maxresdefault_173347Në Kosovë ka nisur një debat mediatik e politik pasuar një hutbe të hoxhës Irfan Salihu. Kanë reaguar me këtë rast grupi i grave deputete të parlamentit të Kosovës. Në deklaratën e tyre thuhet:

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, shpreh indinjatën e thellë për gjuhën denigruese, poshtëruese, fyese dhe të pamoralshme, e cila është përdorur nga hoxhë Irfan Salihu, imam në xhaminë Suzi Zerrini të Prizrenit, ndaj grave të Kosovës. Ky diskurs nuk mbështetet as mbi vlerat universale që ka krijuar njeriu, as mbi vlerat e besimit islam, e as mbi vlerat kombëtare shqiptare. Kjo është gjuhë e papranueshme jo vetëm për gratë, por për çdo qenie njerëzore. Kjo gjuhë denigruese e ka vetëm një qëllim, të helmojë mendjet e besimtarëve me ide të papranueshme edhe për shoqëritë më fanatike; të denigrojë figurën e gruas, nënës, vajzës, ta poshtërojë atë deri në pikën e fundit dhe t’i hapë rrugë nënshtrimit dhe pabarazive shoqërore.

 

Kjo gjuhë e këtij hoxhe por edhe e disa udhëheqësve të tjerë fetarë në Kosovë është gjuhë e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja të pariparueshme për të ardhmen në Kosovë, në lidhje me unitetin e shoqërisë, mund të shkaktojë përçarje dhe urrejtje. Kosova nuk është një shoqëri me përçarje sektare prandaj secili prej nesh duhet të mbrojtone vlerat që i kemi kultivuar me shekuj.

 

Gjuha e përdorur nga hoxhë Salihu bën thirrje për dhunimin e drejtave dhe lirive të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës. Populli i Kosovës i ka përcaktuar aspiratat e veta me këtë Kushtetutë ku thuhet: “Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit.

 

Ka reaguar më pas kundra kësaj deklarate Lëvizja Islame Bashkohu, e cila ka deklaruar:

 

LISBA denoncon hipokrizinë e atyre që sulmuan hoxhën madje duke kërkuar llogari nga BIKU në emër të të drejtave të gruas, kur dihen shkeljet që u bëhen këtyre të drejtave nga ana e pushtetit. Ajo në të cilën ka thirrur hoxha Irfan Salihu është morali i femrës të cilin e kultivoj me përkushtim dhe e ruajti me sakrificë populli i shqiptar me shekuj”, thuhet në reagimin e LISBA-s.

Thirrës në ruajtjen e kësaj vlere dhe të vlerave tjera të mirëfillta kanë mbetur vetëm hoxhallarët, të moralshëm, të pa korruptuar dhe të papërfshirë në krime duke i shërbyer me besnikëri dhe sinqertit popullit të Kosovës ndërsa ata të cilët sulmuan hoxhën dhe lloji i tyre të cilët mjaft mirë i njeh populli i Kosovës nuk njohin moral apo e definojnë atë në pajtueshmëri me shfrenimin dhe degjenerimin e tyre duke dashur që edhe të tjerëve tua imponojnë atë.

LISBA mbështetë fuqishëm hoxhën Irfan Salihu dhe çdo hoxhë tjetër i cili sulmohet vetëm pse thotë të vërtetën dhe thërret në të dhe ua bën të qartë misionarëve për shkatërrimin e moralit të rinisë sonë se pavarësisht përpjekjeve tuaja nuk do të arrini ta zhvishni nga morali dhe ta dërgoni në degjenerim popullin Kosovës.

Reagimi i grave deputete është i shproporcionuar dhe sjell alarme të ekzagjeruara në shoqërinë kosovare. Nuk ka asgjë të re në një retorikë moraliste, konservatore qoftë edhe maskuliste të një udhëheqësi fetar dhe ka të tilla kudo në botë, përditë, Lindje e Perëndim, myslimanë e të krishterë, hebrenj e hindu etj, etj, etj. Për më tepër, në Kosovë ka patur deklarata klerikale nga konfensione të tjera edhe më shqetësuese, por nuk kanë zgjuar indinjatën e grupit të grave deputete. Ok, gjer këtu, por ama retorika e hoxhës nuk është pa probleme.

Së pari barra e kësaj katastrofe morale pozicionohet në mënyrë absurde në ‘nahijen e grave’ po  kjo vallja e imoralitetit që po dënon hoxha hidhet së paku dyshe. Por hoxha nuk trajton në të njëjtën mënyrë imoralitetin mashkullor. Ky nuk është vizioni kuranor ku femra e meshkuj kanë të njëjtat përgjegjsi në mbrojtjen e virtytit të tyre.

Të deklarosh femrat e divorcuara si ‘bërrllog’ i lënë nga të tjerët, i përdorur nga të tjerët injoron faktin që divorci mund të ketë qenë rezultat i imoralitetit apo dështimit të mashkullit për të qenë familjar dhe prandaj ky pozicionim i ‘fajit moral’ është i pandershëm.

Paragjykimet e tranmetuara në fjalën e hoxhës ndaj femrave më parë të divorcuara apo që kanë patur marëdhënie seksuale në një martesë të mëpërparshme dhe të thuhet se këto gra bëjnë vetëm për martesë me ndonjë vejan me tre fëmijë harron se kryeshembulli ynë moral, profeti Muhamed – paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të – u martua me një grua që kish qenë e martuar më parë, dhe ajo grua konsiderohet besimtarja e parë në Islam dhe ne myslimanët e konsiderojmë atë si ‘nëna e besimtarëve.’

Edhe në rastin e femrave që kanë patur marëdhënie seksuale në një lidhje të mëparshme, qoftë dhe nga qëndrimi më konservator fetar, qëndrimi i hoxhës është problematik sepse mohon mundësinë e reformimit moral, premtim që qëndron në esencë të fesë. Nëse gjyshërit tanë, si thotë hoxha, nuk ‘e preknin’ një femër që kish qenë e martuar më parë, kjo është në kundërshti të moralit fetar. Referimi i këtyre femrave si ‘bërllog’ e si ‘gjellë ku kanë ngrënë të tjerët’ është fetarisht i papranueshëm. Në një shoqëri pluraliste me kuptime të ndryshme mbi moralitetin, seksualitetin dhe normat shoqërore, një imam apo një prift kanë të drejtën e tyre të promovojnë vizionin e tyre të moralitetit, por duke qenë të respektueshëm ama ndaj të gjithëve, respekt që me të drejtë edhe ne e kërkojmë prej të tjerëve.