Çështje misionarësh





Elton Hatibi

Nga më interesantët, e quan presidenti Nishani në deklaratën e tij festive, marrëdhënien ndërmjet Bektashizmit dhe shqiptarëve, duke ndryshuar më pas regjistër për ta konsideruar këtë marrëdhënie si “të bukur”, dhe së fundmi “magjepsëse”. Kategoritë përcaktuese, që përzgjidhen dhe vendosen ndërmjet dy subjekteve të dhëna, përshkallëzohen radikalisht brenda së njëjtës fjali, për tu hedhur hap pas hapi, nga një raport vlerësimi dhe njohjeje, drejt fushës së estetikës, e për të kulmuar në kufinjtë e metafizikës. Bektashizmi dhe shqiptarët serviren si entitete të pandryshueshme, të dhëna njëherë e mirë në rafshin ontologjik, duke i kthyer shpinën abuzivisht faktit se nga njëra anë kemi të bëjme me një praktikë religjioze, të mbruajtur gjatë historisë, dhe nga ana tjetër me një popull i cili natyrshëm pëson ndryshime të vazhdueshme në identitetin e tij kulturor. Vizatuar nxitimthi, raporti i tillë përngjet pafajshëm me rrëfimet e trilluara të eksploruesve të ngazëllyer, ku tribuve primitive për rite dhe sjellje të caktuara, iu mvishen rëndom kategori interpretimi në përputhje me modelet botëkuptimore moderne. Por ndërkaq, duke implikuar “magjepsjen”, e cila natyrshëm nënkupton dehjen, pra ekstazën, raporti shndërrohet sakaq në preferencial, sa duke shkuar shumë larg, konkuron dukshëm dhe me modele të mirënjohura dhe ekskluzive si ai mes Zotit biblik dhe Izraelit. Magjepsja nuk lë vend për shpërfillje, mossoditja e saj shpie në sektarizëm, dhe është gati blasfemi të mos kesh ndjeshmërinë e duhur për të marrë pjesë në ritualin spektakolar që ngjiz dy entitetet e pagëzuara formalisht në panteonin shtetëror. Shpresoj që në përkufizimin gati mitik të kësaj lidhjeje, bashkësitë e tjera fetare të mos ndihen të diskriminuara në interpretimin presidencial. Magjepsja përfundimisht sjell veç dashuri.

Sipas presidentit, të gjitha këto dimensione në këtë marrëdhënie ndahen proporcionalisht mes shpirtërores, shoqërores dhe utilitares. Por si e shpjegon më pas teksti dobishmërinë që i ka mundësuar Bektashizmi shqiptarëve?

“Bektashizmi i ka shërbyer në shekuj shqiptarëve si çimento lidhëse për të bërë të mundur drejtpeshimin shpirtëror përbrenda vetes, sa edhe për të ruajtur ekuilibrat, me njëri-tjetrin si dhe mes Bektashizmit dhe besimeve të tjera.”

 Me një term teknik që implikon çimenton si material solid, nuk mund të mos shkojë menjëhere mendja tek parrulla e dikurshme e “unitetit të çeliktë” mes Partisë dhe popullit. Në fakt, mes dy përshkrimeve në fjalë, ai që rroket më lehtë është ky i dyti, i cili si pasojë e propagandës ritmike me arritjet e industrializimit, e kishte më të lehte të përcillte tek masat figurativisht ngjizjen e supozuar të fenomeneve politike si një proces të rëndomtë kimik. Metafora presidenciale me çimentosje është, në rastin më të mirë, e paqartë për të mos thënë që është kaotike, pasi ka një mospërputhshmëri ndërmjet përcaktimit të marrëdhënies së dhënë dhe funksionit që përftohet prej saj. Bektashizmi i paska shërbyer shqiptarëve si “lidhës drejtpeshimi shpirtëror”?! Pra, pasi llaçi ngrin, lidh dhe bën të palëvizshëm materialet përkatës, befas kthehet në diçka të lëvizshme, së cilës i ngarkohet për detyrë drejtpeshimi i po këtij materiali të përftuar, një lloj guri peshe inert dhe elastik?!

Në këtë metaforë presidenciale, përpjekja është maksimalisht e sforcuar, mundohet të identifikojë arbitrarisht një tension shpirtëror brenda shqiptarëve ku Bektashizmi mbërrin për të lidhur dhe pardoksalisht drejtpeshuar këtë tension të supozuar, sa në rrafshin shpirtëror aq dhe në përmasën e një dialogu të imagjinuar ndërfetar. Bektashizmi, i vetëm, është i aftë të kurojë anomalitë e shqiptarëve, ose të një pjese të tyre, dilemat dhe paqartësitë të cilat natyrshëm drobisin shoqërinë. Ai arrin t’i unifikojë, dhe çuditërisht t’i ekuilibrojë sa në rrafshin individual, aq edhe në bashkësinë e ngushtë, por sidomos në mjedisin shumëfetar në vend.

Përqafimi i Bektashizmi nga shqiptarët – vijon më tej Presidenti – nuk është çështje misionarësh të zot dhe endacakë, që fati i sjell diku, të nisur prej diku tjetër?! Pas kësaj deklarate që tenton të zgjidhë shumë paqartësi historike, Sari Salltiku, shenjtori legjendar bektashi i shekullit XIV, duhet të jetë rrotulluar në të pesë apo gjashtë varret e tij ballaknikë, nga Dobruxha e largët deri në Korfuz. Kështu suksesi fetar i supozur, kurrsesi nuk është rezultat i veprimtarisë misionare të dervishëve entuziastë, i tronditjeve dhe dilemave social-politike përgjatë historisë, si dhe i mrekullive të ndonjë shenjtori mistik. Veprimtaria njerëzore, fusha ku bashkërendohen të gjithë elementet që rrjedhimisht sjellin dhe përjetimet e ndryshueshme shpirtërore, përjashtohet apriori si kompromentuese e një simbioze me të epërme, më sublime. Gjithçka si fenomen shpjegohet me përputhshmërinë “mrekullibërëse” të cilësive të hamendësuara mes Bektashizmit dhe shqiptarëve të cilat janë “disiplina dhe toleranca, kryelartësia dhe përulja si dhe aftësia për të qenë njëkohësisht pjesë e diçkaje te madhe dhe diçkaje te mëvetëshme”.

Pra, Bektashizmi dhe Shqiptaria, edhe një herë të pandryshueshëm dhe të përjetshëm, në pritje të kohës së dhënë, vijnë dhe puqen si pjesë përmbushëse të një profetësie, diçkaje të madhe dhe të mëvetëshme. Melhemi mrekullibërës shkëmbehet natyrshëm mes enëve përkatëse komunikuese, për të mundësuar adaptimin përfundimtar të cilësive gjenetike “të mëvetëshmë” që bashkëndajnë subjektet, dhe për të përjetuar kështu diçka të “madhe”. Ndërkohë rrëfimet historike ku shqiptarët, madje dhe bektashinj, kanë dëshmuar të kundërtën e këtyre cilësive, kryeneçërisht nuk merren në konsideratë, duke theksuar dhe padijen e shkruesit të tekstit mbi Bektashizmin, i cili si çdo tarikat sufi nuk ka një doktrinë të kodifikuar, por frymë dhe eksperiencë njerëzore, aplikueshëria e të cilave në sferën e përjetimit shpirtëror parasëgjithash materializohet në përputhje me urtinë të liderëve fetarë.

Perfeksioni i kësaj përshtatshmërie historike, të mësimit bektashi me shqiptarët, konfirmohet edhe një herë si një rast i rrallë i cili vjen dhe përsoset e begatohet mes sakrificash të shumta dhe të mundimshme?! Aleanca është siguruar dhe bekuar nga historia, e cila dëshmon vazhdimisht këmbënguljen e përbashkët për të ecur drejt, mes sfidave dhe peripecive mundonjëse, por aspak dekurajuese. Fati i përbashkët, “magjepsës” dhe “mrekullibërës”, duhet dërguar medoemos përpara. Shndërrimi në njohës të eksperiencave unike ndërmjet popujve dhe kulturave, aq më shumë të religjioneve, autorit të tekstit i jep kredencialet e një historiani feje, i cili lëviz natyrshëm në hartën e fenomenologjisë së religjioneve, për të konfirmuar suksesin ose jo të realiteteve fetare në hapsira konkrete.

Është e pashpjegueshme kështu me sy të lirë përse ky tekst, kaq i koklavitur, nga kreu i shtetit me rastin e një feste fetare të radhës. Një mesazh formal urimi që përkujton publikun për një ngjarje religjioze në vend, kthehet befas në një karneval triumfant me lajlelule dhe tamtame, ku maksimat e tepërta i ekspozohen çdo rrebeshi kritik, zhvirgjërues të bojrave të saj festive. Në pak rrjeshta, duke neglizhuar dhe keqparaqitur një radhë fenomenesh, anashkalohet shumëçka që në dhjetra vite studiuesit seriozë nuk janë nxituar për t’i dhënë përgjigjje kategorike dhe përfundimtare. Këtu akademizmi i sforcuar, më tepër se përmbushës i një “rituali”, tashmë të kodifikuar nga krerët e shtetit kundrejt bashkësive fetare, duket si një përpjekje për të furnizuar publikun, sa me klishe të vjetra, edhe me një model të ri interpretativ nëpër të cilin duhet të kanalizohet diskursi publik në lidhje me praninë ë Islamit ndër shqiptarë. Ngjit ose jo, ky lloj komunikimi publik është bërë tashmë i shpeshtë dhe bajat, por mbi të gjitha shqetësues, pra shumëçka  të bën të mendosh që ky lloj ligjërimi që prek temat fetare në të tilla nivele, të mos jetë thjesht dhe vetëm çështje misionarësh.

Ndalohet publikimi i ketij artikulli pa leje paraprake te administratoreve.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *