Nuk Preket Historia e Turqisë, por e Serbisë… Shkruan revista Jeta në Kosovë:

 

Turqia nuk është e vetmja që nën parullën e vëllazërisë turko-kosovare i sugjeron Kosovës ndryshimin e paragrafëve dhe shprehjeve në librat e historisë në raport me Perandorinë Osmane.

Para saj ishte Këshilli i Europës që nën sloganin e integrimit e kishte udhëzuar Ministrinë Arsimit të ndryshonte fjalë e shprehje në raport me Serbinë dhe serbët.

Dhjetë vjet më parë, në vitin 2003, një komision tjetër i MASHT-it kishte rishikuar shprehje e paragrafë të këtyre librave.

Atëherë vendi kishte katër vjet nga lufta me Serbinë. Nga rishikimet e bëra në atë kohë del se “Serbia nuk pushtoi Kosovën”, por këtë e bëri pushteti i saj. Ky pushtet nuk erdhi me “ushtri”.

Nga rishikimet del se nuk ka pasur “rritje të represionit serb ndaj shqiptarëve”. Çfarë ka pasur ishte “rritja e represionit shtetëror ndaj shqiptarëve”.

Këto janë disa nga ndryshimet në librat e historisë më të cilat për dhjet vjet, nga viti 2003, kanë mësuar nxënësit shqiptarë të Kosovës.

Edhe atëherë rishikimet ishin bërë nga një komision profesional, i ngjashëm me këtë të fundit të krijuar për periudhën e Perandorisë Osmane.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar dokumente që vërtetojnë se në vitin 2003 është rekomanduar rishikimi i librave të historisë së klasave të 4, 8, ajo e Popullit Shqiptar për Shkollat e Mesme, Historia e vitit të tretë Gjimnaz dhe Historia e Popullit Shqiptar për vitin e dytë të Shkollave Profesionale.

Më 31 mars 2003, komisioni në përbërje të akademik Jusuf Bajraktarit, profesor doktor Emine Arifi-Bakallit dhe profesor Frashër Demajt, i kishte dërguar Ministrisë së Arsimit propozim-rekomandimet  me ndryshime.

Komisioni në atë kohë kishte propozuar që fjalët “pushtuesi serb” të zëvendësoheshin me “pushteti”.

Në vend të “serb” është vendosur “shtetëror” kur flitet për intitucione, shprehja “antiserbe” është fshirë, ndërsa fjali të tipit “rritja e represionit serb ndaj shqiptarëve” është zëvendësuar me fjalinë “rritja e represionit shtetëror ndaj shqiptarëve”.

Në librin e Historisë të klasës së 8-të, fjalën “serbe”, komisioni e kishte shndërruar në “jugosllave” kurse në Librin e Historisë së Popullit Shqiptar për Shkollat e Mesme, fjalia “të pushtimit serb” është fshirë.

Në librat e Historisë për vitin e tretë gjimnaz, janë fshirë fjalët “serb”  dhe “ushtria serbe”, kurse pjesa “Lufta e shqiptarëve në Jugosllavi për barazi dhe të drejta kombëtare”, me arsyetimin se ka shumë gabime profesionale, është rekomanduar të hiqet tërësisht.

I njëjti rekomandim është dhënë edhe për Historinë e Vitit të dytë për Shkollat Profesionale ku kapitulli “Lufta për çlirimin e Kosovës”, është propozuar të fshihet tërësisht për shkak të shumë gabimeve.

Kopertina_e_Librit_te_Isa_BlumitNdryshimet e asaj kohe i kujton akademik Mehmet Kraja. “Një gjë edhe më e shëmtuar nga kjo që bëhet sot”, thotë Kraja për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Disa nga ata historianë që i nënshkruan ndryshimet atëhershme në tekstet e historisë, tani dalin në medie dhe shesin patriotizëm dhe dokrra të tjera”, thotë Kraja.

“Dinjiteti intelektual këtu ka kohë që është vënë në dyshim”.

 

Për një intervistë shumë interesante të historianit Isa Blumi po në këtë revistë, klikoni këtu.

 

Shkruan Blumi: “Shqiptarët’ kolektivisht nuk i kanë kaluar jetët e tyre duke u ‘rezistuar’ përjetësisht forcave ‘okupuese osmane”. 

“Kjo përbën një paraqitje tërësisht të gabuar të një historie pothuajse 600-vjeçare gjatë së cilës të gjithë otomanët (përfshirë shqiptarët – myslimanë, të krishterë dhe çifutë) bashkëjetonin në mënyra që konsiderohen të ‘pamundura’ sipas kornizave kufizuese ideologjike dhe sociologjike përmes së cilave ne sot i studiojmë marrëdhëniet njerëzore”.

Comments

  • Kete pune ne fakt e ka nisur Kadareja ku cdo gje qe ka shkruajtur per Greqine ne dy dekadat e fundit kane qene kapituj vazhdues te “Dy popuj miq” te Enver Hoxhes. E sigurisht i ka atribuar Turqise gjithe fajet per armiqesite e Ballkanit.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *