Sinteza nga seminari i 18 majit





nclayerMë 18 Maj, shoqata Ardhmëria organizoi në Hotel Tirana International një seminar ku ishin ftuar historianja Nathalie Clayer, publicisti Fatos Lubonja dhe studiuesit Enis Sulstarova dhe Doan Dani. Teksti i mëposhtëm është sintezë e këtij seminari.

Rilindja shqiptare farkëtoi njëherësh idenë e vetëdijes kombëtare, të bazuar në elemente kulturore-simbolike, dhe doktrinën politike e cila do të mundësonte realizimin e projektimit të kombit brenda një shteti. Ideologët e shqiptarizmit vepruan kryesisht në kuadrin e kontekstit osman, pa mohuar influencën e diasporave, por edhe vetë produkti identitar, së bashku me grupin shoqëror mbi të cilin ai do të jetësohej, i përkisnin pikërisht atij konteksti ku shkriheshin dimensioni personal dhe ai kolektiv, kultura dhe politika. Nëse nga njëra anë ambienti i individit shqiptar ishte osman, nga ana tjetër shtysa më e fortë drejt zbulimit të kombit erdhi nga modeli i ‘nacionalizmit agresiv’ të shteteve fqinje, që shfrytëzuan situatën ndërkombëtare dhe pamundësitë e Portës së Lartë në përballjen me sfidat ekonomike dhe me sistemin e shtetit-komb. Hapi i parë i ideologëve rilindës përfshinte përcaktimin e disa elementeve që do të kishin rolin e katalizatorit kombëtar, shoqërimi i tyre me simbologjinë përkatëse dhe aktualizimi i miteve, me qëllim ngritjen e barrierave, fillimisht kulturore, me kombet rrethuese. Në vetvete një proces i tillë nënkupton ndërtimin e të kaluarës në funksion të ideologjisë, fenomen i cili do të shoqërojë historinë shqiptare gjatë dekadave të regjimit komunist dhe në vitet e pluralizmit.

flubonjaRegjimi i Enver Hoxhës mori përsipër ngritjen e elementeve kulturore-simbolike mbi baza shkencore dhe njëkohësisht masivizimin përmes mjeteve dhe metodave të ndryshme. Aplikimi i tyre në kuadrin e një regjimi totalitar e shndërroi interpretimin e të kaluarës në një dimension statik dhe natyrisht monist. Faza e krijimit të kombit shqiptar, doktrina rilindëse dhe mitologjia kombëtare, u huazuan nga regjimi enverist për vetëlegjitimitet. Së pari, kjo solli modifikim e mëtejshëm të memories kolektive dhe të vetë projektit të rilindësve në funksion të ‘Njeriut të ri’, identiteti i të cilit konfliktonte me identitetin e shqiptarit rilindës: lindja e shtetit shqiptar (1912) dhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (1945) kishin sanksionuar një realitet të ndryshëm nga koncepti i “njëshmërisë” së trekëndëshit komb-atdhe-shtet të përpunuar nga ideologët e shqiptarizmit, dhe regjimi enverist veproi mbi këtë premisë. Së dyti, duke qenë legjitimues, vizioni enverist mbi të kaluarën u shndërrua në “Shkrim i shenjtë”, interpretimi dhe mbrojtja e të cilit iu deleguan elitës intelektuale të regjimit.

enisiRënies së regjimit, ndër të tjera, i mbijetoi ‘Njeriu i ri’ – në mëshirën e vakumit ideologjik –, ideja e të kaluarës statike dhe të “shenjtëruar”, ndonëse rrënjësisht e modifikuar, si dhe kasta e intelektualëve. Sfidat paskomuniste kërkonin identifikime të reja për shqiptarët, por që do të shtresëzoheshin mbi ‘Njeriun e ri’, mbi substratin e memories së shkruar gjatë totalitarizmit. Dhe karakteristika themelore paskomuniste është orientimi evropian. Mirëpo një pjesë e elitave, e paçliruar nga mekanizmat e regjimit të shkuar dhe për t’u rehabilituar nga sistemi i ri, si përgatitje graduale të popullit drejt integrimit evropian nuk vendosi në themel të përzgjedhjes huazimin nga kontinenti i vjetër të vlerave që i kishin munguar shoqërisë shqiptare për një gjysmë shekulli, por e konsideroi themelor rimodelimin e identitetit kolektiv përmes zhytjes së mëtejshme në histori. Pra, teorikisht,2013-10-18-708 shpëtimi (mesianizmi) i ofruar në këtë rast rrjedh nga mohimi i atyre vlerave dhe i atij konteksti (osman) përmes të cilëve rilindësit krijuan identitetin shqiptar.

Në vend të urave lidhëse me realitetin evropian propozohen urat me konceptin fiktiv të kulturogjenezës së përbashkët. Ky prototip identitar, përveç dekontekstualizimit të Rilindjes, vendi i qenësimit të identiteti kombëtar shqiptar, shkakton paqartësi të mëtejshme në raportin e shqiptarëve me vetveten.

Comments

  • Falemnderit per postimin, E-zani! A dihet gje nese punet e ketyre autoreve per seminarin perkates do te botohen gjekundi?

    • Fjalimi i Sulstaroves do te botohet tek revista Shenja ne kete numer, kurse ideja e Lubonjes, pjeserisht, mund te lexohet tek editoriali i numrit te ri te revistes Perpjekja.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *