Bledar KominiBledar KOMINI

 

Kur fati im shikon të perdes dritë

Çfarë trajtash shfaqen pas saj, shiko, hapi sytë

Sikur para syve të njerëzve perdeja t’mos ishte

Veprën artistike pas saj kush do ta shihte?

Eja mendo për artistin vepërmadh që të lë mbresë

Duke shikuar hijen e iluzionit për fytyr’ t’ perdesë

(Vargje të huazuara nga një këngë lirike orientale)

 

Përpara sprovës, një sprovë për mënyrën e “vëzhgimit” të artit dhe estetikës

I ndikuar thellësisht nga debati mbi objektet e kultit në Shqipëri e më konkretisht ato islame, mendova të përshtat dhe ribotoj disa prej studimeve të mia në formë sprove mbi këtë art. Edhe pse janë shkruar para shumë vitesh kur endesha në gjurmët dhe hapësirat e estetikes e artit për të kuptuar domethënien e tyre, i gjej shumë aktuale për të sqaruar disa koncepte dhe ide që qarkullojnë mbi artin dhe estetikën islame në përgjithësi e në veçanti atë osmane në Shqipëri. Duke dashur të tregoj se pavarësisht origjinës se nga vjen apo rrymës se ku shkon, arti mbetet burimi dhe  frymëzimi më i lart i shpirtit fetar, ai lidh në mënyrë të pazgjidhshme dogmën me të përvojën, të dukshmen me të padukshmen, shkrin hapësirat dhe masat dhe në fund laton ndërgjegjen.

Diskutimi mbi estetiken është shumë i lashtë, në përgjithësi ai ka tendencë të vërë në pikëpyetje të kaluarën më shumë se sa të ardhmen. Brezat e sotshëm e kanë më të thjeshtë të diskutojnë mbi objektet e ndërtuara vite apo shekuj më parë, ashtu si dhe mbi parimet e përdorura në lidhje me ndërtimin e këtyre objekteve. Vlen të theksojë se, nga të gjitha hulumtimet e mia mbi artin dhe estetikën islame, vetëm në dy raste mendoj se kam arritur të ndjehem i çlirët shpirtërisht; përpara kryeveprave të Mimar Sinanit, ku raporti masë-objekt, shkrihej me hapësirën dhe nën hijen e xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, që thellësisht trupëzon artin në ndërgjegje dhe manifeston shpirtin brenda materies.

Bukuria e artit dhe arkitekturës islame jo vetëm të kthen në robin më të mikluar të pamjes, por aq shumë ndikon sa artisti kthehet në hijen e iluzionit përball veprës që të lë kaq mbresë. Përpara kësaj sprove të shkurtër, po ashtu dua të theksojë se politizimi i artit, sidomos ai i kryer gjatë viteve të errta të komunizmit, prodhoi monstruozitete të cilat vazhdojnë të ndikojnë dhe sot në shpirtin dhe mendjen e atyre që këto vepra i shikojnë si burim frymëzimi. Për këtë arsye shmangia nga politizimi shërben si dritare për ta parë veprën pa perden e mashtrimit.

Gjatë fazave të ndryshme të historisë (si dhe në ditët e sotme), disa vepra arkitektonike si dhe stili i përdorur për ndërtimin e tyre janë vënë në qendër të kritikës. Kjo madje shpeshherë ka dal aq shumë jashtë kontekstit sa diku lexoja se nuk ka rëndësi objekti (xhamia), por më shumë vlerë ka besimtari. Në një shoqëri “primitive” dhe të paurbanizuar sigurisht që përparësi ka më shumë besimtari, por në një shoqëri të mirë organizuar thelbi mbetet objekti dhe vlerat që ai transmeton tek brezat. Ky ndikim është aq i madh sa mungesa e këtij objekti kulti ndikon drejtpërsëdrejti në të pandërgjegjshmen sociale, e cila shthuret dhe humbet identitetin. Shembulli më i mirë për këtë, janë pesë dekadat e komunizmit, ku mungesa e objekteve të kultit u kthye në simbolikën e “revolucionit” që frymëzoi turmat në Shkodër dhe Kavajë gjatë viteve 1990-1991, për të rihapur “Shtëpitë e Zotit”.

Një hyrje e gjatë mbi artin islam në përgjithësi

Ashtu siç çdo art edhe arti islam në vetvete është mbështetur dhe i ka gjetur rrënjët e tij në të kaluarën personifikuese ose në ambientin ku është shprehur energjia dhe gjeneza e kësaj feje hyjnore (monoteiste). Sigurisht gjeneza e kësaj feje na çon drejt burimit të përhershëm të frymëzimit të besimit Islam, ajo na shpie drejt e tek Kurani dhe Kabeja (Qabeja), libri më i lexuar dhe monumenti më i vizituar sot në botë. Artistët myslimanë e panë Kuranin si burim të pashterur frymëzimi për subjektet e tyre letrare dhe poetike si dhe për veprat e artit.[1] Ndërsa Kabeja, monumenti i pare i traditës islamike, u ndërtua si një objekt kulti në të cilin do të madhërohej Zoti i Ibrahimit (Abrahamit) dhe Ismailit (Ishmaelit)[2]. Më pas arti islam u mbështet fuqishëm mbi vlerat që mbartte dhe ngrinte lart xhamia – mesxhidi –, si element thelbësor i kësaj feje. Mbi këtë shtresëzim normash dhe sjelljesh fetare, që lindi në Gadishullin Arabik dhe prej andej u shpërnda kudo, u ushqyen dhe frymëzuan artistët myslimanë përgjatë historisë.

Por a mund ta lidhim fillesën e artit islam me religjionin?! Si lindi arti islam dhe kujt i referohej në fillimet e tij? Cilat ishin dimensionet e para të këtij arti? Këto janë pyetje të cilat do mundohem t’i trajtoj shkurtimisht më poshtë.

Në përgjithësi arti islam si koncept, përmbledh në vete, të gjitha artet me origjinë islame, të prodhuara ose konsumuara në ato vende ku myslimanët zhvillojnë aktivitetin e tyre. Arti islam karakterizohet prej disa ndryshimeve në krahasim me artin kristian, hindus, budist e jahudit, ai nuk vihet vetëm në shërbim të fesë, por synimi i tij është që të vihet në shërbim të të gjithë kulturës islame. Arti islam nuk mund të jetë domosdoshmërish krijim vetëm i myslimanëve, kjo për të vetmen arsye se një pjesë e veprave të këtij arti janë krijuar prej artistësh jomyslimanë, të vënë në shërbim të sundimtarëve të ndryshëm myslimanë. Gjithashtu termi nuk i referohet vetëm një periudhe kohe, por ai përfshin të gjithë hapësirën ku kanë jetuar dhe jetojnë myslimanët.[3]

Fakti që gjeneza e artit islam frymëzohet dhe lidhet drejtpërdrejt me një objekt kulti ose me vetë besimin tek Zoti, nuk është diçka e re për studiuesit e artit. Edhe në periudhat e hershme historike njerëzit mundoheshin që besimet, besëtytnitë, dhe atë çfarë ata dëshironin ose adhuronin, i pikturonin në mure shpellash ose i gdhendnin.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me civilizimin islam. Aq e fortë ka qenë lidhja ndërmjet besimit, adhurimit dhe dëshirës për ta shprehur këtë universalitet dhe unitet, sa myslimanët u rrekën me qindra vjet që kredon e tyre të besimit në një Zot ta përkufizonin në çdo aktivitet dhe qelizë të jetës. Prej këtij përkufizimi nuk shpëton as arti, i cili nën kredon islame të absolutizmit dhe unitetit hyjnor do të shkapërderdhej prej Gadishullit Arabik në të gjitha drejtimet. I këtij mendimi është edhe dijetari i njohur mysliman Seid Husein Nasr, i cili në librin e tij “Science and Civilization in Islam”, kur shkruan për artin në një fragment të tij thotë: “Artet dhe shkencat në Islam kanë për bazë të tyre idenë e unitetit, që është edhe zemra e mesazhit Islamit. Të gjitha format e artit islam, kudo ku janë punuar, qoftë në Alhambra ose në xhaminë e Parisit, na japin ne forma të tilla plastike, nëpërmjet të cilave ai që vrojton, kupton manifestimin dhe madhërimin e Unitetit hyjnor, të shprehur në shumësin e të gjitha këtyre formave…”.[4]

Arti islam nuk ndryshon shumë prej arteve të krijuara prej qytetërimeve të ndryshme para apo pas tij. Ndryshimi i tij qëndron në faktin se ai nuk shprehet vetëm si arti i së bukurës, sepse siç thotë Alija Izetbegoviç, e kundërta e të bukurës nuk është e shëmtuara por gënjeshtra. Pasi maskat e aztekëve apo ato nga Bregu i Fildisht, nuk janë të bukura por të shëmtuara, mirëpo ato anojnë ka synimi i shprehjes së realitetit të botës shpirtërore të këtyre popujve. Në të njëjtën kohë, –  po sipas A. Izetbegoviçit – artisti mysliman e ndjen veten si një “murg”, i cili kërkon që të shkëputet prej materializmit dhe t’i jepet shpirtërores nëpërmjet veprës së tij.[5] Vetëm kështu ai do të arrij të nxjerr jashtë atë që bren dhe ngacmon shpirtin. Ndërsa sipas Gazaliut (1058-1128), duke qenë se bukuria është një cilësi e Zotit, ajo përmblidhet në dy perceptime kryesore, përmasat e përsosura dhe shkëlqimin e më të arrirës. Kjo gjë vlen si për pjesën e brendshme të gjërave ashtu dhe për atë të jashtme.[6]

Megjithatë ideja e një arti islam, i takon periudhës modern, në të cilën qytetërimi Perëndimor, me dëshirën për t’u dalluar prej qytetërimeve dhe kulturave të tjera, e përkufizoi këtë art nëpërmjet këtij termi.[7]

Nëse do t’i qëndrojmë besnik përcaktimit më të njohur dhe më të vjetër të estetikës, si disiplina mbi të bukurën[8] ose shkenca mbi të bukurën, mund të themi se bukuria  në fenë islame dhe më pas në civilizimin islam, përbën një prej temave dhe qëllimeve kryesore të trajtimit dhe filozofisë së artit. Kur në artet islame flitet për të bukurën, kjo nuk nënkupton një bukuri sipas koncepteve perëndimore, objektiviste ose subjektiviste, por nënkupton “bukurinë absolute”, dhe shfaqjen e saj në gjithësinë e dukshme. Për artistin mysliman e bukura nuk është meritë e vetvetes, por ajo është meritë e krijimit hyjnor, e përsosmërisë së Krijuesit, i Cili si veti të krijimit të Tij, ka përsosmërinë dhe bukurinë e krijesës. Trëndafili nuk është i bukur prej natyrës së tij, e as se është përjetim i vetes sonë në të. Bukuria e trëndafilit përbën manifestimin e cilësisë hyjnore të bukurisë (xhemal). Ndërsa e shëmtuara, që në civilizimin perëndimor është antiteza e të bukurës, në artin islam nuk përjetohet si e tillë, sepse duke qenë se bukuria është absolute, e shëmtuara nuk ekziston.

Ndryshe nga ideja e Kantit (të cilën e zhvilloi tek Kritika e gjykimit – pjesë e veprës Tre kritikat) për një estetikë autonome ku ndahet objekti nga subjekti, si dhe nga ajo e Hegelit, ku arti një ditë duhet të vdesë, estetika islame sipas Omar Nasimit, nuk është e tillë, ajo synon të bashkojë në një: objektin me subjektin, të bukurën me Krijuesin, absoluten me njerëzoren dhe socialen me individualen. Në këtë formë estetika islame, nuk mund të ndahet as prej kuptimit të përgjithshëm të një vepre arti dhe as prej kuptimit që i jep asaj autori. Në përgjithësi veprat e artit islam anojnë me kah nga individualja drejt sociales ose nga individualja drejt absolutes, prandaj edhe ideja e një estetike sociale, që vihet në shërbim të të tjerëve – por, të cilës nuk mund t’i heqësh kurrë frymëzimin dhe botëkuptimin që i jep autori veprës si dhe këndvështrimin sipas të cilit ai e ka punuar atë – është në pikësynimin e çdo artisti mysliman.[9]

Ka pasur edhe prej atyre artistëve që artin e Lindjes (në përgjithësi atë islam) e kanë përcaktuar si art “femëror”, i cili përqendrohet tek emocionalja dhe forcën shprehëse e gjen tek ngjyrat, ndërkohë që artin Perëndimor e kanë parë si “maskil”, që më shumë interesohet për format plastike të cilat janë të zhveshura prej ngjyrave dhe përgjithësisht përkufizohet kollaj prej intelektit.[10]

Meqë në Artet e bukura[11] përfshihet edhe arkitektura, po e nis këtë udhëpërshkrim të fillesave të artit islam, pikërisht prej saj. Pasi në fillim ishte vetëm arkitektura e thjeshtë islame dhe më pas, pasi që Kalifati arabo-islam ndjehu fuqinë, u formësuan ngadalë njëra pas tjetrës dhe filluan të lindnin vepra artistike në fushat e tjera të arteve, si në kaligrafi, gdhendje, qeramikë, skalitje, miniaturë, xehtari, pikturë etj.

Kthimi nga Kabeja drejt Jeruzalemit – dhe më pas sërish drejt Kabes – përcakton në mënyrë margjinale dhe dy objektet e para të personifikimit dhe identifikimit të Islamit me kulturën urbane si dhe me ndërtimet e kultit. Pas kësaj etape të gjithë besimtarët myslimanë do t’i ndërtonin xhamitë kudo që ata do të shpërndaheshin me orientim nga Meka dhe forma embrionale që ky objekt kulti do të kishte, do të ishte ajo drejtkëndore ose katër këndore, ashtu siç qe edhe vet Bejtul Mukadisi[12].

Pra nevoja e myslimanëve për një vend adhurimi i çoi ata drejt ndërtimit të xhamive, ato drejtoheshin në atë mënyrë që përball të kishin orientimin nëpërmjet mihrabit drejt qytetit të shenjtë të Mekës, ashtu siç Allahu i urdhëronte në Kuran.[13] Xhamitë e para ishin të thjeshta dhe ruajtën disa trajta që më pas u venitën dhe humbën duke i lënë vendin trajtave dhe formave të reja. Megjithatë disa forma bazë nuk humbën asnjëherë.[14] Përveç veprave të mirëfillta të artit arabo-islam që u ngritën përgjatë shekujve VIII-XV, në mënyrë të tërthortë artistët myslimanë e shprehën ndjenjën dhe artin e tyre edhe në fusha të tjera si në astronomi, mjekësi, matematikë, veprat hidrike, frutikulturë; në lojëra të ndryshme siç qe shahu që ata e përvetësuan prej persëve; hamamet e shumta që ndodheshin në çdo cep të qyteteve; ndërtimin dhe ndriçimin e rrugëve; punimet e arit dhe argjendit si dhe më pas filigramit, fildishit, qelqit e shumë vepra të tjera artistike, të cilat sot mbushin dhe zbukurojnë muzetë më të njohur të botës.

Por, le t’i kthehemi edhe një herë fillesave të artit islam. Ashtu siç qe për arabët e Gadishullit arabik Meka, që u kthye në një frymëzim dhe imazh të vizionit islam, i cili do të përhapej me një shpejtësi marramendëse në Lindjen e Mesme, Magrib dhe Mesopotami, ky imazh në art do të kishte dy fytyra. Njëra fytyrë me pamjen dhe stilin e pastër dhe të thjesht arab të përzier deri-diku edhe me traditat vendase në Gadishull dhe në Magrib, dhe tjetra fytyrë e shprehur në kulmimin e artit në ato vende ku feja islame u përzje me kulturat e lashta; siç qe përzierja e fesë islame me kulturën perse[15], me atë damaskiote ose greko-siriane (në Sham), selxhukite dhe me atë mogule e hinduse në periudhën e saj të vonë. Kulmin e madhështisë dhe bukurisë arti dhe arkitektura islame së bashku me derivatet e tjera të shprehura në gjuhën më të përsosur estetikisht e arriti fillimisht në Spanjë dhe më konkretisht në Andaluzi e Granadë, e më pas gjatë periudhës osmane në trevat e sunduara prej saj.[16]

Një ndikim të drejtpërdrejt në artin dhe arkitekturën e mëpastajme islame do të kishte pushtimi i Jeruzalemit – që dikur kishte qenë drejtim adhurimi për myslimanët – në mesin e shekullit të VII. Sipas Oleg Grabar në librin “The Formation of Islamic Art”, në kapitullin e tretë të këtij vëllimi, shprehet qartë se Kubeja e Shkëmbit (Dome of the Rock) në Jeruzalem – (691-692) – është një nga veprat e para madhështore dhe ndikuese në formimin e artit islam. Ajo shpreh vizionin (si ndërtesë) sesi dhe ku duhej të arrinte ky art dhe kjo arkitekturë.[17] Kjo vepër arkitektonike është në të njëjtën paralele me historikun e ndërtimeve të qytetërimeve të hershme që kishin kaluar ose qëndruar në Jerusalemin e Shenjtë. Historianët dhe kronikanët e kohës siç janë Jakubi dhe Eutychiusi kanë shënuar në memuaret e tyre historinë e ngritjes së kësaj vepre arkitektonike.[18]

Pra, Kubeja e Shkëmbit do të shërbente si një model për artin dhe arkitekturën islame në shekujt e mëvonshëm. Kubeja e ndërtuar sipas stilit bizantin shfaqej në shkallën më të lartë të një paraqitje estetike që këta të fundit e kishin përvetësuar prej romakëve, ajo në trajtën e një ambiguiteti filozofik do të merrte kuptimin e “të plotës” dhe “kulmores”. Sipas grekëve të lashtë rrethi përfaqësonte formën më të plotë dhe më të përsosur prej të gjitha formave, ndërsa sipas bizantinëve kulmi i rrethit përfaqësonte pikën më të lartë, pra absolutizmin. Në shenjë të përsosmërisë dhe madhështisë së pushtetit teokratik, perandori bizantin Justiniani (sundoi 527-565) urdhëroi ndërtimin e kishës së mirënjohur Hagia Sophia (Zgjuarsia Shenjtërore) në Kostandinopojë që përfundoi më 27 dhjetor 537. Kur ajo përfundoi perandori Justinian i ngashënjyer nga madhështia e kishës që kishte ndërtuar, kishte bërtitur: “Solomon unë ta tejkalova”.[19]

Më së shumti prej arkitekturës bizantine u ndikuan selxhukët në shek. XI-XIII dhe më pas osmanët, prej nga rrjedh edhe ndikimi i artit, arkitekturës, pikturës dhe estetikës islame në Ballkan dhe Shqipëri.

Arti Islam në kllapa

Prej shumë kohe mes dijetarëve myslimanë është zhvilluar një debat i gjerë mbi artin në vetvete dhe mbi mënyrat e të shprehurit të një vepre artistike. Nuk ka dyshim se arti si shpirti i çdo pune të krijuar prej mendjes dhe dorës së njeriut nuk bie ndesh me fenë islame, mirëpo debatet janë kanalizuar në mënyrat e shprehjes së artit, pra: se çfarë është e lejuar prej artit dhe çfarë është e ndaluar. Përgjithësisht qëmtimet e hershme të dijetarëve myslimanë kanë përcaktuar si të ndaluar artin e pikturës së portretizimeve të njerëzve dhe kanë lejuar pikturën e peizazhit, zbukurimet me kolorite ngjyrash, kaligrafinë, tonalitetet e kombinuara në argjilë etj. Po ashtu sipas legjislacionit islam ndalohet edhe punimi i skulpturave.[20] Për të pasur një kuptim më të drejtpërdrejt mbi artin dhe estetikën islame po i referohem estetit të mirënjohur turk të kohëve të sotme Beshir Ajvazollu, i cili thotë: “Parimi i parë që përcakton edhe parimet e tjera të kësaj estetike të veçantë është ndalimi i pikturës ose adhurimit të formës, i cili pasqyrohet në luftën e madhe që islami ka zhvilluar kundër idhujtarisë, kufijtë e të cilit janë përcaktuar me fjalët profetike (hadith)”. E pasi ka shpjeguar arsyen eminente të ndalimit të portretizimit ai vazhdon: “Ndalimi i pikturës i ka shtyrë në dy rrugë artistët myslimanë: te shmangia e figurës dhe te materializimi i saj. Ikja prej figurës e ka çuar artistin mysliman drejt formave abstrakte”.[21] Të njëjtin mendim ndan edhe Seid Hossein Nasr në librin e tij, ku shprehet qartë se arti islam është një art abstrakt, në të cilin kombinohet fleksibiliteti i linjave me theksimin e arketipave si dhe përdorimi i formave të shumta gjeometrike të ndërfutura në njëra-tjetrën.[22] Po ashtu edhe kritiku i mirënjohur i artit Van Grunedaum thotë se Islami është i vetmi religjion i cili nuk ka nevojë që t’i qartësojë konceptet dhe rregullat e tij nëpërmjet arteve figurative (ka parasysh pikturën e portretit dhe skulpturën) si dhe imazheve njerëzore.[23]

E vërteta qëndron si më sipër, por në rrjedhat e kohës shpesh herë sipas komenteve të ndryshme që i janë bërë teksteve fetare, janë lejuar e punuar edhe pikturat e skulpturat. Kjo gjë nuk ka ndodhur për faktin së Islami i ka ndalur ose jo piktorët e skulptorët, por në hapësirat e pamasa të perandorisë islame, në kurmin e popujve laramanë të të gjitha ngjyrave e traditave, ndalimi i këtyre arteve jo kurdoherë rezultoi i efektshëm.

Në periudha e dinasti të ndryshme ka pasur edhe “lulëzime” të portreteve e skulpturave. Kështu edhe pse Profeti Muhamed e kishte ndaluar portretizimin e tij, shumë autorë persë e turq janë munduar ta trajtojnë pamjen e tij sipas përshkrimeve të ndryshme. Të ndjellë prej afshit të ashikërisë[24] dhe ndjenjës së lartë dashurore ndaj Profetit, shpesh herë ata janë munduar dhe e kanë parë të nevojshme prekjen e këtij trupi dhe asaj fytyre që përmblidhte kuintesencën e tërë botës. Dhe e vetmja mënyrë për të arritur në këtë shkrirje mes tyre dhe Profetit ishte portretizimi i tij. Kjo ringjallje imagjinare e penelizuar nëpër udhëtime ashtu sikurse Profeti kishte kryer Isranë dhe Miraxhin, duhej të ishte e ngjashme për nga komentimi, por e ndryshme për nga vlerat. Jo rrallëherë e shikojmë Profetin Muhamed në piktura të tilla si: Muhamedi në Isra dhe Miraxh[25], Profeti duke biseduar me krye engjëllin Xhebrail (Gabriel), si dhe piktura, Muhamedi dhe Jezusi. Nuk kanë munguar edhe portretizime të Adamit (Ademit) dhe Evës (Havasë) duke zbritur nga qielli, Abrahamit (Ibrahimit) duke u katapultuar për në zjarr, Aliut, nipit të Profetit, duke vrarë kuçedrën etj.[26] Feja islame me të gjithë gamën e saj të komentimeve të ndryshme mbi tekstet kuranore e ka pasur të vështirë të ndal këtë turmë piktorësh dhe artistësh që pretendonin se ishin “Mesiha” e frymëzimit të artit islam.

Për sa i përket skulpturës edhe pse ajo pothuajse nuk ka ekzistuar në sundimet islame dhe as në oborret perandorake të omejadëve, abasidëve, fatimidëve, gaznevitëve, selxhukëve, osmanëve etj., në vija të trasha përpjekje për ta lëvruar e ringjallur ka pasur. Duhet theksuar se të gjitha përpjekjet për një ringjallje të punimit të skulpturës ose plastikës nuk kanë pasur për subjekt njeriun ose aktivitetet njerëzore, por subjekt i këtyre punimeve kanë qenë kafshët ose shpendët (ndër to mund të përmendim Grifonin ose rojtarin e portave, i punuar në bronz, me trup kafshe dhe kokë shpendi). Pjesa më e madhe e këtyre veprave kanë qenë pjesë e koleksioneve private të sundimtarëve dhe të pasurve që porosisnin vepra të ndryshme arti për të zbukuruar ambientet në shtëpitë e tyre. Për të argumentuar këtë që sapo thash më sipër po sjell disa shembuj për ilustrim.

Që në dekadat e para të sundimit omejad, njohja dhe përballja e islamit me kulturat e lashta të qytetërimeve të mëparshme, nxiti dëshirën për të marrë prej këtyre civilizimeve elementet më karakteristike të paraqitjes së pushtetit dhe pasurisë, sidomos tek ato familje që ishin konvertuar në fenë islame dhe që më parë i përkisnin shtresave të pasura. Kjo traditë e nxitur në fillim prej këtyre të konvertuarve, më pas u kthye në një modus vivendi edhe për familjet fisnike të oborrit. Me interes është të përmendim këtu ilustrimet e pallatit Qasre Amra të ndërtuar rreth viteve 705-715 prej khalifit Velidi I, në shkretëtirën e Jordanisë. Interieri i këtij pallati është zbukuruar me piktura të ndryshme në të cilën dallojnë disa prej kundërshtarëve të Islamit si: Kaiser (perandori bizantin), Rodriku (sundimtari visigot i Spanjës), Kisra (perandori persian) dhe Negusi (mbreti i Abisinisë).[27] Ilustrime të ngjashme janë edhe ato të pallateve verore Mshatta dhe Kirbat al-Mafjar.[28]

Sundimi i gjatë i Islamit në Spanjë arriti të realizonte të një Pax Islamica, që krijoi kushtet dhe mundësitë për zhvillimin e arteve dhe shkencave. Me lulëzimin e arteve pati edhe të tilla vepra që binin ndesh me pikëpamjet tradicionale islame. Kështu në Granadën[29] e shek. XIV, e cila po përjetonte kulmin e sulltanatit Nasirid me në krye Muhamedin e V (1354-1359 dhe 1362-1391), u realizua një vepër e veçantë e quajtur Shatërvani i luanëve. Kjo vepër përfaqësohet prej një shatërvani që mbahet prej 12 luanësh, të cilët nxjerrin ujë në formën e një burimi. Më pas ky emër iu dha të gjithë hapësirës së pallatit duke e quajtur atë Pallati i Luanëve. Realizimi i kësaj vepre artistike binte ndesh me fenë islame dhe me rregullat e sheriatit islam, ajo rridhte kundër rrymës dhe fesë së popullit të thjeshtë që nuk ishte mësuar të shikonte vepra të tilla. E duke qenë se pak-kush e kishte mundësinë të hynte në pallatin mbretëror, bëri që kjo vepër të mbetej e paprekur dhe e panjohur për shumë kohë.[30]

Një tjetër vepër që doli në dritë ishte edhe një luan prej bronzi i cili u gjet tek sa po zhvilloheshin gërmime në provincën e Valencias, por nuk dihet sesi gjendej ai atje. Në trupin e luanit ishte gdhendur një dua, lutje fetare islame. Sipas studiuesve ai do të shërbente si pjesë zbukuruese e një shatërvani, pasi goja e tij vinte në formë të hapur.[31] Përpjekje të tjera ka patur edhe për të zgjuar traditën e vjetër të punimeve në bazoreliev. Në fondin e muzeut në Jativa gjendet një shatërvan i punuar me zbukurime të shumta të gdhendura sipas motiveve të ndryshme. Ikonografia e përdorur ka motive antike por edhe tradicionale arabe të kohës së perandorisë islame. Figurat janë të gdhendura por jo me shumë detaje. Gjatësia në formë shiriti e bazorelievit është 150 cm, ai duket sikur ndahet në dy pjesë; në pjesën e parë përfshihet një burrë duke ngrënë, një tjetër duke pirë dhe një tjetër duke bërë muzikë, më pas shfaqet një grua duke ushqyer fëmijën. Më pas vijon heraldika e bishave; shqiponjat duke gjuajtur gazela, luanët duke u ndeshur me njëri-tjetrin dhe në fund dhitë duke u ushqyer, pjesë kjo e frymëzuar prej ikonografisë së khalifatit. Një shembull i ngjashëm i kësaj hareje dhe gostie, ku njerëzit gjenden përkrah kafshëve, është gjetur e pikturuar në miniaturë edhe në Andaluzi.[32]

Por më e veçanta dhe sigurisht më tërheqësja prej të gjitha këtyre punimeve është kokorja prej fildishi elefanti që gjendet në muzeun e Luvrit në Paris, e punuar në vitin 968 për Mughiren, vëllain dhe trashëgimtarin e Hakimit II. Në këtë kokore janë gdhendur kalorës të ndryshëm të cilët paraqesin skena ikonografike ku shfaqet sundimtari i spanjës Omejade.[33]

Një situatë e ngjashme me këtë që treguam më sipër, që vërteton faktin se në periudha të ndryshme pati kapërcime spirituale dhe artistike që i thyen rregullat tradicionale fetare, ngjashëm ndodhi edhe në kohën e Sulejman Kanuniut. Kur ushtria osmane pas betejës së Mohaçit u kthye në Stamboll, ajo kishte sjell me vete si triumf fitoreje tri statuja; atë të Apolonit, Herkulit dhe Dianës. Sadrazemi Ibrahim Pasha i vendosi ato në Atmejdan (sheshin e madh para xhamisë Sulltan Ahmed). Ky akt shkaktoi reagime të mëdha dhe të zjarrta të popullsisë së Stambollit si dhe të dijetarëve të ndryshëm. Për këtë rast një prej poetëve pat krijuar disa vargje ironike:

Dy Ibrahimë ka parë kjo dynja

Njëri i theu idhujt, tjetri i mbolli e na i la!

Pasiqë nuk u gjet se kush i kishte krijuar këto vargje që këndoheshin në të gjitha ambientet, sadrazemi dënoi më varje Figanin, poetin e mirënjohur, të cilin e akuzoi si autor të tyre.[34]

Dukë qenë se arti islam pati këto karakteristika, ai u zhvillua në dy dimensione. Së pari si një nevojë për të latuar shpirtin e krijuesve të veprave të ndryshme artistike. Së dyti si lartësim dhe zbukurim i objekteve të kultit islam, si xhamia, teqe, medrese etj. Karakteristikat e artit islam ishin të fuqishme e  ngacmuese, ato shpreheshin nëpërmjet një koloriti ngjyrash dhe trajtash të pafundme. Vetë vepra e artit përmblidhte të gjithë botkuptimet e orientit; jetën, dijet, kulturën, shkencat, lojrat, traditat, besimet etj.

Në Perëndim, ndikimi i artit islamik u paraqit shumë vonë. Kërkesa për njohjen dhe zbulimin e orientit solli me vete edhe dëshirën për të eksploruar ato konture të pashkelura dhe ato karakteristika të panjohura që orienti i përmblidhte si një xhevahir i pazbuluar ende. I pari artist që u interesua për njohjen e artit dhe sidomos pikturës orientale ishte Rembrandi, i cili shfaqi interes për pikturën indiane dhe u mundua të realizonte ndonjë kopie të disa pikturave që vinin prej Orientit të largët. Subjekti i kuadrove kishte të bënte me familjen mbretërore të Delhit.[35] Por, më parë se Rembrandi, një interes për pikturën dhe motivet e ndryshme gjeografike në qeramikë ose gdhendje kishte shfaqur edhe Leonardo da Vinçi. Në volumin e madh të pikturave të tij është gjendur një bocë e një miniature me figurina gjeometrike.[36] Më pas interesimi erdhi gjithnjë në rritje, por kjo vetëm për punimet në miniaturë ose figurave me tipare gjeometrike, të cilat mund të shërbenin për modele gdhendjesh ose zbukurimesh të ndryshme. Në përmbledhjen “Libri i modeleve” të shek. XVI, që shërbente si frymëzim për artistët e rinj dhe që përmbante motive të ndryshme prej një game të gjerë piktorësh, ju dha mundësia të gjithë të interesuarve që të njiheshin edhe me punimet ornamentale që vinin nga Lindja. Më interesanti nga këto traktate ishte ai i Francesco Pelegrinit[37], i cili që në titullin e librit shfaqte ndikimin e tij prej motiveve gjeografike dhe arabeskave islamike (“La Fleur de la Sciene de Pourtraicture: Patrons de Broderie, Fançon arabique et ytalique” – 1530).[38] Botime të tjera e të shumta pati edhe prej Peter Flotner, Virgil Solis, Martinus Petrus si dhe Holbein.

A. Malraux (tek Zërat e Heshtjes) thotë: “Shumica e njërëzve nuk do të kishin mendim për pikturën, për skulpturën, për letërsinë, më shumë se ç’kanë për arkitekturën…sikur para errësirës së pafundësisë, me ndonjë lindje, me ndonjë vdekje ose madje me ndonjë shëmbëllim, nuk do t’u shfaqej, sado e mjegulluar, ndjenja e transhendencës mbi të cilën themelohet çdo religjion”.

Gustav Le Bon për artin islam shkruan: “Nëse shikojmë xhamitë dhe shkollat, tempujt muslimanë, do të kuptojmë se feja Islame është e integruar në atë masë sa nuk mund të ndahet. Ndjenja estetike e një populli mund të kuptohet pikërisht në ndryshimet të cilat ai popull i fut në atë që e merr nga të tjerët, pastaj në proçesin e adaptimit dhe absorbimit të përmbajtjeve të huazuara, duke formuar trajta krejtësisht të reja. Në bazë të mbetjeve që i kemi sot, mund të vërehet se asnjë popull nuk i ka tejkaluar muslimanët në këtë aspekt. Duke shikuar godinat e vjetra islame mund të shohim tërë fuqinë e kreativitetit dhe krijimtarisë muslimane. Shembulli më i mirë për këtë është xhamia në Kordova, e ndërtuar në stilin karakteristik andaluzian me shumë elemente modern arkitektonike: dyer madhështore, minbera dhe tavane të stolisura, si në shumë xhamia anë e kënd botës islame, me mozaik të dizenjuar me mjeshtëri, fildish të skalitur, dru dhe zbukurime gipsi (allçie B.K.), si dhe me pjesë të gdhendura druri të cilat kombinohen mes tyre me shkathtësi të përsosur. Druri dhe fildishi i gdhendur dhe gravuar ndodhen gjithandej…Kutitë e stolisura me xhevahirë, sandëkë dhe kasaforta mund të shihen në shumë vende, edhe pse më të mirët janë ekspozuar në muzetë e Damaskut dhe Kairos”.[39]

 



[1] Vito Bianchi, Sud e Islam – Una storia reciproca, Lecce, Capone Editore, 2003, f. 13-14.

[2] Në Kuran thuhet se Ibrahimi e ndërtoi Kaben (Qaben) me urdhrin e Zotit

[3] Encyclopaedia of Islam and the Muslim World, New York, Macmillan Reference USA and Thomson Learning, 2004, Vol. 1, f. 75.

[4] Seyyed Hossein Nasr, Science and civilization in Islam, NY, New American Library, Introduction – The principles of islam, f. 5-26

[5] Alija Izetbegoviq, Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit, Shkup, Furkan ISM, 2000, f. 126-127

[6] Rabah Saoud, Introduction to Muslim Art, Manchester, UK, FSTC Limited, 2004, f. 2.

[7] Encyclopaedia of Islam and the Muslim World, New York, Macmillan Reference USA and Thomson Learning, 2004, Vol. 1, f. 75.

[8] Prof. Alfred Uçi, Universi estetik i antikitetit greko-romak, Tiranë, Dita 2000, botuar në vitin 2003, f. 10

[9] Omar W. Nasim, Toëard an Islamic Aesthetic Theory, revista The American Journal of Islamic Social Sciences, Vol. 15, Spring 1998, Nr. 1, f. 71-90.

[10] Rabah Saoud, Introduction to Muslim Art, f. 5.

[11] Artet e bukura – Termi artet e bukura në vetvete përfshinë tre gjinitë e njohura: pikturë, skulpturë dhe arkitekturë.

[12] Kështu i referohet Zoti në Kuran Shtëpisë së Shenjtë.

[13] Prof. Dr. Ziya Kazici Historia e Arsimit Islam, Tiranë, Feneri, 2001, f. 14-15.

[14] Prej tyre u ruajtën dy format më elementare të ndërtimit të një xhamie; orientimi drejt Qabesë dhe forma drejtkëndore ose katër këndore.

[15] Dr. Mahnaz Shajestehfar, Një hyrje në artin islamik pers, Tiranë, Botimet Ideart, bot. i parë korrik 2009, f. 9-23.

[16] Marianne Barrucand – Achim Bednorz, Morish Architecture in Andalusia, Köln, TASCHEN, 2002, f. 11-18.

[17] Oleg Grabar, The formation of Islamic art, Yale, University press, f. 43-51.

[18] Në bazë të kronikave të Jakubit (i cili shkroi rreth viteve 870) dhe Eutychiusit, prift ortodoks nga Aleksandria (që shkroi rreth viteve 940), duke qenë se Ibn al-Zubejri kishte zënë Mekën dhe askush nuk mund të hynte e dilte prej qytetit, atëherë khalifi Umejad Abdul-Malik ndërtoi një objekt të madh kulti, i cili do të shërbente dhe do të luante rolin e Qabesë, dhe në të do të vinin për ta vizituar të gjithë myslimanët e perandorisë nga të gjitha anët, duke e lënë Meken të shkretë. Kështu Jerusalemi do të bëhej qendra e Khalifatit dhe e pelegrinazhit vjetor. Në fakt Meka u rimor prej Abdul-Malikut dhe vazhdoi të luante rolin e qendrës fetare të myslimanëve në të gjithë botën, ndërsa Kubeja e Shkëmbit ishte ndërtuar, por projekti i saj nuk arriti të zbatohej i tëri, duke e lënë atë si një portë të hapur drejt Lindjes. Megjithatë qëllimet e vërteta të ndërtimit të kubes së Shkëmbit, mbeten të panjohura.

[19] Shyqyri Nimani, Arnavud – Artistët shqiptarë në Perandorinë Osmane, Bergamo, VELAR, 2003, f. 50-51.

[20] Sejid Sabik, Fikhus-Sunneh: Legjislacioni i traditës së Profetit a.s., vëll. 2, Tiranë, Mileniumi i Ri, 2007, f. 48-51.

[21] Beshir Ajvazollu, Estetika Islame, Shkup, Logos-A, 2009,  f. 14-15.

[22] Seyyed Hossein Nasr, Science and civilization in Islam, N.Y., New American Library, Introduction – The principles of islam.

[23] Rabah Saoud, Introduction to Muslim Art, f. 4.

[24] Ashikërisë – ndjenjës më të lartë të dashurisë besnike. Kjo fjalë vjen prej rrënjës ashk, ndjenjë e zjarrtë dashurie, e cila gjerësisht është përdorur edhe në gjuhën shqipe, në veprat poetike të rilindësve, por përdoret edhe sot e kësaj dite.

[25] Nuk ekziston asnjë portret ose pikturë që të na tregojë sesi ka qenë Profeti Muhamed, të gjitha pikturat e krijuara janë supozime dhe pamje imagjinare.

[26] Historia e Shtetit, Shoqërisë dhe Qytetërimit Osman, vëll. II, Tiranë, AIITC, 2009, f. 48-49.

[27] Rabah Saoud, Introduction to Muslim Art, fq. 5.

[28] Po në Jordani.

[29] Bëhet fjalë për Grënadën e Andaluzisë në Spanjë.

[30] Jesus Bermudez Lopez, The Alhambra and the generalife – Short guide of Granada, Espana, En su Mano, 1999, f. 44-45.

[31] M. Barrucand – A. Bednorz, Morish Architecture in Andalusia, Köln, TASCHEN, 2002, f. 149.

[32] M. Barrucand – A. Bednorz, Morish Architecture in Andalusia, Köln, TASCHEN, 2002, f. 130.

[33] M. Barrucand – A. Bednorz, f. 105.

[34] B. Ajvazollu, Estetika Islame, f. 33.

[35] Thomas Arnold e Alfred Guillaume, L’eredita’ dell’ Islam, Milano, Casa editrice Dottor Francesco Vallardi, 1962, fq. 157.

[36] Thomas Arnold e Alfred Guillaume, f. 155.

[37] Piktor dhe skulptor fiorentinas që punoi në Fontenblo (rezidencën perandorake franceze) piktura dhe skulptura për Fransuain I të Francës.

[38] Libri u ribotua disa herë gjerë në shek. XX. Në 1908 u ribotua një faksimile e tij në Paris, me parathënien e Gaston Migeonit

[39] Sejjid Muxhteba Musavi Llari, Islami dhe civilizimi perëndimor, Prizren, Sprint, 2004, f. 113.

Comments

  • ‘dijetari i njohur mysliman Seid Husein Nasr’
    ky Nasri sa per sqarim eshte nje shiite e per me teper nje perenialist filozof, pra nje njeri qe mbart nje akide aspak islame pra nje kufer i qarte. e di qe kjo sak lidhje fare me shkrimin ketu por kjo eshte nje sugjerim per artikullshkruesin qe gjithsesi e meriton nje levdate per shkrimin.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *