Universalja e plagosur





indexSead Zimeri

Më 21 Mars të vitit 2013, në xhaminë ku ai ishte imam dhe ligjërues, në një atentat kundër njeriut të tij, u vra edhe dijetari e studiuesi i shquar sirian i shkencave Islame, Dr. Muhammed Said Ramada al-Buti (1929-2013). Përkundër që ishte në moshë të shtyrë, 84 vjeçare, ai ende ishte energjetik dhe prolifik, si në shkrime ashtu edhe në ligjërata. Për shumë vite me radhë Dr. Buti ishte profesor në univerzitetin e Damaskut, kishte ndjekës dhe nxënës të shumtë, mbase gëzonte edhe autoritet ndër mbarë muslimanët kudo që ndodheshin ata. Si udhëheqës fetar, ai kishte ndikim të madh në popullatën siriane dhe si rrjedhojë e kësaj respektohej edhe nga autoritetet e vendit. Ështe autorë i shumë veprave disa prej të cilave janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Vrasja e tij është një vepër dhune, padyshim fare e paarsyeshme, sidomos kur ajo vepër dhune, ndodhë brenda katër mureve të xhamisë, që do të duheshte të ishte vend tërësisht i mbrojtur prej veprimeve dhe vandalizmave të tillë. Vrasësit e Dr. Butit nuk janë dhe nuk mund të jenë revolucionarë që udhëhiqen nga ideale të larta dhe që kanë për qëllim transformimin shoqërorë prej diktaturës në një shoqëri të hapur dhe demokratike, por njerëz shpirtëngushtë që kërkonin hakmarrje për mbështetjen e tij të pakushtëzuar të pushtetit të Sirisë. Protestat paqësore që filluan në pranverë të vitit 2011 kanë lënë shumë dëshmorë dhe të vrarë nga të dyja palët. Askush nuk është i pafajshëm, do të kisha thënë. Ndërkaq, e vërteta është se shumë nga protestuesit dhe revolucionarët, duke përfshirë këtu edhe familjet, simpatizuesit dhe përkrahësit e tyre, si dhe çdokush që morri qëndrim pozitiv ndaj tyre, janë vrarë dhe masakruar, prej këtij pushteti. Faji, prandaj, nuk mund të ndahet njëjtë mes këtyre dy palëve. Njëri është agresor, sulmues që ka dhe papandehur vë në përdorim armë të sofistikuara, kurse tjetri qëndron gati lakuriq para këtij brutaliteti. Në këtë betejë, Dr. Buti mbështeti vrasësin kundër viktimës! Me mbështetjen e tij, ai ligjësoi dhunën e pushtetit kundër kryengritësve. Dr. Buti shkoi aq larg në mbështetjen e këtij pushtetit saqë i quajti revolucionarët “llum”. Ata që kërkonin të jetonin në liri dhe t’u respektoheshin të drejtat elementare të tyre, ata që në këtë kthesë të rëndësishme historike mishëronin idealet dhe aspiratat e lirisë dhe barazisë, Dr. Buti i konsideroi kriminelë që duhej të shtypen dhe rreziku i tyre të asgjësohej. Jo që pushteti i Sirisë kërkonte leje prej Dr. Butit për shtypjen e revolucionit, por ky qëndrim i tij e bën atë ideolog të këtij pushteti.

Nëse Dr. Buti, zëri i ndërgjegjes Islame, thotë se revolucionarët janë llum i shoqërisë, atëherë pushtetit i jepet liri e veprimit të pakufijshëm. Mbështetjen që ai i dha pushtetit të Sirisë e arsyetoi pikërisht me leximin e tij metodologjik të Islamit se kryengritja kundër udhëheqësit sovran musliman nuk është e lejuar pa marrë parasysh sa të rënda janë mëkatet dhe krimet e tij dhe se xhihadi duhet të bëhet me pushtetin dhe jo kundër tij. Muslimanët duhet të pranojnë në heshtje dhe me durim të plotë kamxhikun e udhëheqësit, sepse përndryshe shoqëria futet në gjendje të fitnes (një gjendje Hobbesiane e pa ligjësisë), një rrezik shumë më i madh se diktatura dhe tirania.

Nuk është e pëlqyeshme t’i kritikosh njerëzit që sapo kanë vdekur; sidomos nëse i ndjeri ka qenë dijetar i respektuar nga shoqëritë muslimane. E aq më tepër, kur i ndjeri është vrarë për shkak të bindjeve dhe besimit të tij. Askush nuk duhet të vritet apo persekutohet për bindjet e tija, qoftë edhe në kohëra të turbullta të rebelimeve dhe kryengritjeve popullore. As Dr. Buti nuk e ka merituar një vdekje të tillë. Megjithatë, vendimi i tij për të mbështetur pushtetetin policorë të Sirisë duhet të diskutohet dhe të debatohet gjërë e gjatë për të parë se si arriti të marrë këtë vendim dhe si e arsyetoi atë. Nuk do të diskutoj veprën e tij shkencore këtu! Sigurisht që vepra e tij jo politike do të mbetet deri diku e pavarur prej politikës së tij. Them deri diku sepse tek njeriu si tërësi qenësore, dhe përderisa nuk është tërësisht skizofrenike, veprimet dhe qëndrimet politike nuk mund të ndahen prej punës dhe veprimtarive tjera. Qëndrimet politike të Dr. Butit janë të kushtëzuara prej veprës së tij “shkencore”. Thënë më saktë, vepra e tij politike nuk ndahet, nuk është tërësisht e pavarur, prej veprës së tij “shkencore” dhe metodologjike. Në librat si dhe në ligjëratat e tij, sidomos ato që ai i mbajti pas fillimit të kryengritjes, del dukshëm në pah se qëndrimi politik i tij është qëndrim që buron prej punës së tij “shkencore”. Është qëndrim që ai ka arritur si rezultat i punës dhe bindjes si dhe besnikërisë ndaj rezultateve prej asaj pune dhe rrjedhimisht i qasjes specifike që metodologjija e tij parashtron. Dr. Buti i përket një tradite në Islam që mëson se rebelimi kundër udhëheqesit sovran musliman është i ndaluar, pa marrë parasysh zullumin që ai shkakton. Vetëm kur udhëheqësi deklarohet haptazi se ai ka dalë prej Islamit, vetëm atëherë rebelimi kundër tij është i lejuar. Kjo traditë e “quietizmit” politik ka shërbyer interesat e udhëheqësve të dinastive muslimane, prandaj edhe ishtë bërë ideologji hegjemonike. Për Dr. Butin, ky është qëndrimi i Islamit ndaj kryengritjes. (Mund të diskutohet nësë Dr. Buti ka pasë të drejtë kur ai rënditi kryengritësit nën konceptin e rebelimit/banditërisë, mos ndoshta ai ka bërë gabim metodologjik që nuk mund të arsyetohet as brenda metodologjisë së tij, por kjo është çështje që nuk do të zhvillohet këtu).

Qëndrimi që Dr. Buti morri ndaj kryengritësve të Sirisë, ka njollosur veprimtarinë e tij intelektuale dhe ka hedhur dyshime mbi aftësitë e tij të gjykimit mendor pëgjithmonë. Problemi me këtë qëndrim, megjithatë, nuk është problem i gjykimit mendor, por problem strukturor i metodologjisë së tij, i fetishizimit të metodologjisë së tij, pasi që ai nuk qe në gjendje të bëjë një dallim sa elementar, po aq edhe të domosdoshëm mes historicitetit të diskursit të ligjeve të sheriatit, që detyrimisht marrin në konsideratë kohën dhe rrethanave ku ato zhvillohen, si dhe parimeve abstrakte që mishërohen në këto diskurse. Kjo përzierje e një formimi historik me atë që është jo historike, e absolutes me relativen dhe e universales me partikularen, ka bërë që një numër i madh i dijetarëve musliman të kundërshtojnë çdo ripërtrirje që del jashtë metodologjisë së tyre, të shikohet me dyshim apo edhe të diskualifikohet para se edhe të kuptohet mirë. Dëshmi për këtë është edhe reformatori konservatorë Tarik Ramadan kur flet diku për përvojën e tij me ulematë tradicional dhe vështirësitë që ai has në komunikimin e idesë së një metodologjije më fleksibile dhe më të hapur ndaj parimeve universale. Tani, të gjithë ata që e njohin sado pak punën e Tarik Ramadanit nuk do të mund të pohonin se ai është një nga ata reformistët qëllimi i të cilëve është ta “shkatërrojnë” Islamin prej brenda.

Puna dhe veprimtaria e Dr. Butit ka qenë dhe mbetet e zhytur në një metodologji që përkundër shtjellimit të hollësishëm të çdo pikëpamje të mundshme rreth jetës, të parashtrimit ligjor apo ligjësimit të çdo sfere të jetës, mbetet e verbër ndaj aspektit qëndrorë të dallimit  minimal mes qëllimit, universales dhe partikulares, formës në të cilën universalja qëndron e brumosur. Metodologjija e tij, me një fjalë, mbetet metodologji mesjetare. Si metodologji mesjetare që përdoret në kontekste moderne ajo nuk është e paanshme, sikur që dëshmon edhe rasti i Dr. Butit. Anësimi i saj është pjesë e domosdoshme e integrimit të saj në kontekstin bashkëkohorë, është po ashtu shprehja më e shquar e pamundësisë së mendimit bashkëkohorë musliman që t’i thyej barrierat e mesjetes. Kjo pamundësi natyrisht nuk është gjë e rastit. Kultura dhe politika ku Islami bashkëkohorë ka ndërvepruar është despotike dhe tiranizuese që rrallë herë toleron mendimet e kundërta sidomos kur këto mendime bien ndesh me interesat e familjeve sunduese si dhe elitës politike dhe religjioze të një vendi. Incidente të shumta dëshmojnë këtë. Kur studiuesi egjiptas Nasr Hamid Abu Zajd (1943-2010) në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar botoi një libër kritik rreth metodologjisë së leximit të Kur’anit, ai shpejt e shpejt u shpall renegat, u shkurorëzua pa pelqimin e tij apo të gruas së tij nga bashkëshortja e tij dhe u kërcënua me vdekje. Abu Zajd u detyrua të largohet prej Egjiptit dhe të kërkojë strehim në Holandë. Kjo mendësi, apo kjo martesë e pushtetit dhe diskursit fetarë nuk ka qenë e rastësishme. Një numër i madh i dijetarëve musliman, për të mos thënë shumica e tyre, kanë konsideruar se sa të konsolidohet një pushtet pa marrë parasysh se si është arritur ai konsolidim, muslimanët janë të obliguar t’i nënshtrohen atij. Është e qartë se vendimet e tilla janë vendime të motivuara politikisht që dikur i kanë shërbyer klasës sunduese, në një kohë kur puçet politike kanë qenë krejt të zakonshme, ku tradita demokratike e zgjedhjes së pushtetit as që ka qenë menduar. Pa marrë parasysh se a janë të drejta këto vendime kur vështrohen prej perspektivës së normativitetit moral, ato mund të arsyetohen në një formë negative: mungesa e mekanizmave tjerë të marrjes së pushtetit edhe pse nuk arsyeton normativisht qëndrime të këtilla kushtet historike apo mungesa e disa kushteve historike bëjnë të kuptueshme marrjen e vendimeve të tilla. Por kur këto vendime mbarten në kontekste me tradita politike tjera, me një ndjesi morale më të lartë dhe me institucione alternative që rregullojnë raportin mes qyetarëve dhe pushtetarëve, atëhere bëhet e qartë se arsyet që jipen për të arsyetur vendime të tilla nuk përmbushin kriteret e duhura që do t’i plotësonin kushtet e arsyes normative dhe ndjeshmërise morale si dhe rregullave etike universale.

Nuk ekziston periudhë historike që mund t’i mishërojë në tërësi idealet universale. Tërësi të tilla nuk janë tjetër përpos se fantazma të sunduesve dhe ideologëve të tyre. Kahja e njeriut për universalen mbetet e kushtëzuar prej rrethanave historike. Kushtëzimi historik është horizonti i mundësisë dhe njëkohësisht i pamundësisë së universales si të tillë. Kufijtë mes njërës dhe tjetrës janë fluide, ato duhet te ridefinohen vazhdimisht që të inkuadrojë të arriturat në mendim, kulturë dhe politikë. Lufta apo konflikti është mes këtyre dy fushave dhe konfliktet shoqërore janë po ashtu shprehje e kësaj disonance. Insistimi në partikularen, në formimin partikular të universales që detyrimisht bën njëjtësimin me universalen quhet osifikim (kockëzim) i traditës dhe mbyllje apo, më saktë, burgim i univerzales në një formacion të ngushtë dhe të ngurtë historik. Mbyllja e çarjes mes univerzales dhe partikulares, njëjtësimi i tyre, bën që univerzalja të mbyllet në një formë të kushtëzuar historike, dhe rrjedhimisht kur kushtet që kanë bërë të mundur këtë formë pushojnë së ekzistuari detyrimisht që edhe forma e tillë dëmtohet. Nëse kjo formë vazhdon të mbijetojë atëherë ajo mbijeton jo në saje të meritave të veta apo sepse është në gjendje të përmbushë kërkesat e kohës por se si e tillë ajo është në shërbim të ndonjë fuqie që ka interesa të mëdha ne mbrojtjen e saj. Problemi është se kjo mbrojtje e formës historike dëmton jo vetëm formën, që duhet të rrënohet, por dëmton edhe vetë universalen. Ne këtë rast mund të flitet për “plagosje të universales”.

Universalja plagoset kur ajo mohohet në emër të një formimi partikular historik që ka uzurpuar emrin e saj dhe imponon veten mbi periudha dhe kontekste tjera historike. Në përgjithësi, ekziston një konfuzion i madh rreth dialektikës së këtyre koncepteve. Partikularja, formimet partikulare, janë kusht i domosdoshëm i përmbajtjes së universales, por edhe i osikifikimit të saj, i varfërise së lirisë që posedon ajo. Universalja nuk mund të imponohet asnjëhërë mbi asnjë traditë. Kjo pamundësi është ontologjike, jo thjeshtë historike. Çdo imponim i saj që bëhet përmes dhunës është dëshmi se universalja tani më vetëm është e plagosur, dhe se kemi lënë terrenin e saj dhe jemi bërë pjesë e ndonjë formacioni partikular politik. Universalja nuk është shtypëse, me përjashtim kur ajo nuk është universale, kur ka marrë formë të vëcantë historike dhe si e tillë i refuzohet aspirata për të dalë prej saj. Në këtë kontekst imponimi i një tradite mbi një traditë tjetër qoftë edhe në të njëjtin kontinuitet historik është imponim i një partikulariteti mbi një partikularitet tjetër. Prandaj edhe dallimi mes univerzales dhe partikulares është me rëndësi të madhe. Një dallim i këtillë, jo vetëm që do të hapte shumë shtigje për diversifikimin e mendimit dhe pluralitetin e traditave Islame ajo gjithashtu do të bënte të dyshimtë çdo insistim në një traditë të veçantë metodologjike si rruga e vetme për të kuptuar drejtë Islamin. Universalja për nga vetë natyra është plurale.

Ky rrugëtim historik është i domosdoshëm, për mos të mos thënë kyç, për të pahtësuar për raportin e Islamit dhe politikës siç paraqitet në veprimtarinë e Dr. Butit. Ai raport nuk është krejt i rastësishëm, por në masë të madhe përcaktohet prej të kuptuarit apo të moskuptuarit e tij të dialektikes së këtyre kategorive. Dr. Buti ishte i sinqerte në qëndrimin dhe vendimin e tij për të përkrahur pushtetin tiran të Asadit. Këtu edhe fshihet rreziku që përkrahja e tij ka paraqitur: përkrahjes së tij ai i jep jo vetëm ngjyrime të lehta Islame, por e bën atë pjesë të pandashme të Islamit prej të cilës muslimanët nuk duhet të devijojnë. Po të ishte një përkrahje taktike dhe oportuniste e bërë prej frikës atëherë ajo nuk do të prezentonte kurrfarë rreziku të tillë. Por sespse është përkrahje e sinqertë, përkrahje që buron prej thellësive të veprës dhe metodologjisë së tij ajo është e rrezikshme.

Duhet theksuar, pra, se në këtë konflikt, Dr. Buti morri anën e partikulares, të mbrojtjes së një tradite të ngurtë, që rrjedhimisht është edhe reakcionare, kurse kryengritësit jo që nuk janë llum i shoqërisë por janë zëri dhe psherëtima e universales që kërkon të lirohet nga trysnitë e padrejtësive në të cilat është mbështjellur dhe ngulfatur zëri i saj. Në botën Arabe universalja është në marshim dhe kërkim të një forme të re që do ta pushojë nga puna një pjesë të rëndësishme të Islamit të Dr. Butit. Prandaj edhe kryengritësit janë më afër idealeve të Islamit se zërat që mbrojnë traditën. Ata nuk kanë harruar se edhe vetë i Dërguari ishte një lloj “rebeli” kundër tiranisë dhe kundërshtarë i rendit ekzistues të atëhershëm.

Kjo mani pas partikulares bëri që Dr. Buti të humb shikimin dhe rrugën dhe të përfundojë në  shtrat me tiranin. Për këtë ai duhet të mbahet përgjegjës. Dr. Buti respektohej në Siri nga populli që është ngritur kundër dhunës dhe tiranisë dhe sigurisht që mbështetja e tij do t’i jipte një kurajo të veçantë morale e revolucionit dhe revolucionarëve. Por ai nuk respektoi vullnetin e popullit të tij. Ai, përkundrazi, i dha kurajo dhe legjitimitet fetar një sistemi despotik dhe totalitarë që vret femijë dhe pleq, që përdhunon gra dhe torturon të burgosur. Ky pushtet vrasës nuk mund të arsyetohet dhe nëse një arsyetim i tillë mbështetet në një metodologji si kjo e Dr. Butit, atëherë ka ardhur koha që kjo metodologji të rishikohet dhe pjesërisht apo plotësisht të ndryshohet dhe të aktualizohet në formën që respekton dhe merr në konsideratë horizontin e të arriturave të modernitetit në fusha të politikës dhe të drejtave të njeriut.

Ndalohet ribotimi  pa leje paraprake të autorit apo administratorëve të e-zani.com.

 

 

Comments

  • “Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin
    duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.”
    Kuran Sura Al Ahzab.

    “Nuk ka grup qe mblidhet ne nje prej shtepive te Allahut xh.xh.h. duke recituar Librin e Allahut te Lartesuar
    dhe duke e studjuar mes njeri tjetrit, qe nuk zbret qetesia mes tyre, meshira i mbulon, Engjejt i rrethojne,
    dhe Allahu i Lartesuar i permend nder ata qe jane me Te.”
    Hadith.

    Mesues Muḥammed Said Ramaḍan Al-Buṭi, Allahu i Lartesuar e Meshirofte, po jepte mesim tefsiri me studentet e tij, mes luftes civile ne Siri ku te tjere kishin frike te dilnin prej shtepie, Sheikh Al Buti rh.a.a. refuzoji te ndalonte mesimet dhe vendosi te zhvendosej ne Xhamine Iman te Damaskut, ku dhe ra Shehid se bashku me studentet e tij, Allahu i Lartesuar i Meshirofte.

    Si besimtare nuk na intereson kush i keq prej te keqinjve vuri bomben, per ne e rendesishme eshte qe Allahu i Madhnueshem e ngriti ne pozite Sheikh Al Butin dhe te tjere me te, si Shehide.

    Per ne e mjaftueshme eshte si pergjigjie kunder atyre qe e quajten Sheikh Al Butin, plak, i humbur etj fjale qe nuk jane te denja per myslymanin, e aq me teper per titujt qe mbajne si ulema e “reformatore”, dhe nuk ka pergjigjie me te mire kur e jep vete Zoti i Boteve.
    I Mjaftueshem eshte Allahu.

    Cilido qofte plani i atyre qe vune bomben, cfaredo qofshin shkaqet, cfaredo qofshin prapaskenat e tyre, nuk pershpejtuan, as hoqen e as moren nga cfare Allahu i Lartesuar kishte shkruajtur per Sheikun e mire dhe ata me te.

    Allahu xh.xh.h vetem se beri doren e tyre te ulet shkak, dhe vepren e tyre deshmitare te se keqes qe mbartin.

    Mendimi i Sheikh Al Butit rh.a mbi cfare po ndodh ne Siri nuk vjen as nga dashuria per Asadin dhe familjen e tij e as nga urrejtja per ata te anes tjeter, por nga mbajtja forte ne Kuran e Hadith. Kryengritja ne Islam nuk
    lejohet, kete e verteton dhe Tradita e Profetit a.s. dhe ajo e Sahabeve r.a.a dhe Ijma e Ulemave te meparshem. E tille vertetohet dhe historikisht kurdo kur Umeti i Profetit a.s. ka rene ne dore te udheheqesve te keqij.
    Nje sy botes arabe “pas pranverore” dhe vertetohet dicka e tille shume kollaj per ata qe nuk e kane trurin te perlyer ne ideologjira e gjepura sistemesh politike, dhe servilizem i papershtatshem per myslymanin.

    Kryengritja nuk lejohet sepse myslymani ka per detyre mos te bej zullum, e te sjelle fitne ne popull, te behet shkak i shkaterrimit e rrenojes, i injorances dhe vuajtjes te te tjereve,
    pavarsisht mendimeve te tija, dhe pavarsisht pikepamjes dhe kembenguljes se tij qe ka te drejte.
    Nuk lejohet sepse besimtari beson ne Allah xh.xh.h dhe beson qe e begatia dhe fatkeqsia jane prej Allahut xh.xh.h ashtu sic do gje, beson ne Kada dhe Kader, eshte koshjent se asgje nuk ndodh pa Allahun e Madhnueshem,
    as e tashmja e hidhur dhe as e ardhmja e fshehur per ne, dhe asgje sado e imte apo e madhe.

    Nuk behet arrogant dhe fodull as ne veper e as ne mendim. Beson ne shenjterine dhe hynoren e Kuranit te Urte dhe Profetit a.s.
    kur na rekomandohet dicka ne e zbatojme le te jete ne mosperputhje me pelqimet tona. Beson qe Allahu i Lartesuar e Meshiron nje popull kur ai ndryshon veten e tij, pra kur i kthehet Allahut ne pendim dhe kerkon vetem Kenaqsine e Tij, ndryshon sjelljen e tij, dhe prek ata perreth me
    miresi dhe taqwa, vetem atehete Allahu i Madhnueshem ndryshon gjendjen e atij populli, dhe ben qe udheheqsit e keqij te shuhen e harrohen, dhe i zevendeson ata me te mire qe i binden Allahut te Madhnueshem
    dhe Profetit a.s., dhe jane sherbetore te popujve te vete.

    “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty
    për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt
    dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”
    Kuran Sura Nisa.

    “Fitna eshte ne gjum. Allahu mallkon ate qe ngjall fitne ”

    Apo hadithi i Hudhayfas r.a. …..Mbahu pas xhematit.
    Po nuk pati xhemat dhe shtet myslyman, rri i vetem ne nje qoshe, mos sho afer tyre. Jeto i vetem deri ne vdekje.

    apo hadithin Binduni dhe Degjoni.
    angazhohuni ne adhurim e mos shkaktoni fitna, dhe gjethe te keni te hani e te jetoni neper pye rrini aty dhe
    mos u beni pjese e fitnas.

    e sa e sa te tjere qe ulemate e hadithit dhe te ligjit i kane sqaruar me mire, lidhur me pa lejushmerine e kryengritjes ne Islam.

    Rroli i myslymanit ne kohe te tilla e nen diktature por dhe ne politke nuk do te thote qe eshte pasive. Ai nuk aprovon diktaturen por dhe nuk e lufton me kryengritje. Nuk nguron te ndihmoj shtetin dhe shoqerine ne cka eshte e mire dhe e dobishme per te gjithe, por nuk i lejohet te ndihmoje ne cka eshte e lige dhe e keqe. I bindet ligjit derisa ligji nuk eshte ne kundershtim me urdherin e Allahut xh.xh.h. I shmanget zullumit dhe fitnes.
    Ndihmon te tjere, dhe therret ne Rrugen e Zotit ata ende jo te nderuar me Islam, qofshin pushtetare apo te njerez te thjeshte.
    Udhezon ne te mire e ndalon te keqen, kete e ben ne formen me te mire. Ben durim dhe nuk harron virtytin dhe moralin e larte te besimtarit. Nqs nuk duron dote shtypjen emigron ne token e Allahut te Madhnueshem.
    Deri ketu eshte rroli yne si besimtar.

    Per autorin me sa duket si reformator te Islamit fe te cilen Allahu xh.xh.h e deklaron te “Perfeksjonuar” ne Kuran, keto hadithe perbejne prapambetje, dhe jane vegel me te cilat mbahet pushteti nga diktatore.
    Mendon se kryengritja dhe rrevolucjonet sjellin ndryshim e asgje tjeter nuk e ndryshon situaten ne popuj. Pavarsisht se arabet dhe bota ne gjithesi kane rrevolucjone perhere, dhe asnjehere nuk eshte provuar dobia e tyre, kurse zullumi eshte mese i evidentuar. Jo me larg se 1950-60at bota arabe gjindej ne te njejten situate si sote, atehere ishin te bindur se
    Nacjonalizma dhe Komunizmi pan-arab ishte gjeja me e mire. Rrevolucjonet e asaj kohe dhe pucet e shtetit sollen ne krye partite Baath te sotme qe nga Sadami e deri tek Asadi. Natyrisht autori eshte i bindur se kesaj rradhe eshte ndryshe, sepse njerezit duan te sjellin Demokracine, dhe Demokracia eshte me e mire se Komunizmi. Dhe per kete si argument sjell mendimin e tij mbi demokracine.

    Aq larg shkojne saqe e bejne luften per Demokraci dhe kunder Asadit Fi Sebili Lah. Ne kete lufte “te shenjte” aleatet e muxhahidineve jane Amerika Arabia Saudite Katari, dhe Evropa.
    Me miq te tille kush ka nevoje per armiq i thone. E pame sa mire doli kur na ndihmuan ne Afganistan.
    Ndihma e Allahut xh.xh.h mer me shume kuptim simbolik per reformatoret e Islamit, ne krahasim me ndihmen e Amerikes. Allahu na Falte.

    Shaikh Al Buti rh.a. ju permbajt Kuranit dhe Tradites, per udhezim, ne te nuk keroji pelqimin e askujt, vec Allahut xh.xh.h, dhe Allahu xh.xh.h e lartesoji mbij te tjere dhe e nderoji. Kerkoji te ndalonte gjakun e qindra mijrave, shkaterrimin total te Shamit te Bekuar, keroji te ndalonte fitnen e zullumin qe sote e shohim qarte. Perdori Kuranin dhe Traditen per kete. Ata qe e njohin ose e kane takuar te pakten njehere e dine mire diturine qe i fali Allahu xh.xh.h., moralin urtesine, dhe modestine ne kulm, te tij. Kishte kurojon te fliste te drejten kur e dinte se do te kundershtohej. Preferoji fjalen e Allahut, dhe vetmine se sa pelqimin e njerezve dhe fitnen.

    “Kush kerkon Kenaqsine e Allahut te Lartesuar, kunder pakenaqesise se njerezve, do te fitoj Kenaqsine e Allahut xh.xh.h dhe Ai do te bej dhe njerezit te jene te kenaqur me te. ”

    “Kujdesuni per njeri tjetrin. Tashme ndjej Aromen e Parajses” (Sheikh Al Buti rh.a.)

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *