Përmbysja e aktualitetit





T1-Malibou-Park-Creek-lillies-1-525x700Sabahudin Jashari

 

 

«Ti o Muhamed po shkatërron veten tënde nga pikëllimi duke u shkuar pas atyre (duke i ftuar e ata largohen prej teje)».

Kehf 6

«Kur u thuhet atyre “ndiqni atë që ka zbritur Allahu”, ata thonë “jo, më mirë do të ndjekim çfarë gjetëm nga baballarët tanë”. (A do ta bëjnë këtë) Edhe pse baballarët e tyre nuk kuptonin gjë dhe nuk ishin të drejtuar».

Bekare 170

 

«Dhe mos u kënaqni dhe mos u rehatoni me të padrejtët që të mos ju prekë Zjarri. Ju nuk keni mbrojtës të tjerë përveç Allahut. Nëse do ta bëni nuk do të mund të mbroheni».

Hud 113

Motiv…

Vetëm në aktualitet, veçanërisht në këtë tonin, mund të përjetohet thënia profetike: «ai që përzihet me njerëzit dhe duron të ligat e tyre është më i mirë se ai që largohet nga njerëzit dhe nuk duron të ligat e tyre». Këtu, në aktualitet, e kupton dhe e ndjen thellësisht, deri në skajin më të errët të brendësisë, përse të jetuarit në mes të së keqes është afrim tek i Gjithëdijshmi. I tillë është aktualiteti ynë, që me grishjen e tij këmbëngulëse e shumë dhelpërake vë në lëvizje mbrojtëse të gjithë arsenalin emocional.

Mbase e para ndjenjë e angazhuar, syçelur e vigjilente në llogoren e saj, është përçmimi i vetes, teksa e përfytyron duke iu nënshtruar kompromisit të shumëllojshëm me aktualitetin, në kurriz pikërisht të vetvetes. Keqardhja, therëse deri në palcë, që shkakton jo thjesht vdekja, por normaliteti dhe komoditeti, mbase edhe rutina, e cila karakterizon turmat që njëtrajtshmërisht përcjellin banorë për në Sharrë apo Tufinë, është një tjetër element i arsenalit të emocioneve të trazuara.

Kthjelltësia apo vigjilenca e brendshme për mos iu dorëzuar demoralizimit dhe pesimizmit të shkaktuar nga rruga e gjatë e përballjes me aktualitetin mundëson një vetëvlerësim, që mbase nuk do ishte i mundur pa shijuar ca pikëza plogështie dhe tkurrjeje, të cilat treten shpejt nga kthjelltësia dhe gatishmëria në betejën me demoralizimin dhe pesimizmin. E njeriu rrëmbimthi i thotë vetes: “mos u dorëzo”!

Nga ky këndvështrim, këto ndjenja, e shumë të tjera, të provokuara nga aktualiteti, i bashkon fija e fuqishme nervore e qëndresës dhe e përballjes së mirëmotivuar. Sa më shumë që ky aktualitet të grish për t’u mposhtur e dorëzuar, aq më shumë arsenali i kalitur i emocioneve të mobilizon për ta mposhtur atë. E ashtu, në konflikt me aktualitetin e jetuar, por njëkohësisht i izoluar prej tij duke qenë vetvetja, individi vendos piketat e formësimit apo “formatimit” të aktualitetit vetjak. Sakaq, e vetëm kështu, ndriçohet në mënyrë të vazhdueshme aksioma profetike sipas së cilës «besimtari që përzihet me njerëzit dhe duron të ligat e tyre është më i mirë se ai që nuk përzihet me njerëzit dhe nuk duron të ligat e tyre».

Serish motiv…

Duke u marrë vazhdimisht me të rinjtë, studentë e poststudentorë, kam mundësi të di e të njoh përtej pyetjeve “si je?”, “si ia kalon?”  dhe “nga shtëpia si kanë qenë?”. Ky kontakt i vazhdueshëm më mundëson edhe një ndjekje apo, më drejt, një konstatim të ecurisë së tyre nga një etapë në tjetrën. Përditshmëria e tij më ngjall gëzim e kënaqësi, sidomos kur takohem me dikë që shijon suksesin në fushën e biznesit, arsimit, mjekësisë e shumë drejtime të tjera të jetës, përfshi edhe politikën, sepse ndodhesh përballë me kuadro të rinj, të përkushtuar moralisht e fetarisht, që dalë ngadalë konsolidohen, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë të karrierës. Megjithatë, përveç shumë aspekteve pozitive dhe arritjeve të prekshme nga shqisat, jo rrallë herë, në lidhje me ecurinë e jetës së tyre, ndodh të dëgjosh rreth pozicionimeve të brishta ndaj realitetit aktual.

Realisht, çdo mjedis të fton në qasjen ndaj tij me njërën nga format vijuese: bashkëveprim pozitiv, asimilim në të apo dorëzim ndaj tij, kompromis dhe, së fundmi, izolim prej tij. Shpesh herë gjen të grupuar në kategorinë e dytë, të tretë dhe të katërt, me justifikimin se «ky është aktualiteti dhe duhet t’i përshtatemi», apo, akoma me klasikja, «si të jetë vendi bëhet kuvendi»,  përndryshe «më mirë merr një tufë dele e rri në mal». Sidoqoftë, më e trishtueshme se sa të gjithë këto pozicionime konkrete të jashtme është raportimi i brendshëm, dhe këtu e kam fjalën për dorëzimin, asimilimin dhe inferioritetin e brendshëm, që janë tregues të bindjes së akumuluar nga përballja me aktualitetin, ku vala është aq e fuqishme dhe e papërballueshme sa që nëse nuk ecën në të njëjtin drejtim, të flak e të përplas tutje.

Misioni i mposhtjes së aktualitetit

Në kuadrin e këtij shqetësimi dhe nën efektin e reflektimit të këtij aktualiteti mbi dijet dhe konceptet, mendoj se misioni i Profetit Muhamed (a.s) mund të shprehet edhe me frazën se: “Ai (a.s) erdhi për të na mësuar se si mposhtet një aktualitet nëpërmjet bashkëveprimit pozitiv me të”. Kjo shprehje gjen si referencë disa ajete kuranore, shprehëse të misionit të profetit Muhamed (a.s), e mund të citojmë një sure të periudhës medinase ku theksohet se «Allahu i ka nderuar besimtarët duke dërguar në mesin e tyre një profet, prej tyre, që ua këndon argumentet e Tij, i pastron nga mëkatet, u mëson atyre librin dhe urtësinë, edhe pse përpara kësaj ata kanë qenë në humbje» (Ali Imran 113). Pra ajeti në fjalë zbret pasi misioni i Muhamedit (a.s) i kishte dhënë frytet e tij dhe kishte arritur të ndryshonte kahjen e një shoqërie nga errësira në dritë. Tashmë Kurani, bashkë me urtësinë hyjnore dhënë Muhamedit (a.s), kishte arritur sanksionimin e besimit në ‘Zotin Një e të Vetëm’ mbi bazën e dijes dhe të argumentit, duke e shkëputur përgjithmonë nga degjenerimi i imitimit të verbër i paraardhësve, ashtu siç kishte arritur pastrimin e mbarë shoqërisë medinase, dhe më gjerë, nga sjelljet e denigruara, e kjo jo mekanikisht por në bazë të ndryshimit të koncepteve dhe bindjeve rreth këtyre sjelljeve e fenomeneve shoqërore, duke e konsideruar këtë lloj ndryshimi si shprehjen më reale të devotshmërisë ndaj Allahut të Madhërishëm.

Për ta konkretizuar ndryshimin mund t’i referohemi një tjetër verseti kuranor, përsëri të sures Ali Imaran, ku i Gjithëdijshmi thotë:

«Kapuni të gjithë pas litarit të Allahut e mos u përçani. Dhe kujtoni mirësinë e Zotit mbi ju, kur ju ishit armiq ndërsa Allahu jua bashkoi zemrat e me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër. Ju, njëkohësisht, ishit në buzën e gropës së zjarrit dhe Allahu ju shpëtoi prej saj. Kështu Allahu ju sqaron argumentet e tij që ju të drejtoheni».

Zoti përshkruan gjendjen e marrëdhënieve shoqërore (armiqësore) të dy fiseve të mëdha medinase para se të vinte Profeti (a.s). Ndërsa pas ardhjes së Tij medinasit u kthyen jo vetëm në paqe por u bënë vëllezër. E këtu kemi të bëjmë me ndryshimin e skajshëm që realizoi Kurani në marrëdhëniet shoqërore: nga armiqësi në vëllazëri. Pikërisht këtë ndryshim rrënjësor, si efekt i ftesës së Muhamedit (a.s), Allahu e prezanton si argument të vërtetësisë së librit të Tij, Kuranit: «kështu Allahu ju sqaron argumentet e Tij që ju të drejtoheni».

Multidimensionet e mrekullisë

Me të drejtë, dijetarët myslimanë, veçanërisht studiuesit e shkencave kuranore, kanë qasje të ndryshme rreth çështjes së mrekullisë kuranore. Po ku konsiston mrekullia e Kuranit? Shumë prej tyre pohojnë se mrekullia e Kuranit qëndron tek aspekti gjuhësor. Domethënë pavarësisht se është prej fjalëve që përdorin vetë njerëzit, askush prej tyre nuk mund të sjellë qoftë edhe një shprehje të ngjashme. Dikush tjetër pohon se ai është mrekulli juridike, duke u përqendruar në këtë mënyrë tek përsosmëria e ligjeve dhe normave të tij. Ka mendime të tjera se Kurani është mrekulli letrare apo, fundja, i mbushur me të vërteta shkencore. Sidoqoftë, diçka është e qartë, Kurani nuk zbriti thjesht për të vërtetuar vërtetësinë e tij. Ai zbriti si libër me mision. E pikërisht tek misioni i tij qëndron vlera dhe identiteti i tij. Jo më kot aty lexojmë: «Elif, Lam, Mim. Ky është një libër që s’ka dyshim në të. Ai është orientues për të devotshmit» (Bekare 1, 2). Sakaq i bie, siç pohojnë shumë dijetarë, që të hidhet dritë mbi një mrekulli tjetër shumë prezantuese për madhështinë e Kuranit dhe vërtetësinë e tij, atë të gjurmëve dhe efekteve pozitive gjithëdimensionale që la Kurani në jetën e njerëzve.

Kur zbriti ajeti kuranor «sot plotësova për ju fenë tuaj, mirësitë e mia mbi ju i përsosa dhe Islamin e kam bërë fenë tuaj të pranuar» (Maide 3), hebrejtë e Medines u thanë myslimanëve që, nëse do të na kishte zbritur ne hebrenjve ky ajet, do ta kishim bërë ditën e zbritjes së tij ditë feste të shënuar. Ky verset kuranor ka zbritur në haxhin e lamtumirës së profetit Muhamed (a.s), ditën e xhuma, dy vjet para vdekjes së Profetit (a.s). Këtu kemi plotësim feje, përsosmëri mirësie dhe një rrugë të vetme shpëtimi, aq sa edhe hebrenjtë e kuptuan se mirësia kuranore, frytet e së cilës i shijonin jo vetëm bashkërisht me myslimanët, tashmë është plotësuar dhe ka arritur kulmin.

Kurorëzimi i misionit 

Në këtë kontekst faktet nuk jepen thjesht për të vërtetuar llojin e mrekullisë, sepse dimensionet e mrekullisë kuranore nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, madje janë në shërbim të njëri-tjetrit. Por faktet sillen në përforcim të idenë se misioni i Profetit (a.s), i realizuar me sukses, konsiston tek demonstrimi konkretisht se si mposhtet një aktualitet. Profeti (a.s) mbylli sytë e tij të ndriçuara vetëm pasi la një model të mirërealizuar për synimin e lartpërmendur.

Një nga aspektet pozitive të metodologjisë së studimit të jetës së Profetit (a.s), është se studiuesit e parashtrojnë jetën e Profetit (a.s) me përshkrimin e gjendjes së Gadishullit arabik, dhe shumë më gjerë, para se të shpallej Muhamedi (a.s) si profet i Zotit të gjithësisë. Natyrshëm kuptohet se kjo bëhet për të nxjerrë në pah ndryshimin që i ndodhi botës në krye të njëzetë e ca viteve të profetësisë së Muhamedit (a.s). Pikërisht këtu nevojitet një ndalesë e veçantë, sidomos ata që janë në konflikt me aktualitetin. Si është e mundur që Gadishulli arabik të kthehet në qendër të vëmendjes botërore, ndërkohë që  më parë kishte mbetur edhe jashtë ambicieve të Aleksandrit të Madh? Si është e mundur që disa njerëz, fise beduine, barinj delesh e devesh, në hasmëri e armiqësi të vazhdueshme me njëri-tjetrin, të kthehen, pa hiperbolizuar, në barinj popujsh? Si është e mundur që një grumbull fisesh, që komandoheshin qoftë edhe me një ushtar të vetëm persian apo bizantin, të shndërrohen në sundues dhe përfshirës të civilizimeve më të mëdha të historisë? Si është e mundur që këto fise arritën të kthehen nga një shoqëri e sistemit të egër të kastave në një shoqëri të barazisë njerëzore, nga një sistem ekonomik i bazuar mbi kamatën, i nxitur dhe motivuar nga grykësia, në një sistem ekonomik të drejtë e të mëshirshëm pa kamatë, nga një shoqëri e armiqësisë, e urrejtjes dhe gjakmarrjes në një shoqëri të vëllazërisë, paqes dhe dashurisë? Si është e mundur që të transferohet njeriu nga një nën nivel i denigruar intelektual, ku zotin e tij e formësonte nga brumi i hurmave, në nivelin e ndritur e fisnik të çlirimit të mendjes nga çdo lloj verbërie, nga degjenerimi emocional ku babai me duart e tij varroste bijën e vet për shkak se ishte femër, në nivelin e mëshirës dhe dhembshurisë edhe për zogjtë e malit? Natyrisht përgjigjet janë të gjata dhe komplekse, por një fakt është thjeshtësisht i prekshëm: këto ndryshime ndodhën, pra realisht misioni i Muhamedit (a.s) u krye, aktualiteti u mposht.

Pandryshueshmëria

Aktualiteti në të cilin u shpall Muhamedi (a.s) si profet ishte trashëgim i brezave dhe i shekujve të mëparshëm, me rrënjë e me degë. Sakaq, kemi të bëjmë me zakone që tashmë ishin kthyer apo shndërruar në natyrë njerëzore, sepse «adeti është natyrë e dytë». Herë pas here Allahu i Madhëruar tërheq vëmendjen në peshën e kësaj çështje tek aktualiteti politeist i Mekës duke nënvizuar se «kur atyre u thuhet ndiqni atë që u është zbritur nga Allahu,  [ata] thonë [se] ne po ndjekim atë që na kanë lënë baballarët tanë, edhe nëse baballarët e tyre kanë qenë prej atyre që nuk mendojnë e nuk janë të drejtuar» (Bekare). Me pak fjalë, besnikëria e verbër ndaj të parëve, sido të ishin ata, ishte një element vështirësues jo i vogël për aktualitetin e Muhamedit (a.s).

Trashëgimia në fjalë ishte e tëra aktualitet: s’kishte lënë sferë, madje edhe qelizë të jetës, pa prekur. Ky devijim gjithëpërfshirës, në mungesë të referencës së saktë, sa vinte e thellohej si në aspektin intelektual dhe emocional, ashtu edhe në atë të sjelljes. Ishte normale që zotat të bëheshin jo vetëm nga gurë apo dru të gdhendur, por edhe nga një grumbull rëre i urinuar, apo nga një top brumi hurmash që më pas mund të hahej për shkak të urisë. Kamata, orgjia, vrasja e foshnjave, dhunimi i të dobëtit e jetimit, skllavërimi i gruas, ngrënia e cofëtinave, llojet e ndryshme të martesave të pahijshme, ishin jo thjesht dukuri, por edhe vetë jeta nuk mund të kuptohej pa to.

Sistem

Ky realitet në vetvete ishte një sistem i ngritur mbi këto lloj vlerash dhe jo vetëm një zbatim i çrregullt i tyre. Do të thotë se këto vlera përbënin në vetvete interesa të shtresave të caktuara, të cilat intensivisht ishin të vendosur që të mos ndryshonin, pasi me transformimin i tyre parashikonin prishjen e sistemit nga ku merrnin oksigjen vetë si shtresë. Ebu Sufjani dhe Ebu Xhehli, që të dy politeistë të shquar të Mekës, armiq të profetit Muhamed (a.s), e kapën në befasi njëri-tjetrin pas shtëpisë së Muhamedit (a.s) duke dëgjuar Profetin (a.s) teksa lexonte Kuran. Pyetjes së Ebu Sufjanit, «pse nuk bëhesh mysliman kur e di se Muhamedi (a.s) është profet i vërtetë?», Ebu Xhehli i përgjigjet se nuk donte që të thonë «se fisi i Muhamedit ka një privilegj që nuk e kam unë». Është e qartë që politeistët e Mekës e kuptonin shumë mirë se dëshmia «nuk ka Zot tjetër të adhuruar me të drejtë veç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij» përmbante në vetvete një sistem të ri gjithëpërfshirës vlerash.

Muhamedi (a.s) nuk implementoi një sistem vlerash në një terren të hapur apo djerrë, por zëvendësoi një sistem, ekzistues dhe të konsoliduar nga brezat, me një sistem të ri nga themelet, nga muret, e pse jo edhe duke restauruar apo përforcuar elemente të trashëgimisë. Një vështirësi e tillë bën të mundur që modeli profetik i mposhtjes së një aktualiteti të rrezatojë akoma më fuqishëm.

vijon…

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *