Defter turk





images

 

Besnik Sinani

“Mund të ndodhë lehtë,” shkroi para ca kohësh Imer Mushkolaj, një nga firmëtarët e peticionit kundra rishikimit të historisë nën mbikqyrjen e autoriteteve turke, “që pas disa dekadash stërmbesat e stërnipat tonë të mësojnë në libra historie se Republika Federale e Jugosllavisë/Serbia nuk ka vrarë e prerë në Kosovë. Deri atëherë është e mundshme që Kosova e Serbia të bëhen shtete mike dhe Beogradi të kërkojë nga Prishtina që t’i pastrojë librat e historisë nga disa terma “të pakëndshëm”, respektivisht ta ndryshojë historinë. Njësoj siç po ndodh tash, me kërkesën që shteti turk i ka bërë Kosovës.”

Mushkolaj profetizon këtë skenar të frikshëm për të arsyetur dhe trembur publikun se nëse hapet porta e rishikimeve të teksteve të historisë osmane sot, kjo do sillte edhe më keq se kaq, do sillte që të fshihej një ditë historia e genocidit serb në Kosovë. Ironia e këtij arsyetimi është se në fakt Mushkolaj po profetizon në vitin 2013 atë që në fakt është kryer dhjetë vjet më parë pa asnjë zhurmë e protestë, pa asnjë peticion e revoltë. Shkruhet në ‘Jeta në Kosovë’ se:

“Dhjetë vjet më parë, në vitin 2003, një komision tjetër i MASHT-it kishte rishikuar shprehje e paragrafë të këtyre librave. Atëherë vendi kishte katër vjet nga lufta me Serbinë. Nga rishikimet e bëra në atë kohë del se “Serbia nuk pushtoi Kosovën”, por këtë e bëri pushteti i saj. Ky pushtet nuk erdhi me “ushtri”. Nga rishikimet del se nuk ka pasur “rritje të represionit serb ndaj shqiptarëve”. Çfarë ka pasur ishte “rritja e represionit shtetëror ndaj shqiptarëve”.

Më 31 mars 2003, komisioni në përbërje të akademik Jusuf Bajraktarit, profesor doktor Emine Arifi-Bakallit dhe profesor Frashër Demajt, i kishte dërguar Ministrisë së Arsimit propozim-rekomandimet  me ndryshime.

Komisioni në atë kohë kishte propozuar që fjalët “pushtuesi serb” të zëvendësoheshin me “pushteti”. Në vend të “serb” është vendosur “shtetëror” kur flitet për intitucione, shprehja “antiserbe” është fshirë, ndërsa fjali të tipit “rritja e represionit serb ndaj shqiptarëve” është zëvendësuar me fjalinë “rritja e represionit shtetëror ndaj shqiptarëve”.

Në librin e Historisë të klasës së 8-të, fjalën “serbe”, komisioni e kishte shndërruar në “jugosllave” kurse në Librin e Historisë së Popullit Shqiptar për Shkollat e Mesme, fjalia “të pushtimit serb” është fshirë.

Në librat e Historisë për vitin e tretë gjimnaz, janë fshirë fjalët “serb”  dhe “ushtria serbe”, kurse pjesa “Lufta e shqiptarëve në Jugosllavi për barazi dhe të drejta kombëtare”, me arsyetimin se ka shumë gabime profesionale, është rekomanduar të hiqet tërësisht. I njëjti rekomandim është dhënë edhe për Historinë e Vitit të dytë për Shkollat Profesionale ku kapitulli “Lufta për çlirimin e Kosovës”, është propozuar të fshihet tërësisht për shkak të shumë gabimeve.”

Në replikën e tij kundra peticionit në fjalë, historiani Pëllumd Xhufi shtoi se ndryshime të ngajshme janë bërë në tekstet shkollore në Shqipëri me kërkesë të shtetit grek, por asnjë nga firmëtarët e peticionit nuk reagoi, nuk bëri thirje për peticione apo rezistencë ndaj këtij ‘agresioni kulturor’ sic e quan I. Kadareja kërkesën e qeverisë turke, edhe ky një nga firmëtarët e peticionit. ‘Turkofobi’ e quajti prof. Xhufi këtë peticion.

Por, për tu kthyer dhe një herë tek artikulli i cituar në krye të këtij shkrimi, Mushkolaj, që profetizon një skenar ndërkaq të realizuar kohë më parë, vendos në titull një lloj dikotomie kundërshtuese midis ‘historisë së Kosovës’ dhe ‘deftereve turke.’ Titulli i artikullit i botuar në disa media shqiptare – e asnjë prej tyre nuk vuri në dukje absurdin e mbartur në artikull – ishte: ‘Histori e Kosovës apo defter turk?’

Dukshëm Mushkolaj po përdor konotacionet negative që mbartin shpesh në shqip fjalë me origjinë osmane dhe rëndësia, serioziteti, autoktoniteti (kosovare/e jona) dhe cilësia e ‘të qenit e vërtetë’ e ‘historisë së Kosovës’ vihet në kontrast me huajsinë (turke), cilësinë e koruptuar si prej mall pazari të lirë të ‘defterit.’

Ironia, sigurisht qëndron në faktin se nuk mund të ketë shkrim të historisë së popullit shqiptar pa qëmtuar defteret turke. Duke shkruar për regjistrat gjyqësorë ottomanë, historiani izraelit, Dror Ze’evi, shkruan se këto regjistra janë ‘ndër burimet më të rëndësishme që gjenden për historinë ekonomike dhe kulturore të Perandorisë Osmane dhe provincave të saj.’ Jo vetëm debati mbi terma si pushtues/sundues, terma që janë debatuar edhe nga historianë si Peter Bartl që nuk kanë të bëjnë me asnjë presion qeveritar turk, por vetë kujtesa historike e popullit shqiptar gjendet në një masë të madhe në dokumente të tilla osmane si sixhilat – et, apo regjistrat e gjykatave osmane.

Studimet e historianëve të një gjenerate të re, që përdorin metoda të reja studimore, bëjnë të qartë se do ketë rishikim të historisë. Mjafton të shihet puna studimore e Isa Blumit por dhe historianë të tjerë të rajonit që bëjnë të qartë që status quo-ja që kërkon të imponojë peticioni është e pamundur të mbahet. Këta historianë, siç artikulohet edhe në punën studimore të Anton Minkov, po sfidojnë si historiografinë nacionaliste të vendeve ballkanike, që paraqesin shekujt osmanë si katastrofën kombëtare, ashtu dhe ata që paraqesin shekujt osmanë nën teorinë e ‘mirësisë absolute.

’Indikuesi më i qartë se imponimi që kërkoi të vendosë ky peticion nuk ka këmbë të qëndrojë ishte reagimi kundra tij i një numri të madh historianësh edhe pse pati një përpjekje masive për të diskretituar këdo zë që u ngrit kundra këtij diktati mbi historiografinë shqiptare, shprehur nëpërmjet këtij peticioni. Arsyet politike dhe fobitë e errëta që kanë motivuar këtë mësymje janë bërë të qarta ndër të tjera nga heshtja që pasoi ndryshimin e teksteve në Kosovë dhe Serbi. Ata që nuk pranojnë rishikimin e teksteve të historisë së mesjetës, nuk patën problem me makiazhin ndaj genocidit që u bë vetëm pak vjetë më parë. Profetizimi i errët i z. Mushkolaj është realizuar – kohë përpara se ai ta profetizonte.

 

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *