Gropa e zezë





Elton Hatibi

Nga i gjithë teksti i peticionit kundër rishikimit të historisë, kontaminuar me termat genocid, dhunë, shfarosje, shtypje, persekutim, tragjedi, dramë, etj, togfjalshi më emblematik në raport me të vërtetën historike të pretenduar se mbrohet është padyshim ai i “gropës së zezë”. “Pushtimi osman shkaktoi një gropë të zezë në historinë e kombit shqiptar” – thonë pa menduar dy herë hartuesit dhe firmëtaret e tekstit të shndërruar sakaq në promemorjen e mbrojtjes së ADN-s së popullit shqiptar. Metafora e përzgjedhur krijon një imazh lehtësisht të identifikueshëm mbi raportin e të mirës dhe të keqes, ku gjithçka përveç të zezës mbetet të jetë puro e bardhë. Ngjyra e bardhë nuk përmendet fare në tekst, në ilustrimin e ndonjë pjesë të ngritur relievi gjeografik, por lexuesi thirret që përmes lojës së kontrasteve të sforcohet në përfytyrimin e një segmenti të tillë mitik, vezullues të dritës dhe lavdisë. Ndërkohë e zeza, simboli i errsirës, është theksi ku investohen peticionistët në ndërmarrjen e tyre prometeane kokëpërmbysur, aty ku dekurajohet iluminimi i “gropës misterioze”, e rrethuar me fasha si një zonë aksidenti fatal. Teknologjia e karantinës, megjithëse arkaike në manualet e higjenës publike, thirret me nostalgji si e vetmja ndihmë ndaj rrezikut epidemik imagjinar që vjen nga e panjohura, rrezik që supozohet se dhjeton shpirtërisht popullatën.

Figurativisht, “shkëmbi i granitit buzë Adriatikut”, qëndrestar i palëkundur nga prehistoria deri në modernitet, goditet nga një meteor shkatërrimtar që do të pagëzohet “pushtimi osman”, i cili hap një gropë të zezë, një shpellë të errët në trupin e këtij masivi, me dimensione rrumbullak 500 vjeçare. Kombi shqiptar, duke kujtuar këtu legjendën e vëllezërve Tomor dhe Shpirag me gjymtimet reciproke, pasojë e rivalitetit mashkullor, ecën përgjatë historisë me një gropë të thellë në gjoks, plagë e shkaktuar as me pak e as më shumë, vetëm se nga pushtimi osman. Nisur nga numri i pushtimeve dhe zaptimeve të regjistruar rëndom në këto troje, pikturuar me koloritin e reduktuar bardhe e zi që na ofrohet, kombin shqiptar do ta përfytyronim kolektivisht si një qyqar sakat, matrikulluar me toponiminë familjare të Malit me Gropa.

Vështruar nga një kënd tjetër më praktik, gjithmonë sipas optikës së peticionistëve, historia e kombit shqiptar do të imagjinohej si vija lineare që fillon nga viti 0 e deri në ditët e sotme. Shtrirë kështu në një grafik me kurbë vetëm në ngjitje, vija mbërrin në “pikën e zezë”, diku nga mesjeta, ku ajo bie për të shënuar dyshemenë e “gropës” pesëshekullore. Në këtë dialektikë, ngjitjen e saj do ta nisë sërisht me rizgjimin kombëtar të shqiptarëve, për të marrë menjëherë vertikalen e shumëpritur përtej datës së pavarsisë shtetërore. Për të mos mbajtur më frymën pezull me ulje-ngritjet ose zigzaget e linjave që marrin tatëpjetat nëpër grafiqe, kjo metaforë nuk duhet të na alarmojnë seriozisht si shoqëri, për sa kohë nuk sinjalizon ndonjë “gropë të zezë financiare”, fenomen global tashmë përherë e më i prekshëm. Ndërkohë në këtë vijën tonë të përfytyruar lineare, në të cilën sakaq “ndërpritet procesi normal historik i zhvillimit të kombit tonë”, nuk ndihmohet askush të dallojë në cilën pikë tjetër të tabelës lidhet sërisht “procesi normal historik”, edhe pse aty qartësohet përfundimi ditor i bursës së spekulimit intelektual.

Siguria që përcjellin hartuesit e peticionit në vizualizimin e të “vërtetave historike” mund të krahasohet me qartësinë e shikimit të diellit nga gjithkush prej nesh, ku vetëm periudha osmane mund të tregohet me gisht si njolla e zezë misterioze në sipërfaqjen e tij të shndritshme. Lavdia e gjetur në këtë tip të “vërtete historike” shndrit gjithë sipërfaqjes së “diellit” nën formulime të tipit; “Historia e Shqipërisë është …” deri në çastin kur shikimi i afrohet njollave të zeza ku befas ai humbet në negativin e formulimit të parë; ”Historia e Shqipërisë nuk është…”.  Komisioni i përcaktimit të së “vërtetës historike” ka hequr pa vështirsi vijat e asaj se cila është histori e Shqipërisë dhe cila jo. Bashkëjetesa e gjatë në çatinë e Perandorisë Osmane kriminalizohet në biografinë tonë kombëtare. Denoncimi i saj shton shanset e gjithkujt për reabilitim kulturor, pa e vrarë mendjen ndërkaq se një teknikë e tillë fut mes nesh gjurmimin me zell sektar të cilësdo njolle që shfaqet në mënyrë ciklike në perimetrin e përmasës sonë diellore.

Përzgjedhja e metaforës së “gropës së zezë” mbase pa qëllim kërkon të rivalizojë lokalisht një term popullor në qarqet e historianëve medievistë, atë të “periudhës së errët” (dark age). E përbashkëta e termit të mirënjohur dhe atij të huazuar, përveçse shmang dritën, elementin që ndihmon dallimin e sendeve mes tyre, krijon një gjendje ankthi dhe misteri që ngacmon negativisht publikun, duke bërë të vështirë qasjen ndaj procesit të njohjes në përgjithësi. Megjithëse të përafërta në ndjesitë estetike që përçojnë, termat kanë nisje të ndryshme në mënyrën se si ngjizjen konceptualisht për të përbledhur realitetet historike respektive. Ndërkohë që “periudha e errët” e mesjetës europiane mëton të shënojë vakumin kohor, në të cilin në kontinent u braktis ose përçmua shumëçka nga arritjet e qytetërimit klasik deri në ringjalljen e mëpasme të tyre, pra ka si masë vlerësimi një periudhë kohore me stampën e saj ndaj një tjetre, tek “gropa e zezë” kemi një përkufizim tërësisht arbitrar, një kosh plehrash gjigand ku hidhet e nxirret gjithçka e riciklueshme ideologjikisht, bazuar mbi paragjykime dhe emocione. Termi i përdorur për mesjetën evropiane konsiderohet disi i tejkaluar pasi evokon një konsideratë morale arbitrare, një ndarje mekanike të kohës historike, dhe gjithashtu anashkalon faktin që mësimet dhe teknikat e antikitetit mbetën të gjalla dhe u zhvilluan më tej në ato pak pjesë të Europës islamike. Në rastin e “gropës tonë të zezë”, metafora e freskët tenton të ngurtësojë interpretimin e hershëm nacional-komunist mbi këtë temë historike duke i bashkangjitur frymën bashkëkohore të ndasive qytetërimore. Konsiderata ideologjike ndaj dijes historike, e ndërkëmbyeshme sipas klimës, vazhdon të ketë ende hegjemoni të fortë tek ne, megjithëse mjedisi disi dinamik i qasjeve akademike nuk premton ta çimentojë për gjatë këtë relike të vjetruar.

Në rrafshin e njohjes, “gropa e zezë” si metaforë nuk arrin të funksionojë si duhet, nuk arrin të fundosë në brendinë e saj “pashallarë, renegatë e shërbëtorë” që na i tundin përpara si dordolecë. Shumësia e ngjarjeve dhe personazheve 500 vjeçare sigurisht ndodhen jashtë “gropës masive” që duan të mbyllin nxitimthi idhtarët e peticionit. Ata ndodhen si përherë në dokumenta arkivash në pritje për tu njohur më gjerë nga publiku. Nisur nga fjalët e një firmëtari që këto ditë thotë se: “Historia ka të bajë ma shumë me të ardhmen se me të kaluemen”, “gropën e zezë” si metaforë natyrshëm mund ta këmbejmë më shpellën alegorike të Platonit, aty ku shoqëria e sotme shqiptare ka ngecur peng i imazheve dhe e zhurmave false, privuar nga njohja e vërtetë e realitetit. Zbardhja e të vërtetave historike, pra i ngjarjeve dhe personazheve, nuk është qëllim në vetvete, por është një mënyrë e pashmangshme për të njohur më mirë vetveten dhe për të projektuar të nesërmen. Kyçja pas mureve që ngre metafora, nuk pengon përçimin e të vërtetës për publikun e gjerë. Siç na mëson alegoria e shpellës, sfida madhore mbetet edukimi i këtij publiku në mënyrën më të mirë me njohjen e thelbit të realiteteve dhe jo me format e tij.

Nuk lejohet ripridhimi i shkrimit pa leje paraprake te administratoreve te e-zani.com

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *