Fjala BANERI-ROLLUPprezantuese e seminarit

Është fakt i njohur që vetëdija kombëtare shqiptare lind në periudhën e Rilindjes. Ideologët e shqiptarizmit vepruan kryesisht në kuadrin e kontekstit osman dhe vetë produkti identitar, së bashku me grupin shoqëror, i përkisnin pikërisht atij konteksti. Hapi i parë i rilindësve përfshinte përcaktimin e disa elementeve që do të kishin rolin e katalizatorit kombëtar. Në vetvete një proces i tillë nënkupton ndërtimin e të kaluarës në funksion të ideologjisë.

Regjimi i Enver Hoxhës mori përsipër masivizimin ideologjik përmes mjeteve dhe metodave të ndryshme. Faza e krijimit të kombit shqiptar, doktrina rilindëse dhe mitologjia kombëtare u huazuan nga regjimi për vetëlegjitimitet. Kjo solli modifikimin e mëtejshëm të memories kolektive dhe të vetë projektit të rilindësve në funksion të ‘Njeriut të ri’, identiteti i të cilit konfliktonte me identitetin e shqiptarit rilindës, por gjithashtu, vizioni i regjimit mbi të kaluarën u shndërrua në “Shkrim i shenjtë”.

 Më tej, rënies së regjimit i mbijetuan ‘Njeriu i ri’ dhe ideja e të kaluarës së “shenjtëruar”. Sfidat paskomuniste kërkonin identifikime të reja për shqiptarët që do të shtresëzoheshin mbi memorien e shkruar gjatë totalitarizmit. Mirëpo një pjesë e elitave si përgatitje graduale të popullit drejt integrimit evropian nuk vendosi në themel vlerat e munguara të shoqërisë shqiptare për një gjysmë shekulli, por e konsideroi jetik rimodelimin e identitetit kolektiv përmes historisë. Pra, teorikisht, shpëtimi i ofruar në këtë rast rrjedh nga mohimi i atyre vlerave dhe i atij konteksti, përmes të cilëve rilindësit krijuan identitetin shqiptar. Ky prototip identitar, përveç dekontekstualizimit të Rilindjes, shkakton paqartësi të mëtejshme në raportin e shqiptarëve me vetveten.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *