botëkuptimeve të ndryshme fetare dhe jo-fetare. Petriti është ngutur. Nuk i di motivet e tij, por mund të shohim reflektimin e diskursit të tij. Ky diskurs është i dëmshëm ngase merr formën laiciste (jo laike) të shpërdorimit ideologjik të një nocioni dhe të diferencimit arbitrar mes interpretimeve fetare nga ana e Shtetit. Kjo e bën Petritin një rrezik për sekularizmin e në Kosovë.

 

*Nuk është hiç e rastësishme prirja e qeveritarëve që t’u rreken temave mbi fenë kur gjenden para problemeve për të cilat dridhen nga poshtë, siç janë duke u dridhur tani nga qytetarët e Kosovës në protestat e njëpasnjëshme, të drejta  dhe të ndershme të tyre!

Comments

  • Me nenin famekeq per agjitacion e propagande 55 denoheshin njerezit e thjeshte, hoxhallaret e prifterinjte, me nenin 55 duan te kushtezojne lirite fetare, cfare konjukture fatkeqe????….

  • Nji shkrim i perpilum me matuni dhe replikë qe i vë ne siklet çiftat e Petrit Selimit. Arber,Allahu te shperblefte!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *