Kazme e pushke Edison Ceraj

Ka pasur përpjekje dhe ka akoma ndër klerikë katolikë, shkrimtarë të mëdhenj (por edhe me njolla të mëdha që nuk ua heq as sasia e shkrimit nd(r)yshe), intelektualë e analistë të paepur në paanshmërinë e anshme etj. për ta lidhur Islamin me komunizmin në Shqipëri, ku shënjohet një lidhje sa misterioze (ja një subjekt për ndonjë ithtar të Dan Brown-it and Co), e sa me lista dhe përkime ultra-racionale, si, fjala vjen, duke rreshtuar emrat e udhëheqësve komunistë, të cilat na paskan qenë muslimanë apo me prejardhje muslimane!

“Duke e nisur shpërdorimin që nga mbiemri i Enverit, e deri te lidhjet e posaçme që paskësh pasur komunizmi shqiptar me prejardhjen familjare të tij, jo pak zëra influencialë janë përpjekur të shpjegojnë gjithë historinë e diktaturës, që nga ploja mbi klerin katolik e deri te armiqësia ndaj Perëndimit, me “myslimanizmin” e tij latent. Bashkëshoqërime të diktaturës shqiptare dhe Orientit/osmanëve/Islamit, me pikë saldimi Enver Hoxhën[1] – izolues nga Europa, rehabilitues i Haxhi Qamilit, përndjekës priftërinjsh, përkrahës guerilasish palestinezë – janë bërë të zakonshme në vite. Kleriku shqiptar i krishterë më i njohur i kohës, at Zef Pllumi, pak para se të ndërronte jetë sintetizoi gjithë zhurmat dhe aludimet e kësaj kahjeje, duke gjykuar se “enverizmi më tepër se sa komunizëm ishte një fundamentalizëm islamik i veshur me maskën e komunizmit” (Kurrgjë më shumë se liria, Shekulli, 04:08:2007 – ndonëse asnjë shembull i fundamentalizmit islamik nuk përmban sulm total kundër fesë, as mbyllje kishash, po sidomos jo mbyllje xhamish).”[2]

Ja pra, ç’na qenka! Merreni vesh një herë e mirë se ç’paska qenë komunizmi në Shqipëri! Ia çorëm maskën të mallkuarit etj., etj.!

 

Jemi në pikën ku duhet shtruar një pyetje: Si shpjegohet që Shqipëria ishte i vetmi vend komunist në të gjithë bllokun lindor që u shpall me kushtetutë vend ateist? Vallë, thua ngaqë Enveri me shokë kanë qenë muslimanë të maskuar, pavarësisht pse çorën aq e aq maska armiqsh të brendshëm e të jashtëm? Po ata kanë prishur edhe xhami, mor burrë i dheut!? Po maskat që u çorën hoxhallarëve e shehlerëve (në cilin muze janë?)!? Krahas këtyre është edhe një pyetje tjetër: Si ka mundësi që u shpallëm vend ateist, ndërkohë që Enveri ishte jo vetëm një i përkushtuar deri në imtësi ndaj Stalinit, por një adhurues i tij, saqë kur vdiq ky i fundit, i bëri me mijëra e qindra shqiptarë të përulen në ritual ndaj tij mu në zemër të kryeqytetit? Kurse Stalini nuk e shpalli vendin e tij ateist.

Nuk dilka llogaria… Por, një llogari të tillë do e qante ndonjë si Agron Gjekmarkaj (me markë sagllam, që di të lidhë “miqësi europiane të pakohë” etj.), ose filozofi ynë i madh Ardian Ndreca, fundja edhe Ferd Lela (se mos e ka Lejla!?, e na del edhe ky ndonjë islamik i fshehur më vonë?[3]) do e qante shpejt e qëruar si në pëllëmbë të dorës – aq shpejt sa gjerbja e një makiatoje trysnueshëm te banaku i barit të UET-së. Thonë edhe që është çun përsmari… etj.

 

Si shpjegohet pra ateizmi në kushtetutën tonë gjatë komunizmit?

Pikërisht me Islamin ka lidhje! Po. Dihet që, si ideologji holiste dhe si sistem totalitar, komunizmi synonte të hynte e të përfshinte çdo sferë të jetës së jetuar. Edhe Islami është “totalitar”, sepse në Islam nuk ekziston ndarja ndërmjet sferës laike dhe asaj religjioze, sikurse bëri kompromis Krishterimi me Perandorinë Romake, kompromis i cili më pas kaloi si trashëgimi në të gjitha shtetet-komb moderne të Perëndimit e më gjerë. Dihet fort mirë (nga ata që duan ta dinë) se Kurani dhe në veçanti modeli i profetit Muhamed, shembulli par excellence se si jetësohet Kurani, përbëjnë një modus vivendi që përfshin të gjithë jetën e jetuar, si anën e saj fizike, ashtu edhe atë metafizike.

Për ata që nuk janë dakord me këtë apo janë skeptikë, u rekomandojmë librin Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit, të Alija Izetbegović-it. E megjithatë, nën frymën e këtij libri, po ndalem pak në këtë pikë.

Një herë, në kohën e Profetit, një hebre, si me shpoti, i drejtohet njërit prej shokëve të Profetit duke i thënë se “ai Profeti juaj po u mëson edhe se si të hyni në nevojtore!” “Po. Është e vërtetë”, ia ktheu ai, “po na mëson se si të hyjmë në nevojtore e deri si të drejtojmë shtetin”.

Duke u nisur nga gjendja jo e mirë ose e çrregullt e botës së jashtme, Moisiu, i cili u orvat ta sistemonte atë, përfaqëson atë model/natyrë profeti që në mënyrë figurative mund ta përshkruajmë si ai që mban në dorë skeptrin e ligjit, pasi janë pikërisht ligjet që vendosi ai ato që mund të rregullonin gjendjen e çrregullt shoqërore të kohës dhe popullit të tij. Nga ana tjetër, Jezui, duke u nisur nga gjendja e çrregullt e botës së brendshme të hebrenjve dhe gjithaq edhe nga njëfarë ngurtësie që kishin shkaktuar ligjet e “rrepta” të trashëguara nga koha e Moisiut, u orvat që ta përmirësonte atë me thirrjen e tij për të lartësuar shpirtin duke e dëlirur nga dhënia pas botës, duke dashur kësisoj të zbuste atmosferën dhe ta paqëtonte atë në emër të botës tjetër, botës së amshuar. Kështu, po në mënyrë figurative, Jezuin mund ta përshkruajmë si mbartës të skeptrit të përshpirtshmërisë, ose të religjionit, bash në kuptimin që ka sot kjo fjalë në Perëndim. Domethënë, Moisiu është reformator i botës së jashtme[4], kurse Jezui i botës së brendshme të njeriut.

Duhet theksuar se kur themi për Moisiun reformator i botës së jashtme, nuk nënkuptojmë që ka lënë pas dore botën e brendshme të njeriut, por me këtë synojmë të theksojmë se ku iu desh të përqendrohej më shumë dhe për çfarë kujtohet. E njëjta gjë vlen edhe për Jezuin, por vice versa.

Kështu, në mënyrë të pashmangshme, nëse do e bitisim analizën, ajo na çon te Muhamedi, profeti i fundit, i cili, duke pasur parasysh këtë vijë arsyetimi, u përpoq të sintetizonte, pra të njësonte trashëgiminë e Mosiut dhe atë të Jezuit. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për atë lloj sinteze që vjen si rezultat i ndonjë analize a i ndonjë përpjekjeje filozofike, të cilat mbeten vetëm në letër; sikurse nuk bëhet fjalë për gjetjen e ndonjë të mesmeje në kuptimin matematikor të fjalës, sepse tekembramja ai ishte profeti analfabet, por e gjitha qe rrjedhojë e Zbulesës, dhe mu për këtë, Profeti, përveçse e kumtonte atë, mbi të gjitha e jetonte.[5] Kësisoj pasi kjo sintezë dhe ky mes është e vërteta për të cilën dëshmon vetë jeta e njeriut, me dy substancat bazë të saj: shpirtin dhe trupin/materien.

Nëse do ekzistonte vetëm trupi/materia, atëherë Judaizmi është i vetmi botëkuptim i mundshëm për jetën. Po kështu, nëse do ekzistonte vetëm shpirti, atëherë Krishterimi do të ishte i vetmi botëkuptim i mundshëm.[6] Por, duke qenë se ekziston si trupi/materia ashtu dhe shpirti (domethënë, njeriu – sepse pa njërën syresh resht së qenuri i tillë), atëherë Islami mbetet i vetmi botëkuptim i mundshëm në kushtet e realitetit bipolar të jetës.

Judaizmi synon të japë përgjigje vetëm për pyetjen/çështjen se si duhet të jetojmë?; ndërsa Krishterimi jep përgjigje vetëm për çështjen se pse jetojmë?; kurse Islami niset nga realiteti i të dyjave[7], duke i marrë ato si të qenësishme, sepse fundja ato janë, deshëm apo nuk deshëm ne, i mohuam apo nuk i mohuam, pra kjo nuk varet nga ne! Ajo që varet prej nesh është se sa jemi të vetëdijshëm për këtë, e nëse jemi, sa jetojmë sipas kësaj vetëdijeje.

Nëse do të lipsej dhënia e një shembulli të thjeshtë – që në fakt duhet – pa rënë në thjeshtëzim për të përmbledhur thelbin e Islamit në vijën/kontekstin kësaj qasjeje, mund ta krahasojmë atë me arkitekturën, pasi Islami synon të integrojë artin dhe teknikën, dhe kjo sintezë realizohet në formën më konsekuente pikërisht në arkitekturë. Në fakt, ndërmjet arteve, Islami e sheh arkitekturën më me miratim, sepse sasinë e “artit të kulluar” ajo e ka në një dozë të pakët, ose sepse arkitektura është një art i përgjithshëm, siç e përkufizon Kenneth Clark-u.[8] Arti e thekson shumë individualitetin, shpirtëroren, të përtejmen te njeriu, dhe kjo është në kundërti me konceptin e ekuilibrit tek i cili këmbëngul Islami. Arkitektura është “e interesuar”, funksionale, dhe është një përgjigje për nevojat njerëzore.

Bash ky karakter i dyfishtë i arkitekturës e përcaktoi atë si një art tipik islam. Ashtu si Islami, edhe ajo ka trup dhe shpirt.[9] Kësisoj veprat e mëdha të mjeshtërve muslimanë pikërisht në arkitekturë nuk janë të rastit – përkundrazi, ato janë një lloj ligjshmërie.

 

Kaq besoj mjafton për t’iu avitur thelbit të Islamit, të paktën në këtë kontekst. Pra, duke qenë e këtillë situata, ku Islami përbënte dhe përbën fenë e shumicës së shqiptarëve, njëri duhet t’i lëshonte vendin tjetrit: ose Islami, ose komunizmi. Ndonjë mund të thotë që niveli i Islamit në Shqipëri në atë kohë ishte shumë i diskutueshëm, e si rrjedhojë për komunistët nuk përbente kurrfarë problemi për të mëkëmbur projektin e tyre. Sidoqoftë, pa i hyrë këtij diskutimi, mund të themi se, mbase mund të ketë qenë kështu, por kjo nuk do të thotë që niveli i tij do mbetej i njëjtë; pra, ai edhe mund të rritej, e si rrjedhojë mund t’i zinte vendin komunizmit, i cili premtonte parajsën tokësore dhe kishte rrugë të gjatë për të bërë. Duke qenë se baballarët e kësaj ideologjie ishin ustallarë të rrahur mirë me paradhomën e suksesit – nuhatjen, i dolën punës para, dhe në vitin 1967, pasi ndiheshin më të sigurt se kurrë, e shpallën vendin ateist. Kjo gjë nuk ndodhi në asnjë vend tjetër komunist të kohës, sikurse dihet, pikërisht sepse ato ishin vende me shumicë dërrmuese të krishterë, kryesisht të ritit bizantin, pra ortodoksë. Dhe Krishterimi, si ai katolik, po ashtu edhe ai ortodoks, kanë bërë dhe bëjnë thirrje për t’i dhënë Zotit atë që i takon Zotit, dhe Cezarit atë që i takon Cezarit. Këtë e pamë edhe kur diskutuam më lart për tre profetët, Moisiun, Jezuin dhe Muhamedin.  Ja pse pati sukses komunizmi bash në vende me popullsi të krishterë, sepse ana materiale e jetës ishte djerr.

Të jeni të bindur që ideologët e komunizmit e dinin fort mirë se ç’është zekati, shtylla e tretë e Islamit, që drejtohet kah shoqëria, dhe që rregullon në mënyrën më të përsosur jetën ekonomike dhe financiare. Ja pse ekonomistë nobelistë në vitin 2008, kur u shfaq kriza ekonomike, bënin apel edhe në të përditshme si New York Times për të marrë si shembull zekatin e Islamit për dalje nga kriza. Zekati nuk ka si synim të heqë dallimin midis të pasurve dhe të varfërve, sepse kjo është e padrejtë dhe mbi të gjitha një utopi e pastër, por urinë dhe mbi të gjitha të ashtuquajturat kriza ekonomike e financiare, duke siguruar edhe për të varfrit një nivel të caktuar jetese që nuk i lë të çnjerëzohen. Institucioni i zekatit e shpërndan pasurinë ndër njerëz duke mos lejuar kalimin në babëzi/dehje të të pasurve dhe duke mundësuar një jetesë normale edhe për të varfrit.

E si mund të binte në ujdi më këtë komunizmi!?

Edhe “rilindësi ynë modern” e durimmadh buzë shkallareve të Nobel-it, Ismail Kadare (me prejardhje islamike, prandaj nuk ia japin çmimin e madh…![10]), pak a shumë çon ujë tek arsyetimi ynë:

“Vit pas viti, feja islame (…) e importuar midis bagazheve të osmanëve do të dobësohet (fillimisht në Shqipëri, pastaj në Kosovë). Kështu që feja e krishterë, ose kultura e krishterë do të nguliten në vend. Kështu pra, së shpejti, nga një e keqe (ndalimi i fesë më 1967) do të dalë një e mirë. Kombi shqiptar do të ecë drejt ripërtëritjes, e cila do të shpejtojë bashkimin me kontinentin-mëmë: Europën.”[11]

“Këtë pasojë praktike në terren të dëmtimit më së shumti të kulturës dhe praktikës islame gjatë viteve të diktaturës (proces që kishte filluar që me reformat zogiste)”, Kadare dhe shpura e tij në terren ia njohën si meritë komunizmit, sepse megjithëse një armik i vogël i Krishterimit dhe i Perëndimit si komunizmi, ka zbuar një armik të madh të këtyre të dyjave, pra Islamin, ose Islamizmin, siç i thonë ndoca (kur duan ta shndërrojnë herë me dashje e herë pa dashje në ideologji). Por, ja që profecia e shkrimtarit durimmadh doli huq, megjithëse e kanë këshilluar të mos merret me fe e politikë, se janë cazë të ngatërruara këto punë.

Dhe në mbyllje, mund ta përmbledhim duke thënë se komunizmi dhe të gjitha ideologjitë totalitare që “shfronësojnë” Zotin dhe vendosin në fron njeriun, e kanë pasur dhe e kanë të hapur luftën me Islamin. Hafiz Ali Korça, që në vitin 1925, ka qenë i pari klerik/person me të parin libër (Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit) që i ka shpallur haptazi luftë komunizmit:

“Bolshevizma s’pajtohet kurrë

 Me dinin e Muhamedit

 Çelët do ta kenë luftën

 Gjer ditën e Kijametit.”



[1] Ose Enver Kolën, se kështu e çmagjepsi Nexhi në një intervistë: na paskësh pasë prejardhje katolike! (Këqyrni me terezi në gazetën Shqip)

[2] Hatibi, E. (2013) Si ta rehabilitojmë përfundimisht Enverin? Shkup: revista Shenja.

[3] Pyetje për piktorin, arkitektin, poetin, shkrimtarin, analistin, organizatorin, opinionistin (lista vazhdon) Maks Velo .

[4] “Materializmi (ose pozitivizmi) hebraik ia ktheu vetëdijen njeriut në drejtim të botës dhe përgjatë të gjithë historisë e nxiti interesin e tij ndaj realitetit të jashtëm.” A. Izetbegović, 2009, f. 185.

[5] “Ai ishte një Kuran që ecte përmbi tokë”, pat thënë njëherë Aishja, bashkëshortja e tij.

“Edhe burimet e Islamit bartin shenjën e kësaj dysie të pashmangshme. Para së gjithash bëhet fjalë për dy burimet bazë/kryesore: Kurani dhe Suneti, ku secili në vetvete përfaqëson frymëzimin dhe përvojën, të përjetshmen dhe të përkohshmen, mendimin dhe praktikën ose idenë dhe jetën. Islami është më shumë mënyrë jetese sesa mënyrë të menduari. Të gjitha interpretimet e Kuranit tregojnë se pa Sunetin, pra pa një jetë, ai është i pakuptueshëm. Vetëm nëpërmjet interpretimit të një jete, të jetës së Muhamedit, Islami u dëshmua si një filozofi praktike, një drejtim gjithëpërfshirës jetësor.” A. Izetbegović, 2009, f. 203.

[6] “Si religjioni ashtu edhe utopia deformohen kur hyjnë në jetë, kur bëhen edhe nëse bëhen praktikë jetësore. Trajtat e tyre të pastra dhe konsekuente gjenden vetëm në libra. Kur njeriu i aplikon në jetën reale njerëzore, religjioni “natyralizohet”, merr diçka nga e ulëta, kurse utopia “humanizohet”, merr ca tipare reale. Si deformimi i Krishterimit ashtu edhe i materializmit bëhet gjithnjë për t’iu afruar njeriut, pamjes së tij të vërtetë kafshërore-humane. Në rastin e parë kjo është zbritje nga hyjnorja, kurse në të dytin është ngritje nga kafshërorja. Në të dyja rastet ky është postim drejt njerëzores.” Po aty, f. 233.

[7] “Merr pjesën tënde që të takon nga kjo botë”, kumton Kurani. Gjithashtu: “O Zot na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër…” etj. “Edhe në qoftë duke ndodhur fundi i botës e ti ke një fidan në dorë, mbille atë!” thotë profeti Muhamed.  Citime nga kujtesa.

[8] Madje në veprën Qytetërimi, Clark-u e quan arkitekturën “art social, që u jep mundësi njerëzve për një jetë më të plotë”.

[9] Arki-tektura, nga vetë fjala nënkupton diçka më shumë se tekturë – ndërtim i zakonshëm për nevoja të thjeshta praktike.

[10] Apo jo, z. Velo?

[11] Cituar nga Nathalie Clayer, Religion et nation chez les Albanais, XIXe-XXe siecles, f. 372-373.

Comments

  • Ky dualizmi kartezian trup – shpirt (ose trup – mendje) asht nder gafat ma te renda qe mund te bajne nji monoteist. Kur dhe kush e tha qe njeriu qenka thjesht trup dhe shpirt? Alija, rahmet paste, ka kene mendimtar social e burre shteti, po filozof jo e jo. Kujdes me gabime thelbesore, Muse vellaja

  • Po ty kush te tha qe nuk eshte?
    Dialektiken njerezore mes trupit dhe shpirtit e pranojne me rradhe nje mori filozofesh, qe nga Sokrati, Platoni, Aristoteli, e me rradhe, deri tek shume prej te sotmit dhe autori nuk e ka marre vetem nga Alija, sepse vete Alija nuk e ka shpikur vete kete. Ku eshte problemi ketu, apo hec, thuaje nje llaf kot, sa per sport?!
    Mos merrni persiper te beheni kompetente kot ne fusha qe s’ju perkasin!

  • E ke gabim, por te falet, se me dispenca nuk mesohet filozofija. As nuk bahesh filozof tuj marue fakultet me shjelma. Po nejse. Ne filozofite klasike para-karteziane (e sidomos te keta greket e lashte qe ke permende tuj e thellue gafen tande), njeriu asht njeheresh hyles, psyche, pneuma ose ne variantin e krishtene corpus, anima, dhe spiritus, qe myslimanet e kane pervetesue, ne perputhje me shpalljen e tyne, ne xhism, nefs, dhe ruh. Reduktimi i njeriut ne shpirt dhe trup e varferon veshtrimin e tij aq tejskajshem, njashtu sikurse realiteti nuk asht thjesht dynja e ahiret, por dynja, berzah, dhe ahiret. Apo jo? “Dialektika” (dhe asht teper domethanese qe e perdor si term, mbasi flet shume cfare formimit ke marrun) qe ti permend perdoret per arsye theksimi te kontrastit mes shpirtit dhe trupit te shume mendimtare e filozofe, per te nenvizuar nji aspekti specijal te dikursit, por jo si tablo shterruese e as perfundimtare. Pasojat e ketij reduktimi jane teper serioze e te gjana per me i neglizhue si cashtje stili apo fjalori… Prape, nejse.

  • Ti te shamen dhe te vumen ne loje te tjetrit e merr shtruar, kurse shpjegimin e le te mjaftohet me “nejse”.
    Une nuk e di me cfare e ke mesu ti filozofine, por, ato libra qe kam kendu une nuk thone kete qe thua ti. Nese me paskan genjyer librat, po te genjej edhe une.
    Platoni njihet si nje nga mjeshterit e medhenj te dialektikes, aq sa edhe veprat i zhvillonte si dialogje. Platoni e ndan dynjane ne bote te ideve dhe bote materiale, e ndan njohjen ne dije racionale dhe dukje, opinion, i ndan sendet ne forme dhe materie, e ndan njeriun ne shpirt dhe trup. Per Platonin, shpirti vjen nga Bota e Ideve, dhe futet ne trup, qe eshte burgu i tij, per aq sa jeton ne kete bote. Shpirti per Platonin eshte i perjetshem, ndersa trupi i perkohshem. Ne kete dialektike Platoni zhvillon cdo gje ne filozofine e vet.
    Tani, ndermjet trupit dhe shpirtit, ti mund te vendosesh nje tufe gjerash, mendje, arsye, psikike, por ne themel te cdo aparati qe abstragon nga qenia njerezore qendron dialektika trup shpirt, prej se ciles ngjezen te tjerat. Kjo dialektike eshte e qensishme tek Platoni.
    E njeta gje, pohohet edhe tek Aristoteli. Ai e sheh njeriun ne marredhenien trup-shpirt, vetem se per tek ai trupi dhe shpirti nuk jane dy gjera qe i kundervihen njera-tjetres, por jane kushte te njejra-tjetres. Per Aristotelin trupi nuk rron dot pa shpirtin dhe shpirti nuk rron dot jashte trupit. Aristoteli nuk i sheh ne plan dialektik, por i shesh si mbajtes dhe rregullues te njeri-tjetrit, megjithate te ndarja ekziston.
    Natyrisht, ka edhe ndarje te tjera, edhe tek aristoteli, sic eshte psh. shpirti vegjetativ, ndjesor dhe racional, apo si tek Platoni, ne arsye, fryme dhe oreks, por gjithsesi ndarja kryesore eshte ajo trup-shpirt.

  • Te nderuar,
    po them thjesht nja dy fjalë, megjithëse jemi në kondita të pabarabarta, duke qenë se unë jam pa maskë (pa pseudonim).
    Megjithë rëndësinë kyçe të diskutimit që ngritët, thelbi i shkrimit ishte tjetërkund, pikërisht reflektimi për qëndrimin e komunistëve ndaj fesë.
    Për sa i takon diskutimit në lidhje me raportin midis trupit dhe shpirtit, kam shkruar diku gjetkë në disa ese të ndryshme.
    Një nga mësimet e mëdha që kemi marrë nga përvoja e jetuar, është se jeta mbetet shumë “kryeneçe” në bipolaritetin e saj. Ruajtja e ekuilibrit të këtij bipolariteti është e mundur vetëm me besimin dhe vetëdijen që të kultivon vazhdueshëm Islami, sepse Islami niset nga qenësia si e materies/trupit, ashtu edhe e shpirtit. Përndryshe, të jetuarit shndërrohet pashmangshëm në një gjakim/orvatje/strapacim të pavetëdijshëm për të gjetur ekuilibrin ndërmjet këtyre dy entiteteve.

  • I nderuar,
    N’dac po ta jap edhe adresen e shpise, meqe per emrin tem paske pretendim se asht pseudonim.

    Sigurisht, diskutimi ne fjale nuk asht se perban temen e artikullit, por gjithsesi nji mbeshtetje te forte te tij, keshtu qe duhet me u marre me kujdes prej autorit. Po ra ne uje ai, bjen ne uje tan artikulli, si i bazum ne dicka te pasakte, mos me thane ma teper. As Krishterimi as Islami nuk kane pohu kurre se njeriu asht THJESHT shpirt-trup, apo shpirt-materie, dhe thjeshtimi e reduktimi i ketille asht tipik per diskutimet e ceketa alla ihuane me zellin e rrezimit te Krishterimit dhe krenarine se Islami na qenka me i mire sepse mban ekuilibrin mes ketyre dyjave e Krishterimi nuk e mban dot. Nderkohe qe Krishterimi ven theksin tjeterkund krejt… Dualizmat, dialektikat, polarizimet, kunderveniet, bardh-e zizmat, lindje-perendizmat, ne-ata-izmat, nuk funksionojne, sepse jane thyres te unitetit. Nuk ka unitet te mundshem me dy pole, as harmoni, as qendrueshmeri, as njeri pra. Keshtu qe nuk eshte problem i vogel me e ul njeriun ne kete far gradet, se e mbron rrejshem edhe karshi ateizmit, nji perkrahes inteligjent i te cilit ve bast se do e kishte vu re pamundesine e mbajtjes ne kambe te nje krijese qe asht thjesht shpirt dhe trup. Njashtu sic asht absolutisht e pamujtun me pase ndopak epistemologji tu u bazue ne famkeqin dualizem kartezian, dhe prove per kete kena tan rremujen e pashprese te filozofise qe i vijoi, kha idealistat andej materialistat, kha empiristat andej racionalistat, kha marksistat andej kapitalistat, etj etj. Medemek, zotrote po na thue se nuk bahet qameti me shkrue 3+3=6.01 se nji 1% gabim maaa asht. Mire, mire naqe.

    • Agim, nqs nje shkrues, qofte dhe monoteist, po beka anime kah matrica marksiste apo karteziane, njihi te pakten qytetarine ne diskutim marksizmit apo racionalizmit, se nuk jane muhabete kalamajsh keto, qe te mund t’i rrezosh pa respekt. Duke qene me preciz dhe me ne kontroll te qenies, sapo kembengul ne trunitetin e saj, karshi bipolareve ketej, shpresohet pak me shume kontroll emocional, pra kritiken mund ta besh edhe me vetepermbajtje, pa dale ne paternalizma qesendises me amballazh vellazeror, tip ‘Muse vellaja’.

      Alija mund te mos kete qene filozof, po libri i tij sigurisht qe eshte nje liber komplet kunder polarizimit. Ka lindje, ka perendim, po ka dhe ‘midis’. Ky midisi eshte celesi i ofruar qe ne titull per te kuptuar qasjen e Alijas, dhe eshte nje menyre tjeter per te folur per per cka po kembengul ketu ti.

      Shembulli mekanik 3+3=6.01 qe ke marre per te ilustruar lajthimet filozofike, me duket si i ekzagjeruar. Nese ne boten e ideve dikush po ia qelloka me 0.01 firo te vertetes, ky sipas meje duhet dekoruar pa humbur kohe. Me sa e lexoj une shkrimin, kisha per te folur per nje realizim 3+3=7.01, dhe prap i heq kapelen me respekt autorit.

      Se autori qe po kritikon ti, ka nje merite se mire apo me pak se mire, eshte kolumnisti i vetem i shtypit tone qe preokupon lexuesin me filozofi e estetike, rregullisht. Une per vete, preferoj ta lexoj me shume se profesor Fugen, qe shkruan si filozof ne shtyp dhe ai. Ne hapat foshnjore, si eshte reduktuar ligjerimi teorik nder ne, mbase do duhej pak me shume mirekuptim per cka s’na ngjan e sakte, me shume qetesi ne kritika. Po sigurisht, sapo qe ketu mbreteron ideja polarizuese per lirine e fjales (po cenzuruam jemi te keqinj, po lame njerez te tallen me autoret, jemi te mire), jepi edhe ti, Agim vellaja

  • Mire habibi, s’ta luan kush sahatin ty! Jo per gje, po duhet te jesh edhe pronari i tokes, qe po na paternizon te gjitheve, perfshire te verteten, qe duhet detyruar te duroje edhe gafat sa per te shpire pak kembet, tamam si ai skeci i estrades se Fierit qe u thote trajneri lojtareve “gjuani jashte porte tani djema” se donte te bente nje dore llafe me shokun nen traverse. Sikur ketu eshte ceshtja per emra te pervecem, apo sikur nuk kuptohet qarte se nuk eshte llafi per nocionin e Islamit tek Alija, por te njeriut. Sigurisht qe Alija e tregon mesin e Islamit jashte dualizmave, por me nje skeme reduksioniste e mbithjeshtuese qe i vesh Judaizmit preokupim me materien, Krishterimit me shpirtin, ndersa Islamit sigurisht baraspeshen, por ama duke e pare njeriun si dualizem. Arsyetimi yt eshte pak si ai i nxenesit qe pyetjes ne provim me shkrim se sa jane 16/64 i pergjigjet duke thjeshtuar 6 siper me 6 poshte dhe i del 1/4. Hec e shpjegoji mesuesi qe e ka gabim dhe se ky stil nuk ben fajde me 17/74; nxenesi vetegjykues tund makinen llogaritese: kaq bejne! Ti ma befsh kokrren e qejfit 🙂

    • Alija nuk e ka pasur nga vetja qasjen, po ka riperdorur dualizmin tradicional te krishtere, ne menyren si ka perplasur Shkronjen me Shpirtin, Ligjin me Lirine etj. Pra edhe kjo qasje e ka nje tradite teknikisht te respektueshme, s’ka rendesi sa te sakte. Gjithsesi, Alija pasi kunderve Dhiatat, Polet, del tek Kurani, apo tek rruga e trete britanike e te tjera. E rendesishme eshte qe nuk i rreshton punet pafundesisht ne dy kampe, po edhe po t’i rreshtonte… ej, shendetin te kemi, ka libra te tjere plot. Vetem nje liber ka lene Zoti te pagabueshem. (Ne fund te fundit, edhe kush kapercen ndarjet tradicionale per t’i rene shkurt me dualizmin e dukshme/e padukshme, nuk po ben ndonje krim. “Te pyesin per shpirtin” fillon ajeti, dhe ndoshta literalizmi mund ta shtyje dike te mos preokupohet me shpirtin, po ta lere ne hije, duke e numeruar si nje sektor ngjitas gjegjjes, nen etiketen perbashkuese te se padukshmes tek njeriu). Si pronar toksh pa gardh qe jam, vetem sa komunikova me dike qe si une nuk po perdor emrin e mbiemrin si Edison Ceraj, duke sugjeruar qe kritika ndaj punes i ka gjithe mundesite te jete pak me dashamirese, pak me e vlefshme per punetorin dhe deshmitaret e tjere. Ironia ne kritike nuk i flet intelektit sa i flet emocionalitetit, dhe shtyn ndoshta tjetrin pastaj te mbroje edhe te koten, cka mbetem i bindur se nuk eshte as qellimi yt, as i te kritikuarit. Pa fyer asnjeri, as titullin e pronesise, perseris se po te me jepej mundesia, kisha per te marre cdo mase qe autoret te mos pesojne as ironi, jo me provokime, etiketime (keto te fundit nuk i perkasin rastit qe po diskutojme). Eshte mbushur interneti shqip me komentatore te cilet pa paguar asgje, acarojne autoret qe shpesh nuk paguhen edhe ata me asgje. Jo se pagesa jep te drejten te acarosh njeri, po gjysma e te keqes do ishte. Nejse, tani po kerkoj hallall e po iki, duke te uruar edhe une cdo te mire

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *