Heqja e hixhabit

 

E-Zani

Kiço Blushi, për të disatën herë i referohet problemeve të fesë për të ilustruar politikën shqiptare, në mënyrë krejtësisht të papërshtatshme, duke përforcuar klishe të vjetra që pengojnë emancipimin e shoqërisë në raport me fenë. Në një shkrim në Balkanweb, ai kërkon të denoncojë hipokrizinë e politikanëve dhe klerikëve, duke treguar një histori nga një televizion egjiptian, ku nxirret në pah dopiostandardi i një hoxhe përballë gazetares së pambuluar me shami. Siç rrëfen Blushi, përpara emisionit imami e kishte vështruar lirshëm gazetaren të pambuluar dhe nuk e kishte parë si problem faktin që ajo nuk ishte e mbuluar, ndërsa në momentin kur pritej të fillonte emisioni i kish kërkuar asaj të vendosë velin mbi krye. Gazetarja paskesh reaguar duke e pyetur se përse më parë bisedonte lirshëm me të, kurse përpara kameras i kërkon të vërë shaminë ndërsa fillon të ulë shikimin, por hoxha nuk kish pasur asnjë përgjigje argumentuese, dhe vetëm këmbëngulte në të vetën me fanatizëm, derisa gazetaria kish ndërprerë emisionin duke hequr hixhabin në mënyrë demostrative, për të «sfiduar e damkosur përfundimisht hipokrizinë e imamit».

Eshtë e çuditshme që z. Blushi interesohet për çfarë ndodh në ekrane të largët si ato egjiptiane. Megjithatë, mënyra sesi ai kërkon ta përdorë atë, duke synuar të godasë një tufë zogjsh me një guriçkë të hedhur në hava pa shenjestër, është për të ardhur keq. Autori i referohet një ngjarjeje të veçantë, të huaj për realitetin shqiptar, të largët, për të nxjerrë konkluzione të përgjithshme mbi realitetin shqiptar. Qëllimi i shkrimit, sipas tij, është të demaskojë pikë së pari hipokrizinë e klerikëve, të huaj e shqiptarë, kudo që janë, e më pas të demaskojë hipokrizinë e atyre që ai i quan «imamët tanë» politikanë, që në fakt janë vetëm të një kampi politik. Këtu bëjnë përjashtim shokët e të birit (Ben Blushit) në selinë rozë, por përfshihen vetëm ata të krahut të djathtë që rivalizojnë Benin, që tashmë mesa duket ka nevojë për një dorë e nuk ecën dot vetë.

Duke lënë mënjëanë politikën, e cila ta shpif vërtetë, si kur mashtron 24 orë në ditë, ashtu edhe kur denoncon mashtrimin në mënyrë kaq të instrumentalizuar sa kjo që bën Blushi i vjetër, po ndalemi tek problemi i shkrimit me klerikët, duke qenë se na shqetëson më shumë ky aspekt. Përpjekja e autorit, në dukje emancipuese, për të dalë në dalë në mbrojtje të vlerave dhe në luftë me hipokrizinë, shfaq një handikap të madh logjik.
Ja si përpiqet vetë autori ta interpretojë ngjarjen që ka treguar, duke na shpalosur edhe moralin e fabulës:

«Nuk ka gjë më të dëmshme e më shkatërronjëse për një shoqëri se të mbetet pa modele të pastra, pa figura publike të ndershme e të besueshme morale. Për këtë qëllim njerëzimi ka shpikur fetë, kishat e xhamitë; për këtë janë krijuar dhe ekzistojnë qeveritë e parlamentet, partitë dhe sindikatat, bashkitë dhe komunat, gazetat dhe mediat elektronike… Për të zgjedhur më të mirët, më të devotshmit dhe më të ndershmit, kryhen herë pas here zgjedhje, sepse presupozohet se ata do të jenë ndër më të mirët, më të virtytshmit, më të aftët. Por a ndodh kështu? Kur del se të zgjedhurit e të përzgjedhurit janë me dy fytyra, mashtrues e hipokritë, si ky imami i Egjiptit, si duhet vepruar dhe si duhet të reagojnë mediat? Sigurisht, sipas shembullit të gazetares egjiptiane. Edhe pse ne jemi shtet laik, pluralist, demokratik, fatkeqësisht ne nuk kemi shembuj të tillë si të gazetares egjiptiane. Por nuk mjafton vetëm shembulli i saj. Lipset edhe reagimi i opinionit publik, qëndrimi qytetar, përndryshe ky “skup”, edhe po të ndodhte tek ne me ndonjë lider, fetar apo partiak, do të mbetej në kufijtë e një argëtimi që bëjnë kalamajtë në cirk. Fatkeqësisht shembujt dhe modelet e tillë janë të pakët.”

Në fakt, autori merr përsipër të gjykojë pa e ditur mirë rastin në hollësi, pa ditur detaje që ndoshta mund ta ndryshojnë kuptimin e ngjarjes. E megjithatë ai nuk e ka problem të nxjerrë konkluzione. Në rrëfimin e tij shumë gjëra nuk shkojnë: imami është pa gojë, nuk ngjente dot asnjë argument, qoftë edhe për të rrëshkitur nga situata, në një rast kaq banal, por e paska lënë veten të demaskohet në mënyrën më skenike të mundshme! Kjo më duket si ndeshje e shitur e imamit, me qëllim që të fitojnë blushët e gazetarisë egjiptiano-antiklerikale apo anti-fetare. Ngjarje të tilla si dialogjet e Kinostudios Shqipëria e Re (shumë prej të cilave me skenarë të vetë autorit të shkrimit), ku ballistët nuk kanë asnjë argument përballë popullit të thjeshtë proletar që ia përplas të vërtetën në sy pa hezitim.

Megjithatë, po e marrim historinë të mirqenë.

Blushi është tejet kontradiktor, sepse teksa mendon se ”nuk ka gjë më të dëmshme e më shkatërronjëse për një shoqëri se të mbetet pa modele të pastra, pa figura publike të ndershme e të besueshme morale”, është vetë ai që po denoncon një rast, pa lidhje, i cili nuk bën gjë tjetër vetëm se cenon besueshmërinë e figurave të këtushme në mënyrë përgjithësuese. Jo vetëm kaq, por ai e përdor fjalën imam si etalon të mashtrimit dhe hipokrizisë, kur thotë “imamët e politikës shqiptare”, teksa ka parasysh mbi të gjitha, Sali Berishën. Pra është vetë autori që, teksa shpreh nevojën për figura të tilla morale si klerikët, përpiqet të nxijë figurën e tyre sipas formateve të gatshme përgjithësuese ku shembulli i keq nxin gjithë tufën. Nëse Blushit i dhimbsen modelet dhe i dhimbset shoqëria e mbetur pa to, nuk ka arsye përse të prodhojë skepticizëm ndaj tyre, për më tepër duke i importuar shembujt nga jashtë. Duke u ekspozuar përpara rasteve të tillë, publiku ka prirjen të krijojë mendim të keq për të gjithë klerikët në përgjithësi, për sa kohë që nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë me ta. Pra kujt i vlen ky denoncim?! Nëse vërtetë “njerëzimi paska shpikur fetë, kishat e xhamitë” me qëllim që të ofrojë modele të pastër për shoqërinë (në fakt, njerëzimi nuk i ka shpikur ato, por po e pranojmë për tolerancë kokëfortësinë ateiste të autorit), atëherë përse z. Blushi nuk lë rast pa qëlluar me gurë kisha e xhami (sidomos këto të fundit), siç bën edhe në këtë rast, e përse nuk ka gjetur kohë në asnjë rast të thotë një fjalë të mirë për to?!

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *