A do fillojë këtu intifada e tretë?





palestine-womanBen Ehreinreich

 

Në mbrëmjen e 10 Shkurtit, dhoma e pritjes e shtëpisë së Basem Tamimit në fshatin Nabi Saleh të Bregut Perëndimor (Çisjordani) ishte e mbushur me miq e kushërinj që pinin duhan e kafe duke pritur për Basemin të kthehej nga burgu. Djali i tij i madh, Uaid, 16 vjeç, ishte mbledhur kulaç mbi divan bashkë me vëllain e tij 6-vjeçar, Selamin, duke luajtur lojra me iPhonin që kryeministri i Turqisë i kishte dhuruar motrës së tij, Ahed. Ajo kishte shkuar me avion në Stamboll për të marrë një çmim pasi foto të saj duke i tundur grushtin një ushtari izraelit të armatosur i sollën asaj, në moshën 11-vjeçare, një njohje të shkurtër por befasuese ndërkombëtare. Vëllai i tyre Abu Jazan, i cili është 9 vjeç, ishte në oborr duke bërë mundje me një aktivist izraelit shok i Basemit. Nariman, nëna e fëmijëve, ishte e kërrusur në një dhomë ngjitur, duke bërë përgatitjet e fundit për darkën e kthimit të burrit të saj, dhe qeshte me dy fotografë që garonin për të marrë poza nga koridori i ngushtë ndërsa ajo hapte qepë mbi pite të lyera me vaj.

 

Në murin e dhomës së pritjes qëndronte një poster “Free Basem Tamimi” i mbetur që nga hera e fundit që ai ishte burgosur për organizimin e protestave javore të fshatit kundër pushtimit izraelit, gjë që ai e ka bërë që në 2009-n. Ai ishte i ikur për 13 muaj atëherë, i kthyer në shtëpi vetëm për 5 muaj derisa u arrestua përsëri Tetorin e kaluar. Shumë gjëra kanë ndodhur gjatë burgosjes së fundit: një luftë tjetër e shkurtër në Gaza, një votë në Kombet e Bashkuara që i dha Palestinës statusin e vëzhguesit, lajmërimi i planeve për të ndërtuar 3400 shtëpi për kolonët hebrej, zgjedhje të reja në Izrael. Protestat po përhapeshin kudo në Bregun Perëndimor.

 

Atë natë telefonata erdhi në 7:30. Njëzet veta u ngjeshën në tre makina të vogla dhe u drejtuan për tek qendra e fshatit. Fqinjë e kushërinj të tjerë mbërritën më këmbë. (Të gjithë 550 banorët e Nabi Saleh janë të lidhur me gjak ose martesë, dhe gati të tërë mbajnë mbiemrin Tamimi.) Më pas një Ford i errët hyri ngadalë në shesh, dhe gjithkush heshti.

 

Basem, i cili është 45 vjeç, doli nga makina, me shpinën drejt, me sytë e tij blu që i vezullonin nga dritat e llambave. Ai dukej pak më i hollë e i thinjur se herën e fundit që e kisha parë në korrik. Ai përqafoi dhe puthi djalin e tij të madh. Ahed erdhi më pas, dhe pastaj një nga një, në heshtje, Basem përqafoi familjen dhe miqtë, aktivistët palestinezë nga Ramallah dhe Jeruzalemi, majtistët izraelitë nga Tel Avivi. Pasi i takoi të gjithë ai eci për tek varreza dhe u ndal para varrit të freskët të kunatit të tij Rrushdi, i cili u qëllua nga ushtarët izraelitë në nëntor kur Basem ishte në burg. Ai mbylli sytë dhe tha një lutje të shpejtë para se të kalonte tek varri i Mustafa Tamimit, i cili vdiq pasi u godit në fytyrë me një kanistër gazi lotsjellës në dhjetor të 2011-s.

 

Në shtëpi Basemi dukej i hutuar. Narimanit gati i ranë të fikët në krahët e tij dhe ajo doli me vrap jashtë për të fshehur lotët. Fshati akoma po mbante zi për vdekjen e Rrushdiut, por djemtë e rinj nuk e ruajtën dot gjatë solemnitetin. Ata filluan me Hamudin e vogël, djalin e kushëririt të Basemit, duke e hedhur atë lart e më lart në ajër. E ulën poshtë dhe filluan të hedhin njëri tjetrin me rradhë lart në qiellin e natës, duke qeshur e bërtitur sikur s’kishin pasur kurrë arsye për të vajtuar.

 

Prej dritareve të jugut në Nabi Saleh mund të shohësh çatitë e kuqe të Halamish, kolonia izraelite mbi majën e kodrës përtej luginës. Ka qenë aty që më 1977-n, e themeluar nga një grup nacionalist mesianik i quajtur Gush Emunim, dhe e zgjeruar vazhdimisht në tokë që i përkiste banorëve të Nabi Saleh dhe një fshati tjetër palestinez. Pranë Hamalish ndodhet një bazë ushtarake izraelite, dhe në luginën mes Nabi Saleh dhe kolonisë, përtej autostradës dhe sipër një shtegu të vogël, një burim i vogël uji, të cilin palestinezët e kanë quajtur gjithmonë Ein el-Kos, gurgullon prej një shkëmbi të vetmuar. Në verën e 2008-s, edhe pse toka përreth burimit i ka përkitur familjes së Bashir Tamimit, tani 57 vjeç, me gjenerata të tëra, të rinjtë e Halamish filluan të ndërtojnë një seri pishinash të cekëta që grumbullojnë ujin e burimit. Më vonë ata shtuan një stol dhe një kopësht pemësh për hije. (Vite më pas kolonët aplikuan për një leje ndërtimi retroaktive, të cilën autoritetet izraelite e refuzuan, duke deklaruar se “aplikantët nuk provuan të drejtat e tyre mbi tokën në fjalë”. Kohët e fundit, disa nga strukturat janë hequr.) Kur palestinezët erdhën për tu kujdesur për të mbjellat e tyre në fushat aty afër, kolonët, thanë fshatarët, i kërcënuan dhe i gjuajtën me gurë.

 

Banorëve të Nabi Saleh iu desh më shumë se një vit për t’u organizuar. Në Dhjetor 2009 ata mbajtën marshimin e tyre të parë, për të protestuar jo vetëm humbjen e përroit, por gjithë sistemin kompleks to kontrollit – me lejekalimi, postblloqe, mure, burgje – nëpërmjet të cilit Izraeli ruan kontrollin e tij mbi rajonin. Nabi Saleh shpejt u kthye në zonën më të gjallëruar nga një dyzinë fshatrash të Bregut Perëndimor që mbajnë protesta javore kundër pushtimit izraelit. Që kur demonstratat filluan, më shumë se 100 protestues në fshat janë burgosur. Nariman më tregoi se sipas llogaritjeve të saj, deri në Shkurt, përplasjet me ushtrinë kanë shkaktuar 432 plagosje, më shumë se gjysma tek të miturit. Energjia ka qenë e vështirë për t’u mbajtur gjallë – javët kalojnë dhe asgjë nuk ndryshon për më mirë – por gjithsesi, pavarësisht arrestimeve, plagosjeve dhe vdekjeve, çdo të premte pas faljes së mesditës, fshatarët, shpesh me mbështetjen e një numri të barabartë gazetarësh dhe aktivistësh izraelitë e të huaj, mundohen të marshojnë prej qendrës së fshatit drejt përroit, një distancë prej gati gjysëm milje. Dhe çdo të premte, ushtarët izraelitë i ndalin ata me një kombinim gazi lotsjellës, plumbash gome, makina uji, një lëng me erë të keqe të quajtur “qelbës” dhe herë pas here plumba të vërtetë.

 

Verën e kaluar qëndrova 3 javë në Nabi Saleh, duke ndejtur në shtëpinë e Basemit dhe Narimanit. Kur mbërrita në Qershor, Basemi sapo ishte liruar nga burgu. Në Mars 2011, ushtarët izraelitë bastisën shtëpinë e tij për ta arrestuar. Midis akuzave më të lehta, ai ishte paditur në një gjykatë ushtarake për “nxitje”, organizim “parakalimesh të pa-autorizuar” dhe inkurajim të të rinjve të fshatit për të gjuajtur me gurë. (Në 2010-n, 99,74% e palestinezëve të paditur në gjyqe ushtarake u dënuan.) Kushtet e lirimit të tij e ndalonin nga pjesëmarrja në demonstrata, të cilat janë ilegale nën ligjin ushtarak izraelit, kështu që të premten e parë pasi mbërrita, menjëherë pas faljes të mesditës, ai eci me mua deri tek sheshi, ku rreth 50 fshatarë ishin mbledhur nën hijen e një mani të vjetër. Atyre u ishin bashkangjitur një grup i vogël aktivistësh palestinezë nga Ramallah dhe Jeruzalemi Lindor, kryesisht gra të reja; ndoshta një dyzinë aktivistësh në moshë kolegji nga Evropa dhe Amerika; gjysëm dyzine izraelitë, gjithashtu kryesisht gra – anarkistë të rinj në çizme të zeza dhe xhinse, me plot shpuarje veshësh. Sëbashku ata u nisën poshtë rrugës duke rrahur duart dhe brohoritur në arabisht dhe anglisht. Djali i Basemit, Abu Yazan, me një lëpirëse në gojë, marshonte në fund të turmës.

 

Pastaj vinin gazetarët, që nxitonin në shapte kodrash duke kërkuar një kënd më të mirë filmimi. Në ditët e hershme të protestës, fshati gumëzhinte me reporterë nga e gjithë bota të ardhur për të dokumentuar përpjekjen e fshatit të vogël kundër pushtimit. “Nganjëherë vijnë e nganjëherë jo,” më tha më vonë Muhamed Tamimi, 24 vjeç, i cili koordinon fushatën e mediave sociale të fshatit. Ngjarjet në Lindjen e Mesme – revolucioni në Egjipt dhe lufta civile në Siri – si dhe rutina e pandryshueshme e marshimeve javore e kanë bërë shumë të vështirë ta mbash vëmendjen e botës. Atë të premte aty ndodheshin vetëm një ekip filmimi nga një kanal televiziv palestinez dhe disa fotografë izraelitë dhe evropjanë, më të rregulltit mes tyre mbanin helmeta çeliku.

 

Gjatë vitit të parë të protestës, për t’u siguruar që demonstratat – si dhe fati i palestinezëve që jetojnë nën pushtimin izraelit – nuk do mbesnin të fshehura pas mureve dhe gardheve që rrethojnë Bregun Perëndimor, Muhamed filloi të postonte lajme në një blog dhe më pas një faqe në Facebook (tani me gati 4000 ndjekës) nën emrin Tamimi Press. Shpejt Tamimi Press u shndërrua në një ekip mediatik të mirëfilltë: Bilal Tamimi filmonte dhe i ngarkonte xhirimet e protestave në kanalin e tij në Youtube; Helme fotografonte; dhe Muhamed dërgonte me e-mail lajmet e ditës në adresë të 500 reporterëve dhe aktivistëve. Manal, e martuar me Bilalin, mbështet përpjekjen me “tweets” të vazhdueshëm (@screamingtamimi).

 

Lajmet e protestës përhapen shpejt nëpër botë, duke kërcyer nëpër blogje të majtë e të djathtë. Gazeta të majta si Guardian e Britanisë dhe Haaretz e Izraelit akoma mbulojnë ngjarjet e rëndësishme në fshat – vdekjet dhe varrimet, arrestimin dhe lirimin e Basemit – por një portal informativ i djathtë izraelit ka një vit që qarkullon të njëjtin titull javë pas jave: “Arabët, të Majtët Bëjnë Trazirë në Nabi Saleh.” Ndërkohë, një pelegrinazh në Nabi Saleh ka arritur statusin e afirmimit mes aktivistëve të rinj Evropjanë, ashtu siç ishte në vitet 1990 një qëndrim i shkurtër me Zapatistat në Meksikë. Gjatë një kohe, Nariman përgatiste rregullisht ushqime vegjetariane për të huajt që vizitonin dhe qëndronin pas protestave. (Nga gjërat e para që më pyeti kur mbërrita ishte nëse isha vegjetarian. Fytyra i qeshi kur i thashë jo.)

 

Çfarëdo suksesi të kenë pasur me shtypin, banorët e Nabi Saleh janë shumë të vetëdijshëm për atë çka nuk kanë arritur. Pushtimi, sigurisht, vazhdon. Kur mbërrita në Qershor, demonstruesit akoma nuk ia kishin dalë të shkonin deri tek burimi. Zakonisht ata nuk arrin shumë larg pas rrugës kryesore, ku sapo merrnin kthesën gjenin ushtarët që i prisnin. Atë javë ata vendosën ti binin mes për mes anës së kodrës e drejt e tek burimi. Bashir udhëhiqte parakalimin me një flamur në dorë. Si zakonisht, makinat e ushtrisë izraelite po prisnin poshtë burimit. Katër ushtarët që qëndronin pranë tyre dukeshin të hutuar – mesa dukej nuk e kishin pritur që protestuesit të arrinin aq larg. Fshatarët marshuan pranë tyre për tek burimi, ku ata surprizuan 3 kolonë që po hanin drekë nën hije, akoma të njomë nga zhytja në një prej pellgjeve. Njëri kishte veshur vetëm mbathje të qullta dhe një armë në kraharor.

 

Fëmijët shkuan me vrap. Të rriturit erdhën në rradhë duke biseduar dhe pirë duhan. Ushtarë të tjerë erdhën të blinduar, me armë dhe granata-hedhës. Uaid dhe Abu Yazan filluan të luanin me top derisa një nga djemtë dalloi një peshk portokalli në një nga pellgjet dhe Abu Yazan e të tjerët u munduan ta kapin me duart e tyre, duke turbulluar ujin derisa peshku u zhduk.

 

Katër kolonë u shfaqën tek shkëmbi mbi burimin, burra të rinj me syze dielli dhe xhinse, njëri prej tyre me një automatik mbi krah. Pranë meje, një oficer tullac, i madh në trup, i ushtrisë izraelite po argumentonte me një protesues izraelit. “Ju lash të vini,” insistonte oficeri. “Tani duhet të shkoni.”

 

Fëmijët u grumbulluan rreth shilarëses që kishin ngritur kolonët dhe lëkundeshin fuqishëm, duke kënduar. Një kolon i ri po i bërtiste një oficeri të IDF (Israel Defence Force), duke insistuar që ata t’i largonin protestuesit.

 

“Çfarë ndryshimi bëjnë 10 minuta?” tha oficeri.

 

“Çdo 10 sekonda bëjnë ndryshim,” u përgjigj koloni.

 

Por para se të mbaronin 10 minutat e tyre, një orë pasi kishin mbërritur, fshatarët mblodhën fëmijët e tyre dhe ikën ashtu siç kishin ardhur, duke rrahur shuplakat e brohoritur, mosbindja e tyre e fuqizuar nga gëzimi. Për herë të parë gjatë 2 vitesh e gjysëm ata ia kishin dalë të arrinin tek burimi.

 

Ata nisën të kthehen nëpërmjet autostradës, që do të thoshte se do u duhej të kalonin rrugën që çonte në Halamish. Ahed, me flokët e gjata të verdha kapur gërshet, ishte kapur fort pas në kushëriri në frye të marshimit. Kur po i afroheshin rrugës, një oficer i policisë kufitare hodhi një granatë zhurmuese – një pajisje që lëshon një të plasur të zhurmshme dhe një shpërthim drite por që teorikisht, të paktën, nuk shkakton dëme fizike – pranë këmbëve të Ahed, dhe më pas një tjetër, dhe një tjetër. Brenda disa sekondash fshatarët ia dhanë vrapit përpjetë kodrës për në fshatin e tyre, me granata lot-sjellëse që fishkëllenin në qiellin sipër kokave të tyre.

 

Gjatë mbrëmjeve të ngrohta të verës, jeta në Nabi Saleh mund të dukej gati idilike. Çdokush njeh çdokënd. Fëmijët vrapojnë në turma gazmore shtëpi më shtëpi. Një darkë, Basem dhe Nariman ishin ulur jashtë duke ndarë një pipë uji (duhan që thithet pasi kalon nëpër ujë) ndërsa Nariman lexonte një roman të përkthyer të Dan Brown dhe Selami i vogël lozte gëzueshëm aty pranë duke lajmëruar, “Unë jam Selami dhe jeta është e bukur!”

 

Basemi është i punësuar nga Ministria e Brendshme e Autoritetit Palestinez në një drejtori që merret me aprovimin e vizave për palestinezët që jetojnë jashtë. Në praktikë, tha ai, zyrtarët e AP “nuk kanë autoritet të vërtetë” – vendimet e vërteta merren në Izrael dhe i kalojnë AP thjesht për vulosje. Mes të tjerash, kjo do të thoshte se Basemit rrallë i duhej të raportonte në zyrën e tij në Ramallah, duke i pasur ditët e lira për t’u kujdesur për nënën e tij të sëmurë – ajo vdiq disa javë pasi unë u largova nga fshati verën e kaluar – e për të organizuar me telefon, takuar vizitues ndërkombëtarë dhe folur me mua ndërsa pinim shumë kupa kafeje të fortë e të pa ëmbëltuar. Ne zakonisht flisnim në dhomën e ndenjes, mbi gumëzhimën e lajmeve të Al Xhaziras. Një kornizë e fotos së Xhamisë Al Aksa në Jeruzalem qëndronte e varur mbi televizor (më tepër si krenari kombëtare se devotshmëri: pikëpamjet e Basemit ishin tërësisht sekulare).

 

Edhe pse shumë veta në Nabi Saleh janë burgosur, vetëm Basem u deklarua si “i burgosur për shkak të ndërgjegjes” nga Amnesty International. Diplomatë të huaj ishin të pranishëm në seancën e tij gjyqësore në 2011. Karizma  e Basemit me siguri ka të bëjë me këtë vëmendje. Një qetësi rrezatuese e çuditshme dukej sikur e mbulonte. Ai qeshte shumë rrallë dhe kishte tendencën të lëshonte fjalë të mëdha (“Fati ynë është të rezistojmë”) gjatë bisedave të zakonshme, por unë e dalloja vendosmërinë e tij të thërrmohej sa herë që një nga fëmijët e tij i ngjitej në prehër.

 

Kur forcat izraelite pushtuan Bregun Perëndimor në 1967, Basemi ishte 10 javësh. Nëna e tij e fshehu në një shpellë derisa luftimet mbaruan. Atij i kujtohet që luante në stacionin e braktisur policor britanik që tani është qendra e IDF pranë Halamish, dhe që shkonte me fëmijët më të rritur për të kullotur bagëtitë në majën e kodrës ku tani qëndrojnë kolonitë. Nëna e tij shkonte për ujë tek burimi çdo ditë. Kolonët erdhën kur ai ishte 9 vjeç.

 

Halamish tashmë është plotësisht i ndërtuar dhe më i ngrohtë se shumë komunitete private në Shtetet e Bashkuara. Pas gardhit me tela me gjemba, pas portës dhe rojes së armatosur, aty ka fusha lojrash, një pishinë e mbuluar, një qendër kulturore dhe amfiteatër, një klinikë, një bibliotekë, një shkollë dhe disa sinagoga. Rrugët janë të shtruara mirë dhe me lule anash, bahçet plot me pemë limoni. Halamish tani funksionon si një rrethinë qyteti; shumë nga banorët punojnë punë zyrash në Tel Aviv ose Modi’in. Popullsia e kolonisë është rritur sa dyfishi i Nabi Saleh.

 

Shifra Blas-in, zëdhënësen e Halamish, e takova për herë të parë më 2010-n. Ajo më tregoi se sa e zbrazur kishte qenë Bregu Perëndimor – përdori emrin biblik Judea dhe Samaria – kur ajo dhe burri i saj emigruan nga Shtetet e Bashkuara në 1970-n, të vendosur për të themeluar një prezencë hebreje në një tokë që ata besonin se u ishte premtuar atyre. Marrëdhëniet me fshatrat përreth, më tregoi, kishin qenë të sjellshme, gati miqësore, deri në intifadën e parë. (Kur pyeta banorët e Nabi Saleh për këtë, askush nuk e mbante mend në këtë mënyrë.) Gjatë intifadës së dytë, tre banorë të kolonisë, tregoi Blas, u vranë me armë zjarri në rrugët aty afër. Ata nuk ishin pranë fshatit, por qëndrimet u ngurtësuan.

 

Kur e vizitova atë sërish muajin e kaluar, ajo nuk ishte a gatshme të fliste me mua rreth konfliktit mbi burimin dhe tokat rreth tij. “Ne duam të jetojmë jetët tona dhe të mos harxhojmë kohë me këtë punë,” tha Blas. Ajo i shpërfilli demostratat javore si krijimi i “agjituesve të jashtëm që vijnë këtu e trazojnë gjërat – internacionalistë, anarkistë, çfarëdo.” Gjithçka ishte një teatër, tha ajo, një shou për median e ndikueshme. “Do të të them diçka, është e pakëndshme.” Të premteve, tha ajo, era nganjëherë e përcjell gazin lotsjellës përtej luginës deri tek kolonia. “Kemi fëmijë të rritur të cilët thonë se nuk mund të vijnë në shtëpi nga universiteti për Shabat për shkak të gazit lotsjellës. Ata marrin në telefon dhe thonë, ‘Më trego sa keq është, sepse po të jetë vërtet keq, nuk po vij.’”

 

Kur filloi intifada e parë në 1987-n, Nabi Saleh, ashtu si tani, ishte një vatër e nxehtë. Rruga që kalon midis fshatit dhe kolonisë lidh Bregun Perëndimor me Tel Avivin: një barrikadë e vetme mund të ndalonte vajtjen e punëtorëve palestinezë në Izrael. Basemi ishte një nga organizatorët e rinj kryesorë për Fatah në rajon, duke organizuar grevat, bojkotet dhe demonstratat që karakterizuan atë kryengritje. (Nabi Saleh është fortësisht besnik ndaj Fatah, partia nacionaliste sekulare që udhëheq Bregun Perëndimor; Hamas, lëvizja islamiste militante që qeveris Gazën, ka mbështetësit e saj diku tjetër në Bregun Perëndimor por s’ka pasur kurrë prezencë në fshat.) Ai do burgosej 7 herë gjatë intifadës dhe, thotë ai, asnjëherë nuk u padit për ndonjë krim. Para arrestimit të tij më të fundit, e pyeta sa kohë kishte kaluar në burg. Ai mblodhi muajt: “Gati katër vjet.”

 

Gjatë një arrestimi në 1993-shin, Basemi më tregoi se një hetues izraelit e kishte tundur me aq forcë sa ai ra në koma për tetë ditë. Ai ka një shenjë sa një monedhë në tëmthin e tij nga operacioni i emergjencës në tru gjatë asaj kohe. Motra e tij vdiq ndërsa ai ishte në burg. Ajo u godit nga një ushtar dhe u rrëzua nëpër shkallët e gjykatës, sipas djalit të saj Mahmudit, i cili ishte me të për të ndjekur gjyqin e vëllait të tij. (IDF nuk komentoi rreth kësaj akuze.)

 

Basemi sidoqoftë flet për ato vite, ashtu si shumë palestinezë të moshës së tij, me një lloj nostalgjie. Intifada e parë filloi spontanisht – filloi në Gaza me një aksident makine, kur një transportier tankesh izraelit vrau katër punëtorë palestinezë. Kryengritja ishte fillimisht një eksperiencë solidariteti në shkallë kombëtare. Armët e saj kryesore ishin ato që e transformojnë dobësinë në forcë: guri, barrikada, bojkoti, greva. Përgjigja izraelite ndaj revoltës – në 1988-n, Ministri i Mbrojtjes Jitxhak Rabin thuhet se autorizoi ushtarët të thyenin gjymtyrët e protestuesve të paarmatosr – filloi të anonte opinionin publik ndërkombëtar drejt kauzës palestineze për herë të parë në disa dekada. Deri nga viti i tretë i kryengritjes, ama, fuqia qe zhvendosur tek hierarkia e OÇP-së. Administrata e Bushit të parë e shtyu Izraelin të negocionte, duke çuar në Marrëveshjen e Oslos më 1993-shin, e cila krijoi Autoritetin Palestinez si një organizëm i ndërmjetëm deri në marrëveshjen e “statusit final”.

 

Por shumë pak u zgjidh në Oslo. Intifada e dytë shpërtheu në 2000-shin, në fillim kryesisht sipas modelit të revoltës më të hershme. Palestinezët bllokuan rrugët dhe gjuajtën gurë. IDF zaptoi një shtëpi në Nabi Saleh. Fëmijët hodhën gjarpërinj, akrepa dhe ujëra të zeza nga dritaret. Ushtarët u tërhoqën. Pastaj erdhi vala e madhe e sulmeve kamikaze, të cilat Basemi i quajti “gabimi i madh”. Pjesa më e madhe e viktimave izraelite gjatë kryengritjes u shkaktuan në rreth 100 sulme kamikaze, kryesisht kundër civilëve. Një bombë në një disko në Tel Aviv më 2001-shin vrau 21 adoleshentë. “Politikisht ne u kthyem mbrapsht,” thotë Basemi. Një pjesë e madhe e vullnetit të mirë ndërkombëtar të fituar gjatë dekadës së kaluar shkoi dëm. Marrja e armëve, sipas Basemit, nuk ishte një gabim moral aq sa strategjik. Ai dhe të gjithë ata me të cilët fola në fshat këmbëngulën se ata kishin të drejtë të rezistonin me armë; thjeshtë nuk mendojnë se funksionon. Basemi mund të lexojë një listë të tërë të arritjeve të Nabi Saleh. Për disa nga to – Nabi Saleh, ai tha, kishte më shumë diploma të avancuara se çdo fshat tjetër – ai ishte thjesht krenar. Disa të tjera – një nga aksionet e para ushtarake pas Oslos, gruaja e parë që morri pjesë në një sulm kamikaz – sillnin emocione më të komplikuara.

 

Në 1993-shin, më tregoi Basemi, kushëriri i tij, Said Tamimi vrau një kolon pranë Ramallah-s. Tetë vjet më vonë, një fshatar tjetër, Ahlam Tamimi shoqëroi një bombardues tek një piceri Sbarro në Jeruzalem. 15 vetë u vranë, 8 prej tyre minorenë. Ahlam, i cili tani jeton në azil në Jordani, dhe Saidi, i cili është në burg në Izrael, mbeten shumë të dashur në Nabi Saleh. Megjithëse gjithkush me të cilin fola në fshat dukej shumë i vetëdijshëm rreth efekteve kaustike të dhunës – “Kjo i vret fëmijët,” tha Manal, “të mendosh për urrejtje dhe hakmarrje” – ata nuk duronin kur u kërkohej të hiqnin dorë solemnisht nga gjakderdhja kur kjo u bëhej në kurriz në mënyrë rutinore. Said, më tha Manali, “humbi babain, xhaxhain, hallën, motrën – ata të gjithë u vranë. Si mund t’i vësh faj atij?”

 

Humbjet e intifadës së dytë ishin jashtzakonisht të mëdha. Gati 5000 palestinezë dhe 1000 izraelitë vdiqën. Fushatat e vrasjeve të Izraelit dhe rrethimi i qyteteve të Bregut Perëndimor e lanë lidershipin palestinez të përgjysmuar dhe të shkurajuar. Deri në fund të 2005-s, Jaser Arafati ishte i vdekur, Izraeli kishte tërhequr trupat dhe kolonët nga Gaza dhe Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, kishte arritur një marrëveshje armëpushimi me Kryeministrin e Izraelit Ariel Sharon. Kryengritja u shua. Ekonomia u shkatërrua, Gaza dhe Bregu Perëndimor ishin më të izoluara nga njëra-tjetra se kurrë më parë, dhe palestinezët ishin të përçarë, të mposhtur dhe të lodhur.

 

Por në 2003-shin, ndërsa intifada akoma vazhdonte, Basemi dhe të tjerë nga Nabi Saleh filluan të ndjekin demonstratat në Budrus, 20 minuta larg. Budrus ishte në rrezik të shkëputej nga pjesa tjetër e Bregut Perëndimor për shkak të murit ndarës të planifikuar nga Izraeli, muri i betonit dhe i rrjetave që gjarpëron përgjatë kufirit dhe në shumë raste futet thellë në territorin palestinez. Banorët filluan të protestojnë. Aktivistë të huaj dhe izraelitë iu bashkangjitën protestës. Besnikë të Fatah-s dhe Hamasit marshuan krah për krah. Ushtria izraelite u përgjigj agresivisht: herë me gaz lotsjellës, rrahje dhe arrestime; herë me municion zjarri. Palestinezët diku tjetër po luftonin me Kallashnikovë, por banorët e Budrus vendosën, thotë Ajed Morrar, një shok i vjetër i Basemit i cili organizoi lëvizjen atje, që rezistenca e paarmatosur do “e lodhte më shumë pushtimin.”

 

Strategjia u duk se funksionoi. Pas 55 demonstratash, qeveria izraelite vendosi ta zhvendosë barrierën tek e ashtuquajtura vijë jeshile e 1967-s. Taktika u përhap në fshatra të tjera: Biddu, Ni’lin, Al Ma’asara dhe në 2009-ën, Nabi Saleh. Bashkë ato formuan atë që njihet si “rezistenca popullore,” një përpjekje e koordinuar veç pak e cila ka arritur të ruajë të vetmen formë të rezistencës së organizuar ndaj prezencës izraelite në Bregun Perëndimor që nga mbarimi i intifadës së dytë në 2005-ën. Nabi Saleh, shpreson Basemi, mund të jetë model i formës së rezistencës për gjithë Bregun Perëndimor. Qëllimi ishte të demonstrohej se ishte akoma e mundur të rezistoje pa rrokur armët, kështu që kur shkëndija të vijë, nëse do vijë, rezistenca të përhapej si bëri me intifadën e parë. “Nëse do ketë një intifadë të tretë,” tha ai, “ne duam të jemi ata që e filluan.”

 

Basemi sheh tre opsione. “Të heshtësh do të thotë ta pranosh situatën,” tha ai, “dhe ne nuk e pranojmë situatën.” Të luftosh me armë e bomba sjell vetëm katastrofë. Izraeli ishte shumë herë më i fortë, tha ai. “Por nëpërmjet rezistencës popullore, ne mund ta shtyjmë fuqinë e tij mënjanë.”

 

Edhe pse të vogla, demonstratat dukej se krijonin goxha ankth në Izrael. Paul Hirschson, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, më tha se, ndërsa demonstratat nuk përbëjnë rrezik jetik për Izraelin, ato “me siguri mund të jenë më problematike në kohën e tashme” se sa një revoltë e armatosur. Ejtan Buchman, zëdhënës i IDF, shprehu rezerva ndaj nocionit se protestat e përjavshme ishin një formë rezistence jo të dhunshme. Në një e-mail ai i përshkroi protestat si “trazira të dhunshme dhe ilegale që ndodhin nëpër Judea dhe Samaria, dhe ku gurë të mëdhenj, koktej Molotov, granata të improvizuara dhe djegie gomash përdoren kundër forcave të sigurisë. T’i quash këto thjesht demonstrata është një nënvlerësim – më shumë se 200 anëtarë të forcave të sigurisë janë plagosur nga këto trazira.” Koktej Molotov hidhen nganjëherë në protestat tek postblloqet e Beitunias dhe Kalandias por kurrë, tha Basemi, në Nabi Saleh.) Buchman tha se IDF “përdor një sërë taktikash si pjesë e një strategjie të përgjithshme që ka si qëllim të kontrollojë këto trazira dhe aktet e dhunshme që burojnë prej tyre.” Ai shtoi se “çdo përpjekje e mundshme bëhet që të minimizohen kontakti fizik dhe rreziku i viktimave” mes IDF dhe protestuesve.

 

Një komandant i lartë ushtarak, i cili pranoi të intervistohej vetëm me kushtin që emri i tij të mos përdorej, më tha: “Kur filloi intifada e dytë ishte shumë e vështirë por ishte e lehtë të kuptonim çfarë duhej të bënim. Ke armikun, ai të qëllon, ti e vret.” Kur përballesh me demonstrues me llastiqe dhe gurë ose me asgjë në duar nuk është aq e qartë. “Si një qytetar i Izraelit unë preferoj gurët,” tha komandanti. “Si një oficer ushtarak, preferoj të përballem me tanke dhe trupa.”

 

Por ushtritë, nga natyra, kanë një përgjigje standarte ndaj opozitës: forcën. Një ushtar i cili kishte shërbyer në Nabi Saleh dëshmoi para grupit të veteranëve izraelitë Të Thyejmë Heshtjen rreth përgatitjeve për protestat e të Premtes. “Është si një lloj loje,” tha ai. “Të gjithë duan të armatosen me sa më shumë municion… Ke shumë granata zhurmuese… kështu që ato hidhen veç për t’i hedhur, ndaj njerëzve që nuk dyshohen për ndonjë gjë. Dhe në fund, ti i tregon shokut tënd në tavolinën e darkës së të Premtes: “Uau! Gjuajta shumë granata sot.”

 

Sipas një memorandumi të Departamentit të Shtetit Amerikan të rrjedhur në 2010-n, Gjeneral Majorri Avi Mizrahi i Izraelit “shprehu irritim” me protestat e Bregut Perëndimor duke folur me diplomatët amerikanë, dhe “paralajmëroi se IDF do fillonte të tregohej më e vendosur në mënyrën si reagonte ndaj demonstratave, edhe atyre që dukeshin paqësore.” Memorandumi nxorri përfundimin se “demonstratat më pak të dhunshme kanë shansin ta hutojnë IDF,” duke cituar shefin politik të Ministrisë së Mbrojtjes izraelite Amos Gilad, i cili i pranoi një zyrtari amerikan se “ne nuk na ecën shumë me Gandin.”

 

Sagi Tal, një ish-ushtar i IDF, i cili qe me detyrë pranë fshatrave Bil’in dhe Nil’in që gjithashtu mbanin demonstrata javore, më shpjegoi se si grupi i tij kryente inkursione nate për të mbledhur informata, bërë arrestime, dhe nganjëherë thjesht që “ata ta ndjenin se ne jemi këtu dhe në po i mbikqyrnim.”

 

Pas darke një të djelë, Nariman vuri një DVD të filmuar prej saj dhe Bilalit, kameramani i fshatit. (“Që nga fillimi,” më tregoi Bilali gjatë marshimit të premten e kaluar, duke filmuar qetësisht ndërsa granata lotsjellëse binin kudo rreth nesh, “ne vendosëm se media ishte gjëja më e rëndësishme në rezistencën popullore.”) Ne pamë një klip të filmuar në shtëpinë ku po rrinim: ushtarët i binin derës me të madhe natën vonë; ata u futën e kontrolluan dhomën e djemve ndërsa Salam dhe Abu Jazan strukeshin nën batanije dhe Nariman bërtiste në arabisht: “Çfarë burrërie është kjo! Çfarë ushtrie krenare që jeni!” Ushtarët konfiskuan një maskë kundragaz, dy kompjutera, kamerën e Uaedit dhe dy libra të tij shkollor – gjeografi dhe histori e Palestinës. (Në një e-mail, në zëdhënës i IDF i përshkroi këto sulme nate si “masa preventive, që merren për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin e zonës.”)

 

Ne pamë filmime të arrestimit të Nariman bashkë me gruan e Bilalit, Manal, në fillim të 2010-s. Ushtarët patën gjuajtur gaz lotsjellës brenda shtëpisë së Manalit, shpjegoi Nariman. Manal u fut me vrap brenda të merrte fëmijët e saj, dhe kur doli jashtë një ushtar ë urdhëroi të kthehej brenda. Ajo refuzoi, kështu që e arrestuan. Nariman u mundua të ndërhynte, dhe e arrestuan edhe atë. Ato kaluan 10 ditë në burgje ku, ato thonë, u rrahën shpesh, u zhveshën lakuriq për kontrolle, dhe u mbajtën dy ditë pa ushqim para se të hidheshin në anë të një rruge. (Buchman i IDF tha “Asnjë incident i jashtzakonshëm nuk u regjistrua gjatë këtyre arrestimeve.” Ai shtoi se asnjë ankesë nuk ishte bërë me autoritetet ushtarake.)

 

Ne pamë një klip të disa fëmijëve që qanin që u nxorrën nga dritarja e një dhome të mbushur me gaz lotsjellës në katin e dytë, dorë më dorë poshtë një shkalle njerëzish deri në rrugë. Në fillim, fshatarët i çonin fëmijët tek një shtëpi të gjithë bashkë gjatë demonstratave, por kur ushtarët filluan të gjuanin granata gazi nëpër shtëpi, vendosën se ishte më e sigurtë t’i linin të vinin në protestë. Pamë filmime të një ushtari që tërhiqte një 9-vjeçar zvarrë në rrugë, një ushtar tjetër godiste nënën 70-vjeçare të Manal. Më në fund Nariman tundi kokën dhe e fiku DVD. Shou Glee ishte në televizor.

 

Një të premte, pak pasi protestuesit e patën zënë rrugën me gurë të mëdhenj dhe me goma që digjeshin për të penguar ushtrinë nga hyrja në qendër të fshatit, një kamion i bardhë shpejtoi në kthesë, ndërsa një cyrril lëngu dilte prej topit të ujit të montuar mbi të. Dikush bërtiti “Qelbës!” dhe të gjithë ia dhanë vrapit. Uji i qelbësit vjen erë të çuditshme, por kryesisht si jashtqitje. Nariman nuk ishte e shpejtë sa duhej. Një goditje uji qelbësi e rrëzoi në tokë. Disa momente më pas ajo qëndroi në këmbë sfiduese, duke e lënë ujin ta qullte krejt dhe duke valëvitur një flamur palestinez. Pas një ore, duke i ardhur era shampo dhe qelbës, ajo po u shërbente çaj dhjetra protestuesve.

 

Çdo e premte ishte pak ndryshe. Disa demonstrata ishin të shkurtra, të tjera gati pambarim. Disa ishin komike, të tjerat jo. Disa ditë IDF hynte në fshat, ditë të tjera ata qëndronin në kodra. Nganjëherë ata bënin arrestime. Struktura bazë, ama, nuk ndryshonte shumë nga java në jav: disa minuta marshim, gaz lotsjellës, pastaj orë të tëra hedhjesh gurë nga rinia e fshatati – shebab  i quajnë – ndërsa u shmangen granatave të gazit dhe plumbave të gomës derisa ulet dielli dhe gjithkush shkon në shtëpi. Ose nuk arrin të shkojë në shtëpi.

 

Ishte një luftë e çuditshme, asimetrike: disa dhjetra shebab me maska, në moshë nga 8 në 38, të armatosur me llastiqe dhe gurë, kundër 20 a më shumë ushtarëve në makina të blinduara dhe në këmbë, të veshur me helmeta dhe antiplumb, që mbanin armë automatike dhe radio. Shebabët mundoheshin të përdornin taktika të ndryshme për t’i surprizuar ushtarët. Por edhe kur planet e tyre ekzekutoheshin në mënyrë perfekte, ata nuk mund të bënin më tepër se të irritonin armiqtë e tyre. Ushtarët, ama, sa vinte e përgjigjeshin me armë më të sofistikuara, gjë që i motivonte shebabët të mblidhnin akoma më tepër gurë të premte pas të premteje, edhe pse – dhe për shkak se – asgjë nuk dukej se ndryshonte, për mirë a për keq.

 

E pyeta një nga djemtë pse gjuante me gurë kur e dinte se ishte e kotë. “Dua të ndihmoj vendin tim dhe fshatin tim, dhe s’mundem,” tha ai. “Mundem veç të gjuaj me gurë.”

 

“Ne i shohim gurët tanë si mesazhi ynë,” shpjegon Basemi. Mesazhi që ata mbajnë, thotë ai, është “Ne nuk ju pranojmë.” Ndërsa Basemi fliste me admirim ndaj Mahatma Gandit, ai nuk shqetësohej nëse gjuajtja me gurë mund të quhej dhunë. Pyetja e mërziste atë: Izraeli përdor shumë më tepër forcë në mënyrë të rregullt, tregoi ai, pa iu kërkuar të shpjegojë qëndrimin e tij ndaj dhunës. Nëse bezja e thjeshtë e veshjes ishte simboli i rezistencës së Gandit, i lakuriqësisë së Indisë përpara fuqisë koloniale Britanike, tha Basemi, “Simboli ynë është guri.” Përplasjet javore me IDF, ishin kështu pjesërisht simbolike. Gurët nuk ishin thjesht copa minerare të hirta, por simbole mosbindjeje, simbole të refuzimit të nënshtrimit ndaj pushtimit, pavarësisht shanseve. Armët e ushtrisë kishin edhe ato mesazhe: të fuqisë ekonomike dhe teknologjike, të mbështetjes ndërkombëtare. Më shumë se një banues i Nabi Saleh më kujtoi se gazi lotsjellës i përdorur nga ushtarët prodhohej nga një kompani në Pensilvania të Amerikës.

 

Një pasdite, vizitova familjen e Mustafa Tamimit, i cili ishte 28 vjeç kur vdiq në Dhjetor të 2011-s pasi u gjuajt nga afër me një kanistër gazi lotsjellës nga një xhip i ushtrisë izraelite. (Një investigim i IDF përfundoi se kur ushtari gjuajti kanistrën, “ai e kishte fushën e pamjes të bllokuar.”) Muret ishin të mbuluara me korniza fotosh: një foto në profil e Mustafait në aksion, fytyra e tij pas një maske Spiderman ndërsa gjuante një gur drejt ushtarëve jashtë kornizës.

 

Gjatë javëve para vdekjes së djalit të saj, Ekhlas, nëna e tij, më tregoi se ushtarët patën ardhur dy herë në shtëpi duke e kërkuar. Kur ajo morri telefonatën atë të premte dhe iu kërkua të sillte kartën e identitetit të Mustafait tek kulla e rojes, ajo mendoi se ai ishte arrestuar, “ashtu si herët e tjera.” Pranë meje, Bahaa, një djalë i ri e i gjatë i cili ishte shoku më i ngushtë i Mustafait, po shfletonte disa foto në laptop, duke u endur mes një fotoje që tregonte Mustafain që rrëzohej në tokë disa metra larg xhipit to IDF, dhe një tjetre, të marrë disa momente më vonë, të fytyrës së tij të thyer e të gjakosur.

 

Ekhlas më tregoi rreth një ëndrre që kish pasur. Mustafa po qëndrontë mbi çati, duke veshur maskën e tij të kuqe. Në distancë dukeshin ushtarët. Ajo e thirri: “Mustafa, hajde poshtë! Të gjithë mendojnë se ti ke vdekur – është më mirë të mos të të shohin.”

 

Ai u kthye nga ajo dhe iu përgjigj: “Jo, po rri këtu që të më shohin.”

 

“Kjo është koha më e keqe për ne” më rrëfeu Basemi verën e kaluar. Ai nuk e kishte thjesht tek fakti se fshatarët kishin shumë pak rezultat për të justifikuar sakrificat e tyre çdo javë, por se gjërat dukeshin pa shpresë edhe jashtë fshatit. Të gjithë ata që ishin të mëdhenj në moshë për të mbajtur mend ishin në një mendje se kushtet për palestinezët ishin shumë më keq tani se para intifadës së parë. Postblloqet, sulmet, sistemi i lejeve, shtojnë edhe më shumë ndaj fyerjeve të përditshme që palestinezët durojnë. Numri i kolonëve izraelitë që jetojnë në Bregun Perëndimor është trefishuar që nga Marrëveshja e Oslos. Rezistenca, ama, mbetet e kufizuar tek disa fshatra të shpërndarë si Nabi Saleh dhe një lëvizje e vogël e rinisë urbane.

 

U ula një ditë në Ramallah me Samir Shehadeh, një ish-profesor letërsie nga Nabi Saleh, i cili ishte një nga arkitektët intelektualë të intifadës së parë dhe të cilin e kisha takuar disa herë në shtëpinë e Basemit. E kujtova për aksidentin e makinës që ndezi kryengritjen e parë dhe e pyeta se çfarë lloj shkëndije duhej për të mobilizuar palestinezët të luftonin sërish. “Situata është 1000 herë më e keqe,” tha ai. “Ka me mijëra shkëndija të mundshme,” por asgjë s’ka ndodhur.

 

Në vitet 1980, organizatorët e rinj si Basemi u fokusuan në punën vullnetare: duke ndihmuar fermerët ne fusha, duke edukuar fëmijët e tyre. Ata ndërtuan besimin dhe rrjetet sociale që më vonë do lejonin rezistencën të koordinonte veprimet e saj pa pritur për urdhra nga lart. Ato rrjete nuk ekzistojnë më. Në vend të tyre ndodhet Autoriteti Palestinez. Menjëherë pas marrëveshjes së parë të Oslos në 1993-shin, dijetari Eduard Said parashikoi se “OÇP do të bëhet polici i Izraelit.” Oslo lindi një shtet fantazëm, një aparat administrativ të gjerë por impotent, me Izraelin që kontrollon financat, kufijtë, ujin dhe çdo aspekt të madh e të vogël të jetës palestineze. Edhe më poshtërues akoma, është fakti se, Oslo, sipas fjalëve të Saidit, i dha “pranimin zyrtar palestinez pushtimit të vazhdueshëm,” duke krijuar një elitë lokale privilegjet e së cilës varen nga vazhdimi i status-quos.

 

Elita jeton rehat brenda të ashtu-quajturës “flluska e Ramallës”: bota e qetë dhe relativisht e lumtur e kafeneve, rrogave të OJQ-ve dhe mallrat e importuara që karakterizojnë jetën në kryeqytetin e përkohshëm të Bregut Perëndimor. Gjatë ditës, dyqanet e rrobave dhe të ushqimeve fast-food janë plot e përplot. Kulla të reja të larta po ngrihen kudo. “Unë nuk e humba motrën time, kushëririn tim, dhe një pjesë të jetës sime,” thotë Basemi, “që djemët e ministrave” të dalin xhiro me makina të shtrenjta.

 

Më keq se cdo korrupsion, ama, është normaliteti në aparencë. Kolonitë janë të dukshme në kodrat përreth, por nuk ka postblloqe brenda në Ramallah. IDF rrallë hyn në qytet, dhe zakonisht natën. Pak palestinezë vazhdojnë të punojnë në Izrael, dhe jo të gjithë mund të jetojnë nga tokat bujqësore. Për ata mijëra kamarierë, punonjës, inxhinierë, punëtorë krahu, mekanikë e burokratë të cilët kalojnë ditët e tyre në qytet dhe kthehen në fshatrat e tyre çdo mbrëmje, Ramallah – që ka një popullsi to rregullt prej 100,000 banorësh – premton mundësinë e harrimit të pushtimit dhe ndjekjes së një karriere, kursimit për një makinë, dërgimit të fëmijëve në universitet.

 

Por postblloqet, kolonitë, dhe ushtarët presin sapo del nga qyteti, dhe iluzioni i normalitetit e bën punën e Nabi Saleh edhe më të vështirë. Nëse palestinezët do besonin se mund të jetonin më mirë duke ndejtur urtë, kush do bezdisej të luftonte? Kur Basemi u burgos gjatë dekadave të kaluara, tregon ai, të burgosurit mezi prisnin të dilnin e të rifillonin luftën e tyre. Ketë herë, ai takonte shokë të vjetër të cilët nuk e kuptonin pse ai vazhdonte të luftonte në vend që të pasurohej nga bashkëpunimi me pushtimin. “Ata më thanë: ‘Ti je i zgjuar – pse e bën këtë? A nuk zure mend?’”

 

Nganjëherë, Autoriteti Palestinez vepron si një barrierë më imediate ndaj rezistencës. Pak pasi filluan protestat në Nabi Saleh, Basemi u kontaktua nga zyrtarët e sigurisë së AP. Demonstratat ishin OK, i thanë ata atij, për sa kohë nuk kalonin në zona ku AP kishte juridiksion – për sa kohë, dmth., që ato nuk e detyronin AP të zgjidhte njërën anë, që ose të sfidonin drejtpërsëdrejti Izraelin, ose të shtypnin popullin e tyre. (Një zëdhënës për forcat e sigurisë palestineze, Gjeneral Adnan Damiri, e mohoi këtë dhe tha se Autoriteti Palestinez i mbështet plotësisht të gjitha demonstratat paqësore.) Në Hebron, forcat e AP i kanë ndaluar protestuesit të marshojnë në sektorin e qytetit të kontrolluar nga Izraeli. “Ky nuk është bashkëpunim,” tha një zëdhënës i IDF që pranoi të fliste vetëm anonimisht. “Izraeli ka disa interesa dhe AP ka disa interesa, dhe ato interesa qëllojnë që përputhen.”

 

Basemi nuk shihte ndonjë mënyrë të lehtë për të thyer topitjen dhe ndezur një rezistencë popullore më të gjerë. “Ata kanë pushtetin,” tha ai për AP, “më tepër se Izraeli për të na bllokuar.” Autoriteti Palestinez punëson 160.000 palestinezë, që do të thotë se kontrollon jetesën e një çerekut të familjeve të Bregut Perëndimor. Një natë pyeta Basemin dhe Bilalin, i cili punon për Ministrinë e Shëndetësisë, sa veta në Nabi Saleh varen nga AP për rrogat e tyre. Atyre iu deshën disa minuta të numëronin emrat. “Le të themi dy të tretat e fshatit,” përfundoi Bilali.

 

Verën e kaluar, e premtja ime e fundit në Nabi Saleh duhej të ishte një ditë e shkurtër. Një nga shebabët po fejohej me një vajzë nga një fshat aty afër, dhe të gjithë do të shkonin në ceremoninë e fejesës. Demonstrata do mbarontë në orën 3.

 

Katër makina të blinduara prisnin tek kthesa e rrugës, kamioni i qelbësit pas tyre. Manal tregoi me gisht policët civilë që shoqëronin ushtarët. “Ata kanë një rregullore të re që mund të arrestojnë ndërkombëtarët,” shpjegoi ajo. Më herët atë muaj, si pjesë e përpjekjes për të luftuar atë që izraelitët e quanin “ndërkombëtarizimi” i konlfiktit, forcat e mbrojtjes lëshuan një urdhër që autorizonte policinë e imigracionit të Izraelit për të arrestuar të huajt në Bregun Perëndimor.

 

Gati gjysma e marshuesve shkuan poshtë kodrës. Ushtarët që prisnin poshtë arrestuan katër izraelitë dhe Bashirin, pronarin e tokës përreth përroit. Të gjithë brohoritën teksa Muhamedi vrapoi tatëpjetë kodrës duke ua kaluar ushtarëve. (Tre muaj më vonë ata do ta arrinin gjatë një inkursioni nate në shtëpinë e babait të tij. Ai u burgos deri në fund të Dhjetorit.) Pashë Narimanin që qëndronte në rrugë me një grua skoceze. Shkova atje. Dy ushtarë mbërthyen protestuesen skoceze. Dy të tjerë më kapën mua nga krahët, më tërhoqën në një xhip dhe më shtynë brenda. I tregova shoferit kartën time të gazetarit. Shprehja e tij nuk ndryshoi. Dy gra të reja të frikësuara britanike ishin brenda të kyçyra. Pas gati një ore, ushtarët sollën një suedez dhe një italian që po fshiheshin në banjon e një dyqani aty afër. Më shumë ushtarë erdhën brenda. I tregova njërit kartën time të gazetarit dhe e pyeta nëse e kuptonte që isha gazetar. Ai pohoi me kokë. Më në fund shoferi nisi makinën. Pasi kaluam stacionin e karburantit, shebabët vrapuan pas nesh.

 

“Ata ishin kaq të bukur disa minuta më herët, apo jo?” tha ushtari pranë meje ndërsa gurët e shebabëve godisnin xhipin. “Ishin kaq të ëmbël.”

 

Ata na çuan tek stacioni i vjetër policor Britanik në bazën e IDF në Halamish. Ndërsa po rrija ulur në një stol, një zëdhënës i IDF më thirri në celular për të më informuar se asnjë gazetar me kartë identiteti të shtypit nuk ishte ndaluar në Nabi Saleh. Unë kundërshtova. (Ditën tjetër, sipas Agjensisë France-Presse, IDF mohoi që unë isha arrestuar.) Pas gjysëm ore, një oficer më shoqëroi tek porta.

 

Ndërsa ecja për tu kthyer në Nabi Saleh, rruga ishte e zbrazët, por ajri ishte akoma i piperosur me gaz lotsjellës. U ktheva në kohë për ceremoninë e fejesës dhe të nesërmen fluturova me avjon për në shtëpi. Pesë aktivistët e ndaluar me mua u deportuan. Dy netë pasi ika, ushtarët bënë raprezalje në shtëpinë e Basemit. Javën e ardhshme ata bënë inkursion në fshat pesë ditë rresht.

 

Tetorin e kaluar, lëvizja e rezistencës popullore filloi të ndryshonte taktikat, duke u përpjekur të thyente rutinën e demonstratave javore. Ata bllokuan një rrugë kolonësh në perëndim të Ramallahs, the javën e tjetër zhvilluan një protestë brenda një supermarketi izraelit në zonën industriale të kolonisë Shaar Binyamin. Basemi u arrestua jashtë marketit – ushtarët mbërthyen Narimanin dhe më pas e tërhoqën Basemin zvarrë kur ai ndërhyri për ta ndihmuar atë. Dy javë më vonë, Uaedi u arrestua në një demonstratë të premteje. Ushtarët e rrahën atë, ai tha, “me grushta dhe me armë.” Kur ai u paraqit në gjyq, Uaed ishte akoma i mavijosur. Gjykatësi hodhi poshtë akuzat. Por ndërsa ishte i ndaluar, ai ishte në të njëjtin burg me babain e tij dhe e pa atë shkurtimisht. “Kur i thashë mirupafshim,” tregon Uaed me krenari, “ai kishte lot në sy. Unë isha më i fortë se ai.”

 

Ditën e arrestimit të Uaedit, një kamera filmoi Ahedin që tundte grushtin e saj, duke kërkuar të dinte nga ushtarët ku po e shpinin vëllain e saj. Interneti mori flakë: video e vajzës së vogël bjonde me krahët jashtë që përballej me ushtarët u përhap si virus. Ajo dhe Nariman u ftuan në Stamboll, ku, si surprizë, ato u pritën në aeroport nga dhjetra fëmijë që mbanin veshur bluze me foton e Ahedit. Ato kaluan me makinë pranë reklamave të mëdha me foton e saj. Gazetarët i ndiqnin kudo. Turma mblidheshin kur ato ecnin në rrugë. Ato u shpunë tek Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan në qytetin e juglindjes Urfa, tha Nariman, dhe fluturuan me të në Stamboll me avjonin e tij.

 

Jo të gjithë reaguan kaq me entuziasëm. Një bloger i krahut të dhjathtë e quajti Ahedin “Shirley Temper”. Faqja izraelite e lajmeve Ynet i përdori imazhet si provë se “Palestinezët përdorin fëmijët për të ngacmuar ushtarët e IDF duke shpresuar të provokojnë një përgjigje të dhunshme.”

 

Në mes të Nëntorit, rraketat e Izraelit filluan të bien mbi Gazën. Protestat u përhapën në gjithë Bregun Perëndimor. “Ne menduam se do ishte fillimi i intifadës së tretë,” më tha Manal. Demonstratat në Nabi Saleh u zgjatën përtej mbrëmjes së të premtes. Një të shtunë në Nëntor, vëllai i Nariman, Rrushdi – i cili punonte si polic pranë Ramallahs dhe rrallë herë ishte në shtëpi të premteve – u bashkua me shebabët në kodër. Ajo po qëndronte pranë Uaedit kur u godit nga një plumb gome. Më pas ushtarët filluan të gjuajnë me plumba zjarri, por Rrushdiu ishte i plagosur dhe s’mund të vraponte. Ndërsa qëndronte shtrirë në tokë, një ushtar e qëlloi në shpinë nga disa metra larg. Nariman vrapoi tek kodra me kamerën e saj dhe e gjeti vëllain e saj të plagosur. “Doja ta sulmoja ushtarin dhe të vdisja me Rrushdiun mu aty, por e dija se duhet të isha më e fortë se aq,” tha Nariman. “Pse mua më kërkohet të jem më humane se ata?” Rrushdiu, i cili ishte 31 vjeç, vdiq dy ditë më vonë. Një investigim i IDF gjeti se ushtarët qëlluan 80 plumba zjarri dhe dështuan “të kontrollonin zjarrin”. Komandanti i grupit thuhet se u hoq nga detyra.

 

Kur luftimet u ndalën në Gaza, protestat në Bregun Perëndimor u ndalën. U ktheva në Nabi Saleh në Janar, tre javë para lirimit të Basemit. Fshati dukej apatik dhe i depresuar, sikur të gjithë ishin të bindur se ishte e kotë të vazhdohej. Të premten time të parë pasi isha kthyer, demonstratat mbaruan herët: shebabët kishin një ndeshje futbolli në një fshat tjetër. Javën tjetër ra shi dhe të gjithë vajtën në shtëpi pas një ore. “Ne akoma po jetojmë shokun e vrasjes së Rrushdiut,” më tregoi Muhamedi.

 

Nëpër Bregun Perëndimor, sidoqoftë, impulsi po rritej. Vonë në Nëntor, Netanjahu lajmëroi planet për të ndërtuar 3400 banime kolone në një zonë të quajtur E1, që praktikisht e shkëpuste Jeruzalemin nga Bregu Perëndimor. Pak para se të mbërrija në Janar, aktivistët e rezistencës popullore provuan diçka të re, ngritën një “fshat me tenda” të quajtur Bal al-Shams në E1, duke përdorur simbolikisht metodat e konfiskimit të tokës të kolonëve izraelitë. “Koha ka ardhur për të ndryshuar rregullat e lojës,” shkruajtën organizatorët në deklaratën e shtypit, “që ne të vendosim faktet në terren – në tokën tonë.” Numri i tyre ishte relativisht i vogël – rreth 250 veta morrën pjesë, duke përfshirë Narimanin dhe disa të tjerë nga Nabi Saleh – dhe, me urdhër direkt nga Netanjahu, ushtarët i nxorrën me dhunë pas dy ditësh, por lëvizja sërish po kapte titujt e gazetave nëpër botë. Ngulimi të ngjashme u ngritën ngado në Bregun Perëndimor – edhe në disa zona ku rezistenca popullore nuk kishte qenë aktive më herët.

 

Ditën pas lirimit të tij, Basemi më tregoi se edhe ulur në burg ai kishte ndjerë një “ndjenjë gëzimi” kur kishte mësuar për Bab al-Shams. Rezistenca popullore më në fund po përhapej përtej demonstratave të fshatit. “Ne duhet të krijojmë një ndjenjë ringjalljeje,” tha ai, “jo vetëm në Nabi Saleh por në një shkallë të gjerë.” Humbjet e fshatit – dhe të tijat – ai pranoi, ishin të frikshme. “Çmimi tani është më i lartë,” tha ai, por “nëse nuk vazhdojmë, do të thotë se pushtimi ka fituar.” Kjo kërkon kreativitet të vazhdueshëm, tha ai, për ta ruajtur impulsin. Ai akoma nuk e dinte se si do dukej kjo punë, por thjesht duke folur për këtë ai dukej më i lartësuar.

 

Brenda disa ditëve, mijëra palestinezë protestuan nëpër Bregun Perëndimor, në fillim në solidaritet me të burgosurit në grevë urie që kërkonin fundin e ndalimeve pa limit të palestinezëve pa gjyq, më pas në shenjë zemërimi pas vdekjes së të burgosurit 30-vjeçar Arafat Jaradat. Edhe njëherë, fjalët “intifada e tretë” po gumëzhinin nëpër lajme. Avi Ditcher, drejtori i sigurisë së brendshme të Izraelit gjatë intifadës së dytë dhe ministri i tanishëm i Frontit të Mbrojtjes së Brendshme, këshilloi në një intervistë në radio se “një përgjigje jo korrekte e forcave të sigurisë” mund t’i shtynte protestat në një revoltë të përgjithshme.

 

Kur e pashë Basemin në Shkurt, e pyeta nëse ishte i shqetësuar nëse kryengritja do të mbërrinte më në fund në momentin e vetë-dyshimit më të madh të Nabi Saleh, dhe që mund ta kapte fshatin duke dremitur. “Nuk ka rëndësi se kush po reziston,” tha ai. “Rëndësi ka që po rezistojnë.”

Të premten e fundit që isha atje, era ishte kundër demonstruesve. Gati çdo granatë që gjuajtën ushtarët, edhe nëse binte larg, sillte një re me gaz sipër rrugës direkt e tek ata. Disa dhjetra fshatarë i shikonin përplasjet nga qetësia relative e majës së kodrës. Kushëriri i Basemit, Naxhi, ishte ulur në një jastëk divani. Mahmud, nipi i Basemit, mbushte kafe në kupa plastike. Lule të kuqe kishin çelur tek tuk në kodrën mes shkëmbinjve. Rruga ishte e lirë, por askush nuk shkoi për tek përroi.

 

Kur demonstrata u duk se mbaroi, eca për në fshat sëbashku me një izraelit të ri me një bluze të zezë që thoshte “Anarchy Is for Lovers.” Ai më tregoi rreth fëmijërisë së tij në një kibutz pranë rripit të Gazës. Prindërit e tij ishin “Zionistë të ekstremit të djathtë,” tha ai, “hard-core.” Ata nuk flisnin më me të. Një grup ushtarësh u shfaqën pas nesh, dhe ne u turrëm për tek oborri i Narimanit ndërsa ata gjuajtën disa granata zhurmuese sipër murit. Më vonë atë mbrëmje, tek shtëpia e Naxhit, pashë videon e Bilalit që tregonte të njëjtit ushtarë që ecnin në rrugë dhe gjuanin granata gazi derisa arritën xhipat e tyre. U futën brenda dhe mbyllën dyert e blinduara. Një derë u hap veç pak. Një dorë doli. Hodhi një granatë të fundit drejt kameras. Gazi vërshoi, dera u mbyll dhe xhipi shpejtoi poshtë rrugës.

 

Ben Ehrenreich është fitues i National Magazine Award në 2011 për reportazhe. Romani i tij më i fundit është “Ether”, i publikuar nga City Light Books.

 

Marrë nga New York Times

Përktheu A.T.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *