Pragmatizëm e kontrabandë votash





pragmatizmi

 

E. MERTIRI

Zgjedhjet në Shqipëri kanë rikthyer atë atmosferë të bezdisshme që shoqëron gjithmonë fushatat elektorale, duke aktivizuar turma, militantë, orë të tëra transmetimesh televizive e faqe gazetash çarçafë të mbushura me retorikë boshe, premtime, akuza, mashtrime, propagantë bajate e vulgare, ku të gjithë synojnë t’i prishin mendjen miletit për t’i rrëmbyer ndonjë votë.

Zgjedhjet në Shqipëri, shfaqin gjithmonë një klimë barbarie të tejngopur me agresivitet, entuzjazëm të shtirur, tifozllëk, mburravecëri, megalomani etj. Rrugët përflaken nga parrullat, posterët, flamujtë, në çdo cep rruge gjen nga një qendër shtabesh elektorale, ku mblidhen turma militantësh, tifozë, interesaxhinj, sehirxhinj, që krijojnë ndjesinë e një tensioni të bezdisshëm. Në ditët e fundit të fushatës, situata bëhet inkandenshente dhe ky lumë njerëzish zbrazet nëpër rrugë, me flamuj e brohorima, apo edhe me makina që shurdhojnë dynjanë me boritë e tyre elektorale, të cilat përpiqen të falcifikojnë një atmosferë që nuk ekziston, në një shoqëri të neveritur deri në palcë nga politika e shëmtuar që u rëndon mbi shpinë. Është një histeri kolektive, që shoqëron të gjithë fushatën, e cila këtu zgjat me muaj të tërë, duke dhunuar hapësirën publike dhe qetësinë e qytetarëve. Në sytë e çdo festuesi të tillë hetohet fare lehtë egërsia, e ndezur nga lakmia e llokmës së vogël së cilës, presin t’i gëzohen pas fitores së shpresuar. Nuk ka gjë më të shëmtuar dhe më të trishtë se një atmosferë hareje e krijuar me përdhunë, si ajo parazgjedhore në Shqipëri.

Prapapskenat në shesh

Por kësaj rradhe zgjedhjet kanë disa risi që nuk i kanë pasur kurrë më parë. Nëse gjithmonë forcat politike janë përpjekur të gjejnë pikat më të forta në funksion të argumenteve që ofrohen për të bindur votuesit, këtë herë duket se diskursi e ka humbur krejtësisht peshën e vet. Fushata gjatë këtij viti ka shpërfillur krejtësisht qytetarin, të cilin edhe vetë duket se e pranojnë që nuk e gënjejnë dot më. Aktorët politikë e kanë varur tashmë shpresën tek alancat dhe trafikimet e votës dhe jo tek premtimet elektorale, të cilat tashmë bëhen sa për adet. Që me rikthimin e Metës në kampin socialist, gjërat u trazuan dhe tashmë loja po luhet me letra të hapura. Gjithçka po bëhet sheshit duke dëshmuar se askujt nuk ia ndjen më për norma e moral.

E majta ka bërë një koalicion me mbi 40 parti, ndërsa e djathta me mbi 20 të tilla, duke përfshirë secila thuajse nga të gjitha llojet e gupeve politike në vend. Kështu në koalicionin e majtë gjen brenda grekë e çamë, komunistë e të përndjekur politikë, parti demokristiane e islamike… gjithçka. E njëjta gjë ndodh edhe me të djathtën. Interesante është që për çdo kauzë, greke, çame, demokristiane, antikomuniste ka nga dy grupime të lindura si pasojë e një përçarje, e cila tashmë i rrjeshton një grup me Ramën e një grup me Berishën. Është interesante në mënyrë tragjikomike, të shohësh Kurt Kolën, – kryetarin e shoqatës së të përndjekurve politikë, një nga qendrestarët e mëdhenj të burgjeve të Enver Hoxhës, – në kampin socialist, në koalicion me tre parti komuniste, të cilat, siç thuhet, kanë në program rivlerësimin e pafajsisë së ish të përndjekurve politikë.

Po kaq interesant është edhe flirti i Berishës me komunitetin gay, duke bërë premtimin e bujshëm se do të legalizojë martesat ndërmjet homoseksualëve, teksa nga ana tjetër është në aleancë me Ekrem Spahinë, që premton kriminalizimin e homoseksualitetit. Ndryshe nga çdo vend tjetër në botë, kauzën gay në Shqipëri e përfaqëson e djathta. Nuk mund të themi me saktësi nëse ky premtim është bërë më shumë për të fituar votat e homoseksualëve apo mbështetjen politike të kumbarëve ndërkombëtarë pas saj, por mund të pohojmë me bindje të plotë mungesën e skrupulozitetit politik që po shfaqet, tashmë pa dorashka, në politikën shqiptare, majtas dhe djathtas.

Gjithçka bëhet për shkak të një rivaliteti të ashpër, ku diferenca mes dy forcave pritet të jetë tepër e ngushte, gjë që e bën çdo votë të konsiderohet e vlefshme për fitoren, qoftë kjo edhe e kontrabanduar nga kampet kundërshtare. Politika është bërë pazar, ndaj dhe vota është bërë tashmë si paraja, i paguhet prurësit më të parë, pa kurrfarë rëndësie se kush është ky prurës dhe me çfarë mjetesh e ka fituar. Në Shqipëri nuk ka më as para të pista, e as vota të pista. Fitorja synohet me çdo mjet dhe asnjë moral. Kjo e bën moralin të ekuilibruar. Ky ekuilibër garantohet për shkak të mungesës së plotë të moralit. Peshorja nuk lëviz nga asnjë anë.

E gjithë kjo shfaq mosbesimin e liderëve tek elektorati, gjë që tregon se ata e kuptojnë se elektorati nuk shpreson prej tyre. Më mirë se kushdo, këtë e artikuloi në mënyrë krejtësisht komike dhe të trashë Kreshnik Spahiu, kur deklaroi publikisht se, nëse PS nuk pranon ofertën e Aleancës Kuqezi, atëherë ai do të bëjnë koalicion me popullin shqiptar. Me një logjikë frojdiane, mund të themi se gafat nuk janë të rastësishme dhe ato tregojnë atë çfarë ekziston realisht brenda njeriut. Kjo do të thotë se populli vjen i fundit, vetëm atëherë kur nuk na pëlqen pazari me shefat e politikës.

Thesi u hap me marrëveshjen Rama-Meta. Pas katër viteve të një beteje të ashpër, ku Meta ka qenë shenjestra më e fortë e sulmeve të Ramës (pas Berishës), kjo marrëveshje vjen si rënia e perdes së cirkut në shfaqje gjatë një numri prestigjatorik, ku dalin në shesh të gjitha truket. Tashmë nuk ka më ndarje midis skenës dhe prapaskenës dhe gjithçka luhet ashiqare, në sy të të gjithëve. Marrëveshja ia ka djegur në dorë Ramës të gjitha kartat kundër qeverisë, duke qenë se tashmë po kërkon një pushtet, të cilin do të duhet ta ndajë me pjesën më të korruptuar të qeverisjes Berisha, në protestë ndaj së cilës, u vranë katër vetë, në dyert e Kryeministrisë.

Nëse Rama do të denoncojë korrupsionin në ekonomi, do të duhet ta drejtojë gishtin nga vetja, duke e kërkuar atë tek LSI-ja. Nëse Rama denoncoi para pak kohësh nepotizmin dhe degradimin në politikën e jashtme, fajtorin duhet ta kërkojë tek z. Panariti në partinë e Metës. Në se duhet të flasë për rrënimin e sistemit shëndetësor, gjithashtu duhet të mbetet në kampin e vet. Por më qesharakja është të dëgjosh Metën të flasë për rotacion politik, a thua se një muaj në opozitë po i duket një shekull, nga padurimi për të riardhur në pushtet!

Skena pa perde, është tashmë edhe qesharake, jo thesht për shkak se të vërtetat dolën në shesh, por se shumë aktorë po vijojnë të luajnë rolin, sikur nuk ka ndodhur asgjë, ndonëse spektatori po gajaset me ta. Sofizmi politik, vetëm sa e shton komizmin, pasi të gjithë e kuptojnë se nuk ka më asnjë mjet legjitimimi, përveç dëshmimit se kundërshtari është edhe më i keq.

Shfuqizimi i demokracisë

Ky realitet po i sjell dëmin më të madh jetës politike, duke instaluar përfundimisht imoralitetin politik. Ky sistem përjashton çdo vlerë, duke e shndërruar politikën shqiptare në një pazar të pastër interesash. Është e kotë të flasësh në këto kushte për programe, ideologji apo vlera e trashëgimi historike e kulturore. Të gjitha këto shumëzohen me zero, për sa kohë partitë i hartojnë vetëm formalisht, pa asnjë bindje reale tek ato, e gjithashtu, kur njerëzit që i pranojnë apo refuzojnë këto programe, transferohen sa majtas djathtas në bursën paraelektorale, në pavarësi të plotë prej vlerave që mbrojnë apo përfaqësojnë.

Nuk është se, në këtë drejtim kemi ndonjë gjë të re dhe jo se kjo nuk ka ekzistuar më parë. Përkundrazi, politika shqiptare ka qenë kryekëput e tillë përgjatë gjithë këtyre viteve, por shfaqja e hapur e kësaj distance nga çdo përmasë atashimi historik, moral e ideologjik, bën që tashmë të gjitha këto të përjashtohen edhe në raportet formale të saj me publikun. Kjo zhveshje publike nga vlerat, bën që gjithnjë e më shumë, masa e gjerë e shoqërisë, e cila nuk ndjehet e përfshirë në ndonjë lidhje interesi, të mbesë e papërfaqësuar, duke rritur indiferencën qytetare, jo vetëm ndaj përfshirjes në politikë, por edhe në pjesëmarrjen e saj në votime. Kemi disa tentativa madje, për ta shndërruar në lëvizje, abstenimin politik, duke përdorur atë që po emërohet si «votë e bardhë».

Deri tani, kemi pasur një masë të konsiderueshme qytetarësh që kanë dalë të votojnë qoftë edhe për të zgjedhur të keqen më të vogël apo për të ndëshkuar të keqen më të madhe, ashtu siç ata e kanë perceptuar. Shkartisja e ujërave dhe lëvizjet e aktorëve në merkaton politike parazgjedhore, eleminon edhe këtë motiv pjesëmarrjeje, duke bërë që të mbetet vetëm votuesi i motivuar prej interesave personale: militantë, punonjës administrate, aspirantë për një vend pune apo për afera koruptive, si dhe një masë njerëzish që e shesin votën me para në dorë, siç edhe ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme, kur parti të shumta kanë ofruar deri në 20 apo 30 euro për votë.

Kjo do të thotë se vendi mbetet peng i interesave, jo vetëm të politikanëve, por tashmë edhe të votuesve, duke bërë që një pakicë pa asnjë premisë morale, të vendosë për fatin e të gjithëve. Kjo pakicë bëhet determinuese, aq më tepër kur diferenca në vota është kaq e ngushtë dhe kur realiteti është bërë krejtësisht bipolar.

Në këtë kuptim kemi të bëjmë me një situatë ku humbet krejtësisht sensi i demokracisë. Për sa kohë ky realitet bipolar, të imponon të zgjedhësh midis dy forcave që ndajnë dhe shkartisin kartat sipas orekseve, duke sfumuar çdo diferencë vlerore, atëherë nuk kemi mundësi zgjedhjeje. Çdo zgjedhje është e njëjta gjë dhe jemi të destinuar të mos kemi asnjë forcë politike që përfaqëson ndonjë grup shoqëror real, apo ndonjë masë konkrete popullsie. Demokracia humbet kuptimin në një krizë të tillë përfaqësimi ku qytetarët nuk kanë asnjë motiv për të votuar. Kjo do të thotë se në Shqipëri është instaluar tashmë një demokraci formale, e cila de facto nuk është e tillë.

Ky është dështimi i sistemin proporcional, i cili vret përfaqësimin publik, në funksion të interesave të liderëve, që luajnë shah me njëri-tjetrin, nëpër kuadratët e qarqeve zgjedhore. Për këtë arsye, kodi zgjedhor duhet ndryshuar tërësisht, për të rregulluar sadopak këtë shëmti që po dëshmon realiteti politik. Në fakt, më shumë se kodi, duhet të ndryshojnë rrënjësisht njerëzit, morali dhe perceptimi mbi shoqërinë.

Pragmatizmi si prostitucion

Sipas një barcalete që qarkullon prej disa vitesh si një shpotitje ndaj politikës shqiptare, thuhet se Fatos Nano, në një takim me fshatarët e një zone të thellë diku në jug të vendit, pyetet nga një plak i vjetër se çdo të thotë pragmatist, sepse e kish dëgjuar shpesh kryetarin ta përmendte si fjalë. Nano i thotë se pragmatist do të thotë bir kurve dhe se ai e përdorte këtë fjalë për të mos tingëlluar keq, e për të mos i fyer drejtpërdrejt bashkëpunëtorët e tij. Atëherë plaku i përgjigjet: «Aha, po të jetë kështu, ju jeni pragmatistë të gjithë».

Që me marrëveshjen Rama-Meta, prej javësh pragmatizmi është bërë teoria më e diskutuar në media prej politikanësh dhe analistësh. Njësoj si në rastin e Fatos Nanos së barcaletës, të gjithë e kanë rrokur këtë fjalë si gomone shpëtimi, për t’u hedhur në bregun përtej, nga ku mund të ushtrohet zanati i prostituimit, siç quhet ndryshe ai i politikës. Ndryshimi është që, nëse Nano i barcaletës quante pragmatistë të tjerët, këta quajnë vetveten. Mesa duket, prestigjatorizmi linguistik mbetet i vetmi mjet për të justifikuar menderosjen. Kjo më ngjan me atë halexhiun namuzqar që i thotë vetes tualetist, për të kuruar sadopak statusin e tij verbal.

Por ajo çfarë duket shqetësuese, është padituria e thellë kolektive e politikanëve dhe analistëve për termin, gjë që tregon mungesën e formimit që ata kanë në fushën e mendimit, përfshi këtu edhe mendimin politik. Gjithashtu, shqetësues është edhe fakti që shumë prej tyre, pohojnë në mënyrë të sigurtë dhe përfundimtare se politika nuk ka lidhje me moralin dhe në këtë rast, pragmatizmi është çelësi për të konkluduar se politika është vetëm pragmatiste dhe si e tillë jomorale. Kemi të bëjmë me një ngatërresë të trefishtë: keqkuptimi mbi pragmatizmin, duke e konsideruar atë si një filozofi amorale, ngatërrimin e pragmatizmit me realpolitikën, si dhe përjashtimin e moralit si motivues i aksionit politik.

Për ti ardhur në ndihmë kujtdo që ka dyshime ndaj kësaj që po themi, po i referohemi fjalorit. Fillimisht vërejmë se, në Fjalorin Politik të Oksfordit, nuk ka asnjë zë për pragmatizmin, gjë që do të na shërbente që në krye për të kuptuar se ky term është futur kontrabandë në retorikën politike shqiptare. Në Fjalorin Sociologjik të Oksfordit pragmatizmi paraqitet si një filozofi që sugjeron një pluralitet të vërtetash që mbështeten tek përvoja dhe gjuha, të cilat vlerësohen sipas vlerës së përdorimit. Pragmatizmi synon të lidhë mendimin inteligjent dhe logjikën me veprimet praktike dhe përvojën. James, babai i pragmatizmit, e përcakton atë si një metodë që përpiqet të interpretojë çdo noncion duke shqyrtuar pasojat praktike përkatëse.

Prej këtej, mund të kuptojmë lehtësisht se e gjithë kjo nuk ka fare lidhje me diskutimin midis politikës dhe moralit, siç flitet kudo lart e poshtë. Pragmatizmi është pra një filozofi e cila synon të na tregojë metodën nëpërmjet të cilës duhet të veprojmë për gjëra të ndryshme, nisur nga vështirësia e filozofisë moderne për të arritur në disa të vërteta përfundimtare. Pragmatizmi rrjedh nga utilitarizmi, i cili synon ta lidhë të vërtetën me dobinë. Ai përfshin këtu empirizmin, si testues i aplikueshmërisë së një teorie. Këto rryma filozfike kanë rrjedhur si pasojë e relativizmit dhe skepticizmit dhe nuk kanë asgjë kundër moralit, të cilin nuk e përjashtojnë aspak. Përkundrazi, duke qenë metodë (ndërsa morali lidhet me qëllimet), ajo është mjeti nëpërmjet të cilit qëllimet e mira (qëllimet morale) bëhen të realizueshme. Pra, pragmatizmi synon të jetë një teori që kërkon instrumentet e duhura në funksion të moralit, por pa parimet morale, instrumenti bëhet i kotë.

Diskutimi që shtrohet kur flasim për imoralitetin e marrëveshjes Rama-Meta, nuk ka të bëjë aspak me pragmatizmin, por me debatin midis dy rrymave: realizmit dhe idealizmit. Idealizmi këmbëngul tek vlerat etike dhe demokratike në politikë, ndërsa realizmi fton të jemi me këmbë në tokë, duke vepruar në sferën e të mundshmes. Në fakt, siç kanë shpjeguar shumë mendimtarë, të dyja nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Linja etike nuk beson në një ndarje të tillë midis parimeve dhe realitetit dhe nuk mendon se realiteti kërkon diçka tjetër nga parimet për t’u realizuar. Giovanni Sartori pohon se ai që mendon se demokracia është e mirë, por nuk gjen dot zbatim, në fakt ai thjesht nuk beson tek demokracia. Në këtë rast ai beson në vlera të tjera, pasi parimet që nuk gjejnë zbatim nuk mund të jenë të vërteta.

Nga ana tjetër edhe realizmi, të cilin politologët gazetareskë në Shqipëri e ngatërrojnë me pragmatizmin, nuk mohon etikën. Përkundrazi, realizmi është një filozofi e cila synon të na tregojë mjetet nëpërmjet të cilave bëjmë të mundur qëllimet politike, të cilat lidhen nga ana e tyre me idealet dhe etikën. Ky diskutim prek raportin midis mjetit dhe qëllimit. Qëllimi i mirë pa mjetet e duhura është i gabuar, sepse politika është arti që synon qeverisjen e mirë, e cila nuk mund të bëhet pa mjetet. Ndërsa mjetet e mira pa qëllime në vetvete, i kanë mohuar politikës mundësinë e së mirës, duke zhdukur për pasojë edhe vlerën e vetë mjetit.

Pohimet e disa filozofëve televizivë në ekranet shqiptare, mbi përjashtimin e moralit prej politikës, tregojnë se nuk kanë kuptuar as abc-në e kësaj fushe. Në thelb, politika është një fushë thellësisht morale, e cila synon të na mësojë se si të realizojmë të mirën në qeverisje. Nëse besojmë tek demokracia, ne besojmë sepse mendojmë se moralisht qeverisja i takon popullit dhe kjo është një vlerë morale. Politikanët, mund të përfshihen në politikë për qëllime të tjera nga ato etike, por vetë politika kërkon mbështetje në parimet morale, në themel të saj. Ata që e përdorin politikën për qëllime të pamoralshme janë pikërisht ata që abuzojnë me të. Ata nuk mund të justifikojnë amoralitetin e tyre me konceptin e shtrembëruar të realpolitikës, duke trajtuar konceptualisht politikën si putanë. Politika është thjesht hapësira ku ushtrohet aksioni politik dhe jo shpërdorimi i individëve që përfshihen në të. Politika është ndërtesa, ndërsa politikanët janë banorë. Nëse politikanët prostituojnë me zanatin e tyre, kjo ngrehinë mund të shndërrohet në kuplara, por për këtë nuk është faji i saj. Në vetvete politika nuk është kurvë. Ajo bëhet e tillë prej këlyshëve të saj “pragmatistë”.

 

Revista Shenja 01.06.2013

 

Comments

  • Shum shkrim i mire dhe i nevojshem Ergys. Do kisha dashur qe te kishte pasur me shume analiza e diskutime te tilla tek Ezani duke qene se zgjedhjet qe po afrojne, dhe situata politike ne pergjithesi duam apo s’duam ne kane nje ndikim te madh ne jeten tone te perditshme e nuk mund t’i injorojme kollaj.

    Desha te ndaj me lexuesit kete shfryrje timen ne anglisht te shkruar pak kohe me pare e te frymezuar nga i njejti zhgenjim total me skenen politike shqiptare qe shpreh Ergysi e qe ndjejme te gjithe.

    Alternativa un vete nuk di te propozoj, ndoshta do ishte mire qe ata nga ne qe e ndjejne veten te afte e te pergjegjshem sa c’duhet te kandidojne si kandidate te pavarur ne te ardhmen per tu paraqitur besimtareve disa alternativa te vogla. Ndoshta edhe organizimit politikisht per ti marre fatet tona ne dore, tip Vetevendosje, i ka ardhur koha…

    Nderkohe na mbetet te shprehim zemerimin dhe protesten tone.

    http://islamiim.wordpress.com/2013/02/03/islamic-force/

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *