indexEnis Sulstarova                                                  

Sërish debat për nacionalizmin

Ende pa u fashitur atmosfera festive e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së kombit shqiptar, në Shqipëri rifilluan sulmet mediatike për të denigruar nacionalizmin shqiptar. Shkak për këtë bateri epitetesh janë bërë disa deklarata të kohëve të fundit kryeministrit Berisha për çështjen kombëtare, dhënien e shtetësisë shqiptarëve të diasporës, rezolutën për Çamërinë që ka paraqitur në Kuvend Partia për Drejtësi, Integrim e Unitet. Menjëherë opozita e një sërë opinionistësh pranë saj, e kanë akuzuar kryeministrin se po luan rrezikshëm kartën e nacionalizmit për fushatë zgjedhore dhe për të mbuluar dështimet e qeverisjes, se po na armiqëson me fqinjët, se po destabilizon rajonin, se po na largon nga Evropa etj. Spikatën me të tilla deklarata e akuza  Servet Pëllumbi, Artan Lame, Ditmir Bushati, Ilir Gjoni, Besnik Mustafaj, Fatos Baxhaku, Pëllumb Xhufi, madje edhe Bilbil Biberaj e Kreshnik Spahiu si përfaqësues të dy partive të reja politike të rreshtuara në opozitë. Me përjashtim të Pandeli Majkos, i cili e pohoi se çështja kombëtare shqiptare është e hapur dhe është një çështje evropiane, të tjerët u morën me personin e kryeministrit dhe nuk u ndalën të shpjegonin se përse nacionalizmi e furnizon me vota Berishën, përse Berisha mbetet politikani më popullor dhe më përfaqësues në trevat shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë, përse dëshirohet nënshtetësia e Shqipërisë, pse mbetet e pazgjidhur çështja çame dhe të përgjigjeshin më tutje se si do t’i adresojnë ata vetë këto probleme nëse i fitojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Opozita në Shqipëri ka të drejtë kur vë në dukje se shumë premtime për afrimin institucional me Kosovën që janë bërë nga qeveria në tetë vitet e fundit nuk janë realizuar dhe me gjasë edhe premtimet e fundit Berisha vështirë se do t’i realizojë. Eshtë e vërtetë vërejtja se Berisha e përdor nacionalizmin si kalë beteje sa herë i duhet dhe se i zbret sa herë që gjykon se i prish punë. Edhe ata që duan ta portretizojnë Berishën pozitivisht si nacionalist, duhet ta pranojnë se ai ka qenë dhe është “nacionalist i vonuar”, siç e tipizon saktë Abdi Baleta te numri i kaluar i “Shenjës”. Arsyeja është se ai nuk qenë asnjëherë në rolin e pararojës në ato fitore që ka arritur më shumë mundime nacionalizmi shqiptar pas vitit 1990, por është përpjekur të bëjë kapital me to, qoftë edhe për të maskuar marrëveshje të dyshimta e kundërkombëtare me fqinjët, siç ishte ajo për kufirin detar me Greqinë, që u anulua nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, Partia Socialiste, si forcë politike që aspiron qeverisjen e shtetit, duhet të dëshmojë programin e saj për afrimin institucional me Republikën e Kosovës dhe të shpallë njëherë e mirë qëndrimin e saj nëse është apo jo me projektin e bashkimit, edhe për arsyen sepse koha kur ajo ka qeverisur Shqipërisë, lista e marrëvëshjeve dhe vendimeve kundër interesave kombëtare ka qenë po aq e gjatë. Nuk ngjall aspak besim te qytetarët e Shqipërisë që e duan bashkimin kombëtar një PS që nuk bën asgjë në këtë drejtim, por vetëm anatemon Berishën sa herë që ky përmend nacionalizmin. Madje shqiptarët që e duan bashkimin kombëtar ndjehen të fyer sa herë që politikanët (përfshirë Berishën) i janë përveshur nacionalizmit shqiptar sikur ky të ishte djalli. Prandaj, ata nuk mund të mos i japin të drejtë Berishës kur ky deklaron se “do të ishte e pafalshme që për shkak të barbarive të nacionalizmave të tjerë, të vendosim në të njëjtin shtrat nacionalizmin shqiptar, që nuk bazohet mbi urrejtjen dhe shfarosjen”. Nacionalizmi shqiptare është më shumë instiktiv e mbrojtës në ato rajone ku shqiptarët sulmohen prej sulmeve shtetërore të kombeve fqinjë (Luginë e Preshevës, komuniteti i mërguar çam, shqiptarët në pjesën veriore të Mitrovicës, Shkupi perëndimor e Kumanova, Malësia e Malit të Zi, Plava e Gucia) edhe nuk bëhet fjalë që të jetë i organizuar në të gjithë trevën etnike shqiptare për të arritur bashkimin. Edhe në këtë gjendje ku ndodhet nacionalizmi ynë, ka disa shqiptarë që nuk e duan aspak dhe që parapëlqejnë që trupi i kombit shqiptar të mpihet plotësisht e të mos reagojë aspak ndaj ngacmimeve që i bëhen.

Aktualiteti i nacionalizmit

Edhe pse dikujt fjala “nacionalizëm” mund t’ia vrasë veshin, sot nacionalizmi është i rrënjosur në institucionet politike dhe në praktikat shoqërore kudo në botë. Nacionalizmi përdoret rëndom si akuzë, por askush nuk heq dorë nga kombi i vet. Eshtë hileqare nga ana e qeverisë greke kur e akuzon Shqipërinë për rritje të frymës nacionaliste, kur edhe në situatën e rëndë socio-ekonomike ku ndodhet dhe në nevojë të madhe për mëshirën e BE-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë, kërkon akoma stë greqizojë shqiptarët ortodoksë, nuk pranon të njohë çështjen çame, nuk pranon ekzistencën e pakicave etnike në Greqi, bllokon prej kaq vitesh IRJM-në vetëm për shkakn e emrit të shtetit, lejon horrat fashistë të Agimit të Artë të keqtrajtojnë jogrekët që banojnë e punojnë në Greqi etj. Edhe pa e marrë shembull Greqinë në këtë aspekt, është e qartë se kombet në Evropë janë funksionalë dhe se identiteti kombëtar vazhdon të ofrojë përgjigje për fatin vetjak dhe kolektiv të njerëzve. Për më tepër, ai që studiuesi Majkëll Billig e quan “nacionalizmi i rëndomtë”, është i gjallë në jetën e përditshme në shumë trajta, si p.sh. valëvitja e vetvetishme e flamujve, sikurse ndodhi te shqiptarët gjatë festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë. Këto trajta të nacionalizmit “popullor” shkojnë shumë mirë me kulturën masive e konsumeriste dhe, për pasojë, nuk kanë përherë nevojë t’i referohen apo të shoqërohen nga një ideologji e shtjelluar kombëtare.

Janë pikërisht dinamikat e globalizimit ekonomik ato që e riprodhojnë nacionalizmin, sepse ky është ligjërimi modern i identitetit dhe integrimit, përballë pasigurive dhe çarjeve që shkakton konkurrenca dhe krizat financiare. Historikisht, përpjekjet popullore kanë kërkuar më shumë drejtësi dhe përfshirje në strukturat ekonomike dhe politike, kanë kërkuar integrim dhe shanse të barabarta në institucionet moderne dhe forca e nacionalizmi gjendet pikërisht te kërkesa “nga poshtë” për drejtësi. Ata që e shohin nacionalizmin vetëm si manipulim nga elita, apo si besnikëri e verbër ndaj origjinës, harrojnë të shohin se ai është edhe bartësi i solidariteti dhe baza nga ngrihen kërkesat për drejtësi shoqërore e zhvillim. Suksesi i nacionalizmit qëndron në lidhjen e tij me idetë e demokracisë, barazisë dhe vetëvendosjes.

Nacionalizmi është dhe do të jetë i pranishëm në shoqërinë shqiptare. Frika se ai mund të destabilizojë situatën në Ballkanin jugor nuk do të thotë se ai nuk është funksional për legjitimitetin e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, për orientimin e politikave dypalëshe mes këtyre shteteve, apo që nuk është funksional për shqiptarët në shtetet e tjerë për të kërkuar të drejtat e tyre kolektive dhe kombëtare në kuadër të modernizimit dhe zhvillimit të mëtejshëm. Stabiliteti në Ballkan nuk mund të mbahet gjatë duke e shtypur nacionalizmin shqiptar dhe duke mbështetur nacionalizmat e kombeve fqinjë me të, por duke marrë në konsideratë faktin se ekziston çështja e kombit shqiptar të ndarë në disa shtete, sepse në fund të fundit nuk mund të pritet nga një komb që të mohojë ekzistencën dhe dinjitetin e tij.

Për ne shqiptarët nuk shtrohet çështja nëse duhet të jemi ose jo nacionalistë, por se si ta kapërcejmë fazën e nacionalizmit reagues për të kaluar te nacionalizmi projektues. Për ta bërë këtë na duhet të kthehemi te Rilindja Kombëtare. Komb do të thotë vullnet politik i përbashkët dhe është Rilindja Kombëtare që e ka krijuar këtë vullnet te shqiptarët. Rrjedhimisht, kthim te Rilindja nuk do të thotë një kthim nostalgjik te një e shkuar idilike e te mitet e krijuara prej saj, por një kthim te burimi për t’u frymëzuar për krijimin e sintezave të reja të mendimit që do të udhëheqin shqiptarët sot dhe në të ardhmen. Nëse institucioni që kërkonte të themelonte Rilindja ishte krijimi i një shteti autonom, sot neve na duhet të shpikim mënyra se si ta bëjmë të funksionojë vullneti i përbashkët i kombit shqiptar në një larmi institucionesh: Republika e Shqipërisë si shtet i pavarur, por që praktikisht ka hequr dorë nga detyra e “shtetit amë” kundrejt pjesëve të kombit jashtë kufijve të vet; Republika e Kosovës, në teori një shtet i dytë shqiptar, por që realisht nuk ka kontroll mbi të gjithë territorin e tij, një shtet i pavarur por me sovranitet të cunguar nga Pakoja e Ahtisarit dhe i cili po rrezikohet sërish me negociatat e paparimta me armikun serb; shqiptarët e Luginës së Preshevës nën trysninë shpërngulëse të strukturave të sigurisë të Serbisë; pjesët e kombit pa një kuadër mbrojtës institucional në Mal të Zi (Plava e Gucia) dhe partitë shqiptare të përçara në Ulqin; Shqipëria Lindore me një Marrëveshje të Ohrit të parealizuar dhe në vetvete të pamjaftueshme për të garantuar vetëvendosjen e shqiptarëve brenda Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (IRJM); shqiptarë të shpërngulur me dhunë nga Çamëria, të drejtat njerëzore dhe kombëtarëve të të cilëve mbeten të papërfaqësuar nga Republika e Shqipërisë; pakica shqiptare e panjohur dhe thuajse plotësisht e asimiluar në Greqi; diaspora e madhe shqiptare nëpër botë, e lidhur ngushtë me atdheun, por pa mjetet e duhura institucionale për t’u vetë-shprehur politikisht. Vetëvendosja është baza për lirinë individuale dhe atë kolektive dhe shqiptarët duhet të përpiqen ta arrijnë brenda institucioneve ku ata ndodhen, për t’i ndryshuar këto të fundit në funksion të zgjerimit të hapësirës së tyre të lirisë. Zgjerimi i hapësirës së lirisë për shqiptarët, duke synuar vetëvendosjen si komb është kahu i drejtimit të emancipimit dhe në vijim të logjikës së Rilindjes.

Nacionalizmi dhe Evropa

Sikurse Rilindja dje kërkonte aleatë te fuqitë e jashtme për shpëtimin e kombit shqiptar, edhe sot nacionalizmi shqiptar nuk mund të jetë izolues e mbyllës, por përpiqet t’ia bëjë të ditur botës situatën e kombit shqiptar dhe të sigurojë aleatë për shqiptarët. Sociologu britanik Entoni Smith [Anthony D. Smith] e dallon nacionalizmin etnocentrist nga ai policentrist. I pari është nacionalizmi që pretendon se vlera dhe pushteti absolut gjenden te kombi i tij, pa konsideruar asgjë tjetër, edhe për faktin se ai thotë se kombi i vet dhe zoti kanë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe ekskluzive. Nacionalizmi policentrist e pranon se ka disa qendra të pushtetit real në botë, apo ide dhe institucione të kombeve të tjerë që do të ishte mirë të huazoheshin për kombin e vet. Ai përpiqet ta përfshijë kombin e vet në familjen e kombeve dhe në qytetërimin e përbashkët. Rilindja Kombëtare Shqiptare, për njohjen që i ka bërë kombeve të tjerë, për frymën e saj laike e moderne, përfshihet te nacionalizmi policentrist. Edhe vetë gjendja politike e sotme e kombit shqiptar e nxit natyrën policentrike të nacionalizmit shqiptar. Fehmi Agani e ka përdorur termin e policentrizmit për të përshkruar faktin se “zona të ndryshme shqiptare sot objektivisht jetojnë në kushte të ndryshme relativisht të veçanta, ballafaqohen me situata e probleme relativisht të veçanta, kanë interesa të veta të veçanta”, mirëpo ai shton se “të kuptuarit dhe realizimi i këtyre interesave ‘të veçanta’ është gjithsesi interes mbarëshqiptar”. Vini re se “interes i veçantë nuk do të thotë “interes i veçuar”. Prej këndej, themi se përpjekja për të përfytyruar të përgjithshmen shqiptare dhe universalen njerëzore te e veçanta e një problematike të shqiptarëve në një shtet të caktuar është sot përpjekja ideore dhe strategjike kombëtare e shqiptarëve. Kjo është një përpjekje gjithashtu demokratike.

Për sa i përket marrëdhënies midis integrimit evropian dhe nacionalizmit, sot brenda BE-së vihen re disa tendenca. Tendenca e parë është diferencimi midis partive që kërkojnë të përfaqësojnë kombin dhe atyre që akuzohen se nuk e përfaqësojnë. Kjo tendencë fuqizohet pikërisht në kohën kur ndarja midis të majtës dhe të djathtës po zbehet. Tendenca e dytë është ajo e përdorimit të ligjërimeve dhe institucioneve evropiane për të arritur qëllimet “transkombëtare” ndaj shteteve ku jeton i njëjti komb apo pakica etnike (ang. kin-state), si p.sh. Rumania për t’u afruar me Moldavinë, apo Bullgaria për t’u afruar me IRJM-në. Tendenca e tretë është shfaqja e organizatave radikale në skajin e djathtë të spektrit politik që i kundërvihen institucioneve dhe standardeve të BE-së. Tendenca e katërt ka të bëjë me përdorimin e ligjërimit evropianist dhe të institucioneve të BE-së nga lëvizje politike rajonaliste që kërkojnë autonomi brenda një shteti anëtar i BE-së. Pra, situata është më e ndërlikuar se sa alternativa nacionalizëm apo integrim, siç e paraqesin disa politikanë e opinionistë shqiptarë. Kjo alternativë nuk ekziston te nacionalizmi shqiptar, i cili ndjek strategjinë edhe të bashkimit kombëtar edhe të integrimit evropian. Me fjalët e Ukshin Hotit, “lufta e popullit shqiptar për të zgjidhur problemet e veta dhe çështjen e vet është pikërisht në funksion të zgjidhjes së proceseve të Evropës dhe të avancimit të proceseve të saj pozitive, përveç faktit se është edhe masë për matjen e ecurisë së tyre. Për këtë shkak dhe nga ky aspekt, shqiptarët vetëm sa po e kryejnë pjesën e vet të detyrës gjithevropiane”. Hoti priret të shquajë universalen te përpjekja kombëtare shqiptare. Pra, jo bashkim paçka asaj që po ndodh në Evropë dhe në botë, por bashkim kombëtar sipas parimeve universale mbi të cilët po kryhet integrimi evropian dhe ruajtja e paqes dhe e rendit ndërkombëtar.

Gabojnë ata që sovranitetin kombëtar dhe integrimin evropian i shohin si alternativa, pikësëpari sepse BE-ja nuk është shuarje e sovraniteteve të shteteve anëtare, por bashkë-ushtrim i tyre në sfera ku përfitimi është i përbashkët. Pra, BE-ja nuk funksionon sipas logjikës përjashtuese “sovranitet, ose integrim”, por sipas logjikës tjetër: “sovranitet edhe integrim”. Projekti i kombit shqiptar i kohës së Rilindjes nuk ishte i mbyllur ndaj mundësive të bashkë-ndarjes së sovranitetit, qoftë me Perandorinë Osmane, qoftë brenda ndonjë federate ballkanike, me kushtin që të respektoheshin të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Prandaj, zbatimi sot i trashëgimisë së Rilindjes do të thotë që të përqafohet procesi i integrimit për të zgjeruar hapësirat institucionale ku shqiptarët të ushtrojnë vetëvendosjen dhe vetëqeverisjen.

Çështja kombëtare shqiptare është krijuar nga evoluimi i historisë së Evropës. Ajo lindi me parashikimin e rilindësve për rënien e Perandorisë Osmane, vazhdoi si qëndresë ndaj pushtimit, ndarjes dhe asimilimit dhe u rishfaq në politikën ndërkombëtare me shpërbërjen e Jugosllavisë. Procesi i krijimit të kombeve dhe shteteve kombëtare është evropian dhe akoma nuk ka mbaruar në Evropë, madje as brenda Bashkimit Evropian, siç po e vërtetojnë Skocia, Irlanda e Veriut, apo Belgjika. Me gjasë, procesi i krijimit dhe veçimit të njësive politike me baza etnike prej shteteve shumëkombëshe do të vazhdojë krahas atij të integrimit të shteteve në Bashkimin Evropian. Prandaj, Arbën Xhaferri na ka thënë dikur me të drejtë se “krijimi i minijugosllavive të tjera [në Ballkan] do të jetë një gabim i ri historik”. Shqiptarët duhet ta shohin në sy të vërtetën se në Ballkan po krijohen shtete kombëtare rreth bërthamave etnike dhe duhet të mendojnë seriozisht për mënyrën se si ata po përfshihen pa dëshirë në projektet e të tjerëve, ngaqë nuk po i japin rëndësinë e duhur projektit të bashkimit të kombit shqiptar.

Në mbyllje

Kur rilindësit shpallën se ekzistonte kombi shqiptar ata jo vetëm e përshkruan botën, por kërkuan edhe ndryshimin e saj, në mënyrë që bota t’i njihte shqiptarët e kërkesat e tyre kombëtare dhe të hapej një vend për ta në botë. Ata i shpallën botës çështjen shqiptare. Sot po thuhet nga disa shqiptarë të pushtetshëm se çështja shqiptare nuk ekziston më, sepse synohet heshtja dhe mbyllja e saj. Detyra e nacionalizmit shqiptar sot është sërish detyra e Rilindjes: të rihapë çështjen shqiptare dhe të shpallë se ajo do të qëndrojë e hapur për sa kohë që shqiptarëve do t’u mohohet vetëvendosja. Përkundër logjikës së diferencimit të politikës së sotme që kërkon që çështjen kombëtare ta copëtojë në disa çështje të veçuara që gjoja zgjidhen veçmas njëra-tjetrës, nevojitet të zhvillohet logjika e barazimit të këtyre çështjeve dhe artikulimit të tyre së bashku si pjesë të së tërës.

Comments

  • Nje nga gjerat qe anashkalohet sa here qe flitet per bashkimin e Shqiperise dhe Kosoves eshte se nderkaq eshte bere e qarte ne disa qendrime se islamofobia dhe gegofobia jane nder pengesat kryesore per kete, pasi, sipas disave, nje bashkim i tille do prishte ‘disa ekuilibra te arritur’ ne fushen fetare dhe ne ‘balancat’ gege/toske.

    Packa se keto ‘balanca’ jane arritur me dhune dhe nuk ka asgje te natyrshme ne to.

    Nuk jam i sigurte ne cfare thote Sulstarova per kete idene e artikulimit te projektit kombetar sipas modelit te rilindjes, qofte per faktin se modeli i rilindjes eshte pretenduar prej shume syresh por jo te gjithe keta pretendente kane te njejtin kuptim per te. Ashtu si e paraqet Sulstarova, gjithsesi, nuk eshte pa merite.

    Nje tjeter problem qe ka projekti kombetar eshte monopolizimi qe po i behet nacionalizmit nga Kreshnik Spahiu me shoke e kjo eshte ne dem te projektit kombetar

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *