Ku janë katolikët e moderuar?





indexArmir Taraj

“Ku janë muslimanët e moderuar?” ka qenë pyetja që kemi dëgjuar shpeshherë pas ndonjë proteste të dhunshme në botë të muslimanëve të indinjuar, si psh. me rastin e karikaturave të Profetit Muhamed a.s. (paqja qoftë mbi të), apo me filmin e fundit ofendues ndaj tij. Sigurisht që organizatat mainstream muslimane në Perëndim kanë dënuar çdo shfaqje ekstremizmi nga muslimanët dhe kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe qetësi në frymën e mësimeve të Profetit Muhamed. Problemi në shumë raste qëndron tek mos-mbulimi mediatik i reagimeve të organizatave kryesore muslimane, dhe mbulimi me tepricë i akteve ekstremiste, edhe kur ato kryhen nga grupe të vogla e margjinale që nuk përfaqësojnë shumicën dërrmuese të besimtarëve muslimanë në botë.

Në rastin e Shqipërisë, ka pasur herë pas here deklarata apo shkrime në media nga disa shqiptarë muslimanë të cilët kanë ofenduar shqiptarët e besimeve të tjera, ose, në një mënyrë a tjetrën, kanë shfaqur mungesë tolerance fetare. Një rast i tillë është deklarata e para disa kohëve nga një grup margjinal i quajtur Forumi i të Rinjve Muslimanë me qendër në Kosovë e cila thoshte:

Kete dite te Xhuma, ne i apelojme te gjithe vellezerve tane muslimane, qe te dalim dhe protestojme ne Shkup kunder islamofobise ortodokse dhe katolike. I apelojme vellezerve tane muslimane qe nga Dibra e deri ne Shkup qe diten e Xhuma te dalin te protestojne me flamuj turq, te Arabise Saudite, Jemenit, Libise, Amerikes, dhe te gjithe vendeve muslimane. Ne proteste duhet ti kerkojme Turqise qe te nderhyje ne Maqedoni dhe ti shpetoje muslimanet shqiptare nga persekutimi katolik dhe ortodoks.

Kjo deklaratë e dënua menjëherë nga forumi musliman Ezani i Naltë të cilët u shprehën:

Ngjarjet e kohëve të fundit në Maqedoni kanë ngjallur reagimet e myslimanëve në gjithë Ballkanin, përfshi të një farë Forumi i të Rinjve Muslimanë në Pejë të Kosovës. Teksa shumica e këtyre reagimeve kanë shprehur indinjatën xhenuine të myslimanëve me politikat e Shkupit si dhe me reagimet e Tiranës dhe Prishtinës, reagime si këto të këtij Forumi, në të kundërt, reflektojnë idiosinkrocinë shqetësuese që dëgjohet nganjëherë në bashkësinë tonë. Të tilla reagime, jo që nuk shprehin mbështetje për shqiptarët në Maqedoni, por në të kundërt mbështesin retorikën e islamofobëve maqedonas dhe atyre shqiptarë.

Gjithashtu, unë personalisht, në funksionin e atëhershëm të zëvendës-sekretarit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, e dënova këtë lloj retorike në një shkrim të botuar tek gazeta shqiptaro-amerikane Illyria në datën 15 Maj, 2012, ku mes të tjerash thashë: “Forumi i të Rinjve Muslimanë është një organizatë fare e vogël në Kosovë e cila me të tilla deklarata duket se është e destinuar të margjinalizohet edhe më tej deri në harresë.”

E pranova këtë ekspozim të bezdisshëm publik për shkak se e ndjeva si detyrim distancimin dhe dënimin e kësaj retorike, pikërisht sepse ajo vinte nga një pjesë, sado e vogël, e komunitetit tim fetar. Është bindja ime personale dhe fetare se retorika e urrejtjes apo përçarjes fetare mes shqiptarëve të feve të ndryshme është krejtësisht e papranueshme dhe s’ka vend mes nesh.

Në të njëjtën frymë, edhe një imam kosovar, Shefqet Krasniqi, kërkoi ndjesë për komente fyese të bëra ndaj Nënë Terezës dhe forume muslimane mbajtën qëndrim ndaj fjalëve të tij.

Ndërkohë ama, ndërsa deklarata të tilla nga grupe muslimane marrin goxha mbulim mediatik dhe dënohen në shkallë të gjerë nga mediat dhe aktorët publikë shqiptarë, është jo e para herë që deklarata të ngjashme urrejtje-nxitëse apo intolerante bëhen nga gazetarë, analistë, apo edhe zyrtarë katolikë në dëm të komunitetit musliman. Ajo që bie në sy është se jo vetëm që nuk ka ndonjë dënim apo distancim prej këtyre deklaratave nga mediat shqiptare apo autoritetet katolike, por janë vetë mediat që i botojnë këto deklarata si të ishin krejt normale dhe mëse të pranueshme.

Dy shembujt më të freskët të këtij fenomeni janë deklarata e Dom Shan Zefit dhënë gazetës Express në Kosovë dhe shkrimi i Ardian Ndrecës me titull Deliri i Ndëshkimit i botuar tek Gazeta Mapo në Tiranë. Dom Shan Zefi, Kancelari i Ipeshkvisë Katolike të Kosovës, raportohet se në përgjigje ndaj tezës së shkrimtarit Kim Mehmeti se Islamizmi e ka ruajtuar shqiptarinë, ka thënë: “Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por është Kisha Katolike ajo që ka mbajtur gjallë fijet e shqiptarisë”

Sipas tij, është islamizmi, konkretisht Perandoria Osmane, që ka shkatërruar gjithë trashëgiminë materiale, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve. “Ky është një fakt historik që nuk mund ta mohon askush”, shtoi ai, të hënën.

Ardian Ndreca, kryredaktor i revistës katolike “Hylli i Dritës”, mes të tjerash thotë në shkrimin e tij: “Edhe pse kontakti gjeografik me Turqinë mungon, mes nesh endet si nji shpirt i keq gërmadhash nji frymë që s’asht tjetër veçse gërbula që na ka lanë barbaria otomane. Ka 100 vjet që e tërheqim zvarrë mbas nesh ketë hije të zezë ase kufomë që na e qelb rrugën, tue shpresue gjithnji që të shkundet ma në fund prej jermit të etheve të liga, por më kot. “ dhe me pas: “Vetë lutjet në arabisht janë tregues i nji unjisimi shpirtnor me nji botë që gjithnji e ma tepër po shkatrron indin e shqiptarizmës.” Sipas kryeredaktorit të “Hylli i Dritës” Islami “ endet si nji shpirt i keq gërmadhash.”

Prita me ditë të tëra të shihja ndonjë distancim apo dënim të këtyre deklaratave të turpshme e të papranueshme nga autoritetet katolike shqiptare apo mediat dhe shoqëria civile, por më kot. Vendosa t’i shkruaj një letër ankese liderëve katolikë rreth kësaj pune dhe e nisa letrën time në adresë të Nuncit Apostolik të Vatikanit në Tiranë, imzot Ramiro Moliner Ingles, Ndihmës Peshkopit të Ipeshkvisë Tiranë-Durrës, imzot George Frendo, dhe Zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë Dom Gergj Meta. Mes të tjerash në letrën time u shpreha zotërinjve se:

Si besimtar musliman shqiptar, unë dhe rethi im familjar e shoqëror ndihemi thellësisht të shqetësuar nga të tilla deklarata e qendrime zyrtare apo gjysëm-zyrtare të këtyre figurave të larta katolike. Unë jam i bindur që ato nuk përfaqesojnë qendrimin zyrtar të Vatikanit dhe për këtë ju lutem që të distancoheni publikisht prej këtyre deklaratave dhe të sqaroni pozicionin zyrtar të Vatikanit kundrejt shqiptarëve muslimanë dhe trashëgimisë së tyre islame.

Imzot George Frendo m’u përgjigj dhe për këtë e falënderoj. Përgjigja e tij është si më poshtë:

I dashur zoti Taraj,

Kuptoj shumë mirë shqetesimet tuaja. Fjalë të tilla nuk kontribuojnë për një dialog konstruktiv mes katolikeve dhe muslimaneve, madje cenojnë marrëdheniet e mira që gjithmonë kanë egzistuar mes nesh.

Megjithatë fjala të tilla nuk përfaqësojnë fare pozicionin, as të Vatikanit, as të hierarkise katolike ne Shqipëri. Vetë kam pasur rast të flas për marrëdhëniet pozitive mes katolikëve dhe muslimanëve në një takim ndërfetar në Parlamentin Europian në Strasburg, kam dhënë një ligjëratë mbi lutjen në Kuran, dhe përsëri do të flas për marrëdhëniet tona me muslimanët në Londër më 1 maj.

Në të kaluar janë botuar artikuj nga muslimanë që na kane fyer, megjithate i kemi injoruar duke qenë të bindur që nuk përfaqësonin drejtuesit muslimanë në Shqiperi. Prandaj më mirë të injorojmë shkrime të tilla. Jemi shumë të lumtur për faktin se liderët e besimeve të ndryshme në Shqipëri tregojnë një përgjegjësi të madhe për ta ruajtur marredhënien e mirë mes nesh.

Të përshëndes përzemërsisht.

mons.

George Frendo

Kjo përgjigje dhe ky qëndrim është i mirëpritur dhe angazhimi i z. Frendo për ruajtjen dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërfetare në Shqipëri duhet vlerësuar. Më duhet të shtoj, gjithsesi, atë që shkrova në përgjigjen dërguar imzot Frendos:

“E kuptoj sugjerimin tuaj që në raste të tilla është më mirë që komente të tilla të pahijshme të injorohen. Kjo është vërtetë mvnyra më e mirë për të reaguar kur kemi të bëjmë me analistë apo gazetarë. Por është pak e vështirë të aplikohet ky parim kur komentet shqetësuese vijnë nga njerëz që deri diku janë zyrtarë të lartë katolikë. Dom Shan Zefi, p.sh., është kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, pra zëdhënësi i institucionit më të lartë katolik atje. Si mund të injorohen fjalët e tij aq kollaj? E kuptoj që Kosova nuk është në juridiksionin tuaj, por duke qenë se Vatikani akoma nuk e njeh Kosovën, shpresojmë ta njohë së shpejti, ne na mbetet të adresohemi tek ju dhe tek selia e Vatikanit në Tiranë

Gjithashtu z Ardian Ndreca, i cili ishte edhe më i ashpër në gjuhën e tij, është kryeredaktori i gazetës “Hylli i Dritës”. A nuk është kjo një gazetë zyrtare katolike dhe a nuk e bën kjo gjë Ndrecën nje zyrtar katolik, i cili nuk mund të injorohet lehtë?”

Më vjen mirë që imzot George Frendo me të drejtë thotë se deklarata të tilla si ato të Dom Shan Zefit dhe Ardian Ndrecës nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Kishës Katolike në Shqipëri apo Vatikanit, dhe se deklarata të tilla duhen injoruar. Mirëpo ndjej se duhen shumë më tepër zëra të moderuar katolikë shqiptarë, si ai i z. Frendo, në mënyrë që diskursi publik katolik shqiptar të mos ngelë peng e disa ekstremistëve. Këto qëndrime nuk mjaftojnë të shprehen në konferenca të dialogut ndërfetar apo letërkëmbime, por duhet të bëhen publike dhe ti tregojnë muslimanëve, katolikëve apo dhe njerëzve pa besim se kush është qëndrimi i liderëve fetarë. Gjithashtu ndjej se mediat shqiptare po ashtu duhet ta ndjekin këshillën e tij dhe ose t’i injorojnë këto shkrime, ose të distancohen prej tyre. Ato duhet ta kuptojnë se standartet e dyfishta bien në sy kollaj, dhe gjuha ekstremiste që promovojnë nuk i shërben aspak  harmonisë fetare në Shqipëri apo Kosovë.

Comments

  • http://www.mapo.al/2013/04/06/feja-si-shkak-per-lufte/

    Ndoshta ky shkrim i matur i Dom Gjergj Metes duket se eshte njefare reagimi ndaj letrave ankese qe disa nga ne i derguan si me siper.

    Meta thote: “Kësisoj, për një katolik, të kujtojë e të ushqehet me atë çka ka qenë në të kaluarën, është sinonim i vitalitetit, por kthehet në një ushqim dhe ujë të ndenjur nëse ajo nuk përtërihet me atë çka unë sot jam. E vetëdija e parë që sot ne duhet të kemi është se ajo societas christiana, e cila mbizotëronte në shekujt e Mesjetës në gjithë Europën, por edhe në Shqipëri, sot nuk është më e tillë. Realiteti plural në të cilin jetojmë nxjerr përballë nesh sfida të tjera, të reja. Pluralizmin kulturor dhe fetar, të cilin unë e prek çdo ditë këtu ku jetoj, mund ta prekësh në metropolet më të mëdha europiane, Romë, Paris, Londër, e më gjerë, edhe pse nënshtrati i këtyre metropoleve është i krishterë.

    Pluralizmi fetar në Shqipëri është një fakt. Mohimi i këtij fakti është së paku naivitet e së shumti dashakeqësi. Unë nuk jam prej atyre që e idealizoj fort bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Ajo është e mirë, por ka edhe problemet e veta. Më shumë sesa një fakt ajo është një proces që duhet të kërkohet e të realizohet përditë e më shumë.”

  • Shkrim shume i bukur, urime Armir. Shkrime te tilla duhet te na sherbejne edhe neve si perkujtim per te qene te matur kur flasim kuturu per fete e tjera ne hytbe apo shkrime si edhe duhet te sherbejne si perkujtim per te reaguar edhe neve me kerkim ndjese ne rastet kur autoritetet tona fetare veprojne ne te njejten menyre ndaj feve te tjere, si p.sh. kur jo me pak se kryetari i komunitetit mysliman i bente thirrje te krishtereve ne gazete qe te nxirrnin e te mos e fshihnin ungjillin e vertete te Jezusit, ate te Barnabes. 🙂

    • Nuk e ke kuptu mire kryetarin se ai eshte inxhinierik ne retorike, e ka pas diagonal muhabetin.

      Nuk eshte se i ka bere thirrje njeriu ai, se eshte djale i urte e nuk therret dot, po thjesht i kane marre nje interviste ata te gazetes “Korrieri” dhe per te tregu se merr vesh nga punet per te cilat nuk eshte shkolluar, ndoshta ka dashur te ndihmoje intervistuesin te thellohet, duke permendur nje ungjill me shume. Demek, sipas parimit inxhinierik, 5 ungjille jane me mire se vetem 4.

    • Flm Rezi, por duhet te falenderoj dhe Ezanin per redaktimin e shkrimit sepse korrigjimet e tyre e kane permiresuar vertet ate. Gjithashtu falenderoj Ezanin qe ne keto pak vite ne ekzistence, me pune krejt vullnetare, kane arritur te shnderrohen ne nje forum serioz per diskutimet e debatet tona si komunitet por edhe per te angazhuar shoqerine e gjere me idete tona.
      Desha te shtoj se nje nga te vetmit intelektuale qe i ka kritikuar qendrimet “provinciale” te disa katolikeve shqiptare ka qene Ardian Vehbiu, si psh me kete shkrim ku thote: “E përsëris, një rol i ripërkufizuar i elitave katolike si ndërfaqe e shqiptarisë me Europën veç mund të mirëpritet; por kjo nuk mund të ndodhë automatikisht, kërkon mund, përkushtim, përulësi dhe, sidomos, shkollim dhe akulturim të mirëfilltë. Madje pikërisht shkollimi dhe akulturimi do të ndihmojnë jo vetëm për t’i nxjerrë shumë katolikë militantë nga bataku i provincializmit dhe i revanshizmit katundar, por edhe për t’i afruar me komunitetet e tjera të shqiptarëve, me të cilat i ndan, në vijë ajrore, një distancë më e shkurtër se ç’e ndan Shqipërinë nga Vatikani.”
      http://xhaxhai.wordpress.com/2010/08/31/katolike-per-neser/

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *